Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë
- Muzeu Historik u përurua më 28 tetor 1981. Zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27.000 m2 dhe ka një sipërfaqe ekspozimi prej 18.000 m2. Ndërtesa e muzeut dallohet për një vëllim kompakt mbi një plan kuadratik të kompozuar në mënyrë qendrore simetrike kundrejt një oborri atrium. Muzeu Historik Kombëtar përcjell një shije hermetizmi e monumentaliteti tendencioz, që ishte në harmoni me shijen estetike dhe klimën e përgjithshme të regjimit të Hoxhës. Në mjediset e tij janë të ekspozuara 6200 objekte muzeore, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Këtu mund të vizitoni: Pavijonin e lashtësisë, Pavijonin e mesjetës, Pavijonin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Pavijonin e Pavarësisë, Pavijonin e ikonave, Pavijonin e LANÇ-it, Pavijonin e persekutimit komunist dhe Pavijonin e Nënë Terezës.
Orari : E Hënë Pushim
E Martë – të Shtunë 10:00 – 17:00
E Diel 09:00 – 14:00
Për më shumë: http://www.mhk.gov.al/
Muzeu Arkeologjik, Durrës
- Muzeu Arkeologjik është përuruar më 13 prill 2002. mbi bazën e materialeve të Muzeut të parë arkeologjik, i hapur më 13 mars 1951. Ekspozita është organizuar në tre pavione sipas periudhave historike. Salla e parë fillon me vitrinën e gjetjeve prehistorike në qytet e rreth. Në rend kronologjik ndiqet pa ndërprerje historia e qytetit në periudhën arkaike, klasike dhe qytetare ilire deri në shek. I p.e.re. Në vazhdim shpaloset zhvillimi topografik, ekonomik, politik e kulturor i Dyrrachiumit romak. Në aspektin tematik ky qytet dëshmon praninë e një popullsie autoktone ilire me botë të pasur shpirtërore. Durrësi paraqitet qendër me ekonomi shumëdegëshe dhe që tregtonte me shumë qendra mesdhetare. Mesjeta përshinë 15 shekuj nga shek. V-XV dhe mbyllet me periudhën turke.
Për më shumë: https://kultura.gov.al/3dsite/gallery-item/muzeu-arkeologjik-durres/
Muzeu i Pavarësisë, Vlorë
- Është krijuar në vitin 1936 dhe është muzeu i parë shqiptar. Prej krijimit e deri në ditët tona, është rritur, plotësuar e konsoliduar si një nga objektet më të rëndësishme muzeale jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë. Me rastin e 50 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, u shpall Muze Kombëtar. Vetë godina dhe gjithçka ndodhet e ekspozuar në të, përfaqësojnë një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Në këtë godinë, janë hedhur themelet e shtetit shqiptar. Për 6 muaj, aty u vendos dhe funksionoi Qeveria e Ismail Qemalit, që u krijua pas shpalljes së pavarësisë. Muzeu i Pavarësisë Kombëtare, konsiderohet si një objekt muzeal i pëlqyeshëm. Ai përbëhet nga 2 dhoma dhe 2 korridore. Në të janë ekspozuar objekte origjinale të kohës që pasqyrojnë, dokumente të rëndësishme të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë, si dhe vepra të ndryshme arti kushtuar kësaj periudhe, pesha e së cilës i kalon caqet lokale. Për herë të parë pas shumë dekadash, godina e Muzeut të Pavarësisë u rehabilitua plotësisht në vitin 2002, me rastin e 90 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Me këtë investim, ky objekt mori vlera të tjera dhe u bë më i pëlqyeshëm për vizitorët. Mjediset e tij i vizitojnë çdo ditë, dhjetëra qytetarë. Ai ndodhet në jug të qytetit të Vlorës, në afërsi të portit.
Për më shumë: https://www.intoalbania.com/sq/atraksion/muzeu-i-pavaresise/
Muzeu “Gjergj Kastrioti”, Krujë
- Përurimi i muzeut është bërë më 1 nëntor 1982. Muzeu u ndërtua në Kalanë e Krujës, si kryeqendra e shtetit të Arbërit dhe personifikimi i disfatës së ushtrive osmane, për tri herë rresht, në shek. XV. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali, që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale dhe riprodhime autentike, që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Aty numërohen pavijone të tilla si: pavijoni i antikitetit dhe mesjetës së hershme, pavijoni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës. Në këto pavijone janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, kambana e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV etj.
Për më shumë: https://kultura.gov.al/3dsite/muzeu-kombetar-gjergj-kastriot-skenderbeu/
Muzeu Etnografik, Krujë
- Një ndër muzetë e veçantë në Shqipëri është pikërisht Muzeu Kombëtar Etnografik në qytetin e Krujës. Ky muze e ka zanafillën e krijimit të tij që 20 nëntor të vitit 1989 dhe ndodhet në një objekt të ndërtuar në vitin e largët 1764 që është ish-shtëpia e Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” . Ky objekt është klasifikuar si objekt i Trashëgimisë Kulturore dhe monument kulture i kategorisë së I. Objektet e ekspozuara në këtë muze pasqyrojnë më së miri mentalitetin dhe shpirtin luftarakë dhe krijues të popullit tonë ndër shekuj në fushën e artizanatit, bujqësisë, blegtorisë etj. Këto artefakte dëshmojnë më së miri jetën e popullit tonë ndër shekuj dhe me kalimin e kohës ky muze vazhdon edhe sot të pasurohet me objekte të reja të gjetura që i përkasin periudhave të ndryshme. Objektet të cilët janë vendosur në këtë muze përveçse përfaqësojnë periudha të ndryshme të historisë së vendit, pjesa më e madhe e tyre janë objekte autentike edhe sot vazhdojnë të jenë funksionalë. Ky muze është unik në llojin të tij në të gjithë rajonin e Ballkanit për nga stili që përfaqëson dhe është gjithashtu ka dhe cicëron, ç’ka e bën atë të aksesueshëm jo vetëm nga shqiptarët por dhe nga turistët e huaj.
Për më shumë: https://kultura.gov.al/3dsite/muzeu-etnografik-kruje/?lang=en
Muzeu Etnografik, Berat
- Në vazhdim të vizitës, përgjatë rrugës që zbret nga kalaja, në pjesën e poshtme të qytetit, mund të ndodhet Muzeu Etnografik i qytetit të Beratit. Banesa e Llavdës ndodhet në zonën tampon, gjatë rrugës kryesore për në kala. Pas restaurimit të ndërtesës, në vitin 1979, në ambientet e saj u vendos Muzeu Etnografik i Beratit. Kjo banesë karakteristike është aktualisht nga të paktat në gjininë e banesave me çardak, e cila vjen deri në ditët e sotme pa ndryshime të mëdha, duke ruajtur si vlerat e jashtme arkitekturore, po ashtu edhe ato ornamentike në brendësi të saj. Ashtu si edhe në banesat e tjera beratase, edhe këtu shihet qartë ndërhyrja e fazës pas tërmetit të vitit 1851, kur janë modifikuar ambientet e katit të sipërm me konstruksion skelet – druri. Një pamje impresionuese shfaqet në ndërtimin e çardakut të hapur, pa tavan, në krahun verior të banesës. Mjaft interesante në brendësi janë edhe dhomat e ndryshme, ku spikat trajtimi dhe kompozimi i odës së miqve me tavanin, musëndrat dhe mafilin.
Për më shumë: https://muzeumet-berat.al/muzeu-etnografik/
Muzeu Ikonografik “Onufri”, Berat
- Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemër Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Kurse objektet liturgjike, kryesisht, mbajnë firmën e argjendarëve shqiptarë ndër shekuj. Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrit Stefan Barka nga Misrasi i Oparit dhe mjeshtër Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit në fillimin e shekullit të XIX. Ikonostasi i katedrales Fjetja e Shën Mërisë mban si datë vitin1807. Ajo konsiderohet si një ndër veprat më të mira të krijuara nga mjeshtrit shqiptarë të drugdhendjes. Zbukurimet e ikonostasit paraqesin disa karakteristika dhe parime të stilit barok, një prirje mbizotëruese dhe dalluese e kishave të ndërtuara në Ballkan gjatë shekujve XVIII dhe XIX. Të gjitha këto motive janë të gërshetuara me elementë të tjera të traditës bizantine. Në një arke të drunjtë pranë ikonostasit konservohen eshtrat ose lipsanet e dy Shenjtorëve Gorazdi dhe Angjellari (dishepuj të shenjtorëve Metodi dhe Kirilli) të cilët mendohet të kenë kryer misionin e tyre në shek. IX – X pas Krishtit. Nën dyshemenë e absidës me 12 Gusht të vitit 1968, janë gjetur dy Kodikët e Beratit, “Codex Purpureus Beratinus” i shek. VI pas Krishtit dhe pas Krishtit “Codex Aureus Anthimi” i shek IX. Kodikët në fjalë janë përmendore të kulturës dhe qytetërimit si dhe enciklopedi të vërteta të mendimit të krishterë. Dy Kodiket e Beratit janë regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin “Memoire du Monde” nën mbrojtjen e Unesco-s.
Për më shumë: https://muzeumet-berat.al/muzeu-onufri/
Muzeu i Artit Mesjetar, Korçë
- Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar hap dyert për vizitorët. Me një fond prej 8000 ikonash dhe objektesh të karakterit religjioz, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar është vendosur në ndërtesën e re ku dhjetëra vepra janë ekspozuar në sallat e kësaj qendre muzeore, ndër më të rëndësishmet në Shqipëri. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar falë ndërtimit bashkëkohor është një ndër destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. I pozicionuar përgjatë Bulevard “Fan Noli” në Korçë, ky muze është jo vetëm një ekspozitë vizive vlerash por edhe një institucion unikal në rajon.
Për më shumë: https://kultura.gov.al/3dsite/muzeu-kombetar-i-artit-mesjetar-korce/?lang=en
Muzeu Arkeologjik, Korçë
- Muzeu Arkeologjik i Korçës u krijua në vitin 1985 dhe mori formë më të gjerë e më të plotë pas organizimit të vitit 1990. Ky muze është vendosur në dy banesa karakteristike korçare të fillim shekullit XIX (19-të), të cilat për vlerat arkitektonike të tyre janë shpallur monumente kulture. Muzeu Arkeologjik është i veçantë në llojin e vetë. Ai është përqendruar në prehistorinë e zonës juglindore, e fillon nga periudha neolitike dhe deri në fazën e zhvilluar të epokës së hekurit. Në këtë muze janë përfaqësuar disa vendbanime të rëndësishme prehistorike si Maliqi, Potgoria, Dunavesi, Trajani e përmbyllet me një sesion të vogël të periudhave pas prehistorike. Muzeu Arkeologjik i Korçës ka rreth 1200 objekte të ekspozuara, shumica me përkatësi nga epoka e neo-eneolitike, bronzit dhe epokës së hekurit.
Për më shumë: https://muzeuarkeologjik.wordpress.com/
Muzeu i Arsimit, Korçë
- Muzeu Kombëtar i Arsimit në Korçë ndodhet në ndërtesën e shkollës së parë shqipe, e hapur më 7 mars 1887. Në ambientet e muzeut janë të ekspozuara historia e shkrimit shqip dhe botime të shqipes. Në ndërtesën ku ndodhet sot Muzeu Kombëtar i Arsimit shqiptar, ndërtesë Monument Kulture 150-vjeçare, është hapur Shkolla e Parë në gjuhën shqipe, ose siç thirrej atëherë, “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”. Kjo shkollë u hap më 7 Mars 1887, me leje nga Perandoria Osmane. Ndërtesa ishte shtëpia ku banonte patrioti korçar Diamanti Terpo i cili e dhuroi këtë banesë për shkollën shqipe. Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit shqip, e morisë së alfabeteve deri në alfabetin që kemi sot, vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908. Në këtë muze pasqyrohet historia e librit shqip prej abetares së parë të gjuhës shqipe (evetari, 1744), hartuar nga Naum Panajot Bredhi (Veqilharxhi). Ndërtesa e muzeut ka tetë mjedise ekspozimi.
Për më shumë: https://bashkiakorce.gov.al/site/article.php?aid=1610&t=Muzeu-Komb%C3%ABtar-i-Arsimit
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”
- Arti i fotografimit në vendin tonë zë fill në Shkodër në vitet ’50 të shekullit XIX dhe lidhet me emrin e Pietro Marubit (1834 – 1903), me origjinë nga Piacenca (Itali), i ardhur si azilant politik në Shkodër, ku u vendos përgjithmonë, duke themeluar studion fotografike “Marubi”, në qendër të qytetit, e para e këtij lloji në Shqipëri. Puna e tij mbi dyzetvjeçare si fotograf ka lënë gjurmë të rëndësishme, me vlera historike e artistike. Në studion “Marubi” pati njëkohësisht kontributin e vet modest edhe nxënësi i mjeshtrit italian, Mati Kodheli. Nga viti 1885 në këtë studio punoi edhe vëllai i Matisë, Kel Kodheli.