Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin në ZOS, ku u prezantua puna për zbatimin e Planit Kombëtar të Luftës për Parandalimin e Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit:
E vërteta është që jemi të gjithë së bashku në një operacion vendimtar, për t’i dhënë fund historisë së kultivimit në shkallë të gjerë të kanabisit. Të gjitha të dhënat e deritanishme janë shumë inkurajuese. Ashtu sikundër u paraqit edhe këtu në mënyrë të përmbledhur, jemi përpara një situate të përmbysur, nga pikëpamja e hartës së kultivimit.
Baza e Planit Kombëtar të Luftës kundër Kanabisit është solide. Zbatimi pikë për pikë i kësaj baze në letër është një shembull i qartë që, nëse do të vazhdohet me këtë vendosmëri, me këtë ritëm dhe me këtë vëzhgim të hollësishëm, të përditshëm, që shoqërohet me reagime të menjëhershme, siç ka ndodhur deri tani, me siguri që në fund të sezonit, ne mund të themi me plot gojën që ia dolëm ta përmbysim plotësisht situatën dhe vendosëm fjalën “fund” në historinë e kultivimit në shkallë të gjerë të kanabisit.
Unë dua të përgëzoj në radhë të parë, kapacitetin e menjëhershëm reagues të Policisë së Shtetit ndaj shfaqjes së çdo elementi, pavarësisht nga niveli i përgjegjësisë brenda Policisë, që ka rezultuar pasiv, në rastin më të mirë dhe i përfshirë, në rastin më të keq, në mbylljen e syve ndaj shfaqjes së fenomenit në të gjitha territoret e mbjella vitin e shkuar, të cilat janë konsideruar vende krimi dhe ku përsëritja e të njëjtit krim është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e atyre që janë ngarkuar me patronazhimin e këtyre territoreve.
Në këtë aspekt dua ta inkurajoj fuqimisht edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, edhe drejtuesit e tjerë, që të jenë të pamëshirshëm ndaj çdo elementi që shfaqet pasiv, jo më pastaj i përfshirë në mosnjoftimin e menjëhershëm të fenomenit, në rast se ai del në sipërfaqet ku ky element, apo këta elementë janë të detyruar të marrin informacion të përditësuar.
Kjo është një luftë, e cila nuk mbyllet njësoj, siç mbyllet historia e një sëmundjeje pas një operacioni, por ajo që ne jemi të vendosur të bëjmë dhe që do ta bëjmë me patjetër është që të fshijmë përfundimisht njollën që i ka mbetur Shqipërisë nga kjo histori kaq shumëvjeçare dhe pastaj të luftojmë fenomenin në nivele margjinale, aty ku ai mund të shfaqet në zona të thella e në situata gjeografikisht të ndërlikuara.
Është shumë inkurajuese gjithë baza e ta dhënave sot, për kontrollet, për asgjësimet, si dhe kryesorja, që ka të bëjë dhe më thelbin e planit, për parandalim. Po ashtu edhe vënia përpara përgjegjësisë e autorëve, apo të shpallurve në kërkim e atyre që janë përfshirë në këtë veprimtari kriminale gjatë këtij viti është shumë inkurajuese. Ama, të jemi shumë të qartë që kjo është një betejë që duhet të zhvillohet çdo ditë, çdo orë dhe në çdo cep të Shqipërisë.
Nga ana tjetër i jam shumë falenderues Guardia di Financës, që ka qenë dhe mbetet një garanci morale dhe profesionale në mbështetje të këtij operacioni, i cili në esencë është një operacion i përbashkët me partnerët tanë italianë, është një operacion i përbashkët mes dy qeverive. Ashtu sikundër ka rezultuar edhe nga takimi shumë i frytshëm mes ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe ministrit të Brendshëm italian, mundësia për ta kthyer në një histori suksesi operacionin e këtij viti është e gjitha në dorën tonë.
Ne bashkërisht jam i bindur që do ta kthejmë në një histori suksesi. Ashtu sikundër, me plotë të drejtë, qeveria e re do të bëjë gjithçka për t’i ofruar në bashkëpunim me qeverinë italiane, siç kemi rënë dakord, alternativa të tjera njerëzve që bien viktimë e rrjeteve të kësaj veprimtarie kriminale të organizuar, për të nxjerrë bukën e gojës në zonat rurale ku kanë munguar alternativat e prodhimit të shëndetshëm dhe punës së ndershme.
Jam i bindur që vazhdimi i fluturimeve dhe rritja e orëve të fluturimit këtë vit është një vlerë e shtuar, pa të cilën realisht operacioni është i cenueshëm nga pikëpamja morale dhe patjetër është edhe i cenueshëm edhe nga pikëpamja profesionale. Shpresoj shumë që me këtë frymë bashkëpunimi dhe me këtë frymë vendosmërie që ka karakterizuar drejtuesit e Policisë së Shtetit, që nga Drejtori i Përgjithshëm, tek drejtuesit e qarqeve, të vazhdohet intesivisht, pa bërë asnjë lloj lëshimi dhe mbi të gjitha, kur them lëshim, kam parasysh nga pikëpamja e intensitetet të veprimtarisë së çdo strukture të Policisë së Shtetit në këtë operacion të jashtëzakonshëm.
Përgëzime edhe për sistemin e ri që është ngritur i gjithi, si një pasqyrë e plotë transparence, por edhe si një bazë me integritet për llogarikërkimin dhe për llogaridhënien e të gjitha niveleve dhe për përfshirjen e institucioneve dhe agjencive të tjera në këtë betejë, që nuk është vetëm beteja e Policisë së Shtetit, sikundërse e kemi nënvizuar vazhdimisht, por është një betejë më e gjerë e shtetit dhe e shoqërisë.
Unë thjesht dua t’ju kërkoj që në një periudhë të arsyeshme, brenda 10-12 ditësh të kemi një takim tjetër, vetëm me të dhëna të përditësuara, për të vazhduar që të jemi sa më të koordinuar, por edhe për të rritur sa të mundemi ndjeshmërinë publike lidhur me mënyrën sesi po luftohet ky fenomen, me efikasitet të lartë. E po ashtu me nevojën që sa më shumë shoqëria të jetë e përfshirë në këtë proces, qoftë nga pikëpamja e marrjes së informacionit, qoftë edhe nga mundësia për të kontribuuar, duke denoncuar çdo rast ku ka shfaqje të fenomenit, apo ku, më keq akoma, dyshohet për përfshirje, sado margjinale dhe sado të izoluar të elementëve të Policisë së Shtetit.
Besoj që takimet periodike për këtë fenomen janë të rëndësishme. Është shumë e rëndësishme që kështu siç është filluar, me të njëjtin vullnet puna të shkojë deri në fund dhe ne të jemi realisht krenarë për Policinë e Shtetit dhe për bashkëpunimin me partnerët tanë strategjikë italianë. 2017-ën ta bëjmë vitin e vendosjes së kapakut në këtë histori të shëmtuar, patjetër jashtëzakonisht të vështirë dhe ku Policia e Shtetit, në mënyrën më të pamerituar ka marrë goditje që shkojnë përtej çdo limiti moral nga aktorë dhe faktorë, qoftë politikë dhe qoftë mediatikë.
Por nga ana tjetër, le ta themi që edhe kjo atmosferë me doza ekzagjerimi skandaloze ka luajtur rolin e vet pozitiv, përsa i përket përgjegjshmërisë së vetë strukturave të qeverisë, të shtetit dhe të policisë dhe përsa i përket edhe nevojës për të provuar me patjetër që e vërteta është ndryshe.
Shumë faleminderit edhe njëherë të gjithëve!
Do takohemi në një afat të arsyeshëm, për të bërë thjesht përditësimin e të dhënave dhe njëkohësisht, nëse ka problematika emergjente, apo çështje që duhen trajtuar në këtë instancë.
Suksese edhe forca!