Përshëndetje të gjithëve!
Sot, ne jemi këtu për të promovuar një nismë të re dhe një funksion të ri, në mbështetje të gjithë atyre që në sezonin e verës do të zgjedhin t’i kalojnë pushimet përgjatë bregdetit apo në Aple. Duke filluar nga java e ardhshme , ne do të vendosim në funksionim 22 qendra të reja shëndetësore, me shërbim 24 orë, me mjekë dhe infermierë. Ky funksionim 24 orë parashikohet të vijojë deri në fund të muajit gusht.
Qendrat do të jenë të pajisura me një set standard mjetesh mjekësore, të cilat kanë munguar rëndom në të shkuarën dhe kanë bërë që të ketë shumë konfuzion në rastet kur ka qenë e nevojshme për të marrë ndihmë mjekësore.
Sigurisht që një falënderim i veçantë i takon atyre që e mbështetën këtë ide të ministrit të Shëndetësisë, donatorëve që ndihmuan për të përgatitur dhe për të vënë në dispozicion të vizitorëve, pajisjet e reja të këtyre qendrave. Duhet nënvizuar që këto qendra të përkohshme janë furnizuar plotësisht me materiale mjekësore, për të cilat janë shpenzuar rreth 200 mijë dollarë.
Këtu është rasti për të rikujtuar se jemi në kushtet kur kemi fituar një hapësirë manovrimi, si rezultat i politikës agresive të ndjekur për uljen e çmimit të ilaçeve. Duke realizuar premtimin, një zotim i rëndësishëm i yni për t’i ulur ilaçet me 30%, duke hequr taksën e ilaçeve dhe duke vënë në lëvizje mekanizma, që tanimë kanë garantuar që ilaçet në Shqipëri mos të shiten më shtrenjtë sesa andej nga vinë, ne i kemi kursyer arkës së shtetit, 70 milionë dollarë. Po 70 milionë dollarë, sepse brenda janë bashkërisht, i kemi kursyer edhe xhepave të ekonomisë familjare të të gjithë atyre që kanë nevojë për ndihmë me ilaçe.
Pra, janë 70 milionë dollarë që nga njëra anë, familjet i kursejnë, nga ana tjetër janë në dispozicion, në një pjesë të konsiderueshme, për të rritur numrin e ilaçeve të rimbursueshme, – e kemi rritur listën me 85 medikamente dhe do ta rrisim më tutje, – si dhe për të bërë edhe të mundura ide si kjo, që do t’i shërbejë shumë vizitorëve.
Vitin e shkuar kemi qenë në spitalin e Vlorës, bashkë me drejtoren e mrekullueshme që keni ju këtu në Vlorë dhe një nga problemet kryesore ka qenë pikërisht, pamundësia për t’i shërbyer në kohë reale, njerëzve të cilëve ju shfaqen probleme, apo të cilët kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme mjekësore, në vijën bregdetare të qytetit.
Tanimë, këto qendra do të jenë pranë plazheve, ashtu sikundër do të jenë edhe në Alpe, në Valbonë, në Razëm, në Theth dhe në kohë zero, kush ka nevojë për ndihmën e menjëhershëm mjekësore do ta marri atë, aty pranë, pasur nevojë për të kaluar të gjithë peripecitë që shtohen gjatë periudhës së verës, qoftë edhe për shkak të trafikut të rënduar në orë të caktuara, për t’u nisur nga vendi aksidentit apo plazhi deri në spital.
Kjo është një mbështetje e drejtpërdrejtë për operatorët, për ofruesit e shërbimeve, për pronarët e hoteleve, të cilët këtë nismë e bëjnë pjesë të mekanizmit të promovimit të hotelit dhe të shërbimit të tyre, duke i siguruar të gjithë klientët potencialë, se do të gjejnë jo vetëm një shërbim të mirë në hotel, por do të gjejnë edhe një shërbim mjekësor ekselent, të sigurt, 24 orë në 7 ditë të javës, aty ku do të bëjnë pushimin.
Nga nëntori 2014-të, ne kemi një ligj të ri të Shërbimit të Urgjencës Mjekësore dhe nga janari i 2015-ës kemi një Qendër Kombëtare të Urgjencës Mjekësore. Ambicia jonë për Urgjencën është shumë e madhe. Askush nuk duhet të mendojë se unë jam duke thënë që pas 18 muajsh punë intensive, ne e kemi kryer plotësisht atë që kemi ambicie të bëjmë për Urgjencën. Absolutisht jo. 18 muaj janë shumë pak për të transformuar një shërbim urgjence, që ishte bërë si shërbim funerali, në një shërbim urgjence që në kohë reale ju gjendet pranë njerëzve që kanë nevojë për urgjencë, pavarësisht se gjenden në qendër të qyteteve, apo se gjenden në një fshat të largët.
Por 18 muaj janë absolutisht të mjaftueshëm, për të parë me fakte konkrete se Shërbimi i Urgjencës në Shqipëri është kthyer në drejtimin e duhur dhe se puna që po bën ministri dhe Ministria e Shëndetësisë në drejtim të përmirësimit të shërbimit është absolutisht në drejtimin e duhur.
Vetëm në 18 muaj kemi siguruar 20 autoambulanca të reja, që i janë shtuar një flote sa qesharake, aq edhe dëshpëruese të Urgjencës. Kemi një helikopter të ri të emergjencës mjekësor, që nuk është helikopteri për udhëheqjen dhe për personat vip, por është një helikopter i Emergjencës Mjekësore, që ju shërben pa dallim të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, që kanë nevojë për t’u spostuar me urgjencë drejt Tiranës, apo drejt qendrës shëndetësore ku e kanë të nevojshme. Vetëm për këto mjete kemi shpenzuar një shumë të caktuar, e cila nuk ka asnjë rëndësi në krahasim me çka kemi marrë mbrapsht.
Sot, mbas 18 muajsh, në të gjithë spitalet bregdetare, telemjekësinë, e cila siguron diagnostikim të menjëhershëm, në distancë, nga profesorët e Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë apo Spitali Universitar i Traumës, në rast urgjence.
Ndryshe nga 18 muaj më parë, një përqindje e konsiderueshme e njerëzve që kanë nevoja urgjente, sot marrin përgjigje dhe shërbim të menjëhershëm, pa pasur nevojë të nisen drejt Tiranës. Ju sjell shembullin e spitalit të Kukësit ku falë telemjekësisë dhe falë shërbimit në kohë reale të profesorëve të QSUT-së për njeriun që duhet shërbyer me urgjencë në Kukës, fluksi i vizitorëve në spitalin e Tiranës për arsye urgjence shëndetësore ka rënë 70 %. Janë 70 % e atyre që kanë nevojë për shërbim urgjence në Kukës, të cilët nuk kanë nevojë më të shpenzojnë paratë, kohën dhe padyshim, edhe gjithë atë gjendje të tmerrshme emocionale që duhet në raste urgjence, për të shkuar deri në Tiranë, por e marrin shërbimin menjëherë në Kukës, bazuar në këshillën e menjëhershme, përmes telemjekësisë, të shefave të pavioneve në Tiranë. E njëjta gjë vlen edhe për spitalet bregdetare.
Nga ana tjetër, sapo kemi miratuar një projekt të ri, i cili do të fuqizojë shërbimin e urgjencës mjekësore në pesë spitale bregdetare, në Shkodër, në Lezhë, në Durrës, në Vlorë dhe në Sarandë. Ky është një program që nuk do të bëjë thjesht mbështetjen e përkohshme, por do të sigurojë një kapërcim të rëndësishëm në teknologji dhe në cilësi të shërbimit për gjithë periudhën që kemi përpara, jo thjesht turistike, por në vitet në vijim.
I jam mirënjohës ministrit të Shëndetësisë edhe për një transformim të rëndësishëm të qasjes së Ministrisë së Shëndetësisë, e cila nga një institucion që thjesht administronte të përditshmen është kthyer në një institucion që programon me afat të gjatë, që zbaton në kohë reale, por edhe që parandalon.
Vjet ishte hera e parë, mbas mbi 20 vitesh, që shteti i doli për zot turistëve dhe banorëve të zonave ku mbretëronte mushkonja, duke bërë dezinsektimin, që përsëri këtë vit është kryer dhe po përfundon me sukses të plotë, duke i siguruar të gjithë pushuesve, por edhe banorëve të zonave të prekura nga flukset e mëdha të insekteve gjakpirëse, që mund të kenë një pushim të qetë dhe të pa trazuar nga ato krijesa që e shoqëruan tranzicionin, me një prani spektakolare në të gjithë territoret e turizmit shqiptar.
Në këtë drejtim është realizuar edhe një program intensiv kontrollesh dhe inspektimesh, për të verifikuar kushtet higjeno-sanitare të ofruesve të shërbimeve. Po ashtu po ndiqet në vijim monitorimi i këtyre kushteve.
Besoj se jemi në drejtimin e duhur, përderisa mushkonjat kanë gjetur në rrugën e tyre një pengesë që as nuk e kishin imagjinuar 20 vjet me radhë. Këtu kam parasysh mushkonjat e të gjitha llojeve.
Ju falënderoj shumë për vëmendjen. Falenderoj dhe njëherë ministrin. Falënderoj dhe ministrin e Turizmit, i cili po ashtu ka bërë një punë mjaft intensive dhe të koordinuar me Ministrin e Shëndetësisë. Ju falënderoj dhe ju të gjithëve, veçanërisht gratë, për praninë e tyre këtu, në këtë ditë të bukur, që pa shumë prej jush nuk do të ishte kaq e bukur.
Jam i bindur që ky sezon turistik do të jetë një sezon kthese shumë të rëndësishme për vetë prurjen e madhe që presim këtë vit, falë edhe imazhit të përmirësuar të Shqipërisë, që kjo qeveri ka arritur të bëjë përmes reformave dhe përmes zërit të mirë që na ka dalë nëpër Europë.
Kështu do të kemi shumë turistë që vijnë nga vende të Bashkimit Europian, që nga Polonia, Çekia, Sllovakia deri tek Suedia, Norvegjia e me radhë. Pa diskutim, edhe nga vendet e rajonit. Ajo çka jemi informuar nga operatorët është se kërkesa këtë vit, jo vetëm ka qenë më e madhe sesa vitin e shkuar dhe vitet e tjera, por ka qenë 25 % përtej mundësive. Që do të thotë se të gjitha hotelet dhe të gjitha bujtinat e fjetinat janë praktikisht të rezervuara.
Ndërkohë që për ne mbetet një sfidë kolosale që të rrisim kapacitetet, duke hapur rrugën e investimeve strategjike në sektorin e turizmit, për të cilin kemi kaluar edhe dy ligje. Një ligj që e përfshin turizmin si një sektor strategjik, ligji i investimeve strategjike dhe ligji tjetër i turizmit që kalon së shpejti në parlament, duke i dhënë mundësi investitorëve të mëdhenj që të vijnë dhe në bashkëpunim me qeverinë, në bashkëpunim me bashkitë e reja t’i çelin rrugë projekteve që do ta transformojnë bregdetin shqiptar në një nga vijat më të bukura bregdetare të Mesdheut, jo vetëm për nga natyra, por edhe për nga kapaciteti dhe cilësia e turizmit.
Shumë faleminderit!
***
Në mbështetje të mbarëvajtjes së sezonit veror, 22 qendra shëndetësore do të jenë në dispozicion të pushuesve dhe turistëve, duke filluar nga java e ardhshme. Këto qendra do të funksionojnë me shërbim 24 orë, me mjek dhe infermier dhe do të shtrihen në të gjithë vendin; 19 përgjatë vijës bregdetare nga Velipoja në Ksamil dhe 3 të tjera në Alpe (Valbonë, Razëm, Theth). Ky funksionim 24 orësh do të vijojë deri në fund të muajit gusht.
Qendrat janë të pajisura me një set standard mjetesh mjekësore. Po ashtu, ato janë furnizuar me barna dhe materiale të nevojshme mjekësore, në vlerën e rreth 200 mijë dollarëve.
Qendrat shëndetësore do të ofrojnë më shumë siguri për turistët. Duke realizuar një shërbim mjekësor të sigurt, 24 orë në 7 ditë të javës, kjo është edhe një mbështetje e drejtpërdrejtë për ofruesit e shërbimeve dhe operatorët turistikë.
***
Prej vitit 1982, spitali për sëmundjet e shëndetit mendor në Vlorë ishte lënë totalisht në harresë, jashtë çdo vëmendjeje dhe investimi. Sot, pas një investimi prej rreth 2.4 milionë dollarë, ai është një spital model, i standardeve më të mira. Spitali siguron kushte moderne për trajtimin e këtyre sëmundjeve, i pajisur me palestër, salla të posaçme fizioterapie dhe dhoma të psikoterapisë. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja vizitoi sot këtë spital.
Ministri Beqja vlerësoi standardet që ofron spitali për trajtim dinjtoz dhe riaftësimin e të sëmurëve me këtë specifikë, duke adaptuar edhe një qasje të re në trajtimin e tyre. “Është investim rreth 2.4 milion dollarë. Është ndërtim komplet i ri, i ndërtuar me një qasje moderne për këtë lloj sëmundje specifike. Spitali ka fizioterapi, palestër. Kemi edhe një shtëpi ku administrata vjen këtu dhe aty fillon të funksionojë ajo që quhet shtëpi e mbështetur. Ajo që kemi bërë në Tiranë, po bëjmë në Korçë, për t’i trajtuar një pjesë të të sëmurëve jashtë institucioneve. Kjo është një qasje e re moderne dhe bashkëpunojmë shumë edhe me OBSH-në.”
Për një terapi sa më efikase, drejtori i spitalit shton se në ekipin mjekësor është shtuar ndjeshëm stafi psikosocial. Ndërsa një nga mjeket shprehet se ndjehen të lehtësuar, pasi përveç vështirësisë së punës, edhe infrastruktura ishte shumë e vështirë.