Shqipëri-Itali, marrëveshje për Komitetin e Përbashkët të Përhershëm

Kryeministri Edi Rama priti sot, në takim Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Luigi Di Maio. Në përfundim të takimit, u nënshkrua marrëveshja për krijimin e Komitetit të Përbashkët të Përhershëm Shqipëri-Itali.

 

Deklaratat e Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit Di Maio:

 

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita!

Sapo kemi përfunduar një takim vëllazëror me Ministrin e Punëve të jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, një mik, që mund ta them me plot gojën, i çmuar i shqiptarëve, i Shqipërisë, që pavarësisht situatës tejet të ngarkuar, ka gjetur përsëri kohën dhe mundësinë për të riardhur në Shqipëri, pas vizitës së dhjetorit të kaluar, kur e kujtoj për të gjithë, e përsëri dua ta falenderoj, na u gjend pranë në një nga momentet më të rënda të historisë sonë, pas tragjedisë së madhe të 26 nëntorit të shkuar.

Nuk mundem që bashkë me falenderimin për të, të mos përsëris shprehjen e mirënjohjes më të thellë për Italinë mike, për qeverinë italiane, për popullin italian dhe në mënyrë të veçantë për trupat fantastike të Mbrojtjes Civile italiane, të cilat reaguan në mënyrë të rrufeshme ndaj nevojës sonë për ndihmë dhe u gjendën brenda shumë pak kohe, në zonën e fatkeqësisë, duke sjellë shpresë dhe duke shpëtuar jetë njerezish.

Nga ana tjetër, nuk mundem të mos e kujtoj këtu, me mirënjohje, edhe përfshirjen e drejtëpërdrejtë të mikut tonë, Luigi di Maio dhe të Kryeministrit Conte, për të garantuar një mbështetje të jashtëzakonshme për Shqipërinë në Bruksel, në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve, ku Italia ishte jo vetem me fjalë, por edhe me vepra, në krye të radhës së vendeve mike që u rreshtuan krah për krah Shqipërisë.

Sot ndajmë së bashku edhe eksperiencën që po ndan e gjithë bota, eksperiencën e jashtëzakonshme që po sprovon gjithë botën të përballjen me armikun e padukshëm, virusin COVID-19. Dëshiroj ta falenderoj Ministrin edhe për gatishmërinë për të qenë krejtësisht i hapur dhe i gatshëm në funksion të sigurimit të vaksinës, për të cilën e gjithë bota është vënë në lëvizje, BE-ja është vënë në lëvizje. Siç e kam shpjeguar më parë, vendet po krijojnë edhe partneritete dhe Italia falë kësaj lidhjeje krejt të veçantë që ka me Shqipërinë, por falë edhe Kryeministrit Conte dhe Ministrit të Jashtëm është pranë nesh, siç është edhe BE-ja pranë Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që vendet e rajonit tonë të mos mbeten mbrapa, në radhë të parë në garantimin e vaksinës për personelin mjekdor dhe sipas radhës, por në një kohë sa më të shpejtë për mësuesit, për forcat e policisë dhe pastaj për gjithë popullin në vijim.

Sot kemi folur me ministrin edhe për temën e rëndësishme të bashkëpunimit. 10 vjet si sot, si këtë vit është nënshkruar Deklarata e Partneritetit Strategjik Shqipëri-Itali, një gur i rëndësishëm kilometrik në rrugën e forcimit të marrëdhënies sonë dypalëshe. Ne duam ta institucionalizojmë më tej këtë partneritet, duke nxitur dialogun në funksion të temave të posaçme dhe tema për të cilën do të angazhohemi menjëherë është tema e partneritetit në lidhje me planin e investimeve për Ballkanin, i cili ka tre shtylla kryesore, transport dhe infrastrukturë, energji dhe digjitalizim. Në dy shtyllat e para, Italia ka ekspertizën e çmuar në arenën ndërkombëtare, ka dhe vullnetin për të qenë pranë nesh. Kështu që më shpejt se vonë, së bashku me Ministrin, ne do të përcaktojmë edhe partnerët strategjikë në këtë rrugë, që do të na asistojnë me ekspertizën e tyre për projektet dhe për aksesin në financimin e këtij fondi të BE-së.

Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, dua ta falenderoj Ministrin personalisht, sepse, pavarësisht se nuk kam asnjë arsye që të harroj angazhimin e paraardhësve të tij në këtë detyrë, realisht është i angazhuar jo thjeshtë politikisht, jo thjeshtë institucionalisht, por edhe personalisht për të qenë një avokat i shkëlqyer i integrimit europian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor që është pjesë e vizionit strategjik të qeverisë italiane.

Kemi folur edhe për këtë stacion, ku gjërat në këtë moment janë komplikuar, siç jeni edhe informuar, nga një moment ngërçi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, në ndërkohë që po diskutohet edhe korniza negociuese me të dyja vendet, në nivelin e BE-së.

Ministri Luigi Di Maio: Faleminderit Zoti Kryeministër!

Faleminderit Edi!

Sot kam patur një takim shumë të përzemërt dhe konstruktiv me mikun, Kryeministrin Edi Rama me të cilin kemi një marrëdhënie të qëndrueshme. Vitin e kaluar, siç keni thënë dhe ju, kam qenë këtu në Tiranë, menjëherë pas tërmetit, për të ofruar mbështetjen e Italisë. Në atë moment nuk do kishim imagjinuar dot se në muajt në vijim një tragjedi e re do kishte goditur dy vendet tona dhe botën mbarë.

Lufta kundër COVID-19 që kërkon një sforcim të përbashkët konfirmoi dhe një herë, nëse do të jetë e nevojshme, se sa e fortë është miqësia mes Italisë dhe Shqipërisë. Në momentet më të errëta të pandemisë në Itali kemi pritur me shumë falënderim e mirënjohje ndihmat e mbërritura nga Shqipëria dhe kur qe e nevojshme, kemi dhënë dhe ne këtë ndihmë duke dërguar një skuadër operatorësh shëndetësorë nga Italia. Kjo gjë nuk na ndalon nga dëmet që kanë pësuar shoqëritë tona dhe ekonomitë tona.

Marrëdhëniet tona ekonomike tregtare tashmë janë të forta dhe sikurse është treguar nga fakti që Italia është furnitori i parë i Shqipërisë. Megjithatë, qëndrueshmëria e raporteve në marrëdhëniet tona është e tillë që ne mundet dhe duhet të bëjmë dhe më mirë. Për këtë jam veçanërisht i gëzuar të them që sot kemi nënshkruar një deklaratë të përbashkët për të ngritur një komision ekonomik të përbashkët, i cili do të ngrejë një forum dialogu dhe ballafaqimi për mundësi tregtare dhe investimi për të dy vendet tona, si dhe për të përballuar e për të zgjidhur pikat kritike e problematike në marrëdhëniet dypalëshe dhe ato në kuadrin ekonomik.

Është një kuadër veçanërisht premtues, padyshim, edhe ai i infrastrukturave, falë dhe planit të modernizimit të sektorit të transportit, të miratuar nga qeveria shqiptare, gjë e cila vendoset në një vizion bashkëpunimi me planin për zhvillimin ekonomik dhe të investimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, të paraqitur nga Komisioni Europiain në tetor.

Një aspekt tjetër i lidhur me përforcimin e marrëdhënieve tona ekonomike e tregtare, të cilin e kemi shumë përzemërt, është ajo e përhapjes së gjuhës italiane në Shqipëri. Prandaj shpresojmë për këtë, një prani më të madhe të arsimit italian në Shqipëri, ndoshta edhe duke e shtrirë mësimdhënien e gjuhës italiane dhe në institutet teknike dhe profesionale. Një vendim i tillë do të ishte në linjë me zgjerimin konstant të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe praninë e një linje rrjeti të gjerë të firmave italiane në Shqipëri.

Qëndrueshmëria e marrëdhënieve tona dy palëshe është reflektuar gjerësisht në fakt dhe me bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar dhe shumëpalësh. Siç njihet, Italia gjithmonë ka qenë pranë Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt afrimit dhe integrimit në Bashkimin Europian dhe mbështet me bindje rrugëtimin e reformave kurajoze të brendshme, të ndërmarra nga Tirana për këtë qëllim.

Përpjekjet tona në këtë drejtim do të jenë konstante. Tani objektivi më i afërt është të punojmë që të thirret konferenca e parë ndërqeveritare, qoftë me Shqipërinë, qoftë me Maqedoninë e Veriut. Pavarësisht kësaj ndalese të regjistruar, do të nxisim sa më shpejt këtë mbledhje përsa i përket konferencës që përmenda. Pavarësisht ndalesës që pati këtë javë në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme, ne mbetemi të vendosur për të arritur objektivat tona brenda Bashkimit Europian që të fillojmë konferencën, pra, për rrugëtimin e vetëm për zgjerimin e Bashkimit Europian me Shqipërinë.

Me Kryeministrin folëm dhe për çështje të tjera, të cilat janë të lidhura me pandeminë, me bashkëpunimin për vaksinat, por dhe investimet në mënyrë që të dalim nga një vështirësi ekonomike e vendeve tona, që është një vështirësi në rang botëror pikërisht si pasojë e asaj çka ka ndodhur me COVID-in. Për këtë do të kemi gatishmërinë për të punuar së bashku mbi projektimin, planifikimin, mundësinë për të gjurmuar dhe planin e investimeve në vendet e Ballkanit Perëndimor në favor të bashkëpunimit të ndërmarrjeve tona, edhe ato publike, në planin shëndetësor për vaksinat sikurse thamë, duke parë sëbashku drejt një të ardhmeje, e cila do të jetë rozë nëse do ta përshkojmë së bashku këtë rrugë që na ndan nga normaliteti.

Unë do të doja ta përfundoja me një fjali për miqtë shqiptarë, nuk jam absolutisht i zoti të flas shqip, ashtu sikurse Kryeministri shqiptar flet italishten. “Të përbashkuar” – kjo është për sa i përket Europës së përbashkuar, pra, është një urim që  ne mund t’i bëjmë njëri-tjetrit drejt një të ardhmeje europiane.

 

* Përkthim simultan​