Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Banorët e zonës së ish Kënetës në Durrës ishin sot përfituesit e radhës në procesin e legalizimit falas. Në zonën e ish Kënetës, e vlerësuar si një ndër zonat më informale në territorin e vendit, në prani të Kryeministrit Edi Rama u shpërndanë njëmijë e një leje legalizimi, në përmbushje të premtimit të qeverisë për legalizimin falas.

Drejtori i ALUIZNI-it Artan Lame tha se procesi i legalizimit këtë zonë rinisi pas shumë vitesh bllokimi dhe vetëm pasi qeveria i dha zgjidhje një problematike specifike për shkak se zona e Kënetës është klasifikuar edhe si zonë arkeologjike B. Me një VKM të veçantë, kjo problematikë, sipas Lames, tashmë është kapërcyer dhe është vënë në rrugën e zgjidhjes, nga njëra anë ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe nga ana tjetër sigurohet avancimi i procesit të legalizimit.

Ndarjen e lejeve të legalizimit, Ministrja e Zhvillimit Urban Englantina Gjermeni e konsideroi hapin e parë drejt transformimit të kësaj zone. “Përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, me një projekt prej 4 milion dollarësh po punohet për infrastrukturën dhe urbanizimin e kësaj zone. Do të jetë një projekt model, i cili do të realizohet edhe në zona të tjera informale të vendit,” – tha Gjermeni.

Lejen e parë të legalizimit e dha kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Ai nënvizoi faktin se legalizimet janë një premtim i mbajtur ndaj banorëve të zonës, ashtu si edhe premtimi për ndërtimin e infrastrukturës së brendshme të saj tashmë është në proces realizimi.  “Kemi projekt ambicioz për çdo rrugicë, rrethim dhe gjelbërim të gjithë zonës, që ashtu siç e kemi premtuar ta meritojë emrin Durrësi i Ri,” – tha Dako.

Sami Shtufi është një nga banorët e zonës, i cili pas 10 vite pritjesh, sot mori lejen e legalizimit të banesës së tij. “Jemi dakord me reformat e thella në çdo fushë të jetës që po bëni, sepse populli kërkon shtet dhe jo regjim.”

Edhe Afrim Alla është një tjetër banor i zonës, i cili edhe pse kishte aplikuar që në vitin 2000, kishte shlyer edhe detyrimin financiar, por vetëm sot mundi ta bëjë të tijën shtëpinë.

“Kam 20 vjet që e kam ndërtuar banesën. Më lodhën, pagova lekët dhe nuk mora asgjë,” – rrëfeu Luman Koxhaj, një tjetër banor që sot mori lejen e legalizimit.

“E pabesueshme për të gjithë pjesëtarët e familjes kjo që po na ndodh,” – tha Arjana Uklala.

Ka paguar lekët, i është publikuar katër herë emri në gazetë si përfitues i lejes së legalizimit, por asnjë herë nuk e ka marrë, është historia që rrëfen një demokrat, një përvojë e ngjashme që ndahet edhe nga mbështetës të tjerë të djathtë, banorë të kësaj zone. “Unë e kam ndërtuar shtëpinë në tokën time. Kam paguar lekët që në vitin 2009, por partia ime nuk më dha gjë. Katër herë më ka dalë emri në gazetë.”

Kryeministri theksoi se ndjehet krenar që në këtë proces nuk bëhen dallime partiake. “Unë jam shumë krenar, jam sinqerisht krenar, prandaj e theksoj këtë gjë kur kam kënaqësinë t’ia jap atyre që janë simpatizantë, mbështetës apo votues të PD-së, por që janë njerëz të thjeshtë, njerëz të ndershëm, njerëz të punës. Është e drejta e tyre që të besojnë siç kanë besuar se sapuni është djathë, por nga ana tjetër është krenaria jonë që në këtë proces ne nuk bëjmë dallime, pasi këtu nuk është punë socialistësh dhe demokratësh, por është punë shqiptarësh, familjesh shqiptare që kanë ndërtuar me sakrifica shtëpinë e tyre dhe që janë mashtruar gjithë këto vite padrejtësisht. Për ne është krenari që nuk bëjmë dallime. Po të shikoni legalizimet, unë vërtet thashë se janë bërë 530 legalizime në tetë vjet, por janë hotele, janë motele, janë karburante, janë biznese, nuk janë shtëpitë e njerëzve të zakonshëm, as të atyre që shkonin dhe ju dilnin nëpër mitingje dhe ju ngelën gishtat në ajër gjithë ato vite dhe nuk ju dhanë në dorë një copë letër që është as më shumë dhe as më pak, por vërtetimi i djersës dhe mundit të tyre. Kështu që ky është dallimi i madh midis nesh dhe atyre, por jo midis nesh dhe jush, demokratëve të thjeshtë dhe njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, që keni bërë me mundin tuaj, shtëpinë tuaj dhe që me gjithë zemër ju uroj që ta gëzoni për veten dhe fëmijët tuaj.”

Në bashkëbisedim me banorët, Kryeministri garantoi gjithashtu për një mbështetje edhe më të madhe për Durrësin, në vitet në vazhdim. “Vetëm në 18 muaj që qeveria në Tiranë është dashamirëse me Durrësin dhe është e vëmendshme ndaj Durrësit, ju e shikoni vetë se çfarë transformimi ka filluar në Durrës. Unë ju siguroj se në 4 vitet e ardhme, ne do të bëjmë për gjithë bashkinë e Durrësit aq sa nuk është bërë në 25 vjet, të marra sëbashku.”

 

Fjala e Kryeministrit gjatë shpërndarjes së lejeve të legalizimit në zonën e ish Kënetës:

Gëzuar Pashkët!

Është një ditë me rëndësi kjo, sepse, faktikisht, ne sot jemi këtu për të çuar përpara një proces legalizimesh për të cilin ka pasur shumë dyshime dhe që në vite ka sjellë shumë zhgënjime për njerëzit e zonave informale, përfshi edhe Kënetën. Unë dua të jap vetëm një shifër, që në tetë vjet qeverisja e Partisë Demokratike dha 530 leje legalizimesh në këtë zonë. Në më pak se një vit punë konkrete të ALUIZNI-it, ne arrijmë të japim dyfishin e këtyre lejeve. Ata dhanë 530 leje në tetë vjet,  ne jemi këtu, sot, për të dorëzuar 1001 leje nga një proces, ku deri tani janë kryer 60% e matjeve dhe e dokumentacionit të nevojshëm për ta çuar përpara procesin.

Unë jam shumë krenar t’ju them se me këtë ritëm dhe me këtë cilësi të procesit, në katër vitet e ardhshme, ne do të mund ta përmbyllim procesin e legalizimit në të gjithë zonën e Kënetës. Të gjithë ata  të cilët kanë ndërtuar një shtëpi në këtë zonë do të jenë më në fund, pronarë të ligjshëm të shtëpisë së tyre dhe do të gëzojnë më në fund, të drejtën e fituar me vite të tëra mundi e sakrificash, me kursime dhe me para të vëna mënjanë për të ndërtuar shtëpinë dhe pas shumë vitesh të tëra, më në fund do të bëhen zotërues të një titulli të ligjshëm pronësie.

Është me rëndësi të madhe të theksohet se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për të marrë një dokument që e kthen shtëpinë në pasuri të patundshme, pra, e bën të paprekshme, por nga ana tjetër bëhet fjalë për të marrë një dokument që i jep mundësinë secilit që përmes kësaj pasurie të patundshme të mund të shkojë në bankë dhe të marrë kredi, për të bërë një biznes të vogël, për t’u bërë pjesë e një aktiviteti tregtar apo ekonomik në zonën nga vjen, për një fermë, për një aktivitet që do të mund të sjellë të ardhura për familjen.

Procesi i legalizimeve nuk është vetëm njohja e një të drejte të fituar me vite të tëra pune dhe sakrificash, por është edhe një proces që i hap rrugë krijimit të mundësive të reja ekonomike për familjet që përfitojnë nga legalizimi. Kështu, jo vetëm familjet përfitojnë nga legalizimi një mundësi të re zhvillimi të ekonomisë së tyre, por edhe ekonomia jonë kombëtare ka një përfitim shumë të madh.

Unë jam shumë i bindur që në këtë proces, zona e Kënetës, ose siç do të preferoja ta quanim një herë e mirë “Durrësi i Ri”, do të mund të përfitojë jo vetëm atë që i takon familjeve, por edhe atë që i takon komunitetit. Jam i bindur se me kryetarin e bashkisë në detyrë sot dhe në detyrë pas 21 qershorit, ashtu siç kemi filluar përmirësimin e ndjeshëm të infrastrukturës së kësaj zone, do të vazhdojmë dhe pa as më të voglin dyshim do ta kthejmë zonën e Kënetës në një lagje që meriton emrin Durrësi i Ri. Një lagje me rrugë, me ujë, me ndriçim publik, me çerdhe, kopshte e me radhë.

Sigurisht ju keni dëgjuar shumë në vite, por sot është koha që fjalët të përputhen me veprat. Ne po provojmë çdo ditë që themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. Atë që do të bëjmë për Kënetën e themi sot dhe pa as më të voglin dyshim do ta bëjmë në ditët, në muajt dhe vitet në vijim, kështu siç ka filluar. Janë një numër i konsiderueshëm rrugësh që tanimë do të kthen nga shtigje me gropa e me baltë në rrugë qyteti. Nga ana tjetër, unë jam i vetëdijshëm se ky është vetëm fillimi dhe është një fillim i mbarë që sëbashku do ta çojmë përpara, duke përfituar atë që i takon secilit, nga koha  e çmuar që ne kemi në dispozicion.

Tani, siç e kemi bërë zakonisht, do të japim disa leje legalizimi në vazhdim. Sigurisht të gjitha lejet që janë këtu, të gjithë të interesuarit do t’i marrin sot, por ne gjithmonë bëjmë këtë pjesë që është edhe me media, për të sensibiziluar gjithë opinionin lidhur me ketë proces shumë të rëndësishëm, që është një proces i madh integrimi social. Një proces i madh integrimi për zona të tëra, për komunitete të tëra që janë lënë në pikë të hallit, janë trajtuar si qytetarë të dorës së dytë dhe të dorës së tretë, janë braktisur dhe janë përdorur si mish për topat e fushatave elektorale dhe që është koha t’i bashkohen qytetit, t’i bashkohen jetës së qytetit dhe të jetojnë si në qytet, jo si në mes të shkretëtirës të braktisur nga të katër anët. Të jeni të bindur që kjo zonë do të bëhet një model i mirëfilltë i zhvillimit urban dhe i zhvillimit social. Pa as më të voglin dyshim, gjithë sakrificat e prindërve që ndërtuan shtëpitë nuk do të shkojnë kot, por përkundrazi, jo vetëm shtëpitë do të legalizohen, por e gjithë lagjja do të bëhet një lagje e denjë për fëmijët që lindin dhe rriten këtu.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.