Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Komunikim i Kryeministrit Edi Rama me qytetarët në rrjetin social Facebook:

 

Përshëndetje të gjithëve!

Sot, në përvjetorin e 11-të të 21 janarit, ka arsye të vjetra, patjetër, për të qenë me kokën varur, por dhe arsye të reja, besoj unë, për ta ngritur kokën lart.

11 vite më parë u vranë 4 protestues paqësorë, krejtësisht të parrezikshëm për askënd, në kohën kur protesta po shpërndahej dhe në 4 pika shumë të largëta nga objekti i rëndësisë së veçantë, kryeministria. Kujtoj me këtë rast se në atë protestë, e cila, është e vërtetë, degradoi në disa djegie, por larg objektit të rëndësisë së veçantë, Kryeministria nuk u prek nga askush dhe nga asgjë.

Madje, besoj se shumëkujt mund t’i kujtohet se asokohe, ishte e rrethuar me gardh, tamam si një vilë e madhe private e atyre pasanikëve ish sovjetikë dhe jo si pallati i një qeverie demokratike.

Asnjë protestues nuk e kapërceu atë gardh, asnjë shishe me benzinë, flakadanë, gurë nuk u hodh përtej atij gardhi në drejtim të mureve, asnjë zjarr nuk e përpiu pemën e famshme pranë derës qysh në ditën e parë që është hapur ajo derë në gjysmën e parë të shekullit të kaluar e me radhë.

Shkurt, asgjë nga ato që më pas ndodhën shumë rëndom përballë kësaj godine kur palët politike ndërruan vendet dhe kur pala që sot mbrohet me dyer të blinduara tek SHQUP dhe mbrohet nga pala që sot sulmon me qysqi dhe shkallë zjarrfikësit e SHQUP-it, ishin bashkë në agresionet e panumërta mbi kryeministrinë.

Pashë sot komentatorë që flasin nga mbrapa bravës apo maja e shkallës duke thënë që fajin, – kjo është thënë shpesh qysh në krye të herës, por përsëri është thënë sot, se fajin për vrasjet e 21 janarit e kam unë. Pse? Sepse i thirra njerëzit në protestë, ndërkohë që nëse nuk ndalemi tek kriminelët që tërhoqën këmbëzën e pushkës, fajtorët e vërtetë për ato vrasje gjenden njëri mbi foltoret e një revolucioni që synon të marrë SHQUP-in dhe tjetri pas dyerve të blinduara, që synon të mbajë bravën e SHQUP-it.

Të thuhet se katër njerëz u vranë se nuk duhet të shkonin në bulevard atë ditë, do të thotë të mos meritosh asnjë koment. Kështu që, unë nuk do vazhdoj të komentoj këto komente.

Ndërkohë që meritojnë patjetër një koment ata, që thonë se fajin e kam unë dhe qeveria se pse fajtorët e vërtetë ende janë të lirë dhe madje vazhdojnë të japin shfaqje, seriale të dhunshme në mes të Tiranës.

Unë nuk hyj tek njerëzit që u shmangen përgjegjësive apo që nuk dinë të kërkojnë ndjesë, kur janë apo ndjehen përgjegjës, qoftë dhe moralisht për faje dhe gabime dhe për këtë besoj që kam dhënë më shumë se një provë. Në këtë rast, jo vetëm që nuk shoh asnjë arsye për t’u menduar dy herë përballë kësaj akuze, por përkundrazi, këtë dëshiroj ta dëgjoni me vëmendje, unë besoj se ne e kemi shlyer atë pjesë të detyrimit që na takon në raport me Dëshmorët e 21 janarit. E këtu, nuk e kam fjalën për shpalljen e tyre “Dëshmor” apo lehtësira që mund të kemi për familjarët e tyre të shkëlqyer. Këtu e kam fjalën për reformën në drejtësi, e cila përgojohet çdo ditë nga kundërshtarët e saj, e cila denigrohet çdo ditë nga armiqtë e saj, e cila përbaltet dhe masakrohet çdo ditë foltore më foltore, bravë për bravë, kanal më kanal, portal më portal, çadër më çadër, klub më klub, sallon më sallon, por që është padyshim guri i themelit të munguar prej 100 vjetësh në këtë shtet, ku drejtësia nuk ka qenë kurrë e drejtë, kurrë e barabartë. Nuk ka qenë kurrë drejtësi por ka qenë ose një gur në dorën e pushtet për të vrarë, burgosur, sakatuar armiq sipas oreksit të diktaturës së proletariatit ose një gur në kandarin e pazarllëqeve me të drejtën e të tjerëve, në daç para dhe në daç pas komunizmit.

