Kalimi i stafetës në krye të dikasterit qendror të punëve të brendshme

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e kalimit të detyrës së ministrit të Brendshëm, Bledi Ҫuçit:

 

Jemi në kushte specifike. Për këtë arsye, pjesëmarrja këtu është e reduktuar maksimalisht në numër. Pavarësisht pranisë së reduktuar fizike, falë edhe interesimit të mediave, këtë kalim stafetë në Ministrinë e Brendshme ta përcjellim gjerësisht, bashkë me mesazhet përkatëse.

Para pak ditësh, qeveria suedeze ka publikuar anketimin e përvitshëm lidhur me policimin në komunitet dhe do doja shumë që rezultatet e këtij anketimi të jetë hapi i parë i komunikimit të ministrit të ri të Brendshëm me gjithë trupën e Policisë së Shtetit dhe po ashtu, edhe me publikun, pasi bëhet fjalë për një anketim plotësisht të pavarur, plotësisht të besueshëm dhe shumë domethënës, për të pasur një pasqyrë objektive të ecurisë së punës së Policisë së Shtetit dhe shumëm e rëndësishme, posaçërisht në këtë moment, një pasqyrë besnike të marrëdhënieve mes Policisë së Shtetit dhe qytetarëve. Në këtë proces janë pyetur qytetarët dhe prej tyre është marrë opinioni, bazuar në metodat shkencore të vlerësimit të opinionit publik mbi perceptimin e tyre për Policinë e Shtetit dhe për aspekte të ndryshme të punës dhe veprimtarisë së Policisë së Shtetit.

Më vjen jashtëzakonisht mirë të nënvizoj se bëhet fjalë për një pasqyrë mbresëlënëse dhe shumë domethënëse, qoftë përsa i përket ecurisë së punës dhe arritjeve të Policisë së Shtetit, qoftë edhe të potencialit të përmirësimit të kësaj pune.

Sigurisht që ky moment dhe ky takim i sotëm ndodhin si rezultat i një ngjarjeje. Unë dua ta nis me fundin, jo me zanafillën, për të shkuar edhe tek zanafilla. Kur them fundin, kam parasysh shpërthimin e një proteste goxha të veçantë në llojin e saj, e cila duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë përtej faktit fatkeq se përfshirja për herë të parë në historinë tonë, – kur them historinë tonë, nuk kam parasysh vetëm historinë tonë të zhvillimeve demokratike, nuk kam parasysh as historinë tonë të afërt përtej këtyre zhvillimeve, nuk kam parasysh historinë tonë si komb, – e minorenëve, e fëmijëve. Për të luftuar brenda vetes për qëllime të caktuara, një fakt tejet fatkeq, por, sidoqoftë, domethënës, jo vetëm për të kuptuar natyrën e agresionit ndaj Policisë së Shtetit, një agresion i frymëzuar, i nxitur, i organizuar, sistematik për vite me radhë, por për të kuptuar edhe përtej kësaj. Për të kuptuar se çfarë ne dhe kur them ne, nuk kam parasysh thjesht strukturën e Ministrisë së Brendshme, përtej Policisë së Shtetit, por kam parasysh gjithë qeverinë, kam parasysh gjithë shoqërinë, duhet të bëjmë që kurrë më të mos përsëritet një shfaqje e tillë ekstreme, e denjë për vende ku fëmijët janë mish për top për organizata ekstremiste, për organizata terroriste, për organizata me synime ekstreme që nuk ndalen në përdorimin e mjeteve ekstreme.

Do dëshiroja që sot, së bashku me ju dhe kur them së bashku me ju, jo vetëm me drejtuesit e Policisë së Shtetit të pranishëm këtu, por me të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit dhe patjetër, me të gjithë të tjerët që kanë mirësinë të na ndjekin, të ngrija pyetjen se pse protestojnë njerëzit në demokraci.

