MEPJ – Kalimi i stafetës tek ministrja Olta Xhaçka

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e Ministres Olta Xhaxhka, në Ministrinë e Punëve të Jashtme:

 

Shumë faleminderit Gent! Patjetër faleminderit për të gjithë përpjekjen për të gjithë vullnetin dhe përkushtimin në kryerjen e kësaj detyre.

Fatkeqësisht, duke qenë i detyruar që ta kryesh detyrën në mënyrë të penguar qysh në krye të herës, si rezultat i një ngërçi absurd të krijuar institucionalisht, – nuk ka nevojë të zgjatem sepse dihet historia dhe kjo tanimë i përket të shkuarës, – por përtej kësaj, unë besoj që në këtë periudhë dyvjecare, detyrat jo të lehta dhe kohët jo të lehta që ka kaluar ky institucion janë përballur me dinjitet, me profesionalizëm dhe sukses.

Padiskutim që për mua ka qenë një barrë e shtuar dhe në kushte të tjera do të ishte krejt e  panevojshme sepse Genti i ka pasur dhe i ka të gjitha kapacitetet për ta mbajtur këtë barrë plotësisht, por nga detyrimi i pashmangshëm për ta përfaqësuar Shqipërinë edhe formalisht në nivelin më të lartë të këtij institucioni, në kryesimin e OSBE-së dhe për të mos lejuar që, për shkak të formalitetit, mungesa e ministrit të jashtëm të dekretuar të kthehej në një mundësi për të krijuar apo stimuluar keqkuptime brenda gjithë familjes së madhe të OSBE – e mora këtë angazhim.

Jam shumë i lehtësuar sot që këtë angazhim sot t’ia kaloj Oltës, kalim për të cilin më vjen mirë që kemi pasur, jo vetëm një dakordësi, por dhe një qasje të përbashkët me Gentin, në kushtet kur në këtë fazë, Ministria për Evopën dhe Punët e Jashtme ka nevojë që të ketë në krye një drejtues me funksion të plotë, jo vetëm përmbajtësor, por dhe formal, pasi nga sfida e kapërcyer, ma ha mendja, me shumë sukses, çka është dhe botërisht tanimë fakti i mirënjohur e kryesimit të OSBE, duhet të përgatisim deri në fund dhe t’ia dalim deri në fund sfidën jo më pak të lehtë dhe jo më pak të rëndësishme të tw qenit pjesë e tryezës së Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara.

Janë dy maja realisht, deri jo shumë kohë më parë, të paimagjinueshme për Shqipërinë në fushën e marrëdhënieve me jashtë dhe në fushën e përfaqësimit në skenën ndërkombëtare. Kam bindjen që siç ja dolëm me sukses të pares, do t’ia dalim me sukses edhe të dytës.

Dua, jo për formalitet, por për hir të së vërtetës, të falenderoj nga zemra Gentin për gjithshka që bëri në këto 2 vite në këtë detyrë aspak të lehtë dhe përtej faktit që u godit në mënyrë sa absurde, aq edhe të shëmtuar, dhe për të qenë i paragjykuar, – ia doli që sidoqoftë ta mbajë me sukses barrën dhe të tregojë hap pas hapi, të gjitha cilësitë e tij krejt të veçanta, që jam i bindur që do ketë kohën dhe mundësinë t’i shpalosë të plota të gjitha në të ardhmen, në funksion të asaj që dhe ai vetë e tha, të kësaj lidhjeje të pazgjidhshme me Shqipërinë dhe të pasionit të tij për politikën, që unë e njoh mirë nga afër dhe që është një pasion i mbështetur në atë zjarrin e brendshëm të talentit politik, por edhe në një kulturë të gjerë dhe dije mbresëlënëse.

Nga ana tjetër, më vjen shumë mirë që stafeta sot i kalon Oltës, e cila tanimë ka një eksperiencë jo të vogël dhe me punën e saj në krye të një tjetër dikasteri shumë të rëndësishëm, ku marrëdhëniet strategjike të Shqipërisë dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me aleatët dhe partnerët e vet janë punë e përditshme. Është në lartësinë e duhur për ta marrë këtë stafetë dhe për të çuar përpara punën e këtij institucioni. Natyrisht që, ky institucion ka një bazë të kahershme shumë solide, por si në çdo hapsirë tjetër të jetës së organizuar institucionale apo shoqërore, ka patjetër nevojë për të çuar, jo vetëm përpara punët dhe marrëdhëniet me të tjerët, por dhe ripërtëritjen dhe transformimin e vet të brendshëm në funksion të të qenit vazhdimisht në lartësinë e kohës dhe në lartësinë e sfidave që sjell koha.

Edhe njëherë, Gent shumë faleminderit!

Ne do vazhdojmë rrugën sëbashku pavarësisht ndryshimit të pozicioneve dhe besoj që me eksperiencën që bashkarisht kemi nga puna e drejtpërdrejtë me këtë ministri, ti në mënyrë të përditshme dhe unë pak më i distancuar, do të jemi një mbështetje e posaçme për Oltën, e cila faktikisht do të jetë drejtuesi i parë në Ministrinë e Jashtme, që do të ketë mundësinë të jetë e këshilluar nga një dyshe si unë dhe Genti dhe që do ketë këshilltarë të drejtpërdrejtë edhe kryeministrin edhe paraardhësin.

Shumë faleminderit edhe njëherë të dyve!