110 mijë studentë sondazh online mbi cilësinë e mësimdhënies

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në lançimin e Sondazhit Kombëtar të Studentëve 2019 mbi cilësinë e mësimdhënies:

Nuk dua të zgjatem, se, ndoshta është më me vlerë që cilido qoftë në këtë sallë që ka pyetje, apo që ka opinione për të dhënë ta ketë mundësinë për ta bërë këtë, por dua vetëm të nënvizoj se, ky është takimi i kushedi se sa-të tanimë në një proces shumë të rëndësishëm që ka nisur me protestat e studentëve në fund të vitit të shkuar dhe ka vijuar si një ndërveprim konstruktiv për të kanalizuar përmes një sërë mekanizmash të rinj një proces që synon jo vetëm të adresojë ato shqetësime që nxori në pah protesta e studentëve, por edhe të fuqizojë bashkëpunimin mes qeverisë dhe universitetit në funksion të leximit si duhet të gjërave që kemi vendosur, që nga ligji i arsimit të lartë e me radhë dhe të të kuptuarit si duhet të gjërave që duhet të vendosim e do të bëjmë së bashku.

Faktikisht, e them me kënaqësi që angazhimet e marra në dokumentin e Paktit për Universitetin janë angazhime të cilat janë ndjekur dhe po ndiqen me seriozitet dhe me këmbëngulje, në radhë të parë nga ministrja e Arsimit pastaj nga gjithë qeveria dhe sot, po t’i shohim të gjitha pikat e këtyre angazhimeve, jemi në kushtet kur një sërë aspektesh janë adresuar dhe disa aspekte të tjera po adresohen. Faktikisht, kemi bërë realitet disa zotime kryesore dhe po bëjmë realitet disa zotime të tjera, jo sepse procesi ka një fund, por sepse të gjitha këto së bashku e vendosin në një bazë të re qoftë jetën e brendshme të universitetit, qoftë bashkëpunimin mes qeverisë dhe universitetit.

Sondazhi është i rëndësishëm për 1001 arsye, por mbi të gjitha është i rëndësishëm si një mekanizëm i ri i shprehjes së të gjithë opinioneve të studentëve dhe i leximit të këtyre opinioneve mbi një bazë shkencore. Ne kjo na jep mundësinë të kuptojmë më shumë dhe të mund të adresojmë në mënyrë më efektive shqetësimet e gjithë komunitetit studentor.

Faktikisht, ne jemi sot në situatën ku po vendosim disa piketa të cilat Europa i ka vendosur kohë më parë, por dua të kujtoj që e kemi nisur këtë rrugë nga një situatë xhungle në universitetet, e kemi nisur këtë rrugë në një situatë ku bota universitare shqiptare ishte krejtësisht jashtë kontrollit me një tërësi problematikash shumë të rënda dhe me një numër skandaloz universitetesh që, të licencuara pa asnjë kriter dhe asnjë karar, thithnin para pafund nga investimet e prindërve dhe faktikisht jepnin mbrapsht diploma pa asnjë vlerë.

Ligji për arsimin e lartë po funksionon dhe po na jep mundësinë që t’i adresojmë të gjitha këto aspekte, ashtu sikundër ndërveprimi me studentët po funksionon dhe po na jep mundësinë që t’i bëjmë gjërat me më shumë shpejtësi dhe në të njëjtën kohë pa humbur cilësinë e mekanizmave që po vendosim në funksion.

E fundit ishte para pak ditësh, karta e studentit, që, faktikisht do të fillojë të shpërndahet në Tiranë brenda muajit maj. Fillon me 40 shërbime, por është një instrument në zhvillim, që do të thotë, që, në vijim do të ketë edhe më shumë shërbime të tjera, do të ketë edhe më shumë palë të interesuara dhe do të ketë edhe më shumë mundësi dhe lehtësira për studentët.

Një element pozitiv i kartës që do të zhvillohet, jam i bindur, në mënyrë të qëndrueshme në të ardhmen e afërt dhe në vijim, është përfshirja e sipërmarrjes private me angazhime konkrete për t’i shërbyer studentëve. Kam parasysh këtu, marrëveshje të caktuara me kompani të caktuara që bëjnë shërbime të ndryshme dhe që janë shprehur të gatshme për të konsideruar tarifa të lehtësuara, çmime më të ulëta për studentët që janë të pajisur me këtë kartë.

