Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kantieret e rindërtimit të banesave individuale po mbyllen njëri pas tjetrit, duke u shndërruar në vepra të përfunduara, të standardeve të larta të infrastrukturës dhe sigurisë. Farka është një prej fshatrave të Tiranës që tërmeti nuk e kurseu në dëme të konsiderueshme materiale. Në natën e 26 nëntorit, familja e madhe Qordja humbi shtëpinë e vjetër ku jetonin së bashku 4 kurorë, të cilat më pas u strehuan në kontenierë.

Pas 11 muajsh, në truallin nga ku u pastruan gërmadhat e strehës së vjetër, ngrihen 4 vila të reja, që me kopshtet e vogla përreth kanë dhuruar një panoramë krejt tjetër. Kryeministri Edi Rama ishte sot mik në shtëpitë e vëllezërve Qordja, të cilëve ju dhuroi edhe dokumentet e pronësisë së banesave të reja. “Kanë qenë familje e madhe me katër kurorë. Tani, sipas ligjit, secila ka shtëpinë e vet. Kanë qenë 4 familje në një kulm, në një vilë dykatëshe,” – shpjegoi  Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj.

Të katër kryefamiljarët falenderuan dhe shprehën mirënjohjen për punën fantastike të bërë nga ekipi i ndërtuesve për të mbaruar në kohë rekord punimet. “Këtu është bërë një gjë e madhe që se ka bërë askush më parë. Ju faleminderit ju dhe të gjithë atyre që u angazhuan me këtë punë. Të gjithë ne jemi të kënaqur që u arrit në një kohë rekord. Ne i kemi parë vetë si i kanë qëndruar punës tek koka.” – u shprehën ata.

Më pas, Kryeministri shpërndau vetë certifikatat e pronësisë për secilin nga anëtarët e familjes që përfituan banesën e re. “E vërtetë që vuajtët deri më sot, duke ndenjur nëpër kabina me fëmijë, por tani u stabilizuat. Jua kam lënë porosi të rinjve që të merren me sistemimin e bahçes. Gjyshja ime thoshte, jo të gjitha të këqijat vijnë për keq. Famirësisht, në familjen tuaj nuk pati ndonjë fatalitet. Kjo e keqe kaloi, por të paktën solli të mirën që u bë gjithë kjo punë. Ne i ndamë kurorat në kuptimin e mirë të fjalës, për të patur një normalitet. Urdhëroni letrat dhe t’i gëzoni shtëpitë,” – u shpreh kryeministri Rama, ndërsa theksoi se puna për pallatet, ndryshe nga shtëpitë individuale do të marrë më shumë kohë.

Lidhur më ketë Ministri për Rindërtimin Ahmetaj bëri të ditur se edhe programi për pallatet  do të nisë së shpejti punën në terren. “Javën që vjen hapim themelet në lagjen “5 Maji”. Sot e neser mbaron procedura e përzgjedhjes së fituesve dhe ndërkohë, javës që vjen hapim themelet edhe në Durrës. Dje kaluam marrëveshjen me Abu Dabi-n për 2024 apartamentet po në Durrës,” – u shpreh Ministri Ahmetaj.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.