Sot u festua në kryeqytet, në mjediset e jashtme të Piramidës, 30 vjetori i prezencës së kompanisë italiane të Coca-Colës në Shqipëri, me pjesëmarrjen e një sërë drejtuesve botërorë dhe europianë të kësaj kompanie, klientëve, sipërmarrësve e distributorëve të ndryshëm, të cilët treguan rrugëtimin e këtij biznesi, që solli për herë të parë në Shqipëri, një produkt aq të dashur për shqiptarët.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast përshëndeti edhe Kryeministri Edi Rama:
* * *
Jam artisti natyrisht më i mirë mes kryeministrave dhe kryeministri më i mirë mes artistëve.
Megjithatë është kënaqësi, jo sepse në raste të tilla duhet thënë një gjë e tillë, por është vërtetë kënaqësi sepse Coca-Cola është e lidhur me historinë tonë në një mënyrë shumë të veçantë.
Për të rinjtë që janë këtu, jam i sigurt që ju duket diçka e pamundur, por kur ishim të rinj ishte objekti më i vyer që dikush mund të priste kur martohej. Më kujtohet që dikur im atë shkoi në Kosovë dhe solli 5 kanaçe Coca-Cola, në ishim 5 në shtëpi dhe kanaçet mbeten në frigorifer në pritje të ditëlindjes së njërit prej anëtareve të familjes. Çdo ditëlindje dilte një kanaçe që ishte si të nxirrje nga një kantinë një Dom Pérignon të shekullit të XIX, e pije në fund me gotat e rakisë dhe duhej shijuar dalë nga dalë si të ishte hera e fundit.
Për këtë unë kuptoj frazën që pashë në filmim, që Coca-Cola solli lirinë në Shqipëri, në kuptimin që kur Coca-Cola mbërriti dhe kur kanaçet ishin plot e mund të bliheshin lirisht ishte njësoj si të konfirmohej fakti se më në fund Shqipëria ishte e lirë, sepse mund të pinin lirisht Coca-Cola.
Pastaj të gjithë e dinë historinë.
Sot ndihem vërtet i përkëdhelur që munda të jap një kontribut të vogël për këtë ditëlindje të Coca-Cola në Shqipëri, por për të shmangur atë çka normalisht vjen pas në këto raste, është të them dizenjo ishte një dhuratë për Coca-Cola dhe nuk ka asnjë kontratë dhe asnjë lloj qëllimi për të fituar para nga kjo për të qenë të qartë.
Dua të falënderoj Kristinën nga zemra, sepse nëse Coca-Cola ishte dallëndyshja e lirisë në Shqipëri, Kristina ishte dallëndyshja e italianizimit në Shqipëri. Më kujtohet shumë mirë se si ajo, që asokohe sa e kisha njohur donte të organizonte koncertin në Butrint kundër çdo lloj mundësie, sepse t’i thoje në atë kohë gjithë asaj orkestre eja në Shqipëri, dukej sikur t’i ftojë njëfarë soj që të vinin të rrëmbeheshin dhe ndoshta pa asnjë mundësi kthimi. Ky ishte përfytyrimi. Pastaj ky koncert çeli vërtet dritaren mbi Shqipërinë e vërtetë, ndryshe nga ajo ç’imagjinohej në Itali, se në qoftë se për ne Italia ishte dritarja e ekranit të televizionit, për Italinë, Shqipëria ishte një ekran kur nuk kishte energji elektrike, që do të thotë krejtësisht i errët.
Tani jemi këtu të lidhur më shumë se kurrë me Italinë. Unë jam vërtet i përkëdhelur nga fakti që këtu ka ardhur e një prej miqve më të mëdhenj të Shqipërisë. Një mik i madh do të thoja, por edhe një personazh politik italian i cili ka shoqëruar Shqipërinë në të gjithë këtë rrugëtim, ka qenë dhe kryetar i dhomës së deputetëve më duket, edhe kryetar i Komisionit të Jashtëm të Senatit, Ferdinando Casini që do të meritonte një duartrokitje, një duartrokitje njësoj si atë për Coca-Cola.
Do të ndalem këtu duke thënë vetëm një fjalë të fundit mbi atë çka unë besoj se është krijesa më bindëse dhe më e rëndësishme e Kristinës, që nuk është Coca-Cola, se atë e kanë bërë amerikanët, por që është Luca. Luca, ti e di mirë çfarë do të thotë të trashëgosh emrin e një nëne që është shumë e fortë, që është shumë e njohur, që është shumë e çmuar dhe qetësisht mund të përfaqësoje dështimin e Coca-Cola, por jo. Dëshmove se Kristina ka qenë vërtet dhe një skulptore e jashtëzakonshme që të ka bërë kaq të bukur dhe kaq të gjatë, por po kështu edhe një luftëtare mjaft e madhe ndërkohë që të ka bërë kaq të fortë dhe kaq të mirë.
Coca Cola kësisoj është në duar të mira dhe na jep vërtet një kënaqësi të veçantë sepse unë nuk kam asgjë kundër amerikanëve, por preferoj një Coca Cola Albania që është në duart e italianëve.
Faleminderit të gjithëve!
Coca Cola ka qenë në këtë botë përpara nesh, do të vazhdojë të jetë dhe pas nesh, kështu që t’i urosh jetë të përjetshme është e lehtë, sepse do të jetë e përjetshme!
Faleminderit!