Demokracia, siç e ka thënë më mirë sesa gjithë të tjetër, Ëinston Churchill, nuk është një sistem i përsosur, por është më i keqi, po të mos llogarisin sistemet e tjera. E thënë ndryshe, demokracia është e keqja më e vogël ndër format e mundshme, të njohura deri më sot, të organizimit shoqëror dhe shtetëror. Që do të thotë, padrejtësitë janë të pashmangshme edhe në demokraci. Prandaj dhe protestat janë të pashmangshme njësoj si padrejtësitë. Por ndryshe nga padrejtësitë, protestat janë edhe të dobishme.

Qeveria, edhe më e mira në botë nëse ka ekzistuar apo ekziston në botë një e tillë, nuk është dot e pagabueshme. As nuk i zgjidh dot të gjitha hallet e të gjitha problemet e një vendi apo shoqërie. Dhe ne vetë, qeveria jonë, padiskutim që jemi larg së qeni të pagabueshëm, por mund ta them me plot gojën që gabimin e mosrespektimit të protestës qytetare, ne nuk e kemi bërë asnjëherë. Përkundrazi, unë jam krenar për faktin se në këto 7 vite e pak, qeveria jo vetëm e ka dëgjuar gjithnjë zërin e protestuesve, por në pak jo raste ka reflektuar dhe ka ndryshuar qasjen apo qëndrim, lidhur me çështje të caktuara, përballë arsyes së protestuesve. Kjo mbase nuk është shumë, por nuk është pak.

Po të kemi parasysh traditën mbi të cilin ne kemi nisur punën tonë, po të kemi parasysh eksperiencat e mëparshme; armët kimike, studentët, pagesa e kuksianëve për rrugën e Kombin, apo së fundmi, kërkesa e naftëtarëve të Ballshit për mbështetje financiare nga qeveria. Nuk janë të gjitha, por janë disa shembuj që të gjithë mund t’i kujtojnë. Janë konkretë, kuptimplotë për shkallën e dëgjueshmërisë dhe gatishmërinë e reflektimit tonë pozitiv ndaj arsyeve të protestuesve.

Disa thanë se qeveria u tërhoq në rastin e Kukësit, sepse u tremb nga dhuna e ushtruar nga një falangë e nxitur politikisht. Në fakt jo. Qeveria reflektoi ndaj shqetësimit të drejtë të një komuniteti të tërë, sepse ne kuptuam qartësisht se ishin gabim llogaritë tona dhe jo komuniteti kuksian. Për mua, më e rëndësishmja është të bëhet gjitghnjë mundësisht gjëja e drejtë, jo të ketë gjithmonë të drejtë qeveria. Kushdo ka të drejtë të protestojë, por jo çdokush që proteston ka të drejtë.

E drejta e protestës nuk mund të diskutohet, nuk diskutohet dhe as nuk e kemi diskutuar asnjëherë. E drejta e protestuesve gjithnjë diskutohet. Është objekt diskutimi dhe qeveritë ndryshojnë në këtë pikë mes qeverive që bëjnë sikur i diskutojnë çështjet e protestave, apo as nuk marrin mundimin të bëjnë sikur diskutojnë dhe qeverive që i diskutojnë dhe kanë gatishmërinë të reflektojnë kur e gjejnë të arsyeshme të reflektojnë.

Kjo qeveri nuk e ka diskutuar kurrë të drejtën e protestës dhe çdo protestues është respektuar gjithnjë maksimalisht në ushtrimin e kësaj të drejte. Madje, në ndonjë rast, për ta thënë në mënyrë të butë, respektimi i të drejtës së protestës ka shkaktuar shkeljen e të drejtës së të tjerëve, po qytetar. Në rastin e Unazës së Re, për e muaj muaj të tërë, e drejta e protestës është ushtruar dhe respektuar nga ana jonë në interes të një grupi të caktuar interesi, ndërkohë që është shkelur e drejta e një mase të madhe njerëzish për të qarkulluar lirisht me orë të tëra, çdo ditë, për në Tiranë apo jashtë Tiranës. Bashkë me të drejtën e asaj mase të madhe njerëzish është shkelur e drejta e zhvillimit të një projekti strategjik për të ardhmen e kryeqytetit dhe për të ardhmen e të gjithë banorëve të Tiranës si komunitet. Apo në rastin e Teatrit, ku një pakicë artistësh, të lidhur me fije politike, përdorën të drejtën e protestës për t’iu imponuar forcërisht jo vetëm shumicës së komunitetit teatror, por dhe vetë qeverisë, bashkisë, duke e marrë peng një pasuri të përbashkët, godinën, pronën e përbashkët, pronën publike, pronën shtetërore të Teatrit, për dy vjet me radhë dhe duke e vonuar me forcë zhvillimin e një projekti të Teatrit të ri Kombëtar.

