Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 04 Korrik 2018:
V E N D I M
PËR
CAKTIMIN E MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË SI ORGANIN E INTERESUAR DHE AUTORIZIMIN E SAJ PËR TË LIDHUR SHTESË KONTRATE, NËPËRMJET AVOKATURËS SË SHTETIT, ME FIRMËN AVOKATORE GOWLING WLG, PËR PËRFAQËSIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË ÇËSHTJEN E ARBITRAZHIT NDËRKOMBËTAR KUNDËR SHOQËRISË HYDRO S.R.L., ICC 22919/GR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4 pika 7, 5, pika 1, shkronja “b”, 12, pikat 2 e 6, 15, pika 8, dhe 18, pika 2, të ligjit nr.10 018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Caktimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si organin e administratës publike të interesuar në çështjen e arbitrazhit kundër shoqërisë Hydro S.R.L.
- Autorizimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që, nëpërmjet Avokaturës së Shtetit, të lidhë shtesë kontrate me firmën avokatore ndërkombëtare Gowling WLG për përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë në çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar të iniciuar nga shoqëria Hydro S.R.L., ICC 22919/GR, të negociuar nga Avokatura e Shtetit, me vlerë të përgjithshme 950 000 (nëntëqind e pesëdhjetë mijë) euro.
- Shtesa e kontratës të rregullojë përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë në çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar kundër shoqërisë Hydro S.R.L.
- Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë dhe Avokatura e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 8.12.2016, PËR ÇËSHTJEN “MOLLA KUNDËR SHQIPËRISË” (KËRKESA NR.29680/07)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë’’, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 8.12.2016, për çështjen “Molla kundër Shqipërisë” (kërkesa nr.29680/07).
- Në zbatim të vendimit të GJEDNJ-së, të bëhet ekzekutimi me mjete të përshtatshme i vendimit nr.00-2008-33, datë 11.1.2008, të Gjykatës së Lartë, të dhënë në favor të ankueses, znj. Frida Molla, për lënien në fuqi të vendimit nr.173, datë 27.6.2006, të Gjykatës së Apelit Korçë, e cila ka vendosur detyrimin e Ndërmarrjes Zonale të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Korçë për të ndaluar punimet në pronën e paditëses Frida Molla si dhe kthimin e saj në gjendjen e mëparshme.
- Ekzekutimi i vendimit të GJEDNJ-së, sipas pikës 2, të këtij vendimi, të bëhet nga Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Korçë.
- Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria Rajonale e OSHEE, sh.a.-së, Korçë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA POLIÇAN, TË PRONËS NR.1069, ME EMËRTIM “KOMBINATI MEKANIK ZONA B”, ME VENDNDODHJE NË POLIÇAN, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR, DHE NË VENDIMIN NR.207, DATË 9.3.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË POLIÇAN, TË QARKUT TË BERATIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Poliçan, të pronës nr.1069, me emërtim “Kombinati Mekanik Zona B”, me vendndodhje në Poliçan, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi, për ta përdorur për vendosjen e ndërmarrjes së shërbimit pyjor, për magazinimin dhe përpunimin e lëndës drusore, të materialeve të ndërtimit, instalimin e makinerive dhe pajisjeve teknologjike të ndërmarrjeve në varësi të Bashkisë Poliçan, për zbatimin e projekteve në funksion të zhvillimit social-ekonomik të zonës, si dhe për realizimin e funksioneve ekonomike dhe të funksioneve të tjera sipas ligjit.
- Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të hiqet prona nr.1069, me emërtim “Kombinati Mekanik Zona B”, me vendndodhje në Poliçan, dhe të shtohet në listën e inventarit të pronave paluajtshme që i kanë kaluar në pronësi ose në përdorim Bashkisë Poliçan, miratuar me vendimin nr.207, datë 9.3.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
- Bashkisë Poliçan i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
- Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, kryetari i Bashkisë Poliçan, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË BASHKËFINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE, DHE FONDIT TË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR POPULLSINË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së bashkëfinancimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS POPULLORE TË KINËS, PËR THEMELIMIN E QENDRËS KULTURORE TË KINËS NË SHQIPËRI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, për themelimin e Qendrës Kulturore të Kinës në Shqipëri, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE AGJENCISË SË BASHKIMIT EVROPIAN PËR BASHKËPUNIMIN E ZBATIMIT TË LIGJIT, MBI VENDOSJEN E OFICERIT NDËRLIDHËS TË EUROPOL-IT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin e Zbatimit të Ligjit, mbi vendosjen e oficerit ndërlidhës të Europol-it, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË KONTRIBUTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), DHE AGJENCISË SUEDEZE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR (SIDA), PËR MBËSHTETJEN E PROJEKTIT “IMPLEMENTIMI I TAKSËS SË PASURISË TË BAZUAR NË VLERËN E TREGUT, VERSIONI 0.93, DATË 20 SHKURT 2018”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, datë 21.4.2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së kontributit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (marrësi), dhe Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), për mbështetjen e projektit “Implementimi i taksës së pasurisë të bazuar në vlerën e tregut, versioni 0.93, datë 20 shkurt 2018”, nëpërmjet një granti në vlerën prej 36 281 000 SEK (tridhjetë e gjashtë milionë e dyqind e tetëdhjetë e një mijë) koronash suedeze, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.443, DATË 16.6.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, REGJISTRIMIN, MËNYRËN E FUNKSIONIMIT, TË ADMINISTRIMIT E TË NDËRVEPRIMIT DHE PËR SIGURINË E SISTEMIT TË MENAXHIMIT ELEKTRONIK TË ÇËSHTJEVE TË PËRMBARIMIT GJYQËSOR (ALBIS)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 516/a, të Kodit të Procedurës Civile, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, të nenit 26, të ligjit nr.8730, datë 18.1.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor”, dhe të ligjit nr.10031, datë 11.12.2008, “Për Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.443, datë 16.6.2011, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
- Titulli i vendimit ndryshon dhe bëhet: “Për përcaktimin e mënyrës së funksionimit, të administrimit dhe ndërveprimit të Sistemit të Menaxhimit Elektronik të Çështjeve të Përmbarimit Gjyqësor (ALBIS), si regjistri qendror i kërkesave për vënie në ekzekutim të urdhrave të ekzekutimit”.
- Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Objekt i këtij vendimi është krijimi i bazës ë të dhënave “Sistemi i menaxhimit elektronik të çështjeve të përmbarimit gjyqësor” (ALBIS), që shërben edhe si regjistri qendror i kërkesave për vënie në ekzekutim të titujve ekzekutivë, sipas nenit 516/a, të Kodit të Procedurës Civile, si dhe përcaktimi i përmbajtjes së informacionit, parimeve dhe rregullave për funksionimin e këtij sistemi.”.
- Pas pikës 1 shtohen pikat 1/1 deri në 1/6, me këtë përmbajtje:
“1/1. Regjistri qendror i kërkesave për vënie në ekzekutim të urdhrave të ekzekutimit mbahet vetëm në format elektronik. Formati elektronik konsiderohet baza e të dhënave të Sistemit të Menaxhimit Elektronik të Çështjeve të Përmbarimit Gjyqësor (ALBIS).
1/2. Parimi bazë i funksionimit të sistemit ALBIS është përpunimi dhe mbrojtja e të dhënave/informacionit të tij, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të dhënat personale.
1/3. Të drejtat për aksesin dhe përpunimin e të dhënave në sistemin ALBIS, sipas rolit të përdoruesit, duhet të jenë të autorizuara, si më poshtë vijon:
– Për Ministrinë e Drejtësisë, me autorizim me shkrim të ministrit të Drejtësisë;
– Për përmbaruesit gjyqësorë shtetërorë, me autorizim me shkrim të drejtorit të Përgjithshëm të Përmbarimit;
– Për përmbaruesit gjyqësorë privatë, me autorizim me shkrim të kryetarit të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë.
1/4. Ministria e Drejtësisë nuk mban përgjegjësi për mënyrën e përdorimit të informacionit të raportuar në sistemin ALBIS, kur ky i fundit është i pasaktë ose i paplotë, si rrjedhojë e raportimit të pasaktë e të paplotë, dhe/ose për gabime në përpunimin e informacionit nga përdoruesit e saj të autorizuar.
1/5. Lëshimi i vërtetimeve për gjendjen për ekzekutim të një titulli ekzekutiv pranë përmbarimit gjyqësor lëshohet, përkatësisht, nga Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit, për përmbarimin gjyqësor shtetëror, dhe Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, për përmbaruesit gjyqësorë privatë. Vërtetimi lëshohet pas paraqitjes së kërkesës, shoqëruar me kopje të mjetit të identifikimit. Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit dhe Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë evidentojnë në një regjistër të posaçëm të gjitha kërkesat e këtij lloji. Formati i regjistrit, formati i vërtetimit, procedura dhe kërkesat për lëshimin e tij detajohen prej tyre dhe miratohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
1/6. Baza e të dhënave ALBIS përmban:
- a) të dhënat e regjistrave të çështjeve përmbarimore aktive dhe/ose të pezulluara, të regjistruara deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, si dhe të çështjeve përmbarimore të reja, që paraqiten për ekzekutim pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi;
- b) të dhënat e regjistrave të çështjeve përmbarimore të pushuara, të arkivuara ose të transferuara, të regjistruara nga përmbaruesit gjyqësorë deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi;
- c) të dhënat e regjistruara në sistem nga përmbaruesit gjyqësorë, sipas numrit të protokollit të librit të përmbaruesit gjyqësorë ose zyrës/shoqërisë përmbarimore për dokumentet procedurale, vendimet, urdhrat e ekzekutimit apo të dhënave që lidhen me çështjen dhe palët në procesin e ekzekutimit;
ç) elemente të sigurisë;
- d) informacion për procesin ekzekutues të çështjes përmbarimore të përmbaruesit, i cili paraqitet kur kërkohet nga strukturat që kanë të drejtën e aksesit në sistem;
- dh) materiale për instruktim, në ndihmë për përdoruesin e sistemit;
- e) ndërfaqe të bazuar në teknologjinë portal;
ë) funksione kërkimi;
- f) raportim të statistikave dhe analizave (në dimensione të ndryshme dhe në kohë reale).”