Për herë të parë, – duan, nuk duan ata që nuk duan, se pastaj flasim me argumente, flasim me fakte qysh nga krijimi i shtetit shqiptar, është vënë një gur themeli për drejtësinë në Shqipëri me reformën në drejtësi dhe këtë gur e ka vënë kjo shumicë, kjo parti në pushtet, nën drejtimin tim dhe padiskutim, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët strategjikë të Shqipërisë, SHBA dhe BE.

Për herë të parë në historinë e shtetit tonë, e ardhmja e drejtësisë nuk është blozë, edhe pse e sotmja nuk është rozë por nuk është blozë e ardhmja, siç ka qenë para, gjatë dhe pas komunizmit, deri ditën kur më në fund erdhi në qeveri një parti, Partia Socialiste dhe jam shumë krenar kur e sjell këtë togfjalësh, Partia Socialiste, sidomos kur flas për reformën në drejtësi. E mori përsipër të vendosë këtë gur themeli, dhe pas një përpjekje të madhe, reforma në drejtësi kaloi në parlamentin shqiptar, vetëm para disa vitesh.

Unë e kam shumë të qartë që durimi është një mall shumë i rrallë në këtë vend sepse në këtë vend, njerëzit kanë pritur shumë, në të gjitha aspektet, sidomos kur vjen fjala tek drejtësia.

Të kërkosh durim është si të kërkosh një sakrificë shumë të madhe. E kuptoj shumë mirë, jam unë më i paduruari, sa për dijeni, megjithëse shtrëngoj dhëmbët dhe vazhdoj duroj sepse shumë vjet kanë kaluar në jetën tonë, duke pritur të shohim drejtësinë, por ama një gjë duhet ta kemi shumë të qartë që të gjithë. Para se të them këtë, do them dhe diçka tjetër.

Mua mund të më shfryheni sa të dëshironi për çdo gjë, nuk ka problem.

Sa kohë unë kam zgjedhur të komunikoj me njerëzit e zakonshëm, duke hyrë deri këtu, duke hyrë në faqen time në Facebook nëpër komente dhe duke dhënë e duke marrë në çdo kohë, kur unë kam pak kohë, sidomos kur jam në makinë, si askush më pas dhe askush më pas, e për këtë nuk kam asnjë dyshim; unë i mirëpres të gjitha.

E bëj këtë sepse kam një respekt shumë të madh për ata që më kanë sjellë këtu dhe më kanë besuar këtë detyrë, më kanë bërë këtë nder, dhe unë mendoj se është nderi më i madh që i bëhet një njeriu, të drejtojë vendin e vet.

I konsideroj të gjithë ata që marrin pjesë në komunikimin këtu apo gjithë ata që i ndesh kudo, njerëz të cilëve mund t’u shërbej me respekt, në radhë të parë, duke i dëgjuar. Por ama, as mund të më kërkoni llogari për 30 apo 100 vjet e as nuk mund të më kërkoni të pamundurën; funksionimin e plotë dhe siç e dëshirojmë të gjithë të drejtësisë kur akoma nuk është tharë boja e vulës mbi ligjin e Reformën në Drejtësi.

Kjo është njësoj si të kërkosh që një fëmijë të bëhet 40 vjeç brenda 4 vitesh. Meqë ti nuk duron dot të sharat, meqë ti nuk ke durim ta ndihmosh që të mësojë, të ecë, të lexojë, të kuptojë botën, të bëhet 40 vjeç.

