Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 16 Tetor 2019:
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË ARSIMIT, FORMIMIT PROFESIONAL DHE KUALIFIKIMEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 10, të ligjit nr.15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.10247, datë 4.3.2010, “Për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (këtu e më poshtë AKAFPK), si person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për arsimin dhe formimin profesional (këtu e më poshtë ministri), me seli në Tiranë.
2. Agjencia financohet nga buxheti i shtetit dhe të ardhura të tjera të ligjshme.
3. AKAFPK-ja ka për mision sigurimin e një sistemi të unifikuar të kualifikimeve profesionale, të njohura në nivel kombëtar, bazuar në Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK), si dhe sigurimin e cilësisë së mësuesve/instruktorëve të arsimit e formimit profesional (AFP), nëpërmjet kualifikimit dhe trajnimit të vazhduar.
4. AKAFPK-ja ushtron veprimtarinë e saj në:
a) krijimin dhe vlerësimin e vazhdueshëm të sistemit të unifikuar të kualifikimeve profesionale;
b) kualifikimin dhe trajnimin e vazhduar të personelit mësimdhënës të arsimit dhe formimit profesional.
II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË AKAFPK-SË
AKAFPK-ja ka përgjegjësi:
a) të organizojë punën për të garantuar nivelin e cilësisë së Listës Kombëtare të Kualifikimeve dhe të Katalogut Kombëtar të Kualifikimeve Profesionale;
b) të organizojë punën për të garantuar standardet e profesioneve;
c) të organizojë punën për të garantuar nivelin e kualifikimit të personelit mësimdhënës të arsimit dhe formimit profesional;
ç) të organizojë punën për të garantuar zbatimin e standardeve dhe të programeve kombëtare nga institucionet publike ofruese të AFP-së;
d) të vlerësojë cilësinë dhe të akreditojë ofruesit e AFP-së për kualifikimet profesionale të niveleve 2 – 5 të KSHK-së si dhe qendrat e vlerësimit për zbatimin e procedurave të njohjes të të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal.
III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AKAFPK-SË
1. AKAFPK-ja e ushtron veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror.
2. AKAFPK-ja i ushtron funksionet e saj në përputhje me përcaktimet e legjislacionit në fuqi për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë dhe të legjislacionit në fuqi për kornizën e kualifikimeve.
3. AKAFPK-ja kryen detyrat, si më poshtë vijon:
a) Harton dhe rishikon Listën Kombëtare të Profesioneve, në bashkëpunim me Institutin e Statistikave, përfaqësuesit e sektorëve ekonomikë etj.;
b) Harton dhe rishikon Katalogun Kombëtar të Kualifikimeve Profesionale për nivelet 2-5 të KSHK-së;
c) Harton dhe rishikon standardet e profesioneve;
ç) Harton dhe rishikon standardet e kualifikimeve profesionale të niveleve 2-5 të KSHK-së, në terma të rezultateve të të nxënit, si dhe të standardeve të vlerësimit për kualifikimet profesionale;
d) Këshillohet me palë të interesuara për zhvillimin, zbatimin dhe rishikimin e procedurave për përfshirjen e kualifikimeve në KSHK;
dh) Propozon ndryshimet në kritere dhe proceduara për sigurimin e cilësisë së kualifikimeve profesionale, që përfshihen në KSHK;
e) Ndjek procedurat për vlefshmërinë e cilësisë së kualifikimeve, pjesë e KSHK-së, në bashkëpunim me komitetet sektoriale;
ë) Harton dhe rishikon programet (kurrikulat) kombëtare për kualifikimet profesionale të niveleve 2-5 të KSHK-së;
f) Harton dhe rishikon programet e kurseve të unifikuara të formimit profesional publik;
g) Monitoron zbatimin e standardeve dhe të programeve (kurrikulave) kombëtare nga institucionet publike ofruese të AFP-së;
gj) Përcakton kriteret e vlerësimit dhe të certifikimit të nxënësve e kursantëve në sistemin e AFP-së;
h) Harton materialet mësimore mbështetëse për ofruesit e AFP-së;
i) Harton programet orientuese të provimeve të niveleve dhe provimit të maturës shtetërore profesionale për çdo kualifikim profesional të niveleve 2-5 të KSHK-së;
j) Harton dhe rishikon standardet, kriteret dhe procedurat e akreditimit të ofruesve të AFP-së;
k) Akrediton ofruesit e AFP-së për kualifikimet profesionale të niveleve 2-5 të KSHK-së si dhe qendrat e vlerësimit për zbatimin e procedurave të njohjes të të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal;
l) Harton programet kombëtare, administron dhe monitoron procedurat për kualifikimin dhe atestimin e vazhduar të mësuesve dhe instruktorëve të kulturës profesionale të AFP-së;
ll) Mbështet metodologjikisht njësitë e zhvillimit të ofruesve të AFP-së;
m) Mbështet ofruesit e AFP-së për zhvillimin dhe sigurimin e cilësisë në përputhje me kriteret e akreditimit;
n) Harton dhe rishikon standardet dhe kriteret e akreditimit të qendrave për zhvillimin e procedurave të njohjes të të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal;
nj) Harton dhe zbaton projektet kombëtare e ndërkombëtare për jetësimin e prioriteteve në fushën e AFP-së;
o) Mbështet administrativisht organet tripalëshe të përfshira në zhvillimin e AFP-së, në përputhje me mandatin dhe funksionet e institucionit.
4. AKAFPK-ja raporton në mënyrë periodike, të paktën 1 herë në vit dhe sipas rastit, pranë ministrit përgjegjës për AFP-në.
5. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të AKAFPK-së miratohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm.
6. AKAFPK-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, që e përfaqëson në marrëdhënie me të tretët dhe ka për detyrë të organizojë, të administrojë e të drejtojë veprimtarinë e AKAFPK-së duke zbatuar politika efektive në menaxhimin e burimeve njerëzore e financiare, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
7. Marrëdhëniet e punës të drejtorit të Përgjithshëm dhe të nëpunësve të AKAFPK-së rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë të AKAFPK-së rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
8. AKAFPK-ja, për realizimin veprimtarive zhvillimore në fushën e AFP-së në përputhje me funksionet e saj, angazhon specialistë të jashtëm, me kontratë shërbimi.
9. Specialistët e jashtëm ndahen në tri kategori:
a) Specialistë të kategorisë së ulët, individë që kanë një diplomë të arsimit të mesëm dhe përvojë pune mbi 3 vjet në fushën për të cilën lidhet kontrata;
b) Specialistë të kategorisë së mesme, individë që kanë një diplomë të arsimit të lartë (“Bachelor”/niveli 6 i KSHK-së), në fushën për të cilën lidhet kontrata dhe kanë një përvojë pune mbi 5 vjet në fushën përkatëse;
c) Specialistë të kategorisë së lartë, individë që kanë një diplomë të ciklit të dytë/dhe ose të tretë të studimeve (“Master i shkencave” ose “Master Profesional”, doktoratë/niveli 7-8 i KSHK-së), sipas legjislacionit për arsimin e lartë, në fushën për të cilën lidhet kontrata dhe kanë një përvojë pune mbi 10 vjet në fushën përkatëse.
10. Shpërblimi i specialistëve të jashtëm bëhet sipas lidhjes nr.1 dhe vëllimit të punës për produktet përkatëse, të përcaktuara në lidhjen nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi.
11. Struktura dhe organika e AKAFPK-së miratohet me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
12. AKAFPK-ja ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
13. Vula e AKAFPK-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me përcaktimet e legjislacionit shqiptar në fuqi.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të AKAFPK-së, sipas këtij vendimi, Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve vazhdon funksionimin e saj në përputhje me strukturën dhe organikën aktualisht në fuqi.
2. Për nëpunësit civilë aktualë të Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve zbatohen dispozitat e legjislacionit për nëpunësin civil në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit. Për punonjësit administrativë zbatohen dispozitat e Kodit të Punës.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për ministrinë përgjegjëse për AFP-në.
4. Vendimi nr.321, datë 21.4.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve”, shfuqizohet.
5. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.241, DATË 20.4.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PLANIT TË VEPRIMIT 2018–2020, NË ZBATIM TË STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE KUNDËR KORRUPSIONIT, 2015–2020, E TË PASAPORTËS SË INDIKATORËVE, KRIJIMIN, FUNKSIONIMIN DHE DETYRAT E KOMITETIT KOORDINATOR PËR ZBATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE KUNDËR KORRUPSIONIT, 2015–2020, DHE TASK-FORCËS NDËRINSTITUCIONALE ANTIKORRUPSION”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.241, datë 20.4.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimi dhe shtesa, si më poshtë vijon:
1. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Krijimin e Task-Forcës Ndërinstitucionale Antikorrupsion, përgjegjëse për inspektimet ndërinstitucionale, sipas planit të veprimit të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit, e cila kryesohet nga ministri i Drejtësisë, Koordinator Kombëtar Antikorrupsion, dhe ka në përbërje këta anëtarë:
⦁ Përfaqësues të kabinetit të Kryeministrit (koordinatori i ZOS-it);
⦁ Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Prokurimit Publik;
⦁ Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit Qendror;
⦁ Përfaqësuesin e Departamentit të Administrimit, Transparencës dhe Antikorrupsionit, në Kryeministri.”.
2. Në pikën 7, pas fjalisë së parë shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Në rast mungese të kryetarit, mbledhjet e Task-Forcës Ndërinstitucionale Antikorrupsion kryesohen nga zëvendësministri i Drejtësisë.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SUEDISË, NË LIDHJE ME PLANIFIKIMIN E SEKTORIT TË UJIT PËR NEGOCIATAT ME BE-NË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Suedisë, në lidhje me planifikimin e sektorit të ujit për negociatat me BE-në, me një grant në shumën 20 000 000 (njëzet milionë) SEK, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF013972, NDЁRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM/SHOQATËS NDËRKOMBËTARE PËR ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT, TË SIGURUARA NGA DHURUES TË NDRYSHËM, NËN FONDIN E DYTË TË BESIMIT SHUMËDHURUES PËR SHQIPËRINË, PËR MBËSHTETJEN PËR NGRITJEN E KAPACITETEVE PËR ZBATIMIN E SISTEMIT TË PLANIFIKIMIT TË INTEGRUAR (SPI) 2, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.243, DATË 3.4.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së grantit nr.TF013972, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim/Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga dhurues të ndryshëm, nën Fondin e Dytë të Besimit Shumëdhurues për Shqipërinë, për mbështetjen për ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e sistemit të planifikimit të integruar (SPI) 2, miratuar me vendimin nr.243, datë 3.4.2013, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NЁ PARIM, TЁ KONVENTËS SЁ KËSHILLIT TЁ EVROPЁS PËR BASHKËPRODHIMIN KINEMATOGRAFIK (E RISHIKUAR)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, tё Konventës sё Këshillit tё Evropёs për Bashkëprodhimin Kinematografik (e rishikuar), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LOGOS KOMBËTARE PËR PRODUKTET ME EMËRTIM “SPECIALITET TRADICIONAL I GARANTUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 16, të ligjit nr.8/2019, “Për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e logos kombëtare për produktet bujqësore dhe ushqimore me emërtimin “Specialitet tradicional i garantuar” (STG), sipas aneksit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE