Durana Tech Park, tashmë një realitet, është një qendër inovacioni dhe ekselence, një platforme e avancuar që mbështet dhe fuqizon kompanitë teknologjike, startup-et, institucionet akademike dhe nomadët dixhitalë, duke bashkuar nën një çati mundësitë më të mira të botës së inovacionit me energjinë dhe kreativitetin shqiptar.
Me një infrastrukturë moderne, stimuj të fortë fiskalë dhe një ekosistem të gjallë bashkëpunimi, Durana është konceptuar të bëhet epiqendra e teknologjisë dhe inovacionit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.
Në një ceremoni të posaçme me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, u dorëzuan certifikatat, si rezidentë të parë të Parkut, atyre aplikantëve që kanë kaluar me sukses fazat e vlerësimit dhe janë tashmë pjesë e këtij ekosistemi në ngritje, të cilët përfaqësojnë këto kategori; 24 kompani; 6 startup-e; 2 nomadë dixhitalë; 2 institucione akademike
Procesi i aplikimit për t’u bërë pjesë e Durana Tech Park do të mbetet i hapur në vazhdim.
* * *
Kryeministri Edi Rama: U bëmë pak si të shtëpisë në këtë sallë për të disatën herë brenda një kohe të shkurtër dhe është gjithmonë kënaqësi sepse siç e kam thënë dhe më parë, pamja nga këtu është shumë frymëzuese.
Më vjen jashtëzakonisht mirë, që sot kemi një produkt të parë, konkret të një vizioni që dukej goxha utopik kur ne nisëm të përpiqemi për realizimin e tij, ashtu siç dukej utopik edhe qëllimi ynë për të bërë Shqipërinë një lider në shërbimet publike, elektronike, gjë që sot është një fakt ashtu siç dukej utopik edhe besimi ynë se procesin e negociatave do ta përshpejtonim eksponencialisht me Inteligjencën Artificiale, gjë që sot po ndodh, ashtu siç duket sot utopik edhe qëllimi tjetër që të kemi në dispozicion një model të Inteligjencës Artificiale për të zhvilluar prokurime publike pa pjesëmarrjen e njeriut, gjë për të cilën po punojmë dhe kemi të dhëna mjaftueshmërisht optimiste se një model të tillë, i cili do të jetë i pari që do të vihet në funksion besojmë, deri tani të paktën mesa kemi parë në Europë, do ta kemi në dispozicion deri në fund të vitit të ardhshëm apo brenda fundit të vitit të ardhshëm.
Jemi në një bashkëpunim të përditshëm intensiv me Microsoft dhe po ashtu po punojmë tani edhe me vende të tjera, kemi pasur një workshop përpara pak javësh me përfaqësues nga 16 vende që janë duke u marrë me këtë produkt dhe jemi besimplotë që do ta realizojmë.
Ndërkohë që sot, Durana Tech Park merr jetë dhe kalon nga plani dhe legjislacioni në letër, në realitetin e një numri jo të vogël kompanish që kanë shprehur interesin dhe që nga sot marrin dhe certifikatën e anëtarit të kësaj shoqërie të re digjitale, ku qëllimi ynë kryesor nuk është që të sjellim sa më shumë kompani të huaja, por qëllimi ynë kryesor është që të angazhojmë sa më shumë talente shqiptare dhe patjetër që drejtorja e AIC ka të gjithë të drejtën e vetë të jetë e buzëqeshur dhe krenare për numrin e kompanive të huaja që sot marrin certifikatën apo të tjera kompani shumë prestigjioze që, siç e tha, nuk na kanë autorizuar ende që të përmendim emrin e tyre përpara se të përmbyllim procesin, por unë jam i buzëqeshur për një arsye tjetër; sepse disa start-up që ne i kemi mbështetur kur kanë qenë në qelizë, sot të kthyer janë kompani të reja bëhen anëtarë të parkut dhe përfitoj nga rasti që t’i çoj një mesazh nga këtu të gjithë atyre vajzave dhe djemve shumë të talentuar që pata privilegjin t’i takoja në një eveniment të mëparshëm në këtë sallë ku bashkë me ministren për Sipërmarrjen, ne prezantuam edhe programin e ri për fituesit e start-up, për aplikantët për mbështetje nga start-up dhe t’ju them që Durana Tech Park është, në radhë të parë, destinacioni i krijuar për ta, i krijuar për talentet shqiptare, i krijuar për vajzat dhe djemtë që janë këtu në Shqipëri ose që mund të jenë jashtë dhe që duke u regjistruar në këtë park fitojnë një status krejt special dhe i hapet një perspektivë shumë inkurajuese pasi i ka të gjitha lehtësirat e mundshme.
Për të realizuar Durana Tech Park, ne kemi bërë një analizë shumë të gjatë të parqeve teknologjike në Europë dhe në botë, kemi shqyrtuar me shumë kujdes legjislacionin europian, kemi parë si ka funksionuar në vende të tjera, ku kanë qenë avantazhet dhe disavantazhet, çfarë ka ecur më shumë dhe çfarë ka ecur më pak dhe besoj që kemi krijuar një kornizë që është unikale, thjesht duke marrë më të mirën nga të tjerët dhe duke u përpjekur të evitojmë çfarë të tjerët kanë hasur si problematika.
Sot ky park, faktikisht, çon përpara një revolucion digjital që do të vazhdojë hap pas hapi me shumë intensitet.
Së shpejti, ne do të prezantojmë edhe modelin tjetër të Inteligjencës Artificiale në shërbimet publike, do të kalojmë nga asistentja digjitale e e-Albania që vetëm orienton marrësit e shërbimeve me zë në një nivel krejt tjetër, ku asistentja do të bëjë gjithë punën që sot e bën dikush që hyn për të marrë shërbimin. Pra, asistentja nuk do të jetë më aty për të thënë kliko këtu, kliko aty, bëj këtë e fut atë, por do të marrë thjesht porosinë me gojë dhe do bëjë shërbimin.
Është çështje javësh, në mos një apo dy muajsh që ky nivel tjetër i asistencës në shërbimet digjitale të bëhet i aksesueshëm për publikun e gjerë.
Ajo që është një surprizë e bukur për ne në interesimet, në shprehjet e interesit për t’u bërë pjesë e shoqërisë digjitale të Durana Tech Park, nuk është thjeshtw numri i kompanive të huaja apo diversiteti i hartës që shkon nga Shtetet e Bashkuara në Estoni apo nga Franca në Gjermani e deri edhe në Azi, por është aspekti tjetër ai që na bën më shumë përshtypje, që ka një interes nga institucione akademike, nga universitete me reputacion në Europë. Ka filluar procesi për tre universitete shumë të mirënjohura italiane dhe ka interes dhe ka universitete të tjera. Kjo na bën që të shohim të vizionojmë pak kornizën rregullatorë, në mënyrë që t’i japim mundësi institucioneve akademike që të hyjnë në këtë shoqëri digjitale me pjesën që ka të bëjë me kërkimin shkencor.
Ndërkohë, siç e kemi bërë me dije më parë, jemi në një bashkëpunim të ngushtë me Francën, e cila sot ka marrë flamurin e vendit lider në inovacion dhe në Inteligjencën Artificiale dhe pjesë e këtij bashkëpunimi me Francën është edhe zhvillimi i Durana Tech Park si një destinacion për kompanitë europiane, kompanitë që vijnë nga Bashkimi Europian për të krijuar një hapësirë në funksion të Be, në funksion të zhvillimit të teknologjisë të BE, duke krijuar një lehtësi për to në ndërkohë që BE është në procesin e derregullimit të domosdoshëm, në radhë të parë për kompanitë që funksionojnë në këtë fushë. Ne iu japim atyre një hapësirë që duke qëndruar brenda Europës, duke qëndruar në zemër të Europës, në një rajon që rrethohet nga kufijtë e BE të mund të prodhojnë në funksion të BE. Synojmë që të arrijmë shumë shpejt, mbi 5000 mundësi për punë, për ekspertet e teknologjisë dhe profesionistët e rinj, që do të thotë me paga shumë të larta, shumë më të larta se pagat tona, që të jemi shumë të qartë.
Synojmë që të rrisim eksportet dhe të ardhurat tona me afërsisht 3.5 miliardw euro brenda dy dekadave vetëm nga kjo iniciativë, gjë që e kemi studiuar dhe e kemi konfirmuar së bashku me partneret tanë francezw në studimin e përgjithshëm. Synojmë që po ashtu të ardhurat në buxhetin e shtetit gjatë periudhës që po flas vetëm nga kjo iniciativë të jenë mbi gjysmë miliard euro, që është diçka shumë domethënëse.
Në fund fare, dëshiroj që edhe një herë tjetre t’i bëj me dije të gjithë vajzave dhe djemve që punojnë në këtë sektor, të gjithë atyre që rrinë përpara kompjuterit, të gjithë atyre që ëndërrojnë majat më të larta, të gjithë atyre që falë punës dhe dijes mbi teknologjinë, sot kanë hedhur farën e një ndërmarrje të vogël që ta shikojnë Duraka Tech Park si atdheun e tyre brenda atdheut tonë të madh, atdheun e një shoqërie digjitale, që aty brenda ka komplet të tjera kushte dhe komplet të tjera rregulla, në funksion pikërisht të mënyrës sesi funksionon mendja e këtyre njerëzve, gjë që unë nuk e di sesi, por di që funksionon në mënyrë shumë të admirueshme dhe di po ashtu që këta njerëz më mirë t’i kesh me vete se t’i kesh kundër se kur bëhen kundër, bëhen hacker-a, kur bëhen hacker-a bëhen problem.
Kështu që, ju falënderoj shumë që të gjithëve!
* * *
Pasi u dorëzojë certifikatat rezidentëve të parë të Durana Tech Park, Kryeministri Rama u shpreh:
“Dua të shtoj që në ndërkohë, ne po përgatisim një infrastrukturë absolutisht ekselente për standardet e Silicon Valley-t, në Vlorë, ku në qendër të Vlorës me transformimin rrënjësor të asaj godinës, ngrehinës të mbetur aty, që në kohët e vjetra të tranzicionit, do të hapim dyert për një tjetër territor, i cili do të ketë legjislacionin e Parkut Teknologjik edhe do të ofrojë hapësira fizike të nivelit A për të gjithë ata që do duan të vendosin aty praktikat e tyre të punës, gjithmonë të lidhura me zhvillimin e teknologjisë dhe gjithmonë të lidhura me këtë komunitet, me komunitetit Wirless, jo me komunitetin që për pak na bëri të thërrisnim ambulancën këtu, se ishte i lidhur me kavo.