Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën Kombëtare të Punësimit:

 

Dua ta nis me një falënderim për profesor Anastas Angjelin dhe ekipin e deputetëve që u përfshinë në një proces me një rëndësi të veçantë për ne, duke pasur parasysh që prioriteti i parë i këtij mandati është punësimi dhe që realisht na japin një ndihmë të çmuar me raportin e nxjerrë, bazuar në një punë mjaft të imët, për të identifikuar problematikat, por dhe për të orientuar dhe rekomanduar qasjen e qeverisë ndaj këtyre problematikave.

Kjo punë dhe ky raport që i dorëzohet qeverisë nga grupi i deputetëve me në krye profesor Anastasin, harmonizon të gjithë qasjen tonë dhe sjell një kontribut të çmuar në përsosjen e strategjisë për periudhën 2018-2021 për rritjen e punësimit.

Patëm një periudhë rritjeje ekonomike në vitet e shkuara, që pastaj u stopua nga kriza financiare, por edhe nga kriza e brendshme e një sistemi shtetëror thuajse në kolaps për nga pikëpamja e ndërveprimit. Por, sidoqoftë, ajo çka u konstatua është se edhe në fazën e rritjes ekonomike përpara krizës, nuk u rrit punësimi dhe rritja ekonomike pa rritje punësimi, nuk është në këtë rast thjesht një fenomen shqiptar, por një fenomen më i gjerë.

Sot, ne jemi në kushtet kur kemi disa të dhëna shumë inkurajuese paçka se unë jam gjithmonë i vetëdijshëm që kur flasim për ekonominë dhe për punësimin, shifrat kanë një rëndësi, le të themi, relative në veshët e njerëzve, pasi ajo që është e rëndësishme për njerëzit përtej shifrave është impakti i rritjes ekonomike dhe impakti i politikave të punësimit drejtpërdrejtë në jetën e tyre të përditshme.

Shqipëria është i vetmi vend ku ritmi i rritjes së punësimit u përshpejtua me 50% dhe  papunësia sipas raportit, citoj, ra në nivelin më të ulët historik, 13.6%.

Nga ana tjetër është inkurajuese edhe pse është larg së qeni e mjaftueshme, që Shqipëria figuron në rajon si vendi me normën më të ulët të papunësisë rinore. 26% është një shifër jo e vogël dhe prandaj e rinënvizoj, pesha e këtyre shifrave, pavarësisht se vijnë në një trend progresiv në përmirësim, është sidoqoftë reale dhe në 3 mujonin e fundit të 2017-s, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 58.2% nga 43% që ishte në vitin 2013. Kemi 15% rritje, çka përbën as më shumë e as më pak, por një bazë të rëndësishme për të çuar më tej një proces reformash dhe një proces masash të mëtejshme, për të cilat flitet në mënyrë të detajuar në raportin e përgatitur nga grupi i profesorit.

Megjithatë, thënë këto, ka një sërë pyetjesh që mbeten e që kërkojnë në vazhdimësi vëmendje e përgjigje gjithmonë e më të artikuluara, sepse e vërteta është që shumë shqiptarë në moshë pune nuk janë aktivë në tregun e punës. Një pjesë e tyre janë ende në kërkim të punësimit, por nga ana tjetër mbetet një sfidë e madhe aftësimi i tyre për tregun e punës. Ajo që u tha në mënyrë të sintetizuar, me ndoshta pak sportivitet nga ish ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, se në Shqipëri ka punë, por nuk ka specialistë, e vërteta është se është realiteti i përgjithshëm i gjithë ballafaqimeve tona me kompanitë dhe i të gjitha ballafaqimeve të pasuksesshme të njerëzve në kërkim të një pune me kompanitë.

Sot nuk ka – këtë e them me përgjegjësi, – asnjë kompani të madhe shqiptare dhe kur them kompani të madhe nuk kam parasysh 10 kompanitë më të mëdha të Shqipërisë, kam parasysh gjithë kompanitë që klasifikohen si biznes i madh, që nuk ka vend pune.

