Rreth 1200 vende pune ofrohen nga 60 kompani të ndryshme në Panairin e Punës në Fier. Kryeministri Rama vizitoi nga afër këtë Panair për të parë vendet e punës që ofrohen dhe për të diskutuar mbi mundësitë dhe problemet që kanë kompanitë pjesëmarrëse. E veçantë në këto panaire të ngritura në mbarë vendin është se një punëkërkues mund të punësohet menjëherë, nëse përmbush kërkesat e punëdhënësit. “Në këtë panair janë 60 subjekte dhe 1194 vende të lira të shpallura nga këto subjekte. Ndërkohë kemi dhe 230 vende të lira që nuk janë pjesëmarrës këtu, nga të cilat 35 i kemi në Fier dhe 195 në Lushnje”, u shpreh një nga punonjëset e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Fier.
Në fushën e telekomunikacionit, Telekom Albania ofron 50 vende pune, që nga niveli i operatorëve dhe deri tek inxhinierët e telekomunikacionit. Gjithashtu kompani të ndryshme në fushën e fasonerisë, apo në bujqësi e blegtori janë në kërkim të inxhinierëve me arsim të lartë. “Jemi aktualisht 400 punëtorë dhe kemi edhe 100 vende të lira pune. Kërkojmë punëtor për makina qepëse dhe ekonomistë”, u shpreh një nga përfaqësueset e biznesit fason. Një tjetër biznes shërbimesh, i pranishëm në këtë Panair, kërkon 20 punonjës të tjerë. “Ne jemi një kompleks shërbimesh në hyrje të Fierit. Jemi aktualisht 50 punonjës dhe jemi në kërkim edhe të 20 të tjerëve, sepse po zgjerohemi”, tha përfaqësuesi i këtij biznesi.
Kompanitë në bashkëpunim me zyrat e punës janë në kërkim të vazhdueshëm të punonjësve, megjithatë jo gjithmonë e kanë të lehtë, pasi shumë punëkërkues duhet të trajnohen para se të vihen në shërbim të plotë të kompanisë, prandaj shumë individë, kryesisht të rinj, iu drejtohen shkollave profesionale për t’u trajnuar. Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar përbën një shqetësim edhe për kompanitë në këtë Panair. Një nga kompanitë e prodhimit të konstruksioneve metalike, pjesëmarrëse në këtë Panair, për të plotësuar nevojat e saj me punonjës të kualifikuar në profilin saldator i ka sjellë nga Tailanda, Kolumbia dhe India.