- Përmbajtja e anekseve nr.1 dhe nr.2 ndryshohet sipas anekseve përkatëse nr.1 dhe nr. 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
- Pika 3 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“3. Të dhënat që përmban sistemi ndahen në të dhëna parësore e të dhëna dytësore, si më poshtë vijon:
- a) Të dhëna parësore konsiderohen të dhënat e mbledhura në kohë reale dhe që kanë të bëjnë me:
- të dhëna për çështjet përmbarimore dhe përshkrime për ekzekutimin e tyre;
- fazën procedurale të procesit përmbarimor, referuar dokumenteve të përmbaruesit gjyqësor gjatë veprimtarisë së tij, të regjistruara në sistem sipas aneksit nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
- b) Të dhëna dytësore konsiderohen të dhënat e siguruara nga ndërveprimi me baza të tjera të të dhënave shtetërore dhe kanë të bëjnë me:
- palët;
- të tretët;
iii. të dhëna të vendimeve gjyqësore;
- ndërveprimin me institucionet e tjera.”.
- Shkronja “c”, e pikës 5, shfuqizohet.
- Përmbaruesit gjyqësorë shtetërorë dhe privatë, brenda 9 muajve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, duhet të kenë përfunduar hedhjen e të dhënave në sistem për të gjitha çështjet përmbarimore që kanë në administrim, sipas shkronjave “a” e “b”, të pikës 1/6, të këtij vendimi.
- Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit dhe Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë për zbatimin e këtij vendimi dhe orientimin e përmbaruesve gjyqësorë shtetërore e privatë në përmbushjen e detyrave.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.788, DATË 22.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, STANDARDEVE DHE PROCEDURAVE TË PROCESIT TË AKREDITIMIT TË AKTIVITETEVE TË EDUKIMIT NË VAZHDIM PËR PROFESIONISTËT E SHËNDETËSISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 33/1, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Në vendimin nr.788, datë 22.9.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
- Pika 1.1.1 riformulohet, me këtë përmbajtje:
“1.1.1 Aplikimi për akreditimin e aktivitetit të edukimit në vazhdim, për profesionistët e shëndetësisë duhet të bëhet në Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, këtu e më poshtë QKEV, nga ofruesi/t e aktivitetit, jo më vonë se 30 ditë nga data e planifikuar për zbatimin e tij. Aplikimi për akreditim shoqërohet me pagesën e një tarife, që varion sipas llojit dhe kohëzgjatjes së aktivitetit, e cila miratohet nga Bordi i Edukimit të Vazhdueshëm, këtu e më poshtë BEV.”.
- Pas pikës 1.5.3.7 shtohet pika 1.5.3.8, si më poshtë vijon:
“1.5.3.8 Mosdeklarim i mbështetjes financiare ose deklarim i rremë në aplikimin për akreditim.”.
3.Pas pikës 1.5.4 shtohet pika 1.5.4/1, me këtë përmbajtje:
“1.5.4/1 Në raste shkeljesh të përsëritura për ofrues, të cilët janë pezulluar një herë nga QKEV-ja, BEV-i, me propozimin e QKEV-së, mund të pezullojë ofruesin nga ofrimi i aktiviteteve të akredituara për një periudhë deri në 3-vjeçare.”.
- Në fund të pikës 1.5.5 shtohen fjalët: “… Këtu përjashtohen aktivitetet ku numri i pjesëmarrësve në sallë është më i madh se 200 veta …”.
- Pas pikës 2.11.5 shtohen pikat 2.11.6, 2.11.7 dhe 2.11.8, si më poshtë vijon:
“2.11.6 Duhet të ketë statusin “ofrues i akredituar” nga QKEV-ja ose nga një institucion tjetër i barasvlefshëm në një shtet tjetër të OECD-së. Në rastet kur nuk është i akredituar, ofruesi duhet të ketë një marrëveshje me një ofrues të akredituar nga QKEV-ja ose nga një institucion tjetër i barasvlefshëm në një shtet tjetër të OECD-së.
