Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nga nisja e procesit të vaksinimit janë kryer 100 mijë vaksinime tek grupmosha mbi 70 vjeç, ndërkohë që nesër fillon vaksinimi i punonjësve të policisë dhe gazetarëve të terrenit si grupe risku. Vendimi u njoftua nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu nga Berati, ku Kryeministri Edi Rama ishte në një nga qendrat e vaksinimit për të parë nga afër procesin. Në Berat, deri më sot janë kryer 3000 vaksinimi ndërsa nga nesër pritet të nisë edhe vaksinimi i policisë dhe gazetarëve e operatorëve të terrenit.

“Nga nesër fillojmë vaksinimin e efektivëve të policisë, duke filluar me Tiranën për t’u shtrirë në gjithë Shqipërinë, si dhe të gazetarëve të terrenit. Ne po ndjekim planin e vaksinimit të kombinuar, pra, në grupe të riskut ku futen ata që punojnë në shërbime kritike e ku janë edhe këto dy kategori, të cilat vijojnë me vaksinimin duke filluar nga nesër për policët dhe nga sot me gazetarët dhe operatorët e terrenit. Pastaj vijojmë me të moshuarit, sipas planit tonë të vaksinimin”, – u shpreh ministrja Manastirliu.

Kryeministri Rama theksoi se vaksina është arma kundër COVID-19 dhe pandemisë.  “Vaksina e ardhur nga Turqia e kompanisë kineze Sinovac është një vaksinë e super suksesshme, e cila faktikisht, Turqinë po e nxjerr përditë e më shpejtë nga tuneli i pandemisë, e cila është vaksina që kanë preferuar vendet e pasura të Lindjes së Mesme. Të gjitha kurorat mbretërore të asaj zone kanë marrë këtë vaksinë që bëhet në shumë shtete. Fakti që nuk ka hyrë në BE nuk ka lidhej me eficencën e vaksinës, por ka lidhje me çështje të një natyre tjetër që ne nuk na interesojnë e nuk na prekin, pasi neve na intereson të nxjerrim urgjent na tuneli popullin shqiptar e të nxjerrim sa më shpejtë nga gjithë kjo kohë e gjatë ankthi dhe pasigurie gjyshërit dhe gjyshet, ata me sëmundje kronike, grupet e riskut dhe gjithë popullsinë. Nesër fillojmë me efektivët e policisë. Siç është plani i kombinuar do të bëjmë edhe për gazetarët e terrenit. Ndërkohë po bëjmë gati listat për stafet e shërbimeve hoteliere për sezonin, si dhe për të gjitha punonjëset dhe punonjësit e fabrikave me material porositësi”, – u shpreh kryeministri Rama.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.