Fjala e Kryeministrit Edi Rama në promovimin e programit “100 Fshatrat”, si pjesë e Rilindjes Rurale, që përfshin infrastrukturë, agroturizëm, trashëgimi kulturore dhe nxitje të punësimit përmes mbështetjes direkte për sipërmarrjen fermerë:
Janë disa momente të rëndësishme që duhen ritheksuar në funksion të një programi ambicioz të Rilindjes Rurale, me fokus 100 fshatrat ku duam të ndërtojmë një model zhvillimi rural, bazuar te potenciali turistik.
Së pari, nuk bëhet fjalë për investime të natyrës së këtyre 20 e kusur viteve dhe as për investime të përqendruara në 100 ishuj të veçantë, thjesht për të ndryshuar 100 fshatra. Bëhet fjalë për 100 pika graviteti mbi të cilat jemi të bindur se do të krijohen rrathë zhvillimi dhe rrjetëzime të investimeve në agroturizëm.
Jemi të bindur që, duke u nisur nga eksperiencat e vendeve të tjera, shumë më të përparuar në këtë drejtim, – ministri i Bujqësisë solli shembullin e Italisë, por nëse shkojmë më mbrapa në kohë, edhe vende të tjera në Europë kanë bërë transformime rrënjësore ekonomike dhe sociale në fshat, duke u fokusuar tek potencialet turistike të zonës rurale, – në këtë territor, fatkeqësisht të paeksploruar në Shqipëri për vite e vite të tëra, ka një mundësi të pafundme investimesh të vogla me impakt të madh.
Duhet të kemi parasysh që, ashtu sikundër ne filluam me programin e Rilindjes Urbane, një program kombëtar zhvillimi që nisi me qendrat dhe tanimë po shtrihet drejt periferive, bazuar në teorinë e famshme të ripërtëritjes urbane të akupunkturës, pra, duke vendosur gjilpërën në ato pika strategjike që çlirojnë energji për organizmin, do të bëjmë edhe me Rilindjen Rurale. Do të fokusohemi në këto fshatra, të identifikuar së bashku me kryetarët e bashkive, jo për të krijuar thjesht 100 realitete me infrastrukturë, në raport me disa mijëra realitete të tjera që presin të kenë infrastrukturë, por për të krijuar 100 zona zhvillimi ekonomik rural, të bazuar tek investimet në agroturizëm, duke shfrytëzuar trashëgiminë kulturore, mrekullitë natyrore, traditën në tërësi, patjetër kapacitetet lokale, por edhe investimet e sipërmarrësve më të mëdhenj. Kombinimi i të gjitha këtyre sjellin kushte të reja, për ta parë të ardhmen në fshat si një të ardhme të lidhur jo thjesht me prodhimin bujqësor në funksion të tregut në ofrimin e produkteve bujqësore, por edhe si zhvillim turistik me bazë bujqësore dhe blegtorale.
500 mijë bujtina dhe hotele në hapësirën rurale ka në 28 vendet e Bashkimit Europian. 150 miliardë euro fitohen nga aktiviteti i këtyre 500 mijë bujtinave dhe hoteleve në hapësirën rurale. Është e paimagjinueshme dhe ndërkohë, saç është e paimagjinueshme kur e sheh nga larg këtë raport shifrash, aq është e thjeshtë për t’u kuptuar, kur hyn më thellë në arsyet e impaktit ekonomik që kanë këto ndërhyrje në hapësirën rurale, sepse është një turizëm që sjell paranë në hapësirën rurale me grupmosha nga 40 vjeç e lart, me të ardhura mesatare dhe mbi mesatare, që hyjnë në kategorinë e turistëve elitarë.
Bindja jonë e thellë, duke parë edhe çfarë ndodhi me Italinë pas iniciativave të vitit ’90-’91-një, është se prurjet e mëdha turistike që ne po përjetojmë dhe do përjetojmë edhe më shumë në vitet në vijim, – mjafton t’ju them se viti 2017 ka kapërcyer 1.5 miliardë euro të ardhura nga turizmi që ishte shifra e 2016-ës -për shkak të mundësive që do të krijojnë hapësirat rurale pranë zonave ku zhvillohet turizmi bregdetar, do të krijojnë me siguri, një shtresëzim të ri të kategorisë së turistëve. Kjo, ekzaktësisht sepse zbulimi i Shqipërisë, zbulimi i territoreve përtej atyre 500, 600, 1000 kilometrave nga deti, që janë pjesa që konsumohet në mënyrë intensive gjatë sezonit, do të sjellë një fillim të ri për zgjerimin e sezonit, do të sjellë turistë në territoret brenda Himarës, brenda Tepelenës, Gjirokastrës, Lezhës apo Tropojës, edhe gjatë periudhës së vjeshtës dhe të dimrit.
Për këtë arsye, ne kemi vendosur që të fokusojmë kaq shumë forca, 4 ministri, në këto 100 zona, pika, fshatra, të identifikuara bashkë me kryetarët e bashkive dhe nga ana tjetër do të zhvillojmë një program shumë intensiv komunikimi me biznesin e madh, për të nxitur kthimin e syve nga investimet në agroturizëm, që janë investime të vogla përsa i përket parasë që vihet në dispozicion të ndërtimit të strukturave të agroturizmit, por kanë një rikthim me herë më të madh, sesa investime më të mëdha, të kufizuara në një sezon të limituar kohe, në turizëm, apo edhe sesa investime në vetë prodhimin bujqësor.
Ne duam që atë program ta shoqërojmë me disa lehtësira fiskale, për të cilat ne po punojmë dhe së shpejti do t’i bëjmë publike, që lidhen me TVSH-në, lidhen me Tatim Fitimin. Një gjë e kemi të përcaktuar se programi i lehtësive fiskale do të jetë i limituar në kohë, nuk do të jetë i pafundëm. Që do të thotë se kush do dojë të investojë e të përfitojë nga lehtësitë fiskale duhet të ketë parasysh një periudhë dy, tre apo katërvjeçare, gjë që ende mbetet për t’u vendosur. Brenda një periudhe “x” do të ketë lehtësi fiskale maksimale, për t’i dhënë mundësi një fluksi investimesh private për të ndërtuar strukturat e agroturizmit, për të ndërtuar bujtinat, fermat pranë tyre dhe gjithë strukturat e mikpritjes, siç janë të përcaktuara tanimë në atë kategorizimin dhe standardizimin e çfarë quhet agroturizëm.
Njëkohësisht, Ministria e Turizmit do të japë një certifikatë të posaçme mbi bazën e të cilës do të merren edhe të gjithë incentivat dhe e gjithë mbështetja. Që do të thotë se jo çdo investim do të quhet agroturizëm dhe , që do të thotë se edhe ky agroturizëm këtu, që është një nga dallëndyshet e para dhe me shumë kënaqësi, unë jam informuar se ka përfituar nga Fondi i Garancisë Kombëtare për bujqësinë, mund të jetë ose jo sot, në kushte për të marrë certifikatën, duhet të plotësojë disa kushte, disa standarde, të cilat ne i kemi përcaktuar duke u nisur nga praktikat dhe modelet ndërkombëtare, një numër të caktuar dhomash, një numër të caktuar hapësire të kultivimit dhe të përpunimit të produkteve, një numër të caktuar të të gjithë elementëve që e bëjnë një strukturë të quhet agroturizëm. Kjo, për këtë strukturë do të jetë e lehtë, besoj, por kjo është edhe pika që ndan çdo lloj investimi që mund të bëhet në hapësirën rurale nga investimi në agroturizëm.
Investimet në agroturizëm nuk do të kufizohen në këto 100 fshatra. Ne do të synojmë që t’i orientojmë investimet në këto 100 fshatra, por sigurisht që ka qindra, mos them mijëra, fshatra të tjerë, që me një investim në agroturizëm mund të transformohen e mund të kthehen në motorë të një zhvillimi rural, të pamenduar e të pa përjetuar më parë në territorin e vendit tonë.
Programet e mbështetjes së Mistrisë së Bujqësisë, programet e financuara nga buxheti i shtetit dhe nga Bashkimi Europian, që do të kanalizohen përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, kanë në një pjesë të mirë të tyre, edhe mundësinë për të përfituar mbështetje për të investuar në agorturizëm.
Sigurisht na duhet një fushatë e rëndësishme informimi që sa më shumë njerëz, sa më shumë kompani ta dinë se cilat janë këto mundësi, por, në mënyrë që mesazhi të shkojë sa më shumë në drejtimet e duhura, është mirë të përsërisim se kush mund të interesohet, apo kush mund të fillojë një përpjekje për të projektuar një investim në agroturizëm, duhet të konsiderojë edhe mundësinë për të marrë mbështetje direkte financiare nga shteti. Kjo vlen për kryetarët e bashkive, të cilëve dua t’ua përsëris se ne presim me padurim, atë që këtu nuk po ndodh akoma – s’ka lidhje të majtë e të djathtë, në këtë pikë, të gjithë po shfaqen njësoj, – projekte në bashkëpunim me fermerët për pika grumbullimi, për pika agropërpunimi, të cilat AZHBR mund t’i mbështesë, të cilat Fondi Kombëtar i Garancisë mund t’i lehtësojë dhe projekte për investime në agroturizëm.
Sikundër e kemi thënë shumë qartë, lidhur me ujin, se nuk do të japim asnjë lek për investime në ujësjellës, për bashki që nuk performojnë dhe nuk çojnë përpara, me vendosmëri, reformën e ujit. Po ashtu nuk do të japim asnjë kokërr leku mbështetje për infrastrukturë rurale, për bashki, të cilat nuk janë aktive në thithjen e fondeve alternative, pra, të AZHBRS-së, të Komisionit Europian, të Fondit të Garancisë, për investime në pika grumbullimi, në pika agropërpunimi dhe në agroturizëm. Të jemi shumë të qartë për këtë. Rrugë për rrugë, ne nuk do bëjmë më, sepse nuk iu pa hairi këtyre rrugëve për rrugë në hapësirën rurale për kaq shumë vite. Rrugë për të marrë makinën, për të shkuar e për të lozur bixhoz në qytet, nuk kemi pse investojmë më. Ne do investojmë rrugë prodhimi, do investojmë rrugë zhvillimi turistik në të gjithë hapësirën rurale. Kështu do t’i japim njerëzve në hapësirën rurale mundësinë që të shikojnë të ardhme me të ardhura dhe me fitime. Kështu do u japim mundësinë të rinjve që të kuptojnë se në hapësirën rurale, ku babai ka një tokë, nuk do të thotë domosdoshmërisht të marrësh shatin dhe t’i biesh tokës, por me fantazi dhe me guxim mund të ndërtosh agroturizëm, duke shfrytëzuar shtëpinë e vjetër të gjyshit dhe duke bashkuar bashkë disa fermerë rreth e rrotull që sjellin produktet dhe bëhesh i pasur.
Për këtë, natyrisht, ne duhet të mbështesim me infrastrukturë, sepse duhet të shkojë rruga, duhet të mbështesim me ndërhyrje për trashëgiminë kulturore rreth e rrotull, duhet të mbështesim me fonde shtesë për të bërë investimin, ama vetëm në bashkëpunim me ata që duan të punojnë, që duan të fitojnë, që duan të bëhen vërtetë zotët e vetes e ta fitojnë jetën e tyre, jo duke ndenjur në kafet e fshatit e duke pritur Cristiano Ronaldo-n që t’i zgjidhi problemin e jetës me një goditje nga larg në El Classico-n që është pas ca ditësh, por duke ndërtuar të ardhmen me mund e me kreativitet, siç kanë bërë këta zotërinjtë këtu, njerëz të zakonshëm, që punësojnë gjithë këta njerëz dhe që e kanë kthyer këtë zonë, deri dje të braktisur, në një pikë zhvillimi, ku fitojnë e ndajnë suksesin me njëri-tjetrin.
Shumë faleminderit!