Ndërkohë që ne flasim, nuk është se asgjë nuk ka ndodhur, se ka ndodhur e po ndodh diçka që as nuk mund të imagjinohej deri para pak vitesh kur kaloi reforma në drejtësi. Po pastrohet masivisht llumi i paparë në sistemin e drejtësisë, ai llum gjykatësish e prokurorësh që kanë qenë ekzekutorët e drejtësisë. Ai llum i gjykatësve e prokurorëve që kanë shitur e kanë blerë drejtësinë sipas qejfit e ai llum gjykatësish e prokurorësh, pa pastrimin e të cilit gjithçka tjetër është e kotë, përmes vettingut.

Vettingu vazhdon, llumi nuk mbaron dhe gjykatësit e prokurorët që janë pjesë e këtij llumi e që sot vazhdojnë të jenë në sistem se nuk u ka ardhur radha, vazhdojnë të bëjnë kërdi, të paimagjinueshme nganjëherë, kap çfarë të kapësh, para se sa të ngecin në rrjetën e vettingut, madje ka prej tyre që kur vjen dita e vettingut ikin vetë, nuk paraqiten fare, se kanë mbaruar pazaret.

Ama gjithë kjo neveri duhet duruar, duhen shtrënguar dhëmbët e duhet vazhduar puna me durim se nuk jemi në vitin 1945, e kam thënë shpesh këtë, por do ta them sa herë që do flasim për këtë, sepse ka akoma dhe sot sa të duash njerëz që ma kërkojnë mua, që ia kërkojnë qeverisë, që ia kërkojnë pushtetit politik, që ia kërkojnë pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ që të bëjë hetime, të bëjë gjyqe, të bëjë arrestime. Si mund të ndodhi kjo? Në çfarë forme? Vetëm duke e kthyer orën mbrapa në vitin 1945 ose në njërin nga vitet, zgjidhni e merrni, të kohës kur hetimet, gjyqet, arrestimet, pushkatimet i bënte partia në pushtet me urdhër të sekretarit të parë.

Kjo nuk mund të ndodhi, prandaj ky është një proces e mos harrojmë kur flasim për drejtësinë e kur i referohemi vendeve të tjera, që ne kemi bërë reformën në drejtësi dhe kemi vënë gurin e themelit para 3-4 vitesh apo 5 bëhen tani. Çfarë janë 5 vjet në historinë e një vendi? Edhe pse në jetën e një njeriu janë jo pak, çfarë janë në historianë e një vendi? Ndërkohë që në historinë e atyre vendeve, të cilave ne i referohemi për drejtësinë, hetimet, gjykatën, vendimet e pavarura jepeshin denbabaden në kohën kur ne nuk kishim shtet, nuk ekzistonim si shtet, ishim një provincë në periferinë e perandorisë, plot pluhur e pa asnjë sistem shtetëror.

Pse po i them këto? Po i them këto për të thënë që sot është një ditë më e mirë se sa një vit më parë. Një vit më parë ishte një ditë më e mirë se sa dy vite më parë, në 21 janar, në raport me nxjerrjen deri në fund të përgjegjësive. Pse është një ditë më e mirë? Është një ditë më e mirë sepse sot nuk jemi më në kushtet kur ishim të etur për të parë drejtësinë të fillonte të funksiononte e nuk kishim asnjë gur themeli, ishim në ajër. Në ajër mbi një kënetë, kurse sot kemi vënë një gur themeli.

Fola për vettingun. Sot është rihapur Gërdeci, është rihapur një nga dy kapakët e rëndë të dy tragjedive të mëdha, të dy vrasjeve shtetërore, lëre se çfarë thotë njëri e tjetri. Dy vrasje shtetërorë! Dy tragjedi që ndodhën për shkak të korrupsionit shtetëror, të krimit shtetëror! Është rihapur Gërdeci, ai Gërdeci mbi të cilin u vu një kapak, siç u vu mbi 21 janari, nga ajo drejtësia e kalbësirave që po pastrohen nga vettingu.

Është rihapur dhe sot po hetohet e po hetohet nga SPAK-u.

