Konferencë për shtyp, Ekonomia në Fokus

Kryeministri Edi Rama në konferencë për shtyp Ekonomia në Fokus, me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe ministrin e Mbrojtjes për bilancin e pasreshjeve të dendura, si një pasqyrë e ndryshimit të ndjeshëm që ka ndodhur falë masave e punës së bërë në vitet e fundi:

 

Kryeministri Edi Rama: Situata me të cilat jemi përballur në ditët e mëparshme dhe e konsiderojmë të vlefshme këtë përmbledhje, për të ndarë me publikun të dhënat, faktet, shifrat e një bilanci shumë pozitiv, sipas nesh, që është pasqyrë e kalimit me sukses të një testi shumë sfidues.

Kemi qenë jashtëzakonisht të shqetësuar, duke ndjekur parashikimet e motit dhe mbi bazën e të dhënave, përgjithësisht të sakta dhe të provuara si të sakta ndër vite të IGJEUM-it dhe ministri i Mbrojtjes është këtu, bashkë me mua, sepse Ministria e Mbrojtjes koordinon të gjithë aktorët e tjerë në rast emergjence dhe vijimësisht ka ndarë me mua të dhënat progresive të situatës përpara dhe gjatë ditëve me reshje shumë të dendura.

Ministria e Bujqësisë ka rolin e vet për arsye që dihen dhe ministrja është këtu me mua për të ndarë pjesën që i takon Ministrisë së Bujqësisë në këtë bilanc. E mira do të ishte që bashkë me ne të ishte edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila nuk është prezente për shkak të një angazhimi tjetër. Janë këto tre ministri dhe këta tre ministra që kanë qenë vija e parë në këtë përballje dhe që sot kanë shumë për të thënë lidhur me rezultatin.

Sigurisht nuk bën lajm çfarë nuk ndodh, por qeveritë vlerësohen jo vetëm për atë që bëjnë dhe që reflektohet në atë që duket drejtpërdrejtë, por edhe për atë që nuk lejojnë të ndodhë e që sigurisht reflektohet në atë që duhet vënë në pah, pse nuk ndodhi.

Bazuar në sasinë e reshjeve me të cilat ne jemi përballur këtë herë dhe bazuar në shifra krahasimore të sasive të reshjeve në momente shumë kritie të së shkuarës, kur reshje më të pakta kanë sjellë situata katastrofike, ne këtu do t’ju sjellim ju dhe përmes jush edhe publikut, pasqyrën e një situate, e cila lidhet me një punë të përditshme dhe të përvitshme për këtë ditë, lidhet me investimet e mëdha që janë bërë në sektorin e kullimit, lidhet me reformën që ende vazhdon, por që tanimë e ka dhënë rezultatin e parë, të të gjithë strukturës dhe të vetë varësisë së Emergjencave Civile, që lidhet më në tërësi me ngritjen në një nivel tjetër të shtetit. Kur them shtetin, kam parasysh funksionimin e të gjitha hallkave, që nga ministri i Mbrojtjes, deri tek kryeplaku i fundit në terrën. Duke kaluar përmes strukturave të tjera, ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për specifikën e veçantë, që ka të bëjë me kaskadën e Drinit, e për të vazhduar me Ministrinë e Bujqësisë e kështu me radhë. Pa harruar, përundrazi, duke vënë në pah punën e madhe që është bërë nga strukturat e pushtetit vendor, si rezultat i reformës të bërë dhe kalimit të përgjegjësisë së administrimit të një pjese të konsiderueshme të kanaleve kulluese tek pushteti vendor, mbështetur kjo me financime direkