Përmeti do të furnizohet me ujë 24 orë. Ndonëse qytet i pozicionuar buzë Vjosës, ai vuante prej tre dekadash mungesën e ujit të pijshëm, si pasojë e rrjetit të amortizuar. Falë investimit prej 4 milionë eurosh nga buxheti i shtetit, rrjeti i ujësjellësit të qytetit është rehabilituar plotësisht. Kryeministri Edi Rama inspektoi rrjetin e ri, furnizues për 9700 banorë të Përmetit.
Deputetja Mirela Kumbaro tha se mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm ishte një pengesë e madhe për turizmin, por që tani është tejkaluar plotësisht. “Ishte një plagë 30 vjeçare mungesa e ujit. Qytet që ndodhet në buzë të Vjosës nuk kishte ujë. Është investim i qeverisë shqiptare 4 milionë euro dhe që siguron 24 orë ujë për të gjithë qytetin e Përmetit. Është detyra e Bashkisë që të vazhdojë të bëjë instalimet për çdo konsumator. Ishte një pengesë shumë e madhe për turizmin, sepse hotelet që po hapen dhe restorantet nuk kishin ujë për të shërbyer.”
Përmeti furnizohet me ujë nga burimet natyrore të Gurrës së Madhe dhe Leshicës. Drejtuesi i punimeve për ujësjellësin shpjegoi se teknologjia e pajisjeve të vendosura është nga më bashkohoret. “Me sistemin Scad komandohet gjithçka nga zyra, qoftë burimet me matësat elektronikë e gjithçka. Është e pajisur në mënyrë shumë moderne. Janë bërë rreth 40 kilometër rrjet i brendshëm dhe i jashtëm. Në çdo familje janë vënë pajisje për marrjen dhe shpërndarjen e ujit, edhe banesat private dhe pallatet dhe të gjitha kanë ujë 24 orë.”
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Artan Shkreli u shpreh se për të mirëmbajtur investimin, duhet një menaxhim i mirë i punës nga bashkia. “Cilësia e ujit është shumë e lartë këtu, përdoren burimet natyrore dhe në verë që bie niveli i burimeve natyrore janë puset me shpim nga guri i Atos, pra është një sistem i kombinuar që siguron 24 orë furnizim të ujit të pijshëm. Mbetet vetëm që bashkia të jetë në gjendje ta menaxhojë fitimin dhe të mos ta shpërndajë në aktivitete të saj, apo në punësime pa efektivitet, në mënyrë që ky investim të mos degradojë me kalimin e viteve, siç ka degraduar në disa zona të tjera, ku nuk riinvestohen të ardhurat.”
Duke vlerësuar punën cilësore të bërë për ndërtimin e ujësjellësit, Kryeministri Edi Rama tha se sfida mbetet tek administrimi po kaq cilësor, për të siguruar jetëgjatësinë e investimit. “Ajo që është e rëndësishme është që pas kaq shumë vitesh u arrit që të furnizohet me ujë gjithë ky qytet. Nuk duhet të ishte lajm, nuk duhet të ishte arsye për të ardhur dhe për të bërë vizitë qeveria këtu, por kjo ishte situata që trashëguam në këtë drejtim, jo vetëm këtu , por edhe në vende të tjera ku po bëjmë investime për të çuar ujin sepse, përveç të tjerash, duam të bëjmë turizëm në këtë zonë, apo në zona të tjera, kur ska ujë është minimale. Gjithsesi ky është momenti për t’i thënë qytetarëve të Përmetit dhe qytetarëve të gjithë Shqipërisë që zotimet ne i bëjmë realitet, jo gjithmonë aq shpejt sa duam sepse kjo varet nga mundësitë, por asnjëherë nuk i harrojmë dhe nëse ka zotime që ende nuk janë realizuar, kjo jo se i kemi harruar, por sepse na duhet të krijojmë mundësi. Kjo është e gjitha dhe faleminderit për punën që keni bërë sepse keni bërë një punë shumë cilësore dhe shpresoj që dhe administrimi të jetë cilësor sepse nga administrimi varen shumë gjëra në cilësinë e këtyre investimeve.”