36 autoambulanca të reja e të kompletuara me çdo pajisje i shtohen flotës së Urgjencës Shëndetësore Kombëtare, për t’ju përgjigjur çdo thirrje për ndihmë në kohë dhe në çdo qytet të Shqipërisë. Tashmë, flota e Urgjencës Shëndetësore është kthyer nga një flotë me ambulanca të vjetra e pa pajisje, të cilat shërbenin si taksi, në një flotë të denjë të pajisur me standardet më të mira europiane. Kjo flotë ka kapacitetin e plotë në kryerjen e misioneve të saj në territorin e Shqipërisë, 24 orë në 7 ditë të javës.
Kryeministri Rama u njoh me aparaturat e këtij grupi të ri autoambulancash që i shtohen flotës ekzistuese, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe nga drejtori i përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj. “Janë 4400 litra oksigjen në çdo ambulancë, pra, disa orë oksigjen që mund ta çojmë pacientin nga Konispoli në Tropojë, po të duhet. Në momentin që hyn këtu, si pjesa kardiake, si pjesa e oksigjenit, si dhe aparatet e tjera dhe seti i traumës, kjo është një spital që shkon tek pacienti. Në momentin që mbërrijmë tek pacienti, ai është në një minispital”, – u shpreh Brataj.
“Janë 36 autoambulanca të reja, të mirëpajisura me të gjitha pajisjet jetë shpëtuese. Janë një investim në kuadër të gjithë fondeve të investimeve për situatën e pandemisë, pasi objektivi ynë për t’ju përgjigjur çdo thirrje në kohë është realizuar dhe praktikisht, nëpërmjet këtij investimi përmirësohet akoma më shumë. Ekipi i Urgjencës Kombëtarë është dyfishuar, pasi me rritjen e numrit të autoambulancës me flotën e re kërkohet dhe një numër më i madh i stafit”, – u shpreh ministrja Manastirliu.
Ndërkohë mjekët e autoambulancave u shprehën falënderues për këtë investim në kuadër të përmirësimit të shërbimit të Urgjencës. “Në radhë të parë është kënaqësi, sepse pacienti kur futet këtu është njësoj sikur është në spital dhe mund të trajtohet me të gjithë mënyrat. Por dhe për ne mjekët është kënaqësi të punojmë me të gjitha kushtet e nevojshme”, – u shpreh një nga mjeket.
Kryeministri Rama e konsideron këtë cikël si të plotësuar në shërbimin shëndetësor, pas më shumë se çerek shekulli të lënë në harresë. “Gjitha ai rrënim çerekshekulli është prapa krahëve tani dhe me gjithë këtë reformë, me gjithë këtë ristrukturim dhe me gjithë këtë dixhitalizim të të gjithë procesit, tani mbetet vetëm për të mbajtur nivelin e për të vazhduar me intensitet. Momenti kur do kalojë kjo flamë e COVID, do jetë situata shumë më e qetë, shumë më e stabilizuar dhe do rritet besoj akoma më shumë shpejtësia e shërbimit”, – u shpreh Kryeministri.
Vetëm dy vitet e fundit janë 80 autoambulanca që i shtohen flotës, ndërsa në total janë 150 mjete të mirëpajisura për të ofruar shërbim mjekësor.
“Këto autoambulanca do të shpërndahen në të gjithë spitalet rajonale, për të përmirësuar kapacitetet aktuale dhe të mendosh që vite më parë, qytetarëve u është dashur të transferohen me makinat personale, sepse nuk kishte një numër unik për të thirrur e për të adresuar shqetësimin. Nga ana tjetër nuk kishte dhe asgjë brenda autoambulancave. Ishin praktikisht bosh dhe luanin rolin e taksive. Ndërkohë që tashmë, jo vetëm që autoambulancat kanë pajisjet e duhura, por janë dhe ekipet të mirëtrajnuara. 36 autoambulancat do t’i dedikohen të gjithë menaxhimit të pandemisë dhe sigurisht do të ofrojë edhe më shumë shërbim cilësor. Fakti që ajo që thotë doktor Brataj, që oksigjeni që mban çdo autoambulancë na jep një lehtësi shumë të madhe për çdo skenar që mund të paraqitet në të ardhmen”, – tha ministrja e Shëndetësisë Manastirliu.