2.11.7 Për aktivitetet E-Learning,:
- a) ofruesi duhet të sigurojë përdorimin e materialeve didaktike në mënyrë të vazhdueshme dhe të përsëritshme, me anë të teknologjive multimediale, nëpërmjet lidhjes me internetin;
- b) ofruesi duhet të përdorë një platformë teknologjike, e cila i dedikohet edukimit dhe garanton përdorimin pa pasur nevojë për orare të caktuara apo të qenit të pranishëm në vende të përcaktuara që më parë;
- c) platforma teknologjike duhet të garantojë përdorimin e lehtë të kurseve, regjistrimin e përdoruesve, mundësinë për dhënien e pëlqimit për privatësinë dhe trajtimin e të dhënave të përdoruesve, verifikimin e veprimeve të kryera nga përdoruesit në platformë dhe të jetë në gjendje të masë nivelin e përvetësimit të kurseve nga përdoruesit nëpërmjet testeve vlerësuese dhe testeve për shkallën e pëlqimit të çdo kursi edukues;
ç) platforma teknologjike duhet të parashikojë një apo më shumë module të edukimit/formimit si dhe procese të ndërmjetme vetëvlerësimi;
- d) verifikimi i pjesëmarrjes duhet të sigurohet me anë të testeve për lëndët e dhëna dhe duhet të garantohet nga kontrolli i veprimeve të kryera nga sistemi. Përveç këtyre, duhet të parashikohen edhe verifikime të veçanta të identitetit të profesionistit.
2.11.8 Për aktivitetet e edukimit në distancë, sinkron (të njëkohshëm), pjesëmarrja në leksione ose sesione edukuese, që zhvillohen larg vendit ku është profesionisti, duhet të arrihet nëpërmjet përdorimit të një platforme multimediale të dedikuar (klasa virtuale, webinar), nëpërmjet lidhjes me internetin. Pjesëmarrja e njëkohshme duhet të parashikojë lidhjen në internet të pjesëmarrësve në orare të caktuara që më parë nga programi mësimor dhe të garantojë një nivel të lartë ndërveprimi ndërmjet lektorëve/tutorëve dhe pjesëmarrësve. Ҫdo orë mësimi, përfshirë edhe ndërhyrjet e pjesëmarrësve, duhet të regjistrohet dhe të jetë e disponueshme për t’u verifikuar, përdorur apo përsëritur në një moment tjetër. Pjesëmarrja individuale në aktivitet duhet të verifikohet me anë të regjistrimit të lidhjeve on-line në platformë gjatë orës së mësimit. Verifikimi i dijeve duhet të bëhet nëpërmjet testit që kryhet në përfundim të sesionit.”.
- Pas pikës 2.16 shtohet pika 2.17, si më poshtë vijon:
“2.17 Ofruesi duhet të sigurojë përkthim për pjesëmarrësit në rastet kur aktiviteti apo një pjesë e tij zhvillohet në gjuhë të huaj.”.
- Pika 3.1.4.3 riformulohet, me këtë përmbajtje:
“3.1.4.3. Gjatë aktivitetit të edukimit në vazhdim është i ndaluar çdo lloj materiali për promocion të produkteve apo publicitet i produkteve specifike, që shpërndahet nga ofruesi brenda sallës së zhvillimit të aktivitetit të akredituar dhe brenda hapësirës edukative. Duhet të shmanget ballafaqimi dhe krahasimi i produkteve apo subjekteve të ngjashme. Aktivitetet promocionale gjatë aktiviteteve të drejtpërdrejta (prova materiale mbështetëse, prezantim) ose publiciteti në materialet elektronike apo të printuara duhet të jenë të ndara nga aktiviteti i edukimit në vazhdim.”.
- Pika 3.1.4.6 shfuqizohet.
- Pika 4.7 riformulohet, si më poshtë vijon:
“4.7. “Aktivitet kërkimor/studimor”, përfshirja e profesionistit në punë kërkimore, në shkrime artikujsh apo materialesh të tjera profesionale dhe shkencore është një formë tjetër e edukimit në vazhdim.”.
- Pas pikës 4.7 shtohet pika 4.7/1, me këtë përmbajtje:
“4.7/1. Për aktivitetet e drejtpërdrejta (live),:
- a) kur numri i pjesëmarrësve është deri në 100 veta, përllogaritja e krediteve kryhet sipas kriterit një kredit për çdo orë. Kur numri i pjesëmarrësve është 101-200 veta, përllogaritja e krediteve kryhet sipas kriterit 0.7 kredite për çdo orë, ndërsa për aktivitete me mbi 200 pjesëmarrës zbatohet kriteri 0.5 kredite për çdo orë;
- b) për trajnime të individualizuara, që përfshijnë fitimin e njohurive dhe të aftësive në kryerjen e procedurave apo të teknikave të reja dhe përdorimin e teknologjive me jo më shumë se 5 pjesëmarrës, përllogaritja e numrit të krediteve bëhet sipas kriterit 5 kredite për çdo orë. Përllogaritja bazohet vetëm në kohëzgjatjen efektive, që përfshin orët reale të mësimdhënies dhe ndërveprimit me pjesëmarrësit, duke mos përfshirë pushimet ndërmjet prezantimeve, seancën prezantuese të aktivitetit etj. Kohëzgjatja e aktivitetit nuk duhet të kalojë 10 orë;
- c) në rastet e aktiviteteve që zhvillohen në salla paralele, përllogaritja e numrit të pjesëmarrësve bëhet veçmas për çdo sallë. Numri maksimal i krediteve, që bazohet në orët efektive, nuk duhet të kalojë 6 kredite në ditë. Ndërsa, mund të bëhet një rritje 0.3 kredite për çdo orë për përmbushjen e secilit prej këtyre kritereve:
- Numri i parashikuar i pjesëmarrësve është deri në 25;
- Përdorimi i metodologjisë interaktive për, të paktën, 50 pjesëmarrës;
iii. Tema e aktivitetit është në përputhje me fushat prioritare të miratuara nga QKEV-ja.