Nuk ka qenë dobësi nga ana jonë, nuk është kurrë dobësi t’i japësh vetes kohë, jo vetëm për të kuptuar deri në fund arsyet e atyre që në emër të të drejtës së protestës të të kundërvihen kur je në qeveri, por edhe të kërkosh përmes kohës një zgjidhje të arsyeshme edhe me ata. Protestat mund të jenë një e drejtë që ushtron shumica, mund të jetë një e drejtë që e ushtron pakica. Nuk janë numrat që e përcaktojnë shkallën e të drejtës së protestës. Edhe një individ i vetëm ka një të drejtë të barabartë me një popull të tërë në të drejtën për të protestuar dhe ka të drejtën të dëgjohet.

Në të dyja rastet që përmenda, për të mos përmendur të tjera, për shkak të ekzekutimit më në fund të vendimeve përkatëse që qeveria ka të drejtën t’i ekzekutojë me ligj dhe zakon, qeveria u akuzua për dhunë, për autoritarizëm, për fashizëm e të gjithë të zezat, ndërkohë që në asnjë vend demokratik nuk ndodh ndryshe. Ka gjithmonë një kohë për të dëgjuar, një kohë për të diskutuar dhe një kohë për të vendosur fundin e diskutimit. Në një rast të caktuar në favor të protestuesve, në një rast në favor të qeverisë. E kur flas në favor të qeverisë, kam parasysh të drejtën e qeverisë për të vendosur në bazë të mandatit që ka nga shumica.

Megjithatë, thelbi këtu është se në Shqipërinë e këtyre 7 viteve e pak nuk ka ndodhur asgjë ndryshe nga vendet më demokratike në sjelljen e shtetit dhe Policisë së Shtetit me protestuesit. Ndërsa po, ka ndodhur ndryshe në vende demokratike, në aspektin që si në asnjë vend tjetër demokratik, partitë politike kanë ushtruar dhunë, jo njëherë, por muaj e muaj, me cikle apo ka ndodhur ndryshe si në vende demokratike, që është bërë pothuajse si një e drejtë e ligjëruar që polici mund të preket me dorë. Që uniforma e policit mund të trajtohet si leckë për ta kapur, tërhequr, shtyrë, pa llogaritur fjalët, se fjalët nuk i llogarisim në këtë mes, nuk llogariten as në vendet demokratike në rastet e protestave me shumë njerëz, jo në rastet e përballjeve individuale polic-qytetar. Nuk bë vaki në një vend demokratik që një qytetar të shajë policin pa pasoja.

Janë të gjithë dëshmitarë që dhe ndaj protestave të dhunshme të opozitës këto 7 vite e pak, Policia e Shtetit nuk e ka tejkaluar kurrë të drejtën e ushtrimit të forces. Ky mbase është i vetmi vend demokratik ku numërohen më shumë policë të plagosur e të lënduar, sesa protestues të plagosur apo të lënduar.

Atëherë, pse qeveria dhe Policia e Shtetit akuzohen pa pushim për dhunime që as nuk i kanë bërë, as nuk kanë dhënë shenja se duan t’i bëjnë? Pse abuzohet me episode të shkëputura, për të bërë montazhe që shpërndahen përmes makinerisë më të madhe të propagandës që ka shpikur njerëzimi, rrjetet sociale?

E përsëris, askush nuk dëshiron, Policia e Shtetit nuk dëshiron, punonjësi i Policisë së Shtetit nuk dëshiron që të kapë një qytetar me dorë për ta spostuar nga një vend në një vend tjetër dhe kur e sposton nga një vend në një vend tjetër, sigurisht që nuk mund të jetë spostim sikur dy njerëz dalin prej krahu për të shkuar për kafe. Por ja që kur kjo është e nevojshme, është e nevojshme.

Rezistenca kundër ligjit apo vendimeve dhe urdhrave që burojnë nga ligji nuk mund të justifikohet me të drejtën e protestës dhe e drejta e protestës mbaron aty ku fillojnë të drejtat e qytetarëve të tjerë dhe të vetë shtetit. Dhe të drejtat e vetë shtetit janë të mishëruara në uniformën e policit të shtetit. Në atë rresht punonjësish policie që nuk vihen aty përballë sepse janë një grup individësh që kanë vendosur të dalin aty përballë, apo se një individ tjetër i ka nxjerrë aty përballë. Vijnë aty përballë sepse aty i kërkon ligji. Ata janë shteti aty, nuk janë ca individë mbi të cilët mund të demonstrohet forcë, mbi të cilët mund të bëhet presion e shantazh dhe të cilët mund të preken me dorë me kollajllëkun më të madh. Përshembull, duke referuar pamjeve që mbështesin akuzat absurde për terror policor në Shqipëri, pamjeve të atyre që refuzojnë të lëvizin nga një godinë që duhet shembur sepse do të ndërtohet një vepër publike, apo nga një godinë që duhet çliruar sepse ka një projekt tjetër për të, faktikisht synohet nxitja e dhunës kundër shtetit dhe kundër punonjësve të Policisë së Shtetit, me qëllimin absurd të “përmbysjes së regjimit”. Cilit regjim?

Këtu, unë ngre një shqetësim, ndërkohë që, padiskutim, Policia e Shtetit, në të gjithë tërësinë e arritjeve të veta ka ende shumë për të bërë, për ta shtrirë sjelljen e vet profesionale dhe qytetare deri në qelizën e vet më të fundit dhe për ta bërë sjelljen profesionale e qytetare një sjellje konstante 24orë në 7 ditë të javës. Por konsolidimi i idesë se me policët mund të sillesh si të duash, kur ata janë në krye të detyrës, ka krijuar bindjen e gabuar tek individë të caktuar se mund t’i bëjnë policit çfarë të duan dhe polici nuk duhet të reagojë.

Nuk po sjell shembullin e Shteteve të Bashkuara, ku, sipas protokollit të normuar e të stërnjohur të Policisë së Shtetit, kur polici i shtetit të ndalon makinën, duhet të vësh duart tek timoni dhe nuk duhet të lëvizësh asnjë gisht, ose kur të thotë dil, duhet të vësh duart tek makina dhe s’duhet të lëvizësh asnjë centimetër. Nuk po i referohem kësaj, por po i referohem të gjitha policive të shteteve dhe protokolleve të  tyre në BE, ku për shkak të kësaj situate kam lexuar i interesuar për të kuptuar dhe mësuar unë dhe nuk kam gjetur në asnjë rast, asnjë protokoll ku presupozohet prekja me dorë e Policisë së Shtetit.

Kjo ide duhet zhbërë. Natyrisht duhet zhbërë me profesionalizëm, me qytetari dhe forcën e ligjit.

Urdhrat, thirrjet dhe kërkesat e policisë nuk mund të diskutohen. Ato vetëm duhet të zbatohen.

Natyrisht nuk dëshiroj të shpjegoj këtu, pse sot, nëse do të shohim se kush e sulmon Policinë e Shtetit, se kush e teorizon dhunën, se kush përpiqet që ta mveshë me fjalë tërheqëse rreth zhgënjimit dhe frustrimit popullor atë që është e patolerueshme, ushtrimin e dhunës, është ose pjesë e amnistuesve pa kushte të masakrës së 21 janarit, ose pjesë e një agjende politike, për shkak të së cilës, Policia e Shteti ka vuajtur për kaq shumë vite.

Është goditur Policia e Shtetit sepse Policia e Shtetit është një nga shëmbëlltyrat më kuptimplota të ndryshimit që ka ndodhur në këto 7 vite e pak. Është goditur dhe goditet Policia e Shtetit, sepse Policia e Shtetit është bërë gjithmonë e më shumë e shtetit dhe gjithmonë e më pak e individëve dhe nuk është më fare e pushtetit.

I them këto për të gjithë punonjësit e policisë që natyrisht janë edhe prindër, janë edhe anëtarë familjesh, kanë edhe ata kohën e lirë dhe në atë kohë konsumojnë lajme, konsumojnë debatin publik dhe politik, që të jenë shumë të qartë për këtë fakt. Nuk është sakrifica, mundi dhe puna e tyre që kanë shkuar dëm, por është e kundërta. Sakrifica, mundi dhe puna e tyre kanë dhënë rezultat dhe janë rezultatet, arsyeja pse Policia e Shtetit sulmohet.

Hidhen përpjetë ndaj qeverisë sikur Policia e Shtetit të jetë një polici e keqpërdorur e ndonjë regjimi amerikano-latin. Ndërkohë që e vërteta e thjeshtë, faktike, është dhe nuk e përmenda më kot në fillim anketimin e qeverisë suedezë, se Policia e Shtetit në të gjithë këtë periudhë, jo bazuar në të thënat e mia apo tonat që nuk jemi efektivë policie, nuk jemi as autoritete të pavarura nga bindjet politike, por bazuar në të gjitha referencat ndërkombëtare, si edhe ky anketim, në vite, vit pas viti është bërë gjithnjë e më e besueshme, gjithnjë e më e mbështetur nga opinioni publik. Nuk është opinioni publik një pakicë që arrin të bëjë zhurmën dhe të përziejë përditë e përditë, – ndjesë për shprehjen, – zorrët e këtij populli përmes mjeteve që ka, përmes lugëve, pirunëve, thikave që ka, pjatave, tepsive, kazanëve që ka. Fati ynë i madh është që jemi pjesë e një populli shumë të mençur, që nuk merret dot për budalla.

Unë nuk e harroj e prandaj thashë, do ta filloj nga fundi për të ardhur tek fillimi, pse ndodhi protesta dhe dua ta ndaj shumë qartë pjesën që ka të bëjë me protestat ditë pas dite dhe me vetë protestën. Atë që erdhi si rezultat i një arsyeje jashtëzakonisht të fortë për të protestuar. Një arsye jashtëzakonisht njerëzore dhe jashtëzakonisht të natyrshme, vrajsa e një të riu natën, në një situatë absolutisht të pa ngarkuar me asnjë element apo rrethamë objektive psikologjike të ndonjë operacioni nga një efektiv policie.

Është tejet tronditëse për këdo!

Edhe unë vetë, nëse nuk do isha në këtë pozicion, do kisha dale në protestë, patjetër. Do kisha dalë në protestë, jo për të gjuajtur policinë me gurë, as për të thyer xhamat e Muzeut Kombëtar apo të Bibliotekës Kombëtare, as për të ardhur e për t’u zhgarravitur nëpër qepenat e Ministrisë së Brendshme, për t’u kujtuar njerëzve dhe vetes prejardhjen e njeriut. Por për të kërkuar drejtësi për Klodianin.

Në atë moment të parë, kur shoqëria reagon si një familje, sepse një anëtar i familjes së madhe të një komuniteti të madh, të një bashkësie ka humbur jetën, jo aksidentalisht, por për shkak të atyre që familja ka besuar për t’u mbrojtur, gjëja më e natyrshme, ajo që ndodh në vende demokratike kur ka ngjarje të tilla, – se ngjarje të tilla kanë ndodhur në çdo vend demokratik, – është që shoqëria mblidhet dhe reagon për të thënë, bashkësia jonë është këtu, bashkësia jonë po ju shikon, o prokurorë, o gjykatës o autoritete, prandaj shikoni me sytë tanë dhe mos i bishtnoni të vërtetës.