SPAK-u nuk është një forcë çudibërëse, nuk është as FBI-ja, nuk është as një strukturë e ngjashme në vende ku këto struktura funksionojnë prej kohës kur ne që flasim këtu nuk kishim lindur akoma, por është një foshnje, e cila ka filluar të belbëzojë, e cila ka filluar të japi shenjat e para, e sapo lindur. E pra, ka rihapur Gërdecin! Unë jam i bindur që kjo është rruga dhe unë jam i bindur që ajo fjala “Drejtësia vonon, por nuk harron”, sot ka kuptim të qartë e të plotë, duam apo nuk duam, duan apo nuk duan, sepse nuk ka një mundësi tjetër, nuk ka një tjetër rrugë dhe unë i kuptoj të gjitha insinuatat, i kuptoj të gjitha akuzat, i kuptoj të gjitha teoritë e konspiracionit sepse padurimi e padrejtësia për një kohë të gjatë, ka krijuar një terren shumë pjellor për të gjitha këto, aq më tepër që reforma në drejtësi sulmohet vazhdimisht, sulmohet përditë, nga mëngjesi deri në darkë. Pengohet nga mëngjesi deri në darkë. Sabotohet nga mëngjesi deri në darkë, por ecën. Unë do të doja të kishte ecur shumë shpejtë. Kush nuk do donte nga ne? Por objektivisht a mundet të ecte shumë më shpejt? Nuk e di. Nuk jam i sigurt sepse këto janë procese. Shtet ndërtimi është një proces, shumë i ngjashëm me rritjen e një fëmijë. Është një krahasim që mua më duket shumë shpjegues për çka dua të them. Nuk mundet dot në një vit ta rrisësh fëmijën 10 vjet, në 2 vite ta rrisësh 20 vite, në 3 vite ta rrisësh 30 vite, në  4 vite ta rrisësh 40 vite, e në 5 vite ta rrisësh 50 vite, nuk mundet. Do kohën e vet, është shumë e thjeshtë dhe këto që thashë janë dhe një reflektim mbi një sërë komentesh që lexova kur po përgatisja këtë komunikim dhe ndërkohë ka pyetje të tjera.

Pyetje nga Facebook: Pse nuk shpejtohen procedurat, por pritet deri sa të mbarojë mandati?

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka lidhje kjo me mandatin. Nëse ka këtu midis nesh, midis të gjithë të paduruarve për drejtësi për 21 janarin, një mundësi për të bërë një klasifikim padurimi, unë pretendoj vendin e parë në padurim sepse e ndiej barrën e madhe të kësaj padrejtësie për 1001 arsye dhe lidhja e vazhdueshme me familjet ma bën këtë shumë të nxehtë, por e thashë dhe po e them. Kjo nuk ka lidhje me mandatin e qeverisë, kjo nuk ka lidhje me politikën, kjo ka lidhje me institucionet e drejtësisë. Ne kemi bërë një reformë drejtësie, e cila nuk është perfektë pa diskutim dhe procesi i zbatimit të saj nuk ka si të jetë perfekt. Patjetër që në procesin e zbatimit të një projekti ka pengesa, patjetër ka të papritura, patjetër ka edhe gabime, patjetër ka edhe momente kur projekti duket sikur nuk funksionon. Patjetër që këto janë të gjitha, por janë pjesë e procesit. Është rritja e një fëmije ku asgjë nuk është lineare, por ama procesi po vazhdon dhe kjo është më e rëndësishmja. E ardhmja e drejtësisë për herë të parë nuk është blozë, e ardhmja është rozë. E sotmja patjetër që është më shumë blozë se sa rozë sepse nëse do të ishte kaq e thjeshtë, të gjithë do e kishim bërë kështu, por fakti që ka Suedi, ka Gjermani, ka Francë, pastaj ka Poloni, Hungari, Rumani, pastaj ka Ballkan, do të thotë që ka procese, të cilat kanë ritme të ndryshme, për arsye historike, për arsye të traditës, për 1001 arsye.

Koment nga Facebook: Drejtësia e vonuar nuk quhet drejtësi.

Kryeministri Edi Rama: Drejtësia është gjithmonë drejtësi!