 

Për të tjerat nuk po zgjatem, ju e keni informacionin besoj, por për çdo nevojë për informacion, tanimë kemi një sistem komunikimi online të çdo studenti me qeverinë, me një dritare të dedikuar në Platformën e Bashkëqeverisjes ëëë.shqiperiaqeduam.al, kemi mekanizmin e transparencës së aktivitetit të universiteteve përmes portalit të dedikuar, kemi bibliotekën digjitale në dispozicion të të gjithë studentëve dhe të gjithë pedagogëve, me miliona artikuj, me qindra-mijëra tituj botimesh shkencore, kemi në vijim punën për kantierin e infrastrukturës. Faktikisht janë mbledhur informacionet për nevojat dhe ka filluar puna për projektet konkrete dhe besojmë që, brenda vitit, në vjeshtë, ne do të fillojmë të lançojmë garat e para për të filluar ndërhyrjet në infrastrukturë për auditorët, për shtesat e ndryshme që kanë dalë si nevojë në struktura të ndryshme, për laboratorët, për kampusin universitar, e kështu me radhë.

Do të jetë investimi më i madh historik i qeverisë shqiptare për universitetin. Volumi i financimit i parashikuar për tu vënë në dispozicion të këtij transformimi do të jetë më i madh se sa të gjitha investimet e kryera për universitetin në 30 vjet dhe besojmë që brenda një harku 2-3 vjeçar do të kemi projekte të realizuara, të zbatuara që do ta kenë transformuar në mënyrë të qenësishme infrastrukturën universitare në universitete, në fakultete sipas nevojave specifike.

Universitetin Politeknik të Tiranës e kemi një portal online ku bëhet anketimi, çdo vit, në fund të çdo semestri, për çdo pedagog të seminareve dhe leksioneve. Ajo që më shqetëson mua është që, pjesëmarrje ka nga studentët gjithmonë, – shokët e mi të gjithë e plotësojnë këtë sondazhin online dhe të gjithë tregohen të drejtë, duke i dhënë secilit pedagog atë që meriton, por në fund nuk ka asnjë vendimmarrje, as nga Universiteti, as nga Ministria as nga Rektorati. Kjo është ajo që më shqetëson edhe në lidhje me këtë sondazhin që po bëhet. A do ketë me vërtet grupe pune, komisione që do vlerësojnë këtë sondazh?

Kryeministri Rama: Ka një ndryshim të madh midis letrave që keni shkruar ju dhe këtij ushtrimi, sepse letrat që keni shkruar ju, i dini ju që i keni shkruar, autorët e letrave dhe nuk besoj që është mbledhur i gjithë fakulteti që të shkruajë letra. 1, 5, 7 studentë kanë shkruar një letër, ka shkuar letra në Dekanat, apo në Rektorat ku i keni çuar dhe nuk keni marrë përgjigje, ose keni marrë përgjigje që, nuk ka qenë zgjidhje.

Ndërkohë që, kjo që po bëjmë nuk është bërë ndonjëherë. Është një volum kolosal të dhënash, sepse bëhet fjalë për 110 000 individë të cilët pyeten dhe nuk pyeten “a ka korrupsion”, por pyeten për një spektër shumë të gjerë pikëpyetjesh të cilat janë vendosur aty në mënyrë shkencore për të marrë maksimumin nga mbledhja e këtyre opinioneve dhe pastaj, ndryshe nga ato letrat që tha ai djali, që keni çuar në Dekanat, apo në Rektorat, të gjitha rezultatet do të jenë publike. Është një diferencë shumë e madhe. Do të jenë publike për të gjithë universitetin dhe për çdo universitet specifik. Aty të gjithë do të ballafaqohen me opinionin studentor, qoftë trupa pedagogjike, qoftë drejtuesit e universitetit, qoftë edhe ato sekretaritë e famshme, qoftë ne si politikëbërës. Bëhet fjalë për një gjë që nuk ka lidhje fare me çfarë keni bërë ju më përpara fare.

Është një ushtrim demokracie me qëllime të qarta dhe nga ku do të burojnë pastaj debate dhe angazhime të qarta, sepse nëse në bazë të sondazheve ku do pyeten të gjithë dhe ku do kontribuojnë shpresoj të gjithë, qoftë ata që shkruajnë letra, qoftë ata që nuk shkruajnë letra, qoftë ata që bllokojnë korridore, qoftë ata që duan të bëjnë mësim, qoftë ata që nuk përfshihen në aktivitetet e asnjë natyre, por marrin 10-ta, qoftë ata që ngelin, do përfshihen të gjithë dhe kur rezultatet të përballe publikisht me sytë e prindërve, me sytë e studentëve, me sytë e drejtuesve, të pedagogëve, të qeverisë e kështu me radhë do të jetë shumë e vështirë për tu fshehur nga disa të vërteta të rëndësishme mbi të cilat ndërtohet më tutje procesi i transformimit që ka nisur. Është komplet gjë tjetër. Nuk e di sa e rëndësishme është të jesh, apo të mos jesh skeptik. Di që është e rëndësishme që ky ushtrim, që është 15 minuta, që nuk kushton asnjë lek të bëhet, sepse nuk humbet asgjë. Pastaj, se çfarë arrijmë të prodhojmë nga e gjithë kjo punë dhe nga i gjithë ky volum i madh të dhënash është një debat tjetër që vjen më pas, por ama kështu i jepet mundësi të gjithë shoqërisë universitare që të flasë.

