Shqipëria, mishërim i një shembulli të madh në mbrojtjen e hebrenjve

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Forumin e Ballkanit Kundër Anti-Semitizmit, në Tiranë:

 

Faleminderit për këtë nder!

Ndërkohë që flas e ndjej që është një privilegj i vërtetë, duke qenë se unë në këtë Forum përfaqësoj Shqipërinë, një vend të vogël, i cili është mishërimi i një shembulli të madh të mbrojtjes së hebrenjve e mund të them po ashtu, i luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm, i cili ushqehet gjithmonë edhe më shumë nga urrejtja, jo vetëm kundër Izraelit, por edhe trashëgimisë hebreje dhe civilizimit.

Shqipëria e sheh Izraelin dhe civilizimin hebre si shtyllë e bashkëjetesës sonë mesdhetare në rrjedhën e qindra viteve. Pa parë thellë në histori mund të konfirmojmë lehtësisht se hebrenjtë, të cilët peripecitë e jetës i sollën në vendin tonë, u kthyen në një gur të çmuar në historinë dhe në kulturën tonë. Prej një bashkëjetese të vjetër e të pandikuar nga fanatizmat, nën çatinë e përbashkët të bijve të Abrahamit, shqiptarët e kanë parë bashkësinë hebraike si “dritën e syrit”, nëse mund të perifrazoj një shprehje të vjetër biblike.

Siç patë edhe filmimin, Shqipëria ishte vendi që u kthye në shtëpi për hebrenjtë qysh përpara Luftës së Dytë Botërore dhe vendi ku komuniteti hebre u njoh ligjërisht me besimin e vetë e të drejtat e veta për të ushtruar besimin fetar dhe Shabati ishte i garantuar si një e drejtë me ligj për çdo hebre. Kjo u pa natyrisht dhe fare qartë dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore se çfarë hebrenjtë donin të thonin për shqiptarët, kur shqiptarët e zakonshëm, familjet e zakonshme vendosën jetët në rrezik për të mbrojtur hebrenjtë. Ishin myslimanë, ishin të krishterë dhe ju ofruan strehë, duke i mbrojtur edhe me jetën e tyre.

Ka episode mjaft të pabesueshme kjo periudhë kohe në historinë tonë krenare,  natyrisht do doja të sillja episodin e dy vëllezërve, të cilët strehuan një familje të madhe hebreje dhe u dorëzuan tek nazistët dhe përfunduan në kampet e përqendrimit në Gjermani, duke u dhënë identitete të rreme, duke pretenduar se ishin ata hebrenjtë që nazistët po kërkonin.

Nuk është vetëm e shkuara, është po ashtu dhe e tashmja, e cila vlen shumë për ne, si një e tashme ku duhet të vijojmë e të luftojmë çdo formë antisemitizmi si kërcënim jo thjesht për hebrenjtë, apo për Izraelin, por si kërcënim për vetë civilizimin tonë, për vetë vlerat tona e parimet në të cilat vendet jetojnë të ardhmen tonë të përbashkët.

Pak muaj më parë, ne me shumë krenari inauguruam një memorial dedikuar kujtesës së Holokaustit në Tiranë e ndërkohë në kohën që flasim, në Vlorë, ku një numër i madh hebrenjsh, të cilët në mes të shekullit XV dhe XVI iu larguan gadishullit Iberik dhe persekutimit atje, pra, punë po bëhet që të bëhet një muze që do të nderojnë komunitetin hebre dhe që do të nderojë këtë histori dhe këtë miqësi në të ashtuquajturën Rruga e Hebrenjve. Një rrugë e vjetër, emri i të cilës u ndryshua gjatë regjimit komunist, por asnjëherë nuk ndryshoi në jetën e njerëzve dhe sot, si emër zyrtar ka Rruga e Hebrenjve.

Do shihni që në fakt, Shqipëria ka pasur privilegjin dhe nderin që të jetë kryetare e OSBE-së dhe gjatë Kryesisë sonë, ne kemi vendosur theksin saktësisht në çështjen e antisemitizmit, në bashkëpunim me shumë aktorë, përfshirë shoqërinë civile, me qëllim që të përpiqemi të ndërgjegjësojmë sa më shumë të jetë e mundur se antisemitizmi është një kërcenim real, i cili shkon mjaft përtej asaj çka duket se shënjestron.

Ashtu siç u përmend këtu, edhe me propozimin e paraqitur nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Kuvendi shqiptar miratoi Rezolutën e Përkufizimit të Antisemitizmit, hartuar nga Shoqata e Përkujtimit të Holokaustit. Ka në fakt, nisma të panumërta të ndërmarra publike në Shqipëri kundër antisemitizmit, qoftë nëpërmjet edukimit, apo shkëmbimeve të të gjitha llojeve.

Pa dashur të marr më shumë nga koha juaj e çmuar, do doja të nënvizoja që, në këtë kontekst, problemi më i madh dhe kërcënimi më i madh që ne na duhet të përballemi e ta konsiderojmë si diçka të përhershme në fokusin tonë në lidhje me shoqëritë tona, nuk është vetëm shprehja e menjëhershme e antisemitizmit në formën e vetëkuptueshme, por është relativizmi. Relativizmi në raport me atë çka u ndodhi hebrenjve, është relativizmi i asaj çka ndodhi gjatë kësaj Lufte të Dytë Botërore, që është realisht burimi i kryerjes së kësaj të keqeje kaq të madhe, nëse nuk do jemi të bashkuar në mënyrë që ta shterojmë këtë burim.

Së fundmi, do doja po kështu të përfitoja nga vëmendja juaj për të theksuar kërcënimin që vjen nga e gjithë veprimtaria që shfaqet në rrjetet sociale. Le të mos harrojmë se programet e para dhe përpjekjet për gjenocid kundër hebrenjve e kanë zanafillën qysh nga Lindja e Mesme nëpërmjet kriminalizimit të çdo akti që kryente ky komunitet dhe lajmi i rremë për ritualet e tyre. Këtu është zanafilla dhe forma e re e përhapjes përmes kësaj bote të jashtëzakonshme digjitale duhet të na shqetësojë. Realisht duhet të na bashkojë për të gjetur një zgjidhje dhe një rrugëdalje. Nuk ka dyshim që ka shumë shpresë në shoqërinë digjitale dhe një progres gjithëpërfshirës për njerëzimin që në fakt nuk duhet të kthehet në një makth të dalë jashtë kontrollit për askënd prej nesh. Për këtë, unë jam fort i bindur që Fuqitë e Mëdha, demokracitë e mëdha duhet realisht të veprojnë përpara se të jetë vonë. Sfida e luftës kundër antisemitizmit në format e veta më të sofistikuara duhet të jetë sot, më shumë se kurrë, një thirrje ndaj ndërgjegjes sonë kolektive.

Faleminderit shumë!

* Përkthim simultan