Në çdo derë të çdo kompanie po të trokasësh, do të shohësh se ka vende të lira pune. Problemi i kompanive, që po ngrihet gjithmonë e më me force prej tyre, është aftësia specifike për mbulimin e nevojave të këtyre vendeve të lira të punës. E në këtë drejtim nuk ka një zgjidhje të sotpërsotshme, por domosdoshmëri mbetet fuqizimi i sistemit të arsimit profesional.

Nëse Reforma jonë e Arsimit Profesional do të ishte bërë 20 vjet përpara, sot do të ishim në një situatë krejt tjetër. Por e shkuara është e shkuar, trashëgimia është ajo që është. E vërteta sot është se rilindja e sistemit të Arsimit Profesional dhe rritja me shpejtësi e numrit të nxënësve në shkollat e arsimit profesional ka filluar të japë shenjat e para të përfitueshmërisë për sistemin e punësimit në Shqipëri, pasi në fund të fundit janë sipërmarrjet ato që rikrijojnë vendet e punës, nuk është qeveria.

Qeveria ka përgjegjësinë e pazëvendësueshme që të mbështesë krijimin e vendeve të punës, duke garantuar një mjedis ku jo vetëm ka një mbështetje për sipërmarrjet në aspektin fiskal dhe në aspektin e gjithë zinxhirit të burokracisë, por ku ka dhe një furnizim të sipërmarrjeve me burime njerëzore dhe cilësore, me individë që kanë aftësi për t’u përfshirë në tregun e punës dhe për t’i mbushur vendet e lira të punës.

Ecuria e reformave ka sjellë rezultate në këtë drejtim dhe thellimi i reformave është e vetmja rrugë për të rritur këto rezultate përmes mbështetjes së të gjitha ndërhyrjeve në të gjithë sektorët.

Ne besojmë shumë se në periudhën 2018-2021 do kemi një kërcim të rëndësishëm në shifrat e punësimit, falë një programi të ndërtuar, që synon një rritje më të madhe ekonomike me punësim real më të lartë, duke filluar nga infrastruktura ku në tre vitet që kemi përpara do të financohet një numër i konsiderueshëm projektesh, që përmban volumin më të madh financiar të dedikuar për infrastrukturën gjatë një mandati qeverisës në gjithë këto vite;

Turizmi që për vit e më shumë po konfirmohet si një fuqi e rëndësishme mbështetëse dhe nxitëse e ekonomisë sonë;

Manifaktura ku po shohim disa shenja inkurajuese të kalimit në ciklin e mbyllur, pra, të kalimit nga stadi fason në një stad tjetër, që nënkupton të gjithë procesin e kryer brendapërbrenda vendit, ashtu siç po shohim edhe shfaqjen e interesit nga kompani të rëndësishme për të shfrytëzuar Shqipërinë dhe krahun e punës në Shqipëri për procese më të sofistikuara. Një shembull është kompania Foschner, e cila, pasi ka çelur me shumë sukses një ndërmarrje për pjesët e këmbimit për Mercedesin, sapo ka paraqitur kërkesën për një tjetër fabrikë ku parashihet punësimi i 1200 individëve dhe për procese që kërkojnë sidoqoftë një krah të kualifikuar pune dhe me pagesa më të mira.

Rritja e financimit për projektet në bujqësi, si dhe përfshirja në programin e financimit të Bashkimit Europian që është një risi për sektorin, do të na japin shumë më tepër frymëmarrje në drejtim të mbështetjes së të gjitha atyre proceseve dhe të gjithë atyre individëve që do të paraqesin pikërisht atë që kërkohet sot në bujqësi, projekte që shkojnë në drejtim të vlerës së shtuar.

