Postuar më: 3. Shtator 2018

190 mijë nxënës, libra falas nga klasa e parë deri në të katërtën

Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin me mësues, për shpërndarjen e librave falas nga klasa e parë në të katërtën:

Mirëdita dhe shumë faleminderit që keni ardhur!

Arsyeja e këtij takimi është nisja e vitit të ri shkollor me disa risi, por këtu është fjala për risinë më të rëndësishme që është risia e librave falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë në klasën e katërt, pra për 190 mijë nxënës në Republikën e Shqipërisë.

E bëjmë këtë sot sepse deri sot nuk kishim mundësi dhe sot është mundësia për të bërë këtë, falë reformave dhe progresit që na ka dhënë disa hapësira të reja për të bërë më shumë investime dhe për të bërë më shumë, në disa drejtime ku kemi dashur të bëjmë më shumë dhe më parë, por më parë na është dashur të shlyejmë borxhe të rënda dhe të çelim kantieret e reformave.

Vitin e ardhshëm, në këtë program do të përfshihet dhe klasa e pestë dhe ambicia jonë është që deri në fund të këtij mandati, i gjithë arsimi i detyrueshëm, pra deri në klasën e nëntë, të mbulohet me libra shkollor falas dhe prindërve, familjeve të të gjithë nxënësve nga klasa e parë në të nëntën, t’u kursehen miliona e miliona euro shpenzime për libra, që i mbeten familjes për buxhetin e saj.

Ne kemi bërë çfarë kemi mundur deri këtu dhe nëse sot kemi mundësinë të programojmë ekzaktësisht 6 milionë dollarë për këtë operacion, deri sot kemi zgjeruar numrin e fëmijëve që i kanë përfituar tekstet falas dhe të mos harrojmë, ose më saktë jo ju, por askush të mos harrojë ose të gjithë duhet ta mësojnë që aktualisht në vitin shkollor 2017-2018, pra vitin shkollor që lamë pas, ishin 108 fëmijë që u kompensuan për librat shkollorë dhe janë një numër kategorish, që ne i kemi përfshirë, që nga fëmija i tretë dhe më lart apo më poshtë si të doni, në çdo familje, tek fëmijët e kryefamiljarëve invalidë, tek fëmijët e policëve të vrarë dhe me radhë disa kategori të tjera.

Ashtu sikundër, më vjen jashtëzakonisht mirë që ne kemi sot mundësinë të, mbidyfishojmë numrin e mësueseve për fëmijët me aftësi të veçanta. Quhen rëndom me aftësi të kufizuara, por më mirë dhe më bukur shkon me aftësi të veçanta. Zero mësues kishte në vitin 2013 për këta fëmijë, ndërkohë që janë 3700 e disa të tjerë që kanë nevojë për një vëmendje të veçantë dhe ju këtu që jepni mësim dhe jeni ndër mësueset dhe mësuesit model të kësaj republike, e dini shumë mirë këtë gjë, se sa e vështirë është për prindërit, se sa e vështirë është për fëmijët me aftësi të veçanta që të jenë pjesë e klasës pa pasur asnjë vëmendje të veçantë dhe se sa shpesh ndodhin situata krejtësisht të papëlqyeshme e të pajustifikueshme. E çuam numrin në 300 dhe këtë vit do të jenë 700 mësues që do të merren vetëm me këta fëmijë.

Dikush mund të thotë po pse 700? Pse jo 3700? Sepse mundësitë sot janë këto, nesër mbase do të jenë më shumë. Ashtu sikundër, dikush mund të thotë që librat falas duhet të jenë për të gjithë, por së pari, sistemet janë lloj – lloj. Këtu në rajon për shembull, për të mos shkuar më larg, janë 3 vende që nuk japin libra falas, për asnjë klasë. Serbia, Mali i Zi dhe Kroacia që është vend i Bashkimit Europian. Italia që është vend në kategorinë e parë të vendeve të zhvilluara, jep librat falas nga klasa e parë, në të pestën. Ndërkohë që një serë vendesh të tjera, Zvicra apo Finlanda apo vende me të ardhura për frymë marramendëse, në raport me ne Shqipërinë, i japin librat falas, deri në klasën e nëntë ose të njëmbëdhjetë. Kështu që, deri dje nuk kishim mundësi. Sot kemi mundësi dhe po e bëjmë, jo për libra dosido.

Ju jeni dëshmitarë edhe të një fakti tjetër që, deri dje, ishte një stres i vërtetë, jo vetëm nga pikëpamja financiare për familjet, marrja e librave të shkollës, por dhe nga pikëpamja e asaj që merrnin, mall skarco në të shumtën e herës. Mall nga “gabi” i injorancës dhe i korrupsionit. 1300 e kusur tekste, nga të cilat 600 janë refuzuar nga ju, nga mësuesit. Gjysma, skarco, deformime, gabime, lëre didaktikën që nuk bëhet fjalë. Ndërkohë që sot, ne mbyllim ciklin e nisur nga ministrja për zëvendësimin e librave skarco me libra të Cambdridge, te Oxford dhe të Pearson. Libra të një cilësie të padiskutueshme dhe janë këto libra që sot jepen falas, pra edhe cilësia edhe lehtësimi për klasën e parë deri në të katërtën këtë vit. Disa thonë që janë shtrenjtuar. Po, disa libra janë pak më të shtrenjtë se sa ishin sepse janë produkte shumë më cilësore dhe nëse do të bëjmë krahasimin në çmim me vendet e tjera do të shikojmë që nuk ka asgjë anormale. Por, ajo që duam të bëjmë është që deri në fund të mandatit t’i bëjmë falas komplet, deri në klasën e nëntë dhe besoj që do t’ia arrijmë sepse ajo që po ndodh është që po forcohemi dita-ditës në kuptimin, po rriten më shumë mundësitë.

Më vjen shumë mirë po ashtu të them që janë dhjetë mijë nxënës këtë vit që hyjnë në mjedise tërësisht të rindërtuara. Patjetër që ka akoma mjedise për t’u rindërtuar, kjo nuk ka pikë diskutimi. Këtë vit ka një tjetër numër shkollash që kanë hyrë në procesin e rindërtimit, por ajo që është më e rëndësishme dhe që është realisht krenaria e punës sonë është fakti që çdo vit, në shkolla, po hyjnë gjithnjë e më shumë mësues sipas meritës. Kjo është kryesorja. Politika ka dalë nga shkolla dhe merita ka hyrë në shkollë.

Sidoqoftë, për t’u kthyer edhe një herë tek arsyeja kryesore pse jemi këtu, është shumë e rëndësishme që i gjithë komuniteti i arsimit, që nga Ministria e Arsimit, tek drejtoritë të cilat edhe ato tani do të hyjnë në një fazë reformimi, tek drejtoritë e shkollave dhe tek mësuesit, të bëjmë detyrën për t’i dhënë në kohë, të gjithë librat falas për fëmijët.

Ka qenë një proces jo i lehtë deri dje, pasi e vërteta ishte që kompensoheshin, pra rimbursoheshin, nuk ishin direkt falas dhe kjo krijonte shumë burokracira plus edhe stres, ndërkohë që sot nuk ka asnjë lloj pengese.  E njëjta gjë vlen edhe për fëmijët në kategoritë e tjera. Pra nuk bëhet fjalë më, blije me lekët e tua, sill faturën, dil këtu, hajde aty. Është e drejtpërdrejte. Pakot me libra duhet t’ju shkojnë fëmijëve dhe prindërve në dorë përpara fillimit të vitit të ri shkollor, në këto ditë që përgatitet viti i ri shkollor. E për këtë besoj që organizimi i bërë nga ministrja është i duhuri dhe mjafton tani që të gjithë të fokusohen tek kryerja me sukses e këtij operacioni që është goxha masiv sepse bëhet fjalë për 190 mijë familje dhe nuk është aspak e këndshme, qoftë dhe një familje sikur të mbetet pa marrë librat që t’i shkaktohet kjo pakënaqësi, sepse librat do t’i marrin të gjithë, nuk diskutohet, por duhet ti marrin në kohë dhe askush të mos ketë mungesa të librave, ditën që fillon viti shkollor.

Besoj që, nuk jeni kundra që t’ju bëj një urim në distancë kohore nga dita e parë shkollore, veç urimit të ditës së parë të shkollës që të keni një vit me sa më shumë satisfaksione dhe sa më pozitiv.

Nuk e kemi harruar që edhe pse janë rritur, rrogat tuaja kanë nevojë për më shumë rritje, këtë nuk e kemi harruar, kështu që thjesht për t’ju thënë që mos e kini këtë dyshim, por çdo hap sipas mundësive të reja që krijohen dhe besoj që do kemi mundësi të reja dhe në këtë aspekt së shpejti.

Shumë faleminderit nga ana ime! Unë po ju lë me ministren për t’ju dhënë të gjitha porositë e nevojshme e me këtë rast edhe për të shfrytëzuar takimin me ju për t’ju dëgjuar për çfarëdolloj sugjerimi apo nevoje që ju shihni të arsyeshme ta ngrini me ministren.

Shumë faleminderit!