Edhe në Tiranë familjet një nga një po hyjnë në shtëpitë e reja

Shtëpitë individuale të rilindura pas rrënimit natën e 26 nëntorit të shkuar po u dorëzohen njëra pas tjetrës familjeve edhe në Bashkinë Tiranë.

 

Behari, bashkë me familjen e tij në Lanabregas, Tiranë, nga sot janë pronarë të një shtëpie të re, më të mirë, më të fortë e më të bukur se ajo që u dëmtua natën e 26 nëntorit të një viti më parë. Nga tërmeti, shtëpia e tyre pësoi dëme të mëdha, duke ia bëri të pabanueshme, ndaj u desh të ngrihej e re për 4 anëtarët e familjes.

Çelësat e banesës ia dorëzoi Kryeministri Rama, i cili bashkë me kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ishin në Lanabregas, ku si kjo banesë, edhe të tjerat po mbarojnë hap pas hapi, në mënyrë që këto familje të mund të kalojnë Vitin e Ri në shtëpitë e reja. Ndërtimin shtëpive të reja do të pasohet më pas edhe me urbanizimin e zonës. “Një pjesë e madhe këtu ka qenë zonë informale. Tani që po mbarojmë këto shtëpitë kryesore, do fillojmë urbanizmin e gjithë këtyre rrugëve. Në këtë komunitet kemi 235 raste. Ky është vetëm loti i parë me mbi 40 shtëpi”, – tha kryebashkiaku Veliaj.

Familja e Beharit, përveç çelësave mori në dorëzim edhe dokumentin e pronësisë, ndërsa deri më tani është trajtuar me bonus qeraje.

Ndërkohë puna po vijon në gjithë Tiranën për të rindërtuar jo vetëm shtëpitë individuale, por edhe për ndërtimin nga themelet të lagjeve te reja dhe shkollat për komunitetin. “Sapo mbaruam gjithë pilotat tek “Sami Frashëri” e tani fillojmë me themelet. Po janë mërzitur pak ata në Paskuqan se kishin menduar që shkolla do shkonte atje, po është e gjitha pjesë e asaj tollovisë së krijuar”, – tha Veliaj, teksa shtoi se një tjetër shkollë që do të preket nga rindërtimi është edhe “Lasgush Poradeci” në Kombinat ku, përveç saj, do të fillojë edhe procedura e shpronësimit për godinat kolektive.

“Lasgush Poradeci është një shkollë tjetër në Kombinat. Javën tjetër kalon dhe VKM tek ju për shpronësimin që të fillojmë dhe aty si me 5 Majin. Gjithë banorët që preken si në Kombinat, si tek 5 Maji do trajtohen me banesë. Pra nuk do jetë askush më keq se sa ishte. Si ata që u dëmtuan nga tërmeti, si ata që mund të kenë zbatuar një tokë shtet, prap do marrin një banesë aty po ideja është që një herë e mirë dhe të urbanizohet ajo zonë”, – nënvizoi Kryetari i bashkisë së Tiranës.

***

Një tjetër familje në zonën e Farkës po bëhet gati për t’u kthyer në shpitën e re, për ta pritur Vitin e Ri në një banesë më të mirë se ajo që u godit nga tërmeti. Izeti, bashkë me familjen e tij, të ardhur nga Kukësi në vitet ’90-të humbi shtëpinë e ngritur me mund natën tragjike të 26 nëntorit. Tashmë, ata po trajtohen me bonus qeraje, deri në kthimin në shtëpinë e re.

Në Farkë, aty ku po ndërtohet shtëpia e Izetit, bashkë me disa shtëpi të tjera, ishte Kryeministri Rama, bashkë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahemtaj. Mosbesues në nisje të procesit se do të kishte një shtëpi të re, të ngritur nga e para, familja e Izetit tashmë është në prag të rifillimit të jetës në shtëpinë e re. “Nuk e besonim me thënë të drejtën se nuk është bërë ndonjëherë kjo punë”, – u shpreh ai.

Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë deri më tani me rindërtimin, teksa shtoi se çdo shtëpi e re do të jetë më e mirë, më e fortë dhe më e bukur se ato që tërmeti shkatërroi.​