Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Edi Rama në Akademinë e Shkencave, në ceremoninë e pranimit të 17 personaliteteve të shquara si akademikë të jashtëm:

 

I dashur Skënder,

modestisht më lejo të të komplimentoj për këtë takim që sipas meje, është dhe një ngjarje, më në fund, për t’u shënuar në jetën e gjatë dhe me plot të tatëpjeta dhe të përpjeta të kësaj Akademie, në një habitat që të rri më së miri pas trupi, si një kostum i qepur me merak, jo si kostumi  i politikës që herë të shtrëngonte, herë të zhubrosej e herë të lëshonte. Të jam mirënjohës, sinqerisht, për faktin se në një kohë relativisht të shkurtër arrite të më shpëtosh edhe mua nga alergjia për Akademinë e Shkencave.

Shumë të nderuar akademikë, dekanë, rektorë!

Ju e dini që nuk është sekret që Akademia e Shkencave dhe unë nuk kemi pasur një dashuri me shikim të parë, madje as në shikim të dytë dhe të tretë. Më vjen jashtëzakonisht mirë që sot të rikthehem në sallën e të paharrueshmit Aleks Buda, pa sfidën që të përcjell fjalë që i përvidhen thelbit dhe as me petkat e një rrufjani nga Tabir Saraji i bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Por më lejoni gjithashtu t’ju kujtoj këtu, se kolegu juaj shumë i nderuar Rexhep Qosja, në një moment shumë frymëzues që nuk venitet, diku ka shkruar se vetëm budallenjve nuk iu dhemb asgjë, ndaj është mirë që njeriut t’i dhëmbë gjithmonë diçka.

Fjalët e mia shpeshherë kanë dhembur për shumëkënd që e ka dashur pa kushte Akademinë e Shkencave, por dua të më besoni shumë sinqerisht se edhe mua më ka dhembur shumë gjendja në të cilën e kam gjetur Akademinë e Shkencave kur kam marrë këtë detyrë. Sot e them me bindje që reforma e mishëruar me ligjin e vitit 2019 bën që të ndodhemi në një kapërcim real mes dy epokash, për më të lartin e institucioneve shkencore shqiptare.

Kur them kapërcim nuk nënkuptoj që kemi kaluar në anën tjetër, por gati-gati, po ta fotografojmë këtë çast shkëputjeje, jemi mes një hapi të shqitur përfundimisht nga bataku dhe një këmbe që është duke prekur ngadalë, në mënyrë bindëse, një breg të sigurt, nga ku patjetër mund të nisë një turravrap i ri për Akademinë e Shkencave.

Unë kam pasur dyshime të forta, nëse ky institucion i përçudnuar aq gjatë do mund të dilte ndonjë ditë nga agonia 30-vjeçare, prandaj jam shumë i gëzuar sot të jem këtu, pa asnjë ekzagjerim. Po ashtu jam i kënaqur që, nëse do rikthehesha në kohë, sot nuk do e gjeja më aktual një konstatim të bërë jo shumë larg, por në vitin 2017, përpara se të merrte udhë procesi i reformës, për një inerci që ishte inercia e kalbëzimit të vazhdueshëm të një institucioni që u krijua si xhevahiri më rrezatues i kurorës së dijes shqiptare dhe që ishte shndërruar në burim pezmatimi permanent, për të mos thënë në brengë, për të gjithë themeluesit e tij.

Patjetër, Akademia e Shkencave nuk është ende aty ku duhet të jetë, por sot është një institucion të paktën i zakonshëm, i cili më  në fund nuk shquhet për keq, edhe pse nuk shquhet akoma për mirë në listën e 120 Akademive Shkencore anembanë botës.

Të jesh i zakonshëm, megjithëse sjell mërzi, besoj se është shumë më mirë se të jesh bujshëm i padëshiruar si të qenit i pari nga fundi.

Më në fund, Akademia e Shkencave nuk është një karabina e zhveshur në degradim të vazhdueshëm, siç ndodhi qysh nga reforma famëkeqe e vitit 2008 ku çdo institucion varësie u asgjësua dhe ku për Akademinë mbetën në total 5 kompetenca honorifike.

Ligji i ri, produkt i një pune të përbashkët, ku mbi të gjitha merita i takon kësaj skuadre akademikësh dhe padyshim profesorit të çliruar nga zinxhirët e politikës, parashikon 20 kompetenca direkte për këtë institucion, si dhe një rol të posaçëm në lëvrimin e kërkimit shkencor e madje liri të plotë në tërheqjen e financimeve shtesë, si përshembull, financimet e Bashkimit Europian për kërkimin.

Nuk kemi më një institucion qëllimi i vetëm i ekzistencës së të cilit u katandis ndarja e honorarëve, dietave e pensioneve të veçanta e asnjë institucion pa asnjë rol në jetën shkencore. Nuk kemi më as një institucion, 85% e publikimeve të të cilit të jenë ribotime apo thjesht përkthime, ndonjëherë jo dhe të denja të institucioneve të huaja shkencore, që më pas shpërndahen në treg si studime shqiptare, për të ushqyer një grup të ngushtë individësh.

Janë 3 projekte të mëdha albanologjike që lëvrohen pas një boshllëku shumë të trishtë dhe të gjatë në këtë fushë, falë një financimi nga qeveria; Fjalori i madh i Shqipes, Enciklopedia Shqiptare dhe Historia e Shqiptarëve.

Patjetër nuk janë mjaft dhe nuk e bëjnë mjaftueshëm kontributin e qeverisë, por janë shenja domethënëse jete, si dhe gjurmë të tjera, më në fund, në një hapësirë që ka pasur si qendër graviteti këtë institucion dhe ku aq shumë gjurmë janë lënë falë përkushtimit dhe dijes së themeluesve, edhe të anëtarëve të Akademisë, gjurmë që do të shoqërohen nga të tjera gjurmë, duke rritur edhe bashkëveprimin mes Akademisë dhe qeverisë. Sigurisht nuk mund ta evitoj këtë, duke rritur edhe mbështetjen financiare të qeverisë për Akademinë.

Kemi 3 projekte shumë domethënëse edhe në një aspekt tjetër. Më ka munduar gjithmonë – e kam ndarë publikisht kur kam qenë këtu, – pyetja si do ndjehej Aleks Buda apo Eqerem Cabej, nëse do ngriheshin nga varri për të vizituar Akademinë e pas masakrës së vitit 2008. Sot, kësaj pyetjeje mund t’i jap një përgjigje, më në fund, paksa lehtësuese ose të lehtësuar sepse janë 3 projekte që bëjnë krenar Aleks Budën dhe alteregon e tij të gjuhës shqipe, Eqerem Çabejin.

Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm që mundësohet nga reforma e ndërmarrë është edhe përligjja e një marrëdhënieje të drejtpërdrejtë me universitetet të kësaj Akademie. E pabesueshme, por fatkeqësisht e vërtetë, që për kaq shumë vite, Akademia e Shkencave dhe universitetet jetuan totalisht të ndara.

Nënshkrimi i marrëveshjes me universitetet e përfshirja e tyre në certifikimin e kandidaturave që konkurrojnë për titull akademik, si dhe në projektet e nismat kryesore të dekanateve, garanton edhe të paktën fillimin e ndarjes nga një kohë, e cila fatkeqësisht vazhdon, kur titujt akademik shpërndaheshin si ato dekoratat presidenciale dhe prej shumë vitesh me emrin e Skëndërbeut, Naim Frashërit apo Nënë Terezës, në një kohë kur, aq sa mund të ndjehesh krenar që për arsye legjitime të marrësh një prej tyre, aq edhe ndjehesh i poshtëruar, kur të nesërmen  e sheh që të njëjtën gjë e merr një usta i tallavasë.

Jemi një vit larg nga një ngjarje besoj e rëndësishme, për të mos thënë e madhe në historinë e Akademisë së Shkencave, 50 vjetori i themelimit të saj. Edhe pse, për hir të vërtetës, jemi një vend me histori shumë më të gjatë akademike, që nga akademia e parë e Voskopojës në 1750-ën, deri tek klubet kulturore të Rilindjes apo vitet e para të Pavarësisë që de facto, edhe pse jo de juro, kanë pasur funksione të Akademive moderne, unë besoj që sot, pranimi i 17 anëtarëve të jashtëm, krijimi komisioneve të përhershme sipas fushave të caktuara kërkimore, kërkimi në fusha të reja jo tradicionale, hulumtimi në shkenca të reja, në dijet e së ardhmes, ngritja e qendrës së botimeve enciklopedike dhe albanologjike janë një arsye për të mos e pritur 50 vjetorin e këtij institucioni me kokën ulur, edhe pse nuk janë mjaft për ta pritur me kokën lart.

E meqë ra fjala, sot kam ardhur edhe për t’i kërkuar profesorit, pas mbledhjes, ndihmën e Akademisë për ligjin e ri të medaljeve, që është i domosdoshëm për të integruar Shqipërinë në botën e shteteve ku sundon racionaliteti dhe jo iracionaliteti. E jo vetëm për ligjin ri të medaljeve, por dhe për të tjera punë që unë besoj se kjo Akademi, sot është e gatshme që t’i marrë përsipër, jo sepse këtu kanë munguar njerëzit e ditur, përkundrazi, por sepse këtu ka munguar deri në këtë kohë të fundit lidershipi, organizimi dhe dëshira për t’ia vënë dijen e këtyre njerëzve në dispozicion sfidave të vendit përmes një institucioni serioz.

Duhet pranuar që nuk është pak, përkundrazi, është shumë që në kaq pak kohë, inercia e tmerrshme, e frikshme, degraduese, poshtëruese ia ka lënë vendin një inercie të re, të qëndrueshme, përpjekje për t’u zhvilluar dhe transformuar me modesti, por me vendosmëri. Dua t’i rikthehem vetëm për një sekondë momentit kur më në fund u bindëm ne nga ana e qeverisë që ia vlente ta mbështesnim reformën, kohë kur të gjithë e dini se kishte dhe disa ide alternative. Nuk ka asnjë iluzion që ligji i miratuar nuk është më i përsosuri i mundshëm, por, ama, merita kryesore e këtij ligji është që e ka rikthyer Akademinë e Shkencave, përsëri, në vendin e kërkuesve të vërtetë dhe besoj i ka dekurajuar sharlatanët e shkencës, të cilët në periudha të caktuara arritën deri në pikën që të flasin dhe në emër të Akademisë së Shkencave. Në fund të fundit, ky ishte dhe qëllimi kryesor i të gjitha platformave apo ideve dhe sot, kjo Akademi bazohet në disa parime që më vjen shumë mirë që ka një dakordësi të gjerë midis atyre që kontribuojnë drejtpërdrejt për Akademinë e kërkimin shkencor.

E meqë jemi këtu, sëbashku dhe nuk na dëgjojnë, po ndaj me ju një sekret të vogël, besoj domethënës, që për herë të parë, Skënder Gjinushi nuk më ka uruar fitoren e zgjedhjeve. Domethënë, pavarësisht se është i kënaqur që unë kam fituar zgjedhjet, ka menduar dhe për ata anëtarë të Akademisë që janë të mërzitur që unë kam fituar zgjedhjet, duke qenë se ata janë pakica. Për herë të parë në historinë e tij është bërë me pakicën, kështu që nuk besoj se ka detaj më domethënës për efektin e kësaj reforme. Kur u arrit dhe depolitizomi i Skënder Gjinushit, e ardhmja është e sigurt.

Nga ana tjetër, është e sigurt që sot, për herë të parë, të gjithë anëtarët e kësaj Akademie kanë në dorë çelësat e saj realisht, jo çelësat e kashtës, as çelësat e partisë, por çelësat e Akademisë. Vetë zot, vetë shkop i fateve të Akademisë dhe këtë mos e keqkuptoni si një mënyrë për t’i ikur detyrimeve që kemi, përkundrazi, me shumë përkushtim, me shumë kënaqësi dhe i nderuar unë vetë, patjetër nder edhe për qeverinë tonë që të mbështesim Akademinë në mënyrë sistematike, duke e rritur çdo vit mbështetjen. Prandaj barrën e këtij ndryshimi sigurisht që e keni marrë vetë përsipër, siç është legjitime, por ne jemi gati që ta ndajmë me ju, për një pjesë, pa ndërhyrë asnjëherë, pa kërkuar asgjë tjetër, përveç se që sëbashku, kur kthejmë kokën, të themi që nuk lamë pas hijen e turpit në këtë godinë të vlerave më të respektuara e më të lavdishme të dijes shqiptare.

Nëse mund të bëhet më mirë e sigurisht mund të bëhet më mirë, nëse mund të bëhet më shumë e sigurisht mund të bëhet më shumë, ne jemi gati. Siç do thoshit ju kur ishit më të rinj se unë, gjithmonë gati. Do bëjmë gjithçka, me gjithë dëshirën dhe vullnetin për ta lehtësuar rrugën shumë të vështirë dhe sfiduese që çel jo vetëm reforma e shkruar, por dhe vullneti i qartë që lexohet në të gjithë punën e bërë.

Nuk e di nëse ndonjëri nga këta që sot janë arsyeja pse jemi mbledhur, do të kishte pranuar të bëhej pjesë e kësaj Akademie, kur kjo Akademi nuk ishte kjo që është sot, por jam i sigurt që sot, pranimi i tyre për t’u bashkuar në këtë përpjekje si anëtar të rinj të Akademisë së Shkencave, lidhet dhe me faktin që këtu ka rilindur shpresa dhe është rishfaqur vullneti i përbashkët i njerëzve të dijes për të nxjerrë Akademinë nga bataku ku u zhyt jo për faj të tyre, për aq shumë vite dhe është një përpjekje për rilindje që është reale, është serioze e mbi të gjitha është genuine. Prandaj edhe afirmimi, jo vetëm simbolik i përpjekjeve të të gjithë këtyre anëtarëve që i bashkohen sot Akademisë së Shkencave, ka një vlerë të madhe. Është një mesazh që secili prej tyre e të gjithë ata bashkë, por dhe vetë Akademia, vetë ju të gjithë, vetë profesori që drejton, japin për shoqërinë.

Do doja shumë t’i falënderoja të gjithë, një e nga një, por janë një grup i madh dhe meritojnë shumë fjalë. Gjithsesi dua t’ju uroj me gjithë zemër, shëndet dhe sukses në këtë përpjekje të tyren, sëbashku me të gjithë ju, që nga Ardian Vehbiu, një mik i vjetër, një armik i dashur;  Eno Koço, një zotëri me frak, por që pas rënies së perdes së skenës ishte dhe mbeti një nxënës i përkushtuar për dijen; Ermonela Jaho. Shumëkush që nuk e njeh, mund të thotë çne, ndërsa ju që keni bërë zgjedhjen me siguri e dini atë që unë di për shkak të nderit që kam që ta njoh se Ermonela Jaho, përveç e përtej gjenialitetit të saj si këngëtare dhe vullnetit të saj heroik është dhe një njeri shëmbëlltyrë e dijes për profesionin e saj.

Apo tek dy emra që të gjithë i kemi dëgjuar pa qenë shkencëtarë ne vetë e sot kemi të gjithë arsyet të jemi krenarë që jetojmë si bashkëkohës së tyre, Francesko Altimari dhe Mateo Madala, një duet që mbajti gjallë dhe nuk e la të vdiste një lidhje të largët me Shqipërinë arbërore. E padyshim nuk diskutohet tek Kujtim Shala apo Rexhep Ismajli, apo profesor Ali Aliu që janë shprehja më kuptimplotë e faktit që mosha nuk ka rëndësi, sa ka rëndësi mundësia për të vazhduar të japësh falë dijes e falë dëshirës për të dhënë.

Me shumë mirënjohje realisht, Skënder, për këtë ftesë! Duke ju falënderuar të gjithëve ju për durimin për të më dëgjuar, i siguroj ata  që ndryshe nga Skënderi nuk kanë dashur që të fitoj zgjedhjet, se në katër vitet e ardhshme, kjo Akademi do ta ketë qeverinë e Republikës së Shqipërisë më pranë se në të gjithë historinë e pluralizmit. Nuk po guxoj akoma të them në gjithë historinë e saj se do bëja një sfidë mbase të pamundur për rrethanat, për kontekstin, për mundësitë, por në gjithë historinë e pluralizmit.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.