Por këtu është bërë e zakonshme që në kanalet dhe në portalet e Shqipërisë të dëgjosh e të lexosh shumë më tepër për arsyet justifikuese për dhunën, për vandalizmin, për halabakërinë si mjet për të rrëzuar sistemin, – përdorin këtë fjalë “sistemin”, se cilin sistem do rrëzojnë dhe cilin sistem do ngrejnë, kjo është natyrisht e paqartë, siç është e paqartë mendja që prodhon të tilla predikime, – sesa të dëgjosh për fillin e arsyes, për mënyrën si duhet arsyetuar në këtë rast. E në këto raste duhet arsyetuar duke u bazuar tek faktet dhe pa i përzier emocionet e një ngjarje kaq tragjike me agjendat politike, apo dhe me emocionet personale të çfarëdo natyre.

Djali u vra në rrethana që tanimë janë zbardhur dhe nuk kanë kaluar një muaj, apo një vit, apo 7 vjet. Kanë kaluar vetëm pak ditë dhe reagimi ndaj kësaj ngjarjeje nga ana e Policisë së Shtetit, në radhë të parë, e Ministrisë së Brendshme menjëherë pas saj, – kam parasysh radhën e marrjes së njoftimit – dhe strukturave të tjera më pas, nuk ka asnjë krahasim për mirë me reagime të ngjashme për vrasje të caktuara.

Sot, në Shqipëri ka akoma të vrarë që kërkojnë drejtësi. Madje, mes tyre ka të vrarë, vrasja e të cilëve është kthyer në film dhe për të cilët është arritur të manipulohen prova.

Është e rëndësishme t’i kujtojmë këto.

Nuk janë ngjarje të para 100 vjetëve, janë ngjarje të bashkëkohësisë sonë.

Ndërkohë që një efektiv i patrullës policore vret një njeri. Policia e Shtetit, gjëja e parë që bën, heq dorë, siç është e menjëhershme në logjikë, sepse ka konflikt interesi dhe është SHҪBA-ja që merr menjëherë situatën, për të hetuar ngjarjen, siç është e menjëhershme në logjikën e punëve të kësaj strukture dhe në standardin ligjor e moral të kësaj policie dhe të kësaj Ministrie të Brendshme. Është SHҪBA-ja që fillon veprimet dhe pastaj hyn në bashkëpunim me prokurorinë.

E në ndërkohë që në kohë reale jepen njoftime, nga ana tjetër fillon trazimi i lugëve, i pirunëve, i thikave, i tepsive, i kazanëve, për të deformuar në pafundësi ecurinë e një procesi kaq delikat, kaq sensitiv, me gjithë këtë barrë të madhe psikologjike mbi të gjithë ata që janë marrë me këtë punë si pjesë e efektivëve të policisë apo si pjesë e kësaj strukture. Duke arritur deri në manipulimin nga padia, por padia adresohet në dy mënyra; Kur ke qëllim të mirë, padia adresohet duke pyetur, duke u interesuar dhe duke marrë opinionin e atij që nisesh të abuzosh, ose adresohet duke u nisur nga qëllimi i keq, sikur qeveria me vendimin e vet, për të dhënë një pension të veçantë, që është një akt marrjeje përgjegjësie, një akt marrjeje pjesë në dhimbjen e familjes, e paska rivrarë viktimën duke e quajtur vrasjen aksidentale. Ndërkohë që ligjërisht gjuha është e qartë; aksidentalisht nga veprimet e policisë. Nëse do ishte vrarë aksidentalisht si aksident, nuk kishte pse të merrte pension të veçantë. Ka shumë njerëz që bëjnë aksidente, për fat të keq, por nuk marrin pension të veçantë familjet nga qeveria.

Pa shkuar tek dorëheqja e Ministrit të Brendshëm, të cilit ia kam shprehur dhe do t’ia shpreh përpara jush respektin dhe mirënjohjen për këtë leksion qytetarie në kryerjen e detyrës si pjesë të detyrës, të kuptimit të thellë të kësaj detyre.

Jemi në kushtet kur asnjë krahasim me të shkuarën nuk është i mundshëm, por të jemi të qartë e të vetëdijshëm se sfida jonë është me të ardhmen dhe në raport me të ardhmen ka shumë për të bërë akoma. Kjo që ndodhi, sigurisht ishte një rrufe në qiell të pastër për shkak të skajshmërisë në ushtrimin brutal të forcës, gjë që nuk ka ndodhur më parë, asnjëherë, por nuk duhet të mbetet pa një reflektim për gjithë sistemin e organizimit, le të themi, të “Shqiponja”-ve. Ҫfarë do të thotë kjo?

Nuk është nevoja të ndodhë prapë dhe kurrë mos ndodhtë më për 1000 vjet dhe nuk është nevoja që të jetë kaq ekstreme ngjarja, por duhet të vlejë për të analizuar në të gjitha nivelet tekniko-profesionale dhe në aspektin e motivimit psikologjik, shkallën e gatishmërisë së trupave që janë në atë zinxhir, nivelin e trajnimit, cilësinë e trajnuesve, procesin e trajnimit si proces më vete. Pa shkuar tek ekstremet, kemi bërë jashtëzakonisht shumë së bashku dhe kjo është merita e Policisë së Shtetit, nuk është merita ime apo e drejtuesve të kësaj Ministrie, në radhë të pare, për të larguar gjithmonë e më shumë efektivin e policisë në rrugë nga lidhja e menjëhershme me bakshishin, me korrupsionin.

Por nuk duhet të gënjejë mendja askënd se kjo është një betejë e fituar. Është një betejë që duhet të vazhdojë. Nuk është më përjashtim kur nuk të ndodh, është përjashtim kur të ndodh, por është një përjashtim që nuk është i pandjeshëm për qytetarët, pra, nuk është një rast apo dy. Janë më shumë se një apo dy raste. Siç ka edhe raste shqetësimesh për drejtues të niveleve të catuara në territor.

Të gjitha këto duhen parë me vëmendje, sepse ajo që ndodhi nuk e kthen më në jetë Klodianin, sikur ne të gjithë bashë të jemi të gatshëm të japim edhe jetën tonë, në sensin e fjalës, por ajo që ndodhi duhet të shërbejë jo vetëm që kurrë më të mos ndodhin të tilla tragjedi, por që shumë më pak të ndodhin edhe nga ato që nuk janë tragjedi, por janë drama qytetarësh. Drama të evitueshme në raportet me shërbimin nga ana e Policisë së Shtetit, të çfarëdo niveli qofshin. Është bërë një punë e jashtëzakonshme për të evituar gjithë ato strese, radha, gjullurdi e pisllëqe në shërbimet e Policisë së Shtetit, por ka akoma për të pastruar. Besoj që për këtë jemi të gjithë dakord dhe unë dua t’i shpreh një falenderim dhe mirënjohje të veçantë drejtuesit të SHҪBA-së për rastin konkret.

Nuk ka nevojë t’i bëj historinë. Historia e tij dihet, një nga oficerët veteranë të Policisë së Shtetit që në më shumë se një rast e ka treguar që i shërben gjithmonë shtetit dhe ligjit, por në këtë rast, aspak të lehtë për nga domosdoshmëria për ta zbardhur edhe shpejt, edhe saktë dhe nga fakti që ndodhi në mes të natës në një periferi, ka udhëhequr procesin me një profesionalizëm fantastik. Ka lehtësuar jashtëzakonisht shumë Policinë e Shtetit, ka lehtësuar shtetin nga barra e dyshimeve apo e akuzave apo e brengës për moszbardhjen si duhet të ngjarjes.

Ngjarja sot nuk është më një çështje midis kush e thotë më bukur versionin e vet, pala e dëmtuar apo pala dëmtuese. Ngjarja është shumë e qartë. Dhe nëse ngjarja është shumë e qartë, kjo është meritë e Met Rrumbullakut si drejtues i SHҪBA-së dhe i të gjithë të tjerëve, ekipit të tij, prokurorisë. Pa i hequr asnjë vlerë dhe ansjë meritë askujt, dua ta theksoj pa diskutim, edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe Ministrit të Brendshëm për integritetin dhe për respektimin e procedurave, duke shkuar të gjithë në të njëjtin drejtim, të zbardhet e vërteta, të zbardhet një orë e më parë, të zbardhet me drejtësi.

Do të kemi ditë të tjera për të diskutuar. Unë jam këtu për të dëshmuar kalimin e stafetës nga Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, me të cilin kam pasur fatin dhe kënaqësinë të punoj për një kohë relativisht të gjatë, se koha në këtë detyrë është më e gjatë se koha kur nuk ke punë. Në të dyja pozicionet, qoftë në rolin e këshilltarit, qoftë në rolin e ministrit më ka dhënë kënaqësi puna me Sandrin. Ka qenë një sfidë intelektuale, në radhë të parë, në ballafaqimin e opinioneve, në sinqeritetin e shprehjes së mendimeve. Kemi pasur dakordësi të vazhdueshme, për të mos qenë domosdoshmërisht dakord gjithmonë në mënyrë që raporti ynë të jetë perfekt, përkundrazi, raporti ynë ka qenë dhe është perfekt për shkak se edhe kur nuk kemi qenë dakord, kemi vazhduar të ndërveprojmë, të komunikojmë e të krijojmë dakordësi, duke pasuruar njëri-tjetrin.

Sandri besoj që një ditë do ta dëshmojë që e ka dhe me eksperiencë personale që unë, ndryshe nga sa dukem, jam nga ata që tërhiqem më shpesh se saç tërhiqen të tjerët para meje, kur është fjala tek argumentet e kundërt.

Nga ana tjetër më vjen shumë mirë që këtu, për të marrë stafetën, është një tjetër bashkëpunëtor i kahershëm, Bledi Ҫuçi, i cili e njeh këtë godinë, – atëhere nuk ka qenë kaq e bukur, – sepse ka punuar me pushtetin vendor për shumë kohë, ka qenë pjesë e strukturës së Minsitrisë së Pushtetit Vendor që ishte si të thuash ministria binjake e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Po përtej faktit të një eksperience të gjerë me pushtetin vendor dhe me gjithë aspektet e punëve të brendshme që kanë të bëjnë jo drejtpërdrejtë me Policinë e Shtetit, por me Ministrinë e Brendshme si e tillë, ministri i ri ka sot, edhe më shumë eksperiencë në drejtim. Ka qenë Ministër i Shteti për Antikorrupsionin, ka drejtuar për një periudhë jo të shkurtër Ministrinë e Bujqësisë dhe të Zhvillimit Rural, kështu që e ka të qartë shumë që punët e brendshme nuk janë vetëm rend në aspektin e qetësisë dhe të luftës me krimin, por janë shumë më tepër se kaq. Atë punë të filluar bukur nga Sandri, por që është ende në fillimet e saj, për të garantuar rendin në territor jo vetëm në sensin e përballjes me elementët kriminalë që kërcënojnë integritetin fizik të të tjerëve, por dhe të përballjes me ata që bëjnë krimin mbi pronën, mbi mjedisin, mbi tokën bujqësore, krime mbi të gjitha këto që prej kohësh janë të përfshirë në objektivat e Policisë së Shtetit, por që ende nuk janë integruar si objektiva të barazvlefshëm për ato struktura që duhet të merren me këto. Nga ana tjetër, edhe për aspektin që ka të bëjë me çuarjen përpara dhe finalizimin e procesit antik të vendosjes përfundimtare të adresave në këtë shtet. E me radhë plotë të tjera, deri me organizimin apo riorganizimin e prefekturave.

Besoj se me ardhjen e ministrit të ri krijohen premisat që puna të vazhdojë, ritmi të rritet, që ndarja e punëve mes Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të shkojë duke u konsoliduar dhe u qartësuar deri në fund, që ministri i Brendshëm të konsolidojë atë profil që Sandri filloi të ndërtonte për ministrin e Brendshme si një figurë drejtuese e punëve të brendshme, jo si polici numër një i Shqipërisë.

Kam besim që ju që jeni këtu të pranishëm do t’i jepni mundësi ta fillojë punën pa humbur kohë, duke pasur parasysh që këtu ka një eksperiencë të jashtëzakoshme nga ana e atyre që drejtojnë Policinë e Shteti apo Ministrinë e Brendshme. Ka një eksperiencë jo të vogël edhe nga gjithë ekipi i zëvendësministrave që tani nuk janë më aq të rinj, sa ishin kur e kanë marrë këtë detyrë.