Lagja e re e Thumanës po merr formë dita ditës për banorët, të cilët do të rinisin jetën e tyre aty pas një sprove të madhe që kaluan 26 nëntorin e kaluar. Tërmeti që la pa një strehë mbi kokë mijëra familje tanimë do të jetë një kujtimi i largët. teksa shtëpitë e reja po përfundojnë dhe një nga një banorët do të fillojnë të banojnë këto lagje të reja model.
Në Thumanë, ku qeveria po bashkëpunon me fondacionin Firdeus, infrastruktura po shkon drejt përfundimit, teksa mbi 3000 banorë priten të jetojnë në Thumanën e Re, një lagje model jo vetëm për zonën, por për gjithë Shqipërinë.
“Këtu kanë avancuar të dyja projektet, edhe projekti i infrastrukturës, madje në një pjesë të infrastrukturës ka filluar dhe asfaltimi, ndërkohë që fondacioni Firdeus ka filluar punën e vetë me shtëpitë individuale. Këtu është një investim i përbashkët i buxhetit të shtetit, në njërën anë dhe i fondacionit në anën tjetër. Gjithë infrastruktura është investuar nga buxheti i shtetit dhe është bërë gati për shtëpitë individuale”, tha Ahmetaj, gjatë inspektimit të Kryeministrit Rama në këtë kantier ku puna prej disa muajsh vijon pa ndërprerje.
“Kjo pjesë e Thumanës është e gjitha e re dhe infrastruktura është me standarde europiane e këtë e themi pa asnjë droje”, – theksoi ministri i Shtetit për Rindërtimin.
Thumana është një prej zonave më të goditura nga tërmeti i vitit të kaluar, por shumë shpejt, ajo do të jetë një nga zonat më të bukura, më shtëpi të reja, më të forta se ato që tërmeti shkatërroi dhe me shkollën, kopshtin, ambulancën, njësitë e shërbimeve publike, si edhe qendrën e re komunitare, së bashku me terrenet sportive e parqet.