Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë dorëzimit të Yllit të Madh të Mirënjohjes Publike, Nuncit Apostolik, Charles John Brown:
Të dashur miq!
Fort i dashur Imzot Charles John Brown!
Mirënjohës të gjithëve që i jeni përgjigjur kësaj ftese, për të qenë sot të pranishëm në ndarjen e këtij momenti të veçantë, për t’i shprehur mirënjohjen time dhe të qeverisë sonë, një prelati, një zotërie, një njeriu shumë të vlerësuar nga të gjithë ju, por dhe nga të gjithë ata, që patën fatin ta njohin gjatë shërbimit të tij në Shqipëri.
“Të bësh dhe të thuash ato gjësende që janë të pëlqyeshme për Zotin” – thotë një sentencë e shkruar në rregullën e pavulosur, “regola non bollata” të fretërve franceskanë në 1221, e cila e përshkon si një lajtmotiv enciklikën e fundit të Papa Françeskut, “Të gjithë vëllezër” “Fratelli tutti”, shpallur jo më larg se para një jave mbi varrin e Françeskut të Asizit.
Këtë enciklikë, që lexohet si një rrëfimim shtegtari në udhë të shkelura rrallë, Ati i Shenjtë e ka titulluar shprehimisht: “Enciklikë mbi vëllazërinë dhe miqësinë sociale”.
“Vëllazëri fetare” e quajti ai, bashkëjetesën shoqërore mes besimtarëve shqiptarë në Krisht a në Muhamet, paqja e Zotit qoftë mbi të, gjatë vizitës së tij të paharrueshme në Shqipëri. Enciklika e tij e fundit përkon edhe me largimin prej Shqipërie të të dërguarit të tij, Imzotit Charles, i cili qëndroi mes nesh dhe me ne si një vëlla, gjatë viteve që shërbeu me zotnillëk dhe përulësi, si një ambasador i Selisë së Shenjtë në këtë vend.
Lejomëni ta them se në sytë e mi, Imzot Charles do të mbetet një shtegtar i veçantë mes tufës së ambasadorëve, i cili vëllazërinë dhe miqësinë sociale i shpalosi me një natyrshmëri që sivëllezërve dhe simotrave të tij në artin e diplomacisë, jo gjithmonë ju vjen dorësh.
Jemi për shumëçka mirënjohes, si krejt bota një shtegtari mahnitës si Papa Françesku, por jemi mirënjohës që edhe na dha mundësinë ne këtu, në Shqipëri të kishim përfaqësues të tij dikë si Imzot Charles John Brown, i cili edhe pse shtegtimin e ka vokacion, përvecse detyrë, nuk e fsheh dot, unë të paktën, që me vjen mirë kur e shoh të mallëngjyer, që duhet ta lerë Shqipërinë.
Imzot, ju nuk jeni as i pari dhe as i fundit që e ka të vështirë ndarjen me këtë vend dhe besomëni, kam parë pak, që si ju kanë ardhur me dëshirë në Shqipëri, por ende nuk e kam parë akoma atë që të ketë ikur me qejf nga Shqipëria, pasi e kanë njohur këtë vend dhe këtë popull siç janë në të vërtetë dhe jo siç duken pas perçes së zymtë të paragjykimeve prej së largu.
I dashur Imzot!
Unë ju kërkoj ndjesë se fjalët e mia nuk e arrijnë dot shprehjen e përputhur me ndjenjën e fortë të mirënjohjes, të miqësisë dhe të admirimit për Ju. Prandaj, nëse me lejohet, do të marr fjalë hua për këtë përshëndetje në nderimin tuaj dhe të jetës suaj, e cila më ngjan se s’mund të përshkruhet më mire, sesa me fjalët që Shpëtimtari i adresoi Pjetrit, të nesërmen e ringjalljes. “Në të vërtetë, ja ku po të them kur ishe më i ri, e lidhje vete rripin dhe shtegtoje ku të doje, por kur të jesh më i shkuar në moshë, do të shtrish duart dhe dikush tjetër do të të lidhë rripin dhe do të të shtegtojë aty ku nuk do të doje të shkoje.”
Ju shtegtuat së pari, nga jeta laike, e cila nisi, në mos gaboj, si nesër 61 vite më parë, në East Village të Manhattanit, asokohe një lagje e banuar pothuajse tërësisht nga popullsi me prejardhje hebreje. Shtegtuat më pas prej folesë universitare, ku, – ju e dini, llafet në Shqipëri vijnë shpejt gjithmonë, – thonë se ishit një nga më të shkëlqyerit, deri tek zyrat e San Tuficios, ku betejat për paprekshmërinë e doktrinës kanë një impakt planetar goxha më të konsiderueshëm, sesa kryqëzimet e shpatave verbale mes profesorësh.
E mirë pesha e gjithhershme e vetë kongregatës së doktrinës së fesë, por juve ju qëlloi që të gjendeshit aty, kur në atë front për mbrojtjen e doktrinës drejtonte njëri prej më të fortëve doktrinarë të Kishës Katolike, Papa i ardhshëm i Romës, Kardinali Ratzinger.
Shtegtim dhe përsëri shtegtim, nga bindjet e sigurta të teologut të sakramenteve brenda mureve të qytet-shtetit të Vatikanit, në mëdyshjet e menaxhinmit të krizave baritore përmes shërbimit të jashtëm të Selisë së Shenjtë. E në këtë rrugëtim stacionesh të pazakonshme, mua më duket edhe nga çfarë kam konsultuar në këtë përgatitje, se ju jeni mes të paktëve ambasadorë të Papës që nuk i përkasin misionarëve diplomatë të karrierës së Vatikanit. Kështu që, në njëfarë mënyre, edhe në komunitetitn e Nuncëve Apostolikë, ju nuk jeni vendas, por jeni një shtegtar. Në njëfarë mënyrë, çka e karakterizon mikun tonë të çmuar që nderojmë sot, mbase më shumë se çdo gjë tjetër, është ecja, hedhja e hapave, me ndalesa të befta, por me një orientim të fiksuar si ai që mijëra vjetë më parë e psallti Mbreti David: “Hapat e mia janë të qëndrueshme në shtigjet e tua, gjymtyrët e mi nuk lëkunden”.
Në flatrat e Benediktit të 16-të, kardinalit mentor që sado u bë Papë, nuk e di nëse bëj ndonjë blasfemi, por nuk është se u njoh si profet në shtëpinë e tij, – Imzot Charles u formua për të qenë një “Cooperatores veritatis”, një bashkëpunëtor i së vërtetës.
Me urtinë e tij eprore, kur kohët u maturuan, Benedikti i 16-të e nxorri nga foleja e përsihatjeve intelektuale, i lidhi rripin në brez dhe me shkopin baritor e nisi në Irlandë, aty ku në atë moment, mbase askush nuk do të donte të shkonte. Me atë shkop dhe me autoritetin e kishës të plagosur nga abuzimet mbi të miturit, Imzot Charlsit iu dha ai pushtet që Jeremia profet e konsideron si parakusht të rimëkëmbjes shpirtërore dhe njerezore. “Vështro gjithkund dhe shih, të vendosa sot mbi kombe dhe mbi mbretëri që të shkulësh dhe të rrëzosh, që të rrënosh dhe të shkatërrosh, që të rindërtosh dhe të mbjellësh. Kur mbi heshtjet dhe provat e patregueshme, që abuzimet e klerit ishin mbjellë si farë dëshpërimi mes besimtarëve irlandezë, vërshoi katarsisi, një prej gjesteve më kuptimplota të historisë së kishës, letra ndaj katolikëve irlandezë dhe Benediktit të 16-të, imzot Charles, Nunc apostolik në Dublin, shtegtoi mes mijëra vështirësive për të rimëkëmbur besimin e luhatur fort, për të thënë fjalët ngushëlluese jo të lehta, për t’u gjetur në atë plagë, për të prurë pajtimin e mbi të gjitha, për të vënë drejtësi.
Se si dhe qysh, Nunc i dashur ju shtegtuat pastaj nga Irlanda në të paqtën Shqipëri. Ky duket në fakt, një mister tipik i universit të shtegtarëve, ku të zë nata, nuk të zë dita, siç thuhet. Nga nata e Irlandës, ku ju ndezët jo pak dritë, u gjendët nën dielli e Tiranës, ku nganjëherë bëhet natë mu në mes të ditës.
Çfarë mund të themi sot, për veprimtarinë dhe përmbushjen e misionit tuaj në Shqipëri?
Më mirë se nga kushdo, ajo u tha nga qindra besimtarët që morën pjesë në meshën e falënderimit që u kremtua dje, me rastin e lamtumirës në katedralen e Shën Palit. E meqë përmenda Shën Palin, apostullin e kombeve, mendoj se për misionin tuaj në Shqipëri, vlen fjala e tij, që në çastin e fundit të jetës i belbëzoi i lumi Papa Pali VI. “Luftova betejën e duhur, tash e ndala vrapin, e ruajta besën.”
Besën, jo në sensin e fees, por në kuptimin e fjalës së dhënë, që ju e kultivuat me shqiptarët me atë përpikëri dhe përshpirtshmëri që ju karakterizon, kur për ta e me ta gjatë këtyre viteve keni kremtuar misteret e shenjta dhe kultin e kishës, pa harruar të shikoni hallet e dertet e njerëzve të zakonshëm në jetën e tyre të përditshme.
Ju, një dishepull i misionarëve të dashurisë së Nënë Terezës, e deshët vendin e rrënjëve të saj si të ishte i juaji. Në këmbim, ky vend, që ju e quani La mia Albania do t’ju mbajë në mendje e në zemër, sikur t’ju kishte djalë të sajin.
Në vigjilje të ditëlindjes suaj dhe teksa ju përgatiteni të merrni detyrën në Filipine, një tjetër mister i universit të shtegtarit, por një vend strategjik, jo vetëm për Kishën Katolike, por për gjithë botën e lirë në krahun juglindor të Azisë, unë sot modestish dëshiroj t’ju jap me vete një shenjë nga Shqipëria.
Kjo është medalja për Mirënjohjen Publike me gradën e Yllit të Madh.
Sikundër Zoti i Jakobit është Zot i të gjallëve dhe jo i të vdekurve, ashtu dhe nderimet me tituj e me medalje janë bërë për të gjallët, jo për të vdekurit. Sepse të dallosh të gjallin nga të gjallët është mirë për të gjithë, ndërsa të shquash të rënët nga të rënët nuk është punë që bëhet. Ndaj titujt e medaljet jepen rrallë, se ndryshe çkuptim ka dallimi që ato bëjnë. Dhe kjo medalje, posaçërisht jepet shumë rrallë. Jepet rrallë, sepse, për ta merituar, duhet ta kesh luftuar betejën e denjë, të kesh rendur për t’u shërbyer të tjerëve, të kesh ruajtur besën e të vazhdosh të jetosh me zemrën plot, për t’ia rifilluar nga e para, sado e mundimshme të jetë.
Jo rastësisht kjo medalje sendërtohet në simbolet e ngjyrat e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, atletit të palodhur të besës që deri në vdekje nuk e ndali hapin, ngadhënjyesit të asaj që Shën Agustini e quante luta e drejtë. Dhe juve kjo medalje ju takon imzot. Aty do të gjeni shqiponjën që ju ka shoqëruar tek ngjisnit majën e Korabit, aty do të gjeni 36 manjëzat e alfabetit të gjuhës sonë të shenjtë, pikërisht atë gjuhë që ju e mësuat në këto tre vite, duke lënë edhe për këtë, ndër të gjithë shqiptarët që ju njohën, një mbresë që nuk shlyhet lehtë. Do të gjeni ngjyrat e flamurit tonë kuqezi, që do t’ju rilidhin pastaj me të kuqen e martirit dhe të zezën e urdhrave murgjërorë e kalorsiakë të një kohe të shkuar, që ju si ekspert i mesjetës dhe kapelan i Urdhrit të Varrit të Shenjtë të Jerusalemit i njihni shumë më mirë sesa unë këtu, të paktën.
Së fundmi, aty do të gjeni kurorën, të cilës i mbivendoset ylli, dafina në lis, fisnikëri dhe force, por në kundërshti me dukjen e jashtme, aty nuk ka një epifani të lavdisë. Përkundrazi, e gjelbra e kësaj kurore është në fakt një teofani e thjeshtësisë dhe e natyrës së yshtme të shpresës. Në shpresë jemi të shëlbyer, thoshte Shën Pali, rimarrë pastaj nga mentori juaj, Benedikti XVI, në një enciklikë të paharrueshme të pontetifikatit.
Me shpresë dhe urime mbetemi në këtë vigjilje të ditëlindjes suaj dhe të një fillimi të ri për ju. Me shpresë që, sado larg nga ky vend i vogël, ju do të vazhdoni të luteni edhe për Shqipërinë dhe me besim që sa herë të luteni, ju do të kujtoheni se në Shqipëri i keni bërë vetes një vend në zemrën e të gjithë atyre që ju njohën e mbase do të dëshironi ndonjëherë të riktheheni në atë vend.
Faleminderit imzot, me shumë mirënjohje dhe ad multos annos!