Koment nga Facebook: Homazhet dhe buqetat më të mira janë duke vendosur drejtësi sot për autorët që sot livadhisen nëpër foltore e janë nongrata. U prehshin në paqe!

Kryeministri Edi Rama: U prehshin në paqe dhe jam 100% dakord! Kjo është e vërtetë!

Është shumë e vërtetë që homazhet dhe buqetat janë respekt, por homazhet dhe buqetat më të mira janë dënimet për fajtorët, 100% dakord!

Koment nga Facebook: Erdhe me parullë të madhe në pushtet se do zgjidhësh 21 janarin dhe Gërdecin, por u bënë 9 vite dhe nuk ke bërë asgjë më tepër se sa bënë ata përpara.

Kryeministri Edi Rama: Ata përpara, i dashur Arben, vrisnin njerëz, vrisnin protestues të pafajshëm, të parrezikshëm, vrisnin protestues, që ishin qytetarë në të drejtën e tyre, e të bënin shumë e shumë gjëra të tjera që të mos i numëroj të gjitha. Ndërsa ne, jo nuk kemi bërë asgjë, por kemi bërë diçka shumë të madhe, diçka për të cilën historia do të flasë shumë më qartë dhe shumë më mirë se sa mund të flas edhe unë sot, që është reforma në drejtësi. Ne kemi vendosur një gur themeli në drejtësi Arben, një gur themeli për një ngrehinë komplet të munguar, për ndërtimin e një katedraleje aty ku ishte një kënetë, a e kupton? Këtë kemi bërë ne, e prandaj e thashë në fillim që ne e kemi shlyer pjesën tonë të detyrimit, sepse ne nuk bëjmë hetime, ne nuk bëjmë gjyqe, ne nuk japim vendime, nuk bëjmë arrestime, nuk burgosim njerëz, sepse jemi në një sistem demokratik, ku janë të ndara pushtetet e ku, jo vetëm që nuk mundemi, por as nuk mund ta çojmë nëpër mend se mund të bëjmë gjëra të tilla sepse kjo është e dënueshme i dashur.

Koment në Facebook: Ilir Meta sot ikën në Korçë dhe zgjohet e merret me dekorata edhe pse gazetarët e pyetën për 21 janari, ai nuk u përgjigj.

Kryeministri Edi Rama: Për çfarë të përgjigjet Ilir Meta për 21 janarin? Si prisni të përgjigjet Ilir meta për 21 janarin dhe çfarë të bëjë përveç se të shpërndajë dekorata? Dekorata pa asnjë vlerë, pa asnjë kuptim, pa asnjë përmbajtje, që janë një tallje e madhe me ata njerëz që për fat të keq shkojnë e i marrin dekoratat e Ilir Metës sepse janë realisht bosh në përmbajtje, bosh në kuptim, bosh në vlerë.

Koment nga Facebook: Mediu shikon dhe qesh, gëzon milionat e eurove që bëri në atë biznes, vetëm Zoti bëftë drejtësi.

Kryeministri Edi Rama: Jo, drejtësinë do ta bëjë drejtësia dhe Gërdeci është rihapur, po hetohet nga SPAK-u dhe siç mund ta kesh ndjekur apo mbase dhe nuk e ke ndjekur se këtu ka një mori lajmesh çdo ditë, gjykata e rihapi duke thënë një fjalë shumë të madhe, për pretendimin se me demek na qenka gjykuar. Jo nuk është gjykuar. Durim dhe unë jam i bindur që më herët se vonë, gjykata do të thotë jo, 21 janari nuk është gjykuar e nëse më lejoni, gjyqe të kësaj natyre, procese të kësaj natyre, tragjedi të kësaj natyre, edhe në vende me drejtësi të konsoliduar marrin shumë kohë, por nuk vonojnë.

Koment nga Facebook: Besoj që drejtësia do të vendoset një ditë dhe vrasësit do të marrin dënimin.

Kryeministri Edi Rama: Edhe unë kështu besoj dhe e besoj çdo ditë e më shumë.

Koment nga Facebook: Nuk po kupton populli i shkretë çfarë faktesh do kjo drejtësi për Berishën deri në 8 janar, për 30 vjet nuk i hyn gjemb në këmbë. Çne arrestoni të zhgënjyerit e protestës kur kryesori vazhdon me kërcënime.

Kryeministri Edi Rama: Ja përsëri, ne nuk arrestojmë. Qeveria nuk bën arrestime. Partia në pushtet nuk merret me arrestime. Pushteti ekzekutiv në demokraci nuk ka lidhje me arrestimet. Shumica qeverisëse, jo nuk bën, por është e ndaluar të bëjë arrestime. Arrestimet i bën prokuroria në bashkëpunim me policinë apo policia në bashkëpunim me prokurorinë, me vendim gjykate dhe populli nuk është aspak i shkretë dhe ky popull kupton shumë më tepër se sa çdo individ që flet në emër të tij dhe jam i bindur që dija dhe urtësia e popullit, e kanë shumë të qartë se çfarë ka ndodhur, çfarë ndodh dhe çfarë do të ndodhë. Jo në aspektin e parashikimit të të ardhmes, por në aspektin e ndjesisë në raport me të ardhmen.

Kështu që mbi gurin e themelit, mbi gjithë punën që po bëhet për vazhdimin e pastrimit të llumit, mbi punën që ka filluar nga institucionet e reja, në radhë të parë nga SPAK-u që është institucioni bazë i hetimit e mbi të tjera akoma, hap pas hapi, po ngrihet katedralja mbi ish kënetën, kënetën e madhe të 100 vjetëve, ku nuk pati kurrë drejtësi, por ku drejtësia ishte vetëm një gur kandari në pazare apo një gur për të vrarë njerëz e për të burgosur njerëz e për të sakatuar familje për 45 vitet e regjimit diktatorial komunist.

Koment nga Facebook: Prokurorët e SPAK-ut që marrin miliona lekë në muaj nga taksapaguesit shqiptar kanë frikë të vendosin drejtësi.

Kryeministri Edi Rama: Të lutem, sepse këto milionat, këto frikërat e këto akuzat globale nuk çojnë asgjëkund.

Koment nga Facebook: Kur thua ti që do bëjmë drejtësi, që je në krye të shtetit, kur ndihesh ti i pafuqishëm përballë asaj gjëje, po ne njerëzit e thjeshtë që çdo ditë e ndjejmë padrejtësinë në çdo hap që hedhim? Po të ishe ti i vendosur, jo vetëm që kjo drejtësi do të ishte bërë…

Kryeministri Edi Rama: I dashur, unë jam i vendosur se po të mos isha i vendosur, nuk do i hyja fare reformës në drejtësi, që të jemi të qartë.

Unë jam i vendosur, se po të mos isha i vendosur, nuk do të vazhdoja të rrija këtu me këmbëngulje dhe kokëfortësi.

Unë jam i vendosur se po të mos isha i vendosur, nuk do dilja sot të vendosja lule aty ku janë shenjat e të rënëve në 21 janar, por edhe një herë. Sistemi që kemi zgjedhur i ka ndarë punët e për këtë arsye, në një kuptim të caktuar jemi absolutisht, jo vetëm të barabartë, por dhe të pafuqishëm, përballë padurimit tonë që shpesh herë na vë poshtë, sepse jo më larg se sa pak ditë më parë, unë fola, ministri i Drejtësisë foli për një rast skandaloz ku një gjykatëse skandaloze, një ordinere në kuptimin më të plotë të fjalës, i ra ndesh një projekti të madh të qeverisë për fëmijët dhe bllokoi projektin, për llogari të një individi. Dhe atëherë? Sepse ende sistemi është në pastrim e sipër dhe nuk ka një forcë që mund ta bëjë këtë sa hap e mbyll sytë, nuk ka. Nuk ekziston! Lëre se çfarë thonë i kontrollon ky të gjitha. E para njëherë, kjo është e pavërtetë. E dyta, nuk funksionon kështu!

Koment nga FB: Pse ai i Bllokut që ishte shkaku u ngrit lart e më lart

Kryeministri Edi Rama: Tani i jam përgjigjur shpesh herë kësaj pyetje. I përgjigjem prapë pa asnjë problem. E po ju them prapë e prapë, që Ilir Meta është zgjedhur president me votat e tij, jo me votat tona. Ne nuk kishim vota për të zgjedhur Presidentin e Republikës. Nuk i kishim, se po të kishim votat sigurisht që nuk do të zgjidhnim Ilir Metën. Por nuk i kishim votat dhe mes një të keqeje, si ajo e zgjedhjes së Ilir Metës dhe një të keqeje tjetër shumë më të madhe si ajo e rifutjes së vendit në një proces kaotik nga e para, ne zgjodhëm të keqen më të vogël. E për më tepër me bindjen që t’i jepnim opozitës, Presidentin.

E kam thënë që ditën e parë kur Ilir Meta ende nuk e kishte nxjerrë kokën publikisht, por ndërkohë e kishte nxjerrë kokën fare fare qartësisht jashtë kamerave se ishte aty një kolonë e pestë e opozitës dhe e frontit të kundërshtisë me Partinë Socialiste, me qeverinë dhe me mua. Kaq e thjeshtë.

Koment nga FB: Ju mund ta keni shkarkuar Presidentin, por mesa di unë ai dekretoi zgjedhjet në gjashtë bashki ditën e djeshme, apo ç’e deshe, s’ka gjë.

Kryeministri Edi Rama: Jo Myrteza! Shumë e thjeshtë! Përsëri! Ne e kemi shkarkuar Ilir Metën! Parlamenti e ka shkarkuar Ilir Metën në votim të fshehtë! Ilir Meta është një President i shkarkuar nga Parlamenti, por procedura e formalizimit të shkarkimit ose jo të Presidentit, kalon nga Gjykata Kushtetuese. Janë të ndara pushtetet!

Unë nuk e kuptoj se si ka akoma njerëz sot, që kërkojnë nga unë, që kërkojnë nga qeveria të bëj punë që nuk janë punët tona!

Nuk jemi as në monarki, nuk jemi as në diktaturë. Nuk jemi as në kushtet e një pushteti absolut, pavarësisht se një tufë njerëzish që janë të frymëzuar vetëm nga instiktet e urrejtjes, të inatit, të mllefit, të hakmarrjes flasin për rregjim nga mëngjesi deri në darkë. Cili rregjim?! Cili rregjim?!

Nëse këtu do të ishte rregjim, këtu shumë gjëra nga këto që flasim, as nuk do të diskutoheshin më dhe nëse këtu do të ishte rregjim, këtu s’do kishte njeri që do të guxonte të hapte gojën e të fliste për rregjim.

Pyetje nga FB: Çfarë u bë këto 11 vite?

Kryeministri Edi Rama: Këto 11 vite u bë si vijon: E para, fituam zgjedhjet! E dyta, u angazhuam për Reformën në Drejtësi! E treta, bëmë Reformën në Drejtësi! E katërta, nisëm procesin e pastrimit të llumit në sistemin e drejtësisë me largimin e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar që vazhdon, sepse llumi është pambarim!

E pesta, filloi ngritja e institucioneve të reja! Prokuroria Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK-u, Gjykata Speciale janë dy institucione të reja, të cilat kanë filluar të funksionojnë!

Këto janë bërë dhe nëse këto duken pak, patjetër që nuk ka sesi të të duken shumë në raport me një pritshmëri  shumë të gjatë, por më besoni janë shumë për harkun kohor në të cilën kanë ndodhur! Janë shumë! Janë shumë!

Pyetje  nga FB: Përse drejtësia e re nuk po funksionon?

Kryeministri Edi Rama: Drejtësia e re ka filluar të funksionoj, por është thashë dhe një herë tjetër, një foshnje që ka filluar të hedhe hapat e parë dhe kërkon kohën e vet.

Forcimi i muskujve të kësaj drejtësie të re, kërkon pak kohë. Nuk mund të jetë një proces sa hap e mbyll sytë, se të ishin gjërat kaq të thjeshta, po ju them që do i kishin bërë të tjerët para. Nuk do i vinte radha një piktori që të bëhej Kryeministër!

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.