Sheshi i Flamurit, hapësira simbol e qytetit të Vlorës, ka nisur të rindërtohet sipas një projekti ambicioz që do ta kthejë në një hapësirë të integruar me parqet e kodrën e Varrezave të Dëshmorëve. Njëkohësisht me të ka nisur Faza e dytë e rehabilitimit të Zonës Historike, ku do të shtrihet infrastruktura e re rrugore e nëntokësore, si edhe zgjerohet në mënyrë të konsiderueshme hapësira këmbësore.
Gjatë inspektimit në shesh, Kryeministri Rama u njoh në detaje me projektin e ekspozuar, i cili premton si asnjëherë më parë, shfrytëzimin e hapësirave publike, duke ruajtur elementët e traditës dhe duke shkrirë në mënyrë të natyrshme historinë e Pavarëisë me atë Luftës Nacionalçlirimtare.
“Projekti, duke nisur nga zona e katër topave, parashikon ndryshime të rëndësishme përreth Monumentit të Pavarësisë, monument ikonë i të gjithë historisë së shqiptarëve, kryesisht rehabilitim të hapësirës ku është vendosur shtiza e flamurit dhe krijohen hapësira të tjera, të cilat ecin pas muzeut duke ruajtur pjesën monumentale”, – u shpreh kryebashkiaku Leli
Gjithashtu, projekti parashikon që të pritet kulla e papërfunduar asnjëherë në mes të sheshit dhe baza e saj prej tre katesh të larta do të transformohet në një qendër komunitare për të gjitha moshat, me hapësira argëtuese e kulturore, duke krijuar edhe një tjetër stacion për vizitorët e turistët.
“Duhet garantuar sjellja e vincit të lartë, që ta prishim pjesën e sipërme. Pjesën e poshte do ta mbajmë publike, do jetë pronë e bashkisë dhe do ta programojmë me hapsira për të gjitha moshat, me një hapësirë muzeale për artin që është një atraksion i madh turistik, salla për rininë, bibliotekë, internet, mjedise për të moshuartit, për fëmijët, me lodra, duke u kthyer në një qendër të madhe komunitare.” – tha Kryeministri Rama, i cili diskutoi me Kryetarin e Bashkisë së Vlorës dhe specialistët e fushës mbi projektin e ekspozuar, duke sugjeruar ide për t’i bërë sa më funksionale hapësirat në dispozicion të qytetarëve.
Newsroom
Transformimi i Sheshit të Flamurit, hapësirës simbol të Vlorës