Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama ishte sot i ftuar në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me rastin e 9 vjetorit të Pavarësisë.  Një ditë e shënuar që ende mbart një peshë të jashtëzakonshme, u shpreh Kryeministri Rama, në urimin e  tij pas seancës solemne.

“Gëzuar të gjithëve ju dhe përmes jush të gjithë vëllezërve dhe motrave këtu në Kosovë dhe atyre që janë prej Kosove, por banojnë jashtë saj, këtë moment shumë të rëndësishëm, këtë ditë që është vigjilja e Pavarësisë dhe një përvjetor i radhës, por si çdo përvjetor me një peshë ende të jashtëzakonshme, sepse janë të freskëta ditët e vështira të një të kaluare që nuk është e largët.

Uroj përsëri edhe sot, kthimin sa më parë në shtëpi të Ramush Haradinaj t. Pa praninë e tij, kjo ditë ka një mungesë. Nga ana tjetër, mungesa e tij është edhe një ftesë në këtë ditë për reflektim për të gjithë, lidhur me sa shumë akoma është për t’u bërë në funksion të raporti jo tonit, jo të Kosovës, por të gjithë të tjerëve me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pasi kam pasur mundësinë t’i uroj personalisht Presidentin e Kosovës, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, uroj të gjithë përfaqësuesit e forcave politike të përfaqësuara në këtë Kuvend, për këtë ditë të shënuar. Një ditë që në këndvështrimin tim është një ditë e shënuar dhe duhet të konsiderohet një ditë e bekuar jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në Kosovë, por dhe për serbët dhe gjithë të tjerët, pasi dita-ditës, Kosova provon se një është shembull rrezatues i bashkëjetesës harmonike mes të ndryshmëve dhe u provon të gjithë të tjerave se kjo është jo vetëm e dëshirueshme, por edhe e mundur.

Edhe një herë është kënaqësi e veçantë, jo vetëm për formalizëm protokollar, apo për fjalën e  bukur të rastit, që të jem në Prishtinë dhe është nder që të jem sot, këtu, i ftuar në ceremoninë e ditës më të rëndësishme të Kosovës bashkëkohore, ditës së Pavarësisë së saj.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.