Ashtu sikundër në të gjithë aktivitetin e shoqërisë mbetet një e vërtetë shumë e thjeshtë që ka gjithmonë një shumicë të heshtur e cila nuk dëgjohet dhe të cilën nuk e lexon dot me hamendje, përmes muhabeteve të kafeneve, apo përmes debateve në sallonet e mbrëmjeve mediatike. Është një shumicë e heshtur që lexohet nëpërmjet anketimeve, nëpërmjet sondazheve, nëpërmjet këtyre instrumenteve që të sjellin opinionin e të gjithë spektrit. Për këtë arsye ky është një ushtrim shumë i vlefshëm për të gjithë ne. Është i vlefshëm për universitetin, është i vlefshëm për qeverinë, është i vlefshëm për prindërit që investojnë, për të gjithë ju dhe patjetër, nuk diskutohet, është i vlefshëm edhe për drejtuesit dhe trupat pedagogjike. Kjo është e padiskutueshme. Ajo që duhet bërë në këtë rast është që duhet bërë çmos që të marrin pjesë mundësisht që të gjithë, sepse sa më shumë të dhëna të mblidhen, aq më shumë i afrohemi të vërtetës lidhur me nivelin e perceptimit të studentëve në të gjitha drejtimet.

Për sa i përket bordeve, është shumë e rëndësishme që studentët të marrin pjesë në përzgjedhje. Ne kemi kërkuar 3 kandidatura nga studentët për t’iu dhënë mundësi studentëve që të kenë një përfaqësues të tyre, por që patjetër që do ta zgjedhë qeveria midis tre kandidaturave, sepse ka një parim shumë të thjeshtë: Bordi i administrimit është garanti i gjithë aktivitetit financiar, në radhë të parë të universitetit dhe qeveria është financuesja dhe duhet të jetë edhe kontrolluesja e mënyrës se si shpenzohen paratë në universitet, për sa kohë është financuesja kryesore, si në të gjithë botën. Kjo nuk ka të bëjë me asgjë tjetër, përveçse me nevojën që të kemi kontroll mbi financimin dhe të kemi transparencë.

Me Portalin e Transparencës, që e kanë tani të gjithë në dispozicion, bëhet e mundur që çdokush që është i interesuar, të dijë ekzaktësisht se sa dhe si shpenzohet në fakultetin ku ai merr pjesë. Janë ndryshime që të gjitha në vetvete nuk janë kolosale, por së bashku janë baza e një transformimi kolosal. Mos e harroni asnjëherë se nga jemi nisur. Jemi nisur nga një xhungël me “vitrina”, me “kristale”, me gjithfarë lloj llamarinash që quheshin universitete. Sot, ata të cilët kaluan në ato universitete janë shëmbëlltyra e viktimës së një sistemi xhungle, sepse prindërit investuan para, diplomat u dhanë, por me ato diploma ata njerëz janë thjesht të papunë me një diplomë që nuk i duhet dreqit. Kush është përfshirë në punë i është dashur ta rifillojë nga e para, faktikisht.

Jemi shumë larg asaj kohe. Duket sikur ka qenë para 100 vjetësh, por ka qenë përpara 4 vjetësh. Jam shumë dakord me atë që tha ai djali, që, mua po më ikin vitet dhe kur të bëhen të gjitha këto e kur të japin këto rezultate unë nuk do jem më student. Patjetër, sepse bëhet fjalë për të ndërtuar një sistem të tërë dhe sistemet nuk ndërtohen brenda viteve të një studenti. Është e pamundur. Po të ishin ndërtuar sistemet kështu, sot bota do ishte diku tjetër, por edhe pjesa më e zhvilluar e botës, të cilës ne i referohemi, sistemet i ka ndërtuar me qindra vjet. Sistemet akademike të botës së zhvilluar janë produkte i qindra vjetëve sot. Ndërkohë që, për ne është një ushtrim krejt i ri. Patjetër që ka 1001 arsye për të qenë të pakënaqur me veten, sepse gjithçka, gjithmonë mund të bëhet më mirë, mund të bëhet më shpejt. Padiskutim që, ajo që ndodhi me protestën ishte një shtysë shumë e rëndësishme, sepse, në fund të fundit, kjo është edhe ajo që e bën demokracinë sistemin më të mirë, jo perfekt por më të mirin mes të gjithë sistemeve që ka njohur njerëzimi, që edhe njeriu në rrugë, kur arrin të dëgjohet duke mos qenë i vetëm, por duke u bashkuar me të tjerë për të ngritur problemin, mund të ndikojë realisht për të sjellë një ndryshim të vëmendjes, apo të qasjes së qeverisë.

Qeveria nuk është zotëruese e monopolit të të gjithë të vërtetave dhe nuk është zotëruese e të gjithë dijes mbi gjithçka. Përkundrazi, është aty për të mishëruar sa më mirë dijen që ka e gjithë shoqëria për një çështje, apo një sektor. Faktikisht jemi këtu sot në një proces që e ka zanafillën tek protesta, nuk diskutohet. Jo se të gjitha këto gjëra nuk do bëheshin, do bëheshin, por nuk do bëheshin në një kohë kaq të shkurtër, nuk do bëheshin bazuar në një dokument angazhimesh që është Pakti për Universitetin dhe nuk do bëheshin me këmbënguljen që po bëhen sot prej nesh, sepse ne nuk e kishim intensitetin e vëmendjes në këto çështje përpara se sa të ndodhte protesta. Shumë e thjeshtë.

Kjo është diçka shumë pozitive që ka ndodhur, sepse mund të bësh edhe protesta dhe të mos të të dëgjojë njeri, fare, por në këtë rast ka ndodhur që është krijuar një sinergji mes nesh dhe jush. Pra ne jemi bartës të të gjitha atyre shqetësimeve që ju keni dhe përpiqemi të bëjmë më të mirën që këto shqetësime të adresohen në mënyrë sa më të drejtë dhe sigurisht me shpejtësinë më të madhe të mundshme, por gjërat duan kohën e tyre, sidoqoftë.

Të ndërtosh një sistem arsimor të besueshëm, të qëndrueshëm dhe cilësor nuk është as një fjalë goje, nuk është as diçka që fillon dhe mbaron më çfarë shkruajmë në letër, por është proces transformimi historik që kërkon vitet e veta. Padiskutim që, nëse sot universiteti është shumë më i mirë seç ishte dje, absolutisht universiteti sot nuk është ai që duhet të jetë nesër.

Po ta shohim me sytë e të djeshmes, d.m.th. nëse ju ktheni kokën mbrapa dhe shihni se ku ishin studentët pesë vite më parë, në çfarë lloj xhungle vinin vërdallë, sigurisht që jeni në pozicion shumë më të favorshëm seç ishin ata, por nëse hedhim sytë përpara dhe shohim se ku duhet të jenë studentët pas pesë vjetësh, sigurisht që situata e sotme nuk është një situatë për të qenë të kënaqur.

Sondazhi, çfarë bën?

Nuk është se do na zbulojë gjëra që nuk e kemi idenë, por do të na japë të gjithëve bashkë një sens të qartë të situatës së brendshme të të gjithë komunitetit studentor në raport me të gjitha aspektet dhe pastaj të çdo fakulteti.

Çarë do ndodhë?

Do e shikoni vetë që do ketë perceptime më pozitive në fakultete të caktuara dhe më negative në fakultete të caktuara. Pra nuk është diçka uniforme. Nuk do të jetë një pasqyrë uniforme, se, për shembull, korrupsioni në specializimet në mjekësi është zero. Që kur i kemi rihapur specializimet në mjekësi, kemi ndërtuar një sistem bashkë me zonjat dhe zotërinjtë që drejtojnë në atë sektor dhe po ju them që, nuk kemi pasur asnjë ankesë për korrupsion. Është një sistem i ndërtuar mbi një bazë objektiviteti në vlerësimin e të gjithë atyre që pretendojnë të fillojnë specializimin.

Ishte, apo nuk ishte para se sa të mbyllej, një vatër korrupsioni?

Ishte vatër korrupsioni. U arrit në pikën që u tha “më mirë po e mbyllim fare, sesa të merremi me gjithë këtë çorbë”. Është zero. Korrupsioni në hyrjen në universitet sot është zero. Pse? Nuk hyn dot në universitet përpara dikujt tjetër sepse ke lekë, sepse ke partinë, sepse ke krushkun, apo vjehrrin të fortë. Nuk hyn dot. Sot fëmija i një çobani në majë të malit nuk parakalohet dot nga fëmija i një ministri për të hyrë në universitet, sepse është rezultati objektiv, përmes një platforme digjitale vlerësimi, që nuk njeh fare aty as se çfarë e ke babanë, as kush është mamaja, as si e ke mbiemrin, as sa lekë ke. Fare. Është kështu apo jo?

