Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Tamarë, aty ku është vendosur qendra e shpërndarjes së ndihmave të Emergjencave Civile vijon shpërndarja drejt zonave të thella të Malësisë së Kelmendit ku qarkullimi ka pasur vështirësi. Për të ndjekur nga afër këtë proces ishte Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, deputeti i zonës Paulin Sterkaj, kryetari i bashkisë Tonin Marinaj dhe prefekti i Shkodrës Paulin Radovani. Vështirësia e këtij dimri ka qenë e madhe, nënvizoi Kryeministri, por mirëkoordinimi i strukturave të shtetit bëri që shpërndarja e ndihmave të bëhet në kohë reale.

“Strukturat e shtetit kanë qenë të organizuara si asnjëherë tjetër dhe të koordinuara si asnjëherë tjetër. E faktikisht janë mbi 110 ton ndihma që janë shpërndarë në kohë reale, aty ku ka qenë nevoja. Edhe në zonën e Vermoshit që ka qenë nga zonat me vështirësi më të madhe, por dhe në zona të tjera, ndihmat kanë shkuar edhe me helikopterë dhe me mjete të tjera,” – u shpreh Kryeministri.

Dimri, sipas rrëfimit të banorëve, ka qenë gjithnjë i vështirë në këtë zonë, por ndryshe, rruga e re e ka mbajtur komunikimin me zonën për herë të parë në këtë periudhë të vitit të hapur. “Jetojmë në këto vende të vështira. Të falenderojmë që ke ardhur e po na sheh shpesh. Ke punuar jashtëzakonisht. Na kanë ardhur ndihmat para viti të ri,” – tha një banor i Tamarës.

“I pari kryeministër në historinë që kur është krijuar kombi shqiptar je ti, që për një vit na erdhe 3 herë në zonën e Kelmendit dhe në Malësinë e Madhe. Jam shumë mirënjohës për çdo gjë që keni bërë dhe po bëni, që në 23 vjet nuk kanë punuar asgjësend në zonën e Kelmendit. Vetëm këto 3 vjet që keni ardhur ju ka ndryshuar komplet zona,” – u shpreh një tjetër banor.

“Më në fund, rrugën deri lart e kemi ashtu siç duhet dhe gjatë gjithë kohës ka qenë e hapur. Është punuar ditë-natë që të mos bllokohet, siç është bllokuar historikisht. Kështu që jemi shumë të vetëdijshëm që ka akoma shumë për të bërë. Ka akoma vështirësi jo të vogla, por ajo që është kryesore është që do vazhdojmë hap pas hapi, të bëjmë të njëjtën gjë që kemi bërë  gjatë gjithë kësaj periudhe. Siç ju e dini dhe e keni prekur vetë, është bërë si asnjëherë tjetër për këtë zonë dhe përgjithësisht për Malësinë e Madhe. Kështu që do vazhdojmë me të njëjtin ritëm edhe me siguri që do bëjmë edhe më shumë gjatë këtij viti dhe në vitet që vijnë,” – u shpreh Kryeministri.

Ndërsa investimet që ka nisur OSHEE në rrjetin e energjisë elektrike bënë që këtë vit të shënohen ndërprerje të pakta të energjisë elektrike, përfshirë edhe këtë zonë, një nga problematikat më të mprehta gjatë kësaj periudhe në vitet e shkuara.

“Pavarësisht vështirësive të mëdha të krijuara nga moti, ka qenë viti me më pak ndërprerje të energjisë elektrikë në 25 vjet, si pasojë e punës së jashtëzakonshme që ka bërë OSHEE, sidomos  në zonat më të vështira. Nga ana tjetër, ne do vazhdojmë të bëjmë investimi në rrjetin e shpërndarjes. Investimet kanë filluar, por sigurisht që duan kohën e vet që të  shtrihen në gjithë territorin. Jam i vetëdijshëm që edhe këtu ka nevojë për të bërë investime për rrjetin e energjisë, në mënyrë që të mos ketë ndërprerje sapo ka një problem me borën apo me erën,” – u shpreh Kryeministri, duke theksuar se edhe në këtë zonë kanë nisur investimet në rrjetin elektrik. “Po bëjmë investimin e linjës së re tani dhe do zgjidhet përfundimisht problemi se janë linja të amortizuara. Që nga koha e elektrifikimit, nuk ka vënë dorë njeri.”

Kryeministri ishte në dy prej familjeve në nevojë sociale, ku sapo kishin mbërritur ndihmat, ushqime dhe pajisje elektro-shtëpiake. “Ky dimër i egër, sot rruga e hapur është, nuk është parë kund. Kelmendit i ke dhënë ndihmë, i dhe rrugë, i dhe zbukurim, i dhe dritë. Nuk di të të them, po shkurtimisht, erdhe ti në Kelmend, se nuk e ka shkelur kush kurrë,” – thotë kryefamiljari.

Në këtë zonë, përveç ndërhyrjeve në linjën elektrike janë në proces edhe investime të tjera të rëndësishme. Një ndër to është edhe shkolla e re, për të cilën Kryeministri garantoi se do të nisë menjëherë ndërtimi sapo bashkia të përfundojë projektin.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.