- Pika 4.8 riformulohet, si më poshtë vijon:
“4.8. “Aktivitetet e edukimit në distancë akreditohen sipas kriterit një kredit për çdo orë të parashikuar. Për aktivitetet E-Learning, në rast se platforma teknologjike përdor hapësira bashkëpunimi ndërmjet pjesëmarrësve (chat, forum) dhe kanale interaktive sinkrone dhe/ose asinkrone (brenda 48 orësh) me lektorët/tutorët, mund të bëhet një rritje 0.5 kredite për çdo orë. Për aktivitetet e edukimit në distancë, sinkron (të njëkohshëm), përllogaritja e krediteve bëhet sipas kriterit 1.5 kredite për çdo orë”.
- Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË OPERATORIT TË SHËRBIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
- Krijimin e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (këtu e më poshtë Operatori), si person juridik publik në varësi të ministrit përgjegjës për shëndetësinë ( këtu e më poshtë Ministri).
Operatori financohet nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë, sigurimet shëndetësore dhe burime të tjera të ligjshme.
- Operatori është tërësia e institucioneve administrative dhe ofruese të shërbimeve shëndetësore, pjesë integrale të sistemit të ministrisë, që kontribuojnë në realizimin e qëllimit të përgjithshëm për mirëqenie shëndetësore, si një nga elementet e rëndësishme të mirëqenies së përgjithshme të qytetarit, nëpërmjet mbrojtjes së shëndetit dhe promovimit të jetesës së shëndetshme në mënyrë të organizuar e të barabartë për të gjitha grupet e popullatës.
- Misioni i Operatorit është ofrimi i shërbimit të kujdesit parësor e spitalor në përputhje me nevojat, standardet, protokollet dhe kërkesat e përcaktuara, duke garantuar ofrimin e plotë, cilësor e në kohën e duhur të shërbimit, dhe përdorimin në mënyrë efiçente të burimeve njerëzore e financiare, të aseteve dhe materialeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi për sistemin e kujdesit shëndetësor dhe shërbimin spitalor.
- Operatori e ushtron veprimtarinë e tij në të gjithë territorin e vendit, në këto fusha përgjegjësie:
- a) Kujdesi shëndetësor parësor;
- b) Shërbimi spitalor në nivel rajonal dhe bashkiak.
- PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË OPERATORIT TË SHËRBIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR
Operatori ka përgjegjësi:
- të organizojë punën për ofrimin e shërbimeve bazë të shëndetit publik dhe të shërbimeve të tjera ndihmëse, sipas paketës së shërbimeve të shëndetit publik.
- të organizojë punën për ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor nëpërmjet veprimtarisë së qendrave/klinikave shëndetësore.
- të organizojë punën për ofrimin e shërbimeve me shtretër në spitale rajonale e bashkiake, sipas standardeve dhe protokolleve të miratuara nga ministri.
- të koordinojë administrimin e burimeve njerëzore në sistemin shëndetësor parësor, shëndetin publik dhe spitalor, sipas legjislacionit në fuqi.
- të sigurojë se funksionet e lidhura me planifikimin, zbatimin, kontabilitetin dhe raportimin financiar kryhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
III.ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I OPERATORIT TË SHËRBIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR
- Operatori e shtrin veprimtarinë e tij në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ai organizohet në:
- a) nivel qendror, nëpërmjet Drejtorisë Qendrore;
- b) nivel rajonal, nëpërmjet drejtorive rajonale;
- c) njësitë e ofrimit direkt të shërbimeve, të cilat përfshijnë njësitë vendore të kujdesit shëndetësor, qendrat shëndetësore/klinikat dhe institucionet shëndetësore me shtretër/spitalet.
- Drejtoritë rajonale krijohen kur mbulojnë jo më pak se 4 000 punonjës. Ministri miraton me urdhër numrin e drejtorive rajonale, shtrirjen territoriale dhe qarkun ku do të ngrihet drejtoria.
- Drejtoritë rajonale raportojnë te drejtori i Përgjithshëm i Operatorit dhe kanë nën varësinë e tyre njësitë e ofrimit direkt të shërbimeve, të cilat përfshijnë njësitë vendore të kujdesit shëndetësor, qendrat shëndetësore/klinikat dhe institucionet shëndetësore me shtretër/spitalet.
