Spitali rajonal i Vlorës është pjesë e skenarit të Ministrisë së Shëndetësisë për përfshirjen e spitaleve rajonale në trajtimin e të sëmurëve me COVID. “Në këtë skenar që përfshin 8 spitalet rajonale të para, i Durrësit, i Vlorës, i Korçës, Shkodrës dhe Elbasanit kemi mundësuar rritjen e kapaciteteve dhe vendosjen e pavioneve të veçantë për trajtimin e të sëmurëve në momentin që do të kemi një ezaurim rë kapaciteteve, të 550 shtretërve të parë,” – tha Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës që bëri Kryeministri Edi Rama në Spitalin Rajonal të Vlorës, i transformuar tërësisht si nga ana infrastrukturore, edhe e aparaturave biomjekësore.
“Spitali i Vlorës në kuadrin e investimeve të qeverisë shqiptare për COVID-in ka përmirësuar kapacitetet e reanimacionit, nga 10 shtretër në 14 dhe duke ndërtuar një reanimacion me standarde europiane. Nuk krahasohet me çfarë gjetëm, ku deri në vitin 2014, spitali kishte vetëm një ekografi dhe një tjetër aparaturë imazherie, që i shërbenin një komuniteti të gjërë nga Vlora në Sarandë,” – tha më tej ministrja Manastirliu.
Njësia e kujdesit intensiv, është një nga shërbimet e transformuara të spitalit me të gjitha parametrat bashkohore dhe pajisjet për terapi intensive.
“Është një strukturë bashkohore për një shërbim më cilësor. Qytetarët e Vlorës nuk kanë më nevojë të shkojnë në spitalet universitare apo private për nga ndërhyrjet që kryejmë këtu,” – u shpreh një nga mjekët reanimatorë.
Në kuadër të strategjisë, në spital ka një pavijon dedikuar COVID-it me 80 shtretër dhe ku janë shtruar edhe linjat e oksigjenit. “Ndërkohë, pjesa e atyre që do kërkojnë trajtim në reanimacion, ka kapacitetet e nevojshme për të përballuar, sepse kemi edhe dhoma të izoluara në këtë funksion. Për të gjitha spitalet rajonale kemi marrë masat për pajisjet biomjekësore, shtretërit, monitorët, respiratorët në të gjitha njësitë e terapive intensive. Ndaj edhe skenarët që kemi projektuar kanë vajtur paralelisht me rritjen e kapaciteteve dhe investimet e qeverisë në kuadër të COVID-it. Janë 25 milionë euro, brenda të cilit është edhe ky investim i bërë në një kohë shumë të shpejtë,” – nënvizoi ministrja e Shëndetësisë.
Nga dy aparatura që kishte spitali deri në 2014-ën, sot ka 80 monitorë, respiratorë e aparatura të tjera. Vetë mjekët janë dëshnitarë të kushteve të deridjeshme të punës. “Të mos flasim për sallën e operacionit që falë atij koncesioni kemi këto instrumente. Personalisht me iniciativën time kam kontrolluar gjithë depot e ushtrisë që kishin nxjerrë veglat e kinezëve për donacion. Unë kam bredhur në të gjithë depot ushtarake të Shqipërisë që sollën vegla dhe krevatet në sallën e operacionit në 2014-ën,” – shprehet një nga mjeket.
Kush flet për mungesën e strategjisë dhe kapaciteteve në përballimin e sprovës së pandemisë, më e pakta nuk e njeh realitetin, tha Kryeministri Edi Rama, në komunikimin me mjekët.
“Shumica dërrmuese e njerëzve që flasin për spitalet, ose kanë qenë më parë në spital dhe vazhdojnë të përfytyrojnë spitalet e deridjeshme, ose kanë dëgjuar nga të tjerët dhe ju ka mbetur fiksimi që po hyre në spital është kiamet. Dhe këto [pajisje] nuk janë të 1914, janë të 2014 dhe i gjithë ky spital, me gjithë aparaturat dhe me gjithë këtë sistem logjistike që është në radhë të parë, sot për COVID-in, mot à mot si në Francë, në Gjermani, në Angli, në Turqi kur shkojnë sepse dëgjojnë gjithë atë propagandë, – deri në vitin 2014 kishte vetëm dy aparatura dhe kiametin këtu brenda që ju e dini vetë si ishte. Sot ka komplet një pamje dhe një përmbajtje tjetër. Është shumë e rëndësishme që njerëzit ta dinë që ne, jo vetëm nuk kemi problem kapacitetesh për momentin, – mund të kishim pasur, siç kanë pasur të tjerët, Belgjika, pardje mori një vendim në një hall shumë të madh që mjekët e infermierët në një nga spitalet që u identifikuan pozitivë të vazhdojnë punën – por nuk e kemi sot. Kemi akoma kapacitet 25% tek COVID1, 2 dhe 3, kemi COVID4 komplet bosh dhe ndërkohë kemi spitalet rajonale që sipas strategjisë janë gati për t’u futur në front, në rast se do të jetë nevoja.
Tjetra që unë do dëshiroja që edhe ju ta keni parasysh kur flisni me njerëzit, është propaganda e shfrenuar për çështjen e testeve. Ne kemi shume besim tek Komiteti ynë i Ekspertëve. Nëse ne sot jemi në gjendje të angazhojmë para, jo thjesht për të rimbursuar, që deri dje nuk e bëmë se nuk e bënim dot sepse duhet të planifikojmë edhe me shumë hamendje se ka shumë pararashikueshmëri; nëse ne sot jemi në gjendje të vëmë buxhet për familjet në ndihmë ekonomike, që gjithë periudhën COVID, pavarësisht kanë s’kanë pozitivitet, ta kalojnë me më lehtësi e të mos jenë të detyruar të kërkojnë punë në të zezë, por të rrinë sa më shumë në distancën sociale, në kuptimin edhe të aksesit në situata ku ka shumë kontakte; nëse jemi në gjendje t’u japim naftëtarëve atë që bëmë dje, atëherë të gjithë duhet ta kuptojnë që po të ishte puna për të patur më shumë teste, mund të kishim marrë më shumë teste. Nuk na është kërkuar kjo nga Komiteti dhe sot, debati që po bëhet në vendet që kanë bërë shumë teste, pse nuk na është ndaluar zinxhiri i infeksionit.
Nuk po them që e kemi bërë ne zbulimin që nuk është nevoja të bëhen teste, teste, teste dhe të mos mbash vëmendjen tek zinxhiri. Por, kur del Kancelarja gjermane dhe thotë që po na del jashtë kontrollit zinxhiri i infeksionit, atëherë ka një logjikë këtu. Njerëzit, në fund duhet të kuptojnë që rezultati ka rëndësi dhe rezultati është sa kapacitete dhe sa fatalitete kemi. Këto janë rezultatet se të tjerat janë taktika. Luajte në mbrojtje, në sulm apo presing, luajte i mbyllur, e bëre golin me kundërsulm, e fitove kampionatin si Italia që rri në mbrojtje, apo si Brazili që hidhet i gjithi në sulm, në fund, ajo që ka rëndësi është rezultati. E rezultati këtu është shumë i thjeshtë dhe i qartë; Ne kemi fatalitete aspak më të larta se të tjerët, jemi ndër vendet me ekuilibër mes infeksionit e fatalitetit në rajon krejtësisht pozitiv. Nuk po them që jemi as të parët, as të dytë, as të dymbëdhjetët se bilanci nuk bëhet tani, pasi nesër mund të ndodhë realisht që të kërcejnë të gjithë numrat.
Por e rëndësishme është që të kuptohet që në këtë kohë sprove të madhe, Shqipëria, si rezultat i gjithë këtyre investimeve dhe gjithë kësaj përgatitjeje në vite, ka spitale për COVID-in që nuk kanë asnjë dallim nga të tjerët, ka mjekë që nuk janë gjëkundi gogolët që i kanë bërë, që të lënë rrugëve, që vdes në rrugë po s’i dhe lekë etj, por janë heronj të vërtetë. Nuk po mohon njeri që ka dhe abuzivë, por mbi të gjitha ka komitet ekspertësh që po tregohet në lartësinë e duhur të sfidës. Jo vetëm janë njerëz që kanë studiuar jashtë, që kanë eksperienca, por janë në kontakt të vazhdueshëm me homologët e tyre, me institutin “Robert Koch” në Gjermani e të tjerë, edhe strategjitë e tyre i diskutojnë, edhe rezultatet i këmbejnë. Nuk është e rastësishme që edhe drejtori për Europën Juglindore i OBSH-së vjen e bën vlerësimet maksimale. Ne nuk jemi Anglia, po për fat të keq për ta e për fat të mirë për ne, nuk mund të themi “shih sa mirë po e bën e Anglia e sa keq ne”, se nuk është kështu. Kjo është sfidë për të gjithë njerëzimin dhe një sfidë ku ne nuk po dalim tepër, në kuptimin që të lëmë nam. Imagjinoni çdo kishte ndodhur po të vinte COVID-i në 2014-ën. Ose sikur ne të mos kishim bërë këto investime e të ishim si në 2014-ën. Ç’do kishin bërë? Atëherë do kishim parë çdo thotë fatalitete mes mjekëve dhe infermierëve, në ato kushte, që të ishin me këtë maskën e të mos kishin asnjë lloj mbrojtjeje tjetër.
Newsroom
Transformohet Spitali Rajonal i Vlorës