Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Qarkun e Shkodrës janë kryer 20 milionë dollarë investimet në rrjetin shpërndarës, duke ju siguruar furnizim me energji elektrike pandërprerë 70 mijë banorëve. Kryeministri Edi Rama ishte sot, në Bërdicë të Shkodrës, ku rrjeti i vjetër dhe i amortizuar i vitit 1970 është zëvendësuar falë investimit të bërë nga Operatori i Shpërndarjes. Linja e re siguron energji pa ndërprerje dhe shërbim cilësor për 4000 banorët e zonës.

Kryeministri deklaroi se edhe pse ka ende shumë punë përpara, investimet në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike kanë sjellë një rritje të performancës së OSHE-së dhe të furnizimit të qytetarëve me energji elektrike. “Të jemi realistë, – u shpreh Kryeministri, – në raport me çfarë duhet të jetë, ka akoma shumë për të bërë. Kur ne morëm detyrën, OSHEE-ja ishte gropë e madhe dhe gjithë këto linja ishin në mëshirë të fatit që nga koha e elektrifikimit dhe në raport me ku ishim, është si nata me ditën”.

Deputeti i zonës Ilir Beqja bëri të ditur se në Qarkun e Shkodrës janë investuar “rreth 20 milionë dollarë dhe kemi përmirësuar cilësinë e furnizimit për rreth 70 mijë banorë”. Z.Beqja deklaroi se investimet në sistemin e shpërndarjes të energjisë, krahas atyre në infrastrukturë, kanë patur efekt të drejtpërdrëjtë edhe në rritjen e turizmit.   “Investim i rëndësishëm që pritet këtu është nënstacioni i Velipojës. Rruga e Velipojës mbaroi, rruga Shëngjin – Velipojë, nënstacioni elektrik në Velipojë dhe impianti i ujërave të zeza në Velipojë që është bërë, bëjnë që nga pikëpamja e turizmit Velipoja të jetë shumë mirë”.

Po ashtu janë zëvendësuar një pjesë e konsiderueshme e linjave ajrore me linja tokësore.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.