(1870 – 1940) i cili, me vdekjen e mjeshtrit trashëgoi studion dhe filloi punën i pavarur, duke mbajtur pastaj për nderim e mirënjohje të mësuesit bujar, mbiemrin “Marubi”si mbiemër të vet. Krahas rritjes së kërkesave të publikut, rritet dhe aktiviteti i studios “Marubi”,duke ndjekur hap pas hapi teknikat evolutive të fotografimit e duke u shquar për cilësi të lartë deri në realizimin e fotografisë së mirëfilltë artistike. Brezi i tretë i dinastisë “Marubi”, pas vdekjes së Kelit, përfaqësohet nga biri i tij, Gega, i cili e përcolli këtë thesar të vyer dhe e pasuroi më tej atë, duke punuar me po atë përkushtim e profesionalizëm deri më fund të jetës së tij. Në vitin 1970, fondi i fototekes “Marubi”, fryt i një pune të pandërprerë njëqind e sa vjeçare, ku shkrihen së bashku arti dhe memoria e Shkodrës dhe e kombit tonë, e cila përmban rreth 200 000 negativë në pllaka xhami e në celuloid i kaloi shtetit shqiptar. Më pas këtij fondi iu bashkuan edhe katër arkiva të tjera negativësh me vlera të spikatura, nga fotografët e shquar shkodranë, respektivisht Shan Pici, Rraboshta, Dedë Jakova e Angjelin Nënshati, duke e dyfishuar pothuajse numrin e negativave në këtë Fototekë. Vlen të theksohet se secili prej këtyre fotografëve kishte krijuar profilin e vet të fotografit artist. Fondet prej mbi 400000 negativash, përveç harkut të gjatë kohor, kanë një shtrirje gjeografike përtej kufinjve të qytetit e qarkut të Shkodrës. Aty janë fiksuar përveç mijëra e mijëra individë qytetarë ose jo të Shkodrës, qindra ngjarje historike lokale e kombëtare, kronika te përditshme te qytetit, persona të njohur publikë e personalitete të fushave të ndryshme të jetës politike, ekonomike, shoqërore e kulturore. Gjithashtu është dokumentuar urbanistika e monumente të qytetit të Shkodrës e të pjesës më të madhe të qyteteve të Shqipërisë, e Malit të Zi. Një vlerë të veçantë marrin mijëra negative që pasqyrojnë veshjet tradicionale, që përfshijnë të gjitha zonat etnografike të Shqipërisë së Veriut, shtëpitë karakteristike shkodrane e ato të fshatit, Pazarin e Madh te Shkodrës, peizazhe natyrore deri në ato të Alpeve të Veriut etj. Një numër të konsiderueshëm negativash ka për konsujt e akredituar në Shkodër e personalitete të huaja politike e ushtarake të shteteve të huaja, si dhe mijëra ushtarë e oficerë, të Turqisë, Italisë, Austro-Hungarisë, Francës, Britanisë, Malit të Zi etj., veçanërisht të periudhës së luftës I e të II botërore. Fototeka “Marubi” ruan përveç negativeve edhe regjistrat origjinalë, që nga viti 1918, ku janë të regjistruar me saktësi emrat e personave e grup – personave e data ekzakte e fotografimit. Me vlera të veçanta muzeale janë edhe objektet e materialet e përdorura nga marubët e fotografët e tjerë, në studiot e tyre.
Për më shumë: https://www.marubi.gov.al/al
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia Me Gjethe”
- Ndërtesa e njohur si ‘Shtëpia me gjethe’ (e quajtur kështu për shkak të bimës kacavjerrëse që mbulonte fasadën e saj), është kthyer tashmë në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve. I hapur më 23 Maj 2017, ai është muzeu më i ri në Shqipëri dhe një nga më të veçantët që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit. Pozicionuar në qendër të Tiranës, përballë Kishës Ortodokse: “Ringjallja e Krishtit” dhe pranë Bankës Kombëtare, ndërtesa që strehoi për pak kohë Gestapon gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore, ka qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret nga viti 1944 – 1991. Ashtu si vetë historia e Shqipërisë nën diktaturën komuniste, që u instalua me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdoi pothuajse një gjysmë shekulli, edhe Shtëpia me Gjethe për një kohë të gjatë ka qenë e mbështjellë me gjithfarë legjendash dhe përbënte një të panjohur, një mister. Pëshpërimat e njerëzve dhe fëshfërimat e gjetheve… Duke hapur dyert e kësaj shtëpie, duke paraqitur veprimtaritë që janë kryer brenda saj dhe shumëçka tjetër të bashkëlidhur, ky muze do të shpalosë njëherësh pamje të shoqërisë shqiptare në kushtet e një regjimi që synonte kontrollin total mbi trupat, mendjet dhe shpirtrat e njerëzve. Përgjime, kontrolle, spiunime… që kanë sjellë arrestime, internime, tortura, dënime të rënda për shumë e shumë njerëz të pafajshëm… Atyre u kushtohet ky muze… E konceptuar në 9 seksione, Shtëpia me Gjethe përbëhet nga 31 dhoma të lidhura me koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion të veçantë.
Për më shumë: http://muzeugjethi.gov.al/