Pse i solla këto shembuj? Sepse jam i bindur që, edhe asaj pyetjeje në fakultete të ndryshme do t’i jepen përgjigje të ndryshme. Nuk besoj që do ketë një fakultet ku do thuhet, “jo nuk ka, është zero”, por besoj që do ketë fakultete ku përqindja e atyre që thonë “ka korrupsion” do jetë më e ulët sesa fakultetet e tjera. Çfarë do bëjë kjo? Kjo do të bëjë që pastaj do të hyjmë më në detaje për të parë pse dhe si në këtë fakultet situata në raport me korrupsionin është më pozitive dhe pse dhe si në këtë fakultet është më negative. Kjo do vendosë përpara përgjegjësisë publike këdo që drejton, këdo që jep mësim atje. Ky është një ushtrim që e forcon pozitën e studentit. Ju mund të shkruani letra sa të doni. I keni shkruar, do i shkruani dhe nuk ju kthejnë përgjigje. E çfarë do bëni? Ajo që dini të bëni ju është që, menjëherë të thoni, “qeveria”. Por, ndërkohë, jo, sepse ligji i arsimit të lartë ka sanksionuar autonominë.

Nuk varen universitetet nga qeveria. Qeveria ka detyrimin dhe të drejtën që të kontrollojë për sa i përket fondeve që jep përmes Bordit të Administrimit. Qeveria ka detyrimin dhe të drejtën që të thotë fjalën e vet për një sërë aspektesh të tjera, por nuk ka absolutisht asnjë mundësi të futet brenda.

Atëherë kush do ta garantojë studentin përballë një drejtimi jo cilësor, apo edhe të papërgjegjshëm?

Do e garantojë transparenca dhe përballja me faktet dhe me të dhënat faktike të trupës.

Pse ne po insistojmë që duhet të fillojë mekanizmi i vlerësimit të studentëve për pedagogët?

Ishte një nga pikat e protestës, apo jo?

Për të njëjtën arsye. Tjetër gjë është kur ti je vetëm edhe përballesh me një rast korrupsioni, ose je i detyruar që të hysh në një marrëdhënie korruptive, tjetër gjë është kur pedagogu përballet me një vlerësim të studentëve që vihet në pikëpyetje integriteti i tij.

Të gjithë këto mekanizma nuk janë shpikje e jona, nuk janë gjëra që ne duhet t’i fabrikojmë ato sepse bota i ka bërë me kohë. Francezët e kanë ndërtuar observatorin kombëtar të jetës studentore shumë vite më përpara, disa dekada më parë.

Çfarë është observatori kombëtar i jetës studentore në Francë?

Observatori kombëtar i jetës studentore është pikërisht një mekanizëm për të marrë drejtpërdrejtë nga studentët përmes këtyre instrumenteve perceptimin e kënaqësisë së tyre për shërbimin që marrin.

Sa të kënaqur janë studentët për shërbimin që marrin?

Në të gjithë aspektet. Nga Observatori kombëtar i jetës studentore, që ishte produkti i realizuar i një procesi që filloi në ’68 me protestën e studentëve, observatori është para 30 vjetësh, ’68 nuk është para 30 vjetësh, është pak më larg, atëherë u arrit edhe në një konsensus në nivel të vendeve të Bashkimit Europian për të futur këto instrumente që janë instrumente jo thjesht demokracie në kuptimin e të drejtës për tu dëgjuar, por instrumente të verifikimit të cilësisë.

Kështu që, me të gjithë respektin, unë them që, çfarë bëjmë çdo ditë në këtë proces do të na japë rezultate pak nga pak, disa gjëra. Biblioteka digjitale është një rezultat që e kemi, ndërsa të gjithë parametrat e cilësisë janë rezultate që do të vijnë me kohën, do të vijnë vit pas viti, nuk do vijnë dot menjëherë, edhe sikur ne të hidhemi përpjetë, përsëri do biem përtokë e do vazhdojmë punën se nuk kemi një rrugë tjetër. Çfarë ka ikur, në shumë e shumë vite dëm, nuk kthehet më. Ajo që na duhet është që të vazhdojmë në rrugën që kemi çelur përpara pak vitesh për t’i vendosur gjërat në një sistem që të jetë funksional dhe që të prodhojë cilësi.