Sfida për të cilën të gjithë jemi të angazhuar, e përsëris, është nxitja e aftësimit profesional, jo vetëm në aspektin e arsimimit, ku shifrat flasin qartësisht dhe mjafton të sjell në vëmendje se mundësia e punësimit sot, statistikisht, e atyre që kryejnë arsimin profesional është 20% më e lartë, sesa e atyre që kryejnë universitetin, ashtu sikundër është 35% më e lartë, sesa e atyre që kryejë shkollën e mesme të përgjithshme.

Por edhe në aspektin e aftësimit për punë të individëve me një moshë më të lartë, që dalin nga skema e ndihmës ekonomike, apo që synojnë thjesht dhe vetëm përfshirjen në skemën e ndihmës ekonomike, edhe këtu, një program i ri ka filluar të zbatuar, programi i mbështetjes financiare për çdo individ që do punë e nuk punësohet dot për shkak se s’ka aftësitë e mjaftueshme dhe që është i gatshëm të ndjekë një kurs profesional. Në këtë rast, ne kemi përfshirë në programin e nxitjes së punësimit pagesën që është më e lartë sesa ndihma ekonomike për këdo që hyn në një kurs profesional për 1, 2, 3 muaj dhe që pastaj menjëherë mund të thithet nga kompanitë dhe të fillojë punën.

Ka në raport një sërë rekomandimesh të tjera që lidhen me taksimin. Raporti konfirmon drejtësinë dhe edhe dobishmërinë e taksimit të ndershëm dhe taksimit progresiv, por sugjeron një sërë masash që lidhen me biznesin e vogël, nga ana tjetër, edhe me zgjerimin e skemës së TVSH-së.

Më vjen shumë mirë që sot mund ta themi me plot gojën, që, pasi kemi bërë të gjithë përllogaritjet e nevojshme, do bëjmë një kapërcim që do të jetë historik në raport me biznesin e vogël, pasi do ketë një ulje shumë të rëndësishme taksash, konkretisht të tatim-fitimit për të gjitha ato biznese të vogla që kalojnë pragun vjetor të 8 milionë lekëve [të reja] dhe që me sistemin aktual hyjnë në një fashë tjetër taksimi nga 5%-15%. Ne do ta rrisim pragun në 14 milionë lekë [të reja]. Kjo do të thotë që të gjitha bizneset që do të kenë xhiro deri në 14 milionë lekë të reja në vit do të kenë një tatim-fitimi vetëm 5%, e thënë ndryshe, përbën një ulje të taksës nga 15% në 5% për më shumë se 10 mijë biznese që janë sot pjesë e sistemit të biznesit të madh, apo që mund të hyjnë në sistemin e biznesit të madh si rezultat i futjes së TVSH-së.

Faktikisht provohet sot, ajo që ne e thamë qysh në fillim, kur bëmë zgjerimin e bazës së TVSH-së, që nuk është qëllimi ynë të rrisim presionin mbi të vegjlit, por të mos lejojmë më që të vegjlit të shfrytëzohen nga të mëdhenjtë për t’iu shmangur taksave, apo që të mëdhenjtë të bëjnë si të vegjël, duke iu shmangur vetë taksave. Është një ulje që besoj do jetë shumë e mirëpritur nga komuniteti dhe që, siç nënvizohet në raport, do të nxisë më tutje punësimin nga kjo pjesë e biznesit në Shqipëri që ka kapacitete të rëndësishme vetëpunësimi dhe punësimi të të tjerëve.

Ka dhe një tjetër rekomandim, që do ta nënvizoja ndër të tjera, që ka të bëjë me shtrirjen e mëtejshme të informatizimit të shërbimit të tatimpaguesve. Sot, ne kemi një shtrirje të konsiderueshme që shkon duke u zgjeruar dhe që ka larguar një pjesë të madhe të barrës së burokracisë, të kontakteve, të letrave për të gjithë ata që kryejnë biznes në Shqipëri dhe që kanë të bëjnë me administratën tatimore.

Po ashtu, edhe forcimi i Shërbimit Kombëtar të Punësimit është një rekomandim i rëndësishëm, ristrukturimi i funksioneve dhe edhe vetë metodologjia e punës së këtij shërbimi. Ne kemi hyrë faktikisht në një fazë tëre me Shërbimin Kombëtar të Punësimit. Më pas do të japim dhe treguesit e punësimit për muajin maj vetëm përmes zyrave të punës, pa llogaritur pjesën tjetër që janë të punësuar të rinj drejtpërdrejtë nga kompanitë.

Është absolutisht inkurajuese që me ndryshimin e metodologjisë, me një ristrukturim të brendshëm të Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe me një angazhim proaktiv të të gjithë sistemit të zyrave të punës në muajt mars, prill, maj, ne kemi kapërcyer 10 mijë të punësuar, pra, jemi mbi 10 mijë të punësuar në këta 3 muaj dhe jemi shumë optimistë se do të realizojmë objektivin që në pamje të parë dukej i pamundur, për të pasur 25 mijë të punësuar të rinj në vitin 2018 vetëm nëpërmjet zyrave të punës.

Çështjet që shtrohen dhe në raport mbeten të hapura për cilësinë e marrëdhënieve kontraktuale, që nganjëherë mungojnë fare, mes të punësuarve dhe punëdhënësve, për kushtet e punës, për domosdoshmërinë e rritjes së mëtejshme të pagave të ulëta, për domosdoshmërinë e një formalizimi të mëtejshëm të pagave, pasi dua ta nënvizoj dhe do të ishte vërtetë e mirëpritur çdo këshillë, apo çdo ide që do të na vinte në këtë drejtim, se në Shqipëri kemi në problem me pasqyrën formale të pagave, që ven si rezultat i një pjese të pagave që kryhen në të zezë. Mjafton t’ju them se ne kemi 41% të pagave në kompanitë që hyjnë në fashën e biznesit të madh që janë 30 mijë lekë. Kjo faktikisht është gënjeshtër. Është gënjeshtër që një ekonomist, një financier, një inxhinier, apo të tjera profesione brendapërbrenda kompanive të paguhen me 30 mijë lekë. Jo vetëm nuk është e mundur se kështu thotë logjika, por nuk është e mundur sepse kështu thonë dhe të gjitha të dhënat e brendshme që ne kemi. E vërteta është që një pjesë e pagës jepet formalisht për të shmangur tatim-fitimin, sepse deri në pagën 30 mijë lekë në Shqipëri nuk ka taksë dhe sigurisht ato më poshtë jo e jo dhe pjesa tjetër jepet në të zezë.

Ky është një nga ato momentet ku ne jemi përqendruar. Ka filluar një proces nga ana e Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë me kompanitë për ta luftuar këtë fenomen. Kemi bërë shumë për formalizimin tërësor. Nëse kemi sot, një shifër të lartë të të punësuarve në Shqipëri në raport me vitin 2013, kjo ka qenë rezultat i vendeve të reja të punës, por ka qenë edhe rezultat i një formalizimi masiv. Por tani jemi përpara një sfide tjetër, sepse kemi shumë më pak punonjës tërësisht të paregjistruar, por ama kemi shumë punonjës të regjistruar, pra, të formalizuar, që marrin një pjesë të pagës në të zezë.

Edhe njëherë, duke ju falënderuar për këtë kontribut, duke falënderuar edhe përfaqësuesen e GIZ-it këtu, që ju siguroj, nuk është një prezencë thjesht sepse ne jemi mësuar që nëpër konferenca të kemi gjithmonë dikë që vjen nga përfaqësitë e huaja, por është një prezencë që lidhet me kontributin e posaçëm që jep GIZ-i, që jep qeveria gjermane në kuadrin e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, unë uroj një vazhdim pa mërzitje të konferencës dhe shpresoj që për të gjithë, në përfundim të konsiderohet një kohë e kaluar me cilësi.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.