Qendra e parë e vaksinimit anti-Covid19 po instalohet në Stadiumin Air Albania në kryeqytet. Mjekët dhe infermierët e këtër spitaleve COVID në Tiranë janë kontigjenti i parë që do të përfitojnë mbrojtjen përmes vaksinës dhe më pas do të vijohet sërish me mjekë dhe infermierë të urgjencave dhe reanimacioneve. Në mënyrë të detajuar, procedurën e vaksinimit brenda Qendrës së parë, e shpjegoi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës që Kryeministri Rama bëri në mjediset e Air Albania, atje ku baza logjistike po kompletohet për të nisur vaksnimin.
“Tashmë po vjen baza e logjistikës për të përgatitur, sikurse kemi realizuar planin për vaksinimin për grupet e riskut, duke nisur me mjekët dhe infermierët. Po bëjmë gati gjithë infrastrukturën dhe planin e organizimit në Arenën Kombëtare. Tashmë janë vendosur bokset e para të vaksinimit me të gjithë elementët përkatës. Kemi planifikuar që në momentin e parë që vijnë sipas lajmërimeve të gjithë personat që do të vaksinohen, si do të hyjnë në bokset e vaksinimit, si do të bëhet regjistrimi, si duhet të organizohet qëndrimi i tyre. Paraprakisht janë marrë masat për të gjithë elementët e sigurisë se kjo është e rëndësishme, duke filluar nga bokset e para.
Do të kryehen disa procese. Fillimisht do të ulen në poltronat e paravaksinimit, ata që do të vaksinohen, duke plotësuar nga mjeku anamnezën. Pastaj bëhet vaksinimi dhe më pas qëndrohet në një hapësirë të veçantë deri në 30 minuta pas vaksinimit për të parë reagimin. Do të kemi skuadrat e vaksinatorëve, mjekëve, si dhe koordinatorëve që do të lehtësojnë gjithë këtë proces. Do te kemi ekipet e urgjencës për çdo eventualitet, të cilat do të vendosen në postacione të përcaktuara. Aktualisht janë vendosur dhe po vijojnë të vendosen postacionet, janë vendosur 20 deri tani. Në tërësinë e unazës të të gjithë Arenës do të jenë 60 postacione për vaksinimin. Parashikojmë që çdo një orë të vaksinohen 60 ose ndoshta diçka më shumë qytetarë dhe të vijojë kështu 8 deri në 10 orë në ditë. Sigurisht vaksinat e para që do të vijnë i dedikohen sipas planit tonë të vaksinimit grupeve të riskut. Aktualisht kemi bërë gati të gjitha listat e mjekëve dhe invermierëve, të katër spitaleve COVID dhe më pas me mjekët, inferemierët e urgjencave, reanimacioneve”, – detajoi Ministrja Manastirliu, e cila shtoi se “jemi në fazën ku po trajnojmë ekipet, pasi vaksina e re kërkon trajnim të të gjithe ekipeve dhe jemi duke trajnuar të gjithë ata që do të jenë pjesë e këtij procesi që do të jetë sfida e radhës për ne.”
Ndërkohë po vijon puna edhe me qendrat e tjera, hap pas hapi.
“Paralelisht me Tiranën, sigurisht, sipas një kalendari, duke bërë trajnimet e nevojshme do të vazhdojmë me Vlorën dhe me Shkodrën, duke hapur dhe qëndrat e tjera në të gjitha vendin. E rëndësishme është që për vaksinën Pfizer dhe Biotech, ne kemi kapacitetin për të pritur 30 mijë vaksina, pra, kemi siguruar kapacitetet frigoriferike për 30 mijë vaksina, ndërkohë që jemi duke punuar për të rritur këto kapacitete. Depot frigorike deri në – 20 gradë i kemi sepse janë investime që qeveria shqiptare i ka bërë qoftë në depot e QSUT-së, qoftë në Agjencinë e Barnave dhe në Insitutin e Shëndetit Publik. Përsa i përket rrjetit të vaksinave që praktikisht është Astra Zeneca, që është 4 deri në 8 gradë, kjo është pjesë pastaj e gjithë rrjetit të qendrave shëndetsore që kanë kapacitete dhe frigoriferët për t’i patur dhe ajo është vaksinë shumë më lehtë e administrueshme”, – u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.
Një punë e rëndësishme do të bëhet edhe në bashkëpunim me AKSH-in për regjistrimin e personave të vaksinuar. “Jemi duke punuar me AKSH-in për të bërë të mundur që në një kohë të shpejtë të mblidhen të gjitha të dhënat e atyre që do të bëjnë fazën e parë të vaksinimit. Do të kemi kartat për çdo të vaksinuar, ku do të vendoset data e vaksinimit, seria e vaksinave që vijnë dhe gjithashtu data e paraqitjes pas 21 ditësh, po në të njëjtën skemë. Siç do të organizohet hera e parë, do të organizohet edhe hera e dytë e dozës së dytë të vaksinës”, – vijoi Manastirliu.
Ndrësa Kryeministri Rama bëri të ditur se vaksinimi mund të fillojë edhe më shpejt sesa parashikimi, falë punës intensive diplomatike në shumë drejtime. “Në të gjitha rastet, ne do të fillojmë në javën e tretë të janarit, por të shpresojmë që do të fillojmë më shpejt, sepse jemi në komunikime nga të katër anët dhe kemi besim që do të fillojmjë edhe më shpejt, falë disa kanaleve preferenciale që kemi hapur. Dua t’ua them të gjithëve që jemi në një fazë shumë pozitive sa i përket perspektivës së kësaj lufte. Kemi siguruar 500 mijë vaksina dhe njëkohësisht kemi siguruar një trend vaksinimi që i përgjigjet strategjisë dhe planit të kalendarizuar. Patjetër që nuk do të presim, por menjëherë do të mbështesim spitalin COVID të Prishtinës, gjithë strukturën e spitalit Infektiv. Hap pas hapi do të shohim si do të shkojnë gjërat edhe për pjesën tjetër të popullit tonë në shtetin tjetër dhe do jemi pranë tyre, nuk diskutohet pa asnjë hezitim. Ajo që është e rëndësishme është që për të gjithë këtë punë janë bërë të gjitha përgatitjet dhe si nga fillimi deri më sot, ne nuk jemi asnjëherë një hap pas asaj që vjen, do jemi gjithmonë një hap përpara. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, – u shpreh Kryeministri Rama.