Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 09 Janar 2019:

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PLANIT TË SHPENZIMEVE, PËR VITIN 2019, TË ENTIT RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA (ERRU)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 11, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e planit të shpenzimeve, për vitin 2019, të Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura, në shumën 45 394 000 (dyzet e pesë milionë e treqind e nëntëdhjetë e katër mijë) lekë, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohet Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MBRETËRISË SË ARABISË SAUDITE, PËR SHËRBIMET AJRORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Arabisë Saudite, për shërbimet ajrore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, MARRJEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM DHE VENDOSJEN E SERVITUTIT TË KALIMIT PËR PASURITË E PALUAJTSHME QË PREKEN NGA PROJEKTI “NDËRTIMI I PRITAVE TË CILAT PENGOJNË VËRSHIMIN E LUMENJVE DHE SIGUROJNË MBROJTJEN E TUBACIONIT, PJESË E PROJEKTIT TË GAZSJELLËSIT TRANS ADRIATIC PIPELINE (PROJEKTI TAP)”, NË ZONAT BERAT, SKRAPAR DHE FIER

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 7 e 8, të pjesës së parë dhe të pjesës së dytë të shtojcës 1, të marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatic (Projekti TAP), ratifikuar me ligjin nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG”, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, marrjen në përdorim të përkohshëm dhe vendosjen e servitutit të kalimit për pasuritë e paluajtshme që preken nga projekti “Ndërtimi i pritave të cilat pengojnë vërshimin e lumenjve dhe sigurojnë mbrojtjen e tubacionit, pjesë e projektit të Gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (projekti TAP)”, në zonat Berat, Skrapar dhe Fier.

2. Shpronësimi, marrja në përdorim të përkohshëm dhe vendosja e servitutit të përhershëm të kalimit mbi këto pasuri të bëhen në favor të shtetit, përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, të paraqitur në tabelat A dhe B, bashkëlidhur këtij vendimi, me një vlerë të përgjithshme prej 16 765 938.62 (gjashtëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e nëntëqind e tridhjetë e tetë pikë gjashtëdhjetë e dy) lekësh, për sipërfaqet:

a) 15 320 (pesëmbëdhjetë mijë e treqind e njëzet) m² që shpronësohet;
b) 32 687 (tridhjetë e dy mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e shtatë) m² që merret në përdorim të përkohshëm;
c) 574 (pesëqind e shtatëdhjetë e katër) m² mbi të cilën vendoset servituti.

4. Marrja në përdorim të përkohshëm për pasuritë e paluajtshme, pronë private, të jetë me afat 1 (një) vit, për zonat e nevojshme për realizimin e punimve, për ndërtimin e pritave të cilat pengojnë vërshimin e lumenjve dhe sigurojnë mbrojtjen e tubacionit, sipas tabelës A, bashkëlidhur këtij vendimi.

5. Vlera e përgjithshme prej 16 765 938.62 (gjashtëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e nëntëqind e tridhjetë e tetë pikë gjashtëdhjetë e dy) lekësh dhe të gjitha shpenzimet e tjera procedurale të përballohen nga shoqëria TAP AG, si subjekt kërkues.

6. Për likuidimin për efekt të shpronësimit, marrjes në përdorim të përkohshëm dhe vendosjes së servitutit mbi pasuritë e pronarëve të përcaktuar në tabelat bashkëlidhur, do të procedohet, si më poshtë vijon:

a) Për të gjitha pasuritë, për të cilat në kolonën përkatëse është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP”, pronarët do të likuidohen pas dorëzimit të dokumentacionit të pronësisë, të lëshuar nga ZVRPP-të përkatëse, kërkesë, kopjen e kartës së identitetit, si dhe vërtetim mbi numrin e llogarisë të lëshuar nga bankat përkatëse / IBAN-in, në zyrat e shoqërisë TAP AG;
b) Për të gjitha pasuritë, për të cilat në kolonën përkatëse nuk është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP”, pronarët do të likuidohen pas konfirmimit të plotë të lëshuar nga ZVRPP-të dhe dorëzimit të dokumentacionit të pronësisë, në zyrat e shoqërisë TAP AG.

7. Përdoruesit e tokës, të cilët kompensohen për kulturat “bujqësore” dhe “drufrutorë”, referuar shumave respektive të pasqyruara në tabelat bashkëlidhur këtij vendimi, duhet të paraqesin për likuidim dokumentet, kërkesën, kopjen e kartës së identitetit, vërtetimin mbi numrin e llogarisë të lëshuar nga bankat përkatëse/IBAN-in, si dhe certifikatën familjare në zyrat e shoqërisë TAP AG.

8. Shoqëria TAP AG të kryejë likuidimet përkatëse, në zbatim të pikave 6 e 7, të këtij vendimi.

9. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, përkatësisht Berat, Skrapar dhe Fier, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë që do t’u vihet në dispozicion nga TAP AG, si dhe të pezullojnë të gjitha transaksionet për pasuritë, sipas listave bashkëlidhur këtij vendimi, deri në momentin kur do të realizohet regjistrimi i pasurive që shpronësohen, merren në përdorim të përkohshëm dhe mbi të cilat vendoset servituti i kalimit në favor të shtetit.

10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqëria TAP AG, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, përkatësisht, në Berat, Skrapar dhe Fier për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

DHËNIEN E BURSAVE PËR NXËNËSIT E SHKOLLËS SË MESME PROFESIONALE “PETER MAHRINGER”, SHKODËR, PËR VITIN SHKOLLOR 2018-2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, 19 dhe 39, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9522, datë 25.4.2006, “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Austrisë, për bashkëpunimin në fushat e kulturës, të arsimit dhe shkencës”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të 84 (tetëdhjetë e katër) bursave të studimit për nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, Shkodër, nga të cilat 24 (njëzet e katër) bursa studimi për nxënësit e viteve përgatitore dhe 60 (gjashtëdhjetë) bursa studimi për nxënësit e viteve të para, deri në vitin e katërt të shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, për vitin shkollor 2018-2019.

2. Vlera vjetore e bursës do të jetë 92 820 (nëntëdhjetë e dy mijë e tetëqind e njëzet) lekë, me qëllim shlyerjen e tarifës mujore të shkollimit dhe për mbulimin e kostos së teksteve mësimore. Vlera e masës së bursës do të paguhet pranë bankave të nivelit të dytë për çdo nxënës/prind/përfaqësues ligjor të nxënësve përfitues.

3. Fondi për mbulimin e këtyre bursave kalon nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në njësinë arsimore vendore Shkodër.

4. Miratimi i këtyre bursave bëhet nga bordi i Fondacionit Shkollor Austriak, në mbështetje të kritereve ekonomike, si dhe rezultateve të arritura nga secili nxënës/aplikant.

5. Bordi i Fondacionit Shkollor Austriak, pas miratimit të bursave, dërgon dokumentacionin përkatës në njësinë arsimore vendore Shkodër, e cila pas konfirmimit të nxënësve që përfitojnë bursë, kalon masën e bursës në llogarinë personale të secilit nxënës.

6. Efektet financiare të mbulohen nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, pa efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit.

7. Ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.787, DATË 22.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN E KOMISIONEVE EPRORE TË CAKTIMIT TË AFTËSISË PËR PUNË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1, 2 e 3, të nenit 39/2, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.787, datë 22.9.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Shtohet aneksi nr.3, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Në pikën 3 emërtesat “Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë”, “Ministria e Shëndetësisë” dhe “Ministria e Financave” zëvendësohen, përkatësisht, me “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale” dhe “Ministria e Financave dhe Ekonomisë”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

RREGULLAT E DETAJUARA DHE METODAT PËR KRYERJEN E VLERËSIMIT TË SIGURISË SË KIMIKATIT, SI EDHE KËRKESAT SPECIFIKE, PËRMBAJTJA DHE FORMATI I DOKUMENTIT ME TË DHËNAT E SIGURISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, pika 3, dhe 15, pika 5, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullave të detajuara dhe metodave për kryerjen e vlerësimit të sigurisë së kimikatit, si edhe kërkesat specifike, përmbajtja dhe formati i dokumentit me të dhënat e sigurisë (MSDS), sipas tekstit dhe shtojcave I, II, III, IV, V, VI dhe VII, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe institucionet e ngarkuara në ligjin nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve” për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2019 PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit

V E N D O S I:

1. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e vitit 2019, në zërin “Shërbime qeveritare”, i shtohet fondi prej 66 972 800 (gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e dy mijë e tetëqind) lekësh, brenda datës 31 janar 2019, për organizimin e Samitit të Dytë të Diasporës, që do të zhvillohet në datat 28 shkurt – 2 mars 2019 në Tiranë dhe Lezhë.

2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2019.

3. Ministria e Kulturës, brenda fushës së përgjegjësisë së vet, të bashkërendojë me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare për organizimin e aktiviteteve social-kulturore dhe vendosjen në përdorim të monumenteve të kulturës, sipas rastit.

4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Kulturës, ministri i Shtetit për Diasporën dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR PRODHIMIN, IMPORTIN, EKSPORTIN, HEDHJEN NË TREG DHE PËRDORIMIN E SUBSTANCAVE OZONHOLLUESE SI DHE PËR IMPORTIN, EKSPORTIN, HEDHJEN NË TREG DHE PËRDORIMIN E PRODUKTEVE E TË PAJISJEVE QË PËRMBAJNË KËTO SUBSTANCA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 35, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullave për prodhimin, importin, eksportin, hedhjen në treg dhe përdorimin e substancave ozonholluese, si dhe për importin, eksportin, hedhjen në treg dhe përdorimin e produkteve e të pajisjeve që përmbajnë këto substanca, sipas tekstit dhe shtojcave, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Vendimi nr.453, datë 23.6.2005, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së pajisjeve, që përdorin lëndë ozonholluese, të cilat ndalohen të prodhohen e të importohen, si dhe rregullat e procedurat e zëvendësimit të lëndëve ozonholluese në pajisjet ekzistuese”, të ndryshuar, shfuqizohet.

3. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E KUADRIT MAKROEKONOMIK DHE FISKAL PËR PERIUDHËN 2020-2022

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 23 e 27, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e kuadrit makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2020 – 2022, së bashku me lidhjet nr.1 “Treguesit kryesorë makroekonomikë” dhe nr.2/1 e nr.2/2 “Treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar”, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.