- Operatori ka lidhje funksionale bashkëpunimi me institucionet e tjera të kujdesit shëndetësor në varësi të ministrit dhe me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).
- Operatori drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e operatorit përkatës dhe përgjigjet përpara ministrit. Drejtori i Përgjithshëm emërohet dhe lirohet nga ministri.
- Struktura dhe organika e operatorit në nivel qendror dhe e drejtorive rajonale miratohet me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Struktura dhe organika e njësive vendore të kujdesit shëndetësor, të qendrave shëndetësore/klinikave dhe institucioneve shëndetësore me shtretër/spitaleve miratohet nga ministri.
- Drejtoria qendrore kryen detyrat, si më poshtë vijon:
- a) Analizon dhe zbërthen politikat, strategjitë e zhvillimit, programet, kuadrin rregullator në fushën e shëndetësisë, duke u përqendruar në komponentët që lidhen me ofrimin e shërbimit shëndetësor;
- b) Vlerëson nevojat dhe problematikat e hasura në praktikë/terren gjatë ofrimit të shërbimit shëndetësor dhe përvetëson ekspertizën e nevojshme prej strukturave në varësi;
- c) Harmonizon politikat, strategjitë, financimin, parashikimet dhe rregullat ligjore, që vijnë nga ministria, me nevojat, problematikat dhe ekspertizën që vjen nga poshtë (drejtoritë rajonale dhe ofruesit direkt të shërbimeve, si spitalet dhe qendrat shëndetësore);
ç) Identifikon dhe analizon nevojat publike për shërbim shëndetësor, që rezultojnë nga integrimi i nevojave të paraqitura në studime, analiza, kërkime nga ISHP-ja etj.;
- d) Vlerëson gjendjen e shërbimeve shëndetësore dhe cilësinë e tyre, me qëllim analizimin e gjendjes ekzistuese dhe të nivelit ku dëshirohet të arrihet, si dhe çfarë duhet ndryshuar/përmirësuar te shërbimi i ofruar;
- dh) Është përgjegjëse për garantimin e burimeve (njerëzore, mallra/materiale, pajisje/teknologji, shërbime), në përputhje me kërkesat e përcjella nga strukturat e varësisë;
- e) Vlerëson nevojën për burime e situatën ekzistuese në terren, planifikon volumin e burimeve dhe programon shpërndarjen e tyre.
- Drejtoritë rajonale kryejnë detyrat, si më poshtë vijon:
- a) Planifikojnë nevojat për shërbime të kujdesit shëndetësor në nivel rajoni;
- b) Garantojnë që shërbimet shëndetësore të ofrohen brenda standardeve, në kohë, brenda buxhetit dhe në cilësinë e kërkuar, në territorin që mbulojnë;
- c) Koordinojnë, monitorojnë dhe sigurojnë ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor në nivel rajoni, pranë vendbanimit, për të gjithë qytetarët;
ç) Kryejnë procedurat për menaxhimin e burimeve njerëzore në sistemin shëndetësor parësor, shëndetin publik dhe spitalor (planifikimi i nevojave, rekrutimi, trajnimi, etj.) për rajonin përkatës;
- d) Bashkëpunojnë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) për çështje të lidhura me financimin e kujdesit shëndetësor;
- dh) Bashkërendojnë punën ndërmjet të gjitha strukturave që kanë në varësi.
- Rregullorja që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të operatorit miratohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm.
- Marrëdhëniet e punës të drejtorit të Përgjithshëm dhe të nëpunësve të Operatorit në nivel qendror e rajonal si dhe në njësitë e ofrimit direkt të shërbimeve shëndetësore, qendrat shëndetësore/klinikat dhe institucionet shëndetësore me shtretër/spitalet rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës. Rekrutimi i punonjësve bëhet nëpërmjet procedurave të konkurrimit të hapur, mbi bazën e kritereve të miratuara nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë.
- Drejtorët e drejtorive rajonale dhe drejtorët e spitaleve emërohen dhe lirohen nga ministri.
- Operatori ka stemën, logon dhe vulën zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Drejtoria Qendrore”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
- Drejtoritë rajonale kanë stemat, logot dhe vulat zyrtare. Stemat përbëhen nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Drejtoria rajonale (emri i qarkut ku ka selinë drejtoria)”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
- Vula e Operatorit dhe vula e secilës drejtori rajonale ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
- DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
- Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Operatorit, sipas këtij vendimi, strukturat aktuale vazhdojnë funksionimin e tyre sipas strukturave dhe organikave të miratuara.
- Numri i punonjësve, asetet dhe fondet e miratuara për drejtoritë e shëndetit publik, drejtoritë rajonale të shëndetësisë, Autoritetin Shëndetësor Rajonal Tiranë, Spitalin Psikiatrik Vlorë, Spitalin Psikiatrik Elbasan riorganizohen sipas Operatorit, në nivel qendror dhe rajonal.
- Vendimi nr.394, datë 27.7.2000, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës”, shfuqizohet.
- Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE FONDESH TË INFRASTRUKTURËS VENDORE DHE RAJONALE, NGA FONDI SHQIPTAR I ZHVILLIMIT NË AGJENCINË PËR MBËSHTETJEN E VETËQEVERISJES VENDORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Në buxhetin e miratuar për vitin 2018 bëhet rishpërndarja e fondeve, si më poshtë vijon:
- a) Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në programin buxhetor 06220 “Infrastruktura vendore dhe rajonale”, artikulli 231, zëri “Shpenzime kapitale”, i pakësohet fondi prej 2 879 800 (dy milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind) lekësh;
- b) Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, në programin buxhetor 01160 “Prefekturat dhe funksionet e deleguara të pushtetit vendor”, artikulli 231, zëri “Shpenzime kapitale”, i shtohet fondi i përmendur në shkronjën “a”, të kësaj pike, për financimin e projektit në vazhdim “Sistemi i menaxhimit të arkivit dhe protokollit në njësitë e qeverisjes vendore dhe infrastruktura për digjitalizimin e dokumenteve të këtyre njësive”, të Shqipërisë digjitale.
- Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE MBI DETYRIMIN PËR VETËDEKLARIM TË ADRESËS NGA SHTETASIT SHQIPTARË QË JETOJNË JASHTË TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE PROCEDURAVE PËRKATËSE QË DO TË NDIQEN PËR KËTË QËLLIM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 6, të ligjit nr.14/2016, “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Përcaktimin e rregullave për njoftimin e detyrimit për vetëdeklarim të adresës nga shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe procedurës së plotësimit e të dorëzimit të formularit të vetëdeklarimit, dokumenteve shoqëruese të tij, si dhe administrimit të tyre nga autoritetet përgjegjëse, Ministria e Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
- Njoftimi i detyrimit ligjor të vetëdeklarimit të adresës së shtetasve shqiptarë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nga autoritetet përgjegjëse bëhet sipas këtyre mënyrave:
- a) Nëpërmjet publikimit në faqet zyrtare elektronike të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
- b) Nëpërmjet programeve, reklamave dhe spoteve për transmetim nga operatorë radiotelevizivë, fletëpalosjeve, takimeve me përfaqësues të shoqatave shqiptare jashtë vendit dhe të organizatave ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e emigrantëve.
- Shtetasit shqiptarë me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë aplikojnë për plotësimin e formularit tip të vetëdeklarimit të publikuar në faqen zyrtare të dy ministrive përgjegjëse në dy mënyra:
- a) në mënyrë elektronike;
- b) në mënyrë manuale.
- Shtetasit, të cilët aplikojnë në mënyrë elektronike, ndjekin procedurën e përcaktuar në manualin që i bashkëlidhet këtij vendimi.
- Shtetasit, të cilët aplikojnë në mënyrë elektronike, vetëm për t’u njohur dhe për të printuar nga sistemi formularin tip të vetëdeklarimit, ndjekin njërën nga procedurat e mëposhtme:
- a) pasi të kenë shkarkuar, printuar dhe plotësuar formularin, sipas të gjitha rubrikave të përcaktuara në të, e dërgojnë atë me postë pranë misioneve tona diplomatike ose posteve konsullore, nën juridiksionin territorial të së cilës ndodhet banesa e tyre;
- b) pasi të kenë printuar dhe plotësuar formularin sipas të gjitha rubrikave të përcaktuara në të, paraqiten fizikisht pranë misioneve tona diplomatike ose posteve konsullore, nën juridiksionin territorial të së cilës ndodhet banesa e tyre.
- Shtetasit, të cilët paraqiten pranë zyrave përgjegjëse dhe që nuk kanë aplikuar dhe siguruar formularin, sipas përcaktimit të pikës 5, pajisen me formular nga nëpunësi përgjegjës dhe e plotësojnë atë në prani të tij.
- Në rastet kur shtetasi plotëson formularin në mënyrë elektronike dhe e konfirmon atë sipas manualit, nuk ka nevojë të paraqitet pranë nëpunësit përgjegjës, pasi ky i fundit ka mundësinë e printimit të tij nga programi i regjistrimit të adresës.
- Në rastet kur aplikimi i formularit plotësohet në mënyrë manuale, nëpunësi përgjegjës kryen veprimet për identifikimin dhe regjistrimin e adresës në programin e regjistrimit të adresës, sipas manualit të miratuar nga ministri që mbulon shërbimin e gjendjes civile.
- Nëpunësi përgjegjës, pasi merr formularin e aplikimit në një nga format e parashikuara në këtë vendim dhe pasi ka kryer veprimet sipas pikës 8 të këtij vendimi, përgatit praktikën për konfirmim të adresës nëpërmjet shërbimit postar.
- Bëjnë përjashtim nga konfirmimi i adresës, nëpërmjet shërbimit postar, rastet kur shtetasi plotëson dhe dorëzon formularin me paraqitjen e tij fizike pranë nëpunësit përgjegjës dhe, bashkë me formularin, paraqet çdo dokument ligjor, i cili provon adresën e tij, të njohur nga autoritetet e vendit ku jeton.
- Në rastet kur adresa konfirmohet nëpërmjet shërbimit postar, nëpunësi përgjegjës kryen veprimet përfundimtare për regjistrimin e adresës së shtetasve, të cilët janë deklaruar në formular dhe janë verifikuar si pjesëtarë të familjes së deklaruesit, sipas manualit të miratuar për këtë qëllim.
- Pas përfundimit të procedurës së identifikimit dhe regjistrimit të adresës, nëpunësi përgjegjës do të administrojë dokumentacionin, me anën e të cilit u krye regjistrimi i adresës, sipas rastit:
- a) për aplikimin në mënyrën elektronike dhe në mënyrën manuale para nëpunësit përgjegjës do të ruhet konfirmimi i sjellë nga shërbimi postar;
- b) në rastet kur aplikimi kryhet sipas pikës 10, të këtij vendimi, atëherë nëpunësi përgjegjës do të ruajë, përveç formularit të vetëdeklarimit, edhe kopjen e dokumentacionit me anë të të cilit shtetasi ka provuar adresën e tij.
- Dokumentacioni, në bazë të të cilit kryhen veprimet për regjistrimin e adresës, siç është përcaktuar në pikën 12, të këtij vendimi, do të ruhet për një afat 5-vjeçar.
- Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përballohen përkatësisht nga Ministria e Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, parashikuar në buxhetin e vitit 2018.
- Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I NËNSTACIONIT TË RI 110/20 KV”, FIER
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i nënstacionit të ri 110/20 kV”, Fier.
- Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sh.a.
- Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, në shumën totale prej 1 454 376 (një milion e katërqind e pesëdhjetë e katër mijë e treqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekësh.
- Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 454 376 (një milion e katërqind e pesëdhjetë e katër mijë e treqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sh.a., si subjekti kërkues i këtij shpronësimi.
- Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sh.a.
- Shpronësimi të fillojë pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
- Pronarët e pasurive të paluajtshme, përmendur në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sh.a.
- Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sh.a., të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të OSHEE, sh.a-së.
- Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit.
- Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sh.a., dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “SISTEMIM, ASFALTIM I SHESHIT MIDIS PALLATEVE NË LAGJEN ‘SKËNDER LIBOHOVA’, LUSHNJË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Sistemim, asfaltim i sheshit midis pallateve në lagjen ‘Skënder Libohova’, Lushnjë”.
- Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Lushnjë.
- Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall”, me vlerë të përgjithshme 358 160 (treqind e pesëdhjetë e tetë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë) lekë.
- Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 358 160 (treqind e pesëdhjetë e tetë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë) lekësh, të përballohet nga fondet e Bashkisë Lushnjë.
- Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
- Shpronësimi të fillojë me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
- Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi, të kompensohet për efekt shpronësimi pasi të ketë paraqitur dokumentacionin e pronësisë pranë Bashkisë Lushnjë.
- Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lushnjë, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Lushnjë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të shtetit.
- Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lushnjë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
- Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lushnjë dhe Bashkia Lushnjë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I NËNSTACIONIT TË RI 110/20 KV”, VELIPOJË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i nënstacionit të ri 110/20 kV”, Velipojë.
- Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sh.a.
- Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, në shumën totale prej 972 000 (nëntëqind e shtatëdhjetë e dy mijë) lekësh.
- Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 972 000 (nëntëqind e shtatëdhjetë e dy mijë) lekësh, të përballohet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sh.a., si subjekti kërkues i këtij shpronësimi.
- Shpenzimet procedurale, në vlerën prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekësh, të përballohen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sh.a.
- Shpronësimi të fillojë pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
- Pronarët e pasurive të paluajtshme, të përmendur në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sh.a.
- Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sh.a., të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të OSHEE, sh.a-së.
- Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit.
- Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sh.a., dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2018, MIRATUAR PËR KOMISIONIN QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PËR PËRBALLIMIN E SHPENZIMEVE PËR HAPJEN E KUTIVE TË VOTIMIT DHE TË KUTIVE TË MATERIALEVE ZGJEDHORE TË ZGJEDHJEVE PËR KUVENDIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË DATËS 25.6.2017, ZGJEDHJEVE PËR KRYETAR TË BASHKISË KAVAJË, TË DATËS 25.6.2017, DHE ZGJEDHJEVE TË PJESSHME PËR KRYETAR TË BASHKISË KOLONJË, TË DATËS 20.11.2016
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, i shtohet fondi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh për përballimin e shpenzimeve për hapjen e kutive të votimit dhe të kutive të materialeve zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të datës 25.6.2017, zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë Kavajë, të datës 25.6.2017, dhe zgjedhjeve të pjesshme për kryetar të Bashkisë Kolonjë, të datës 20.11.2016.
- Efekti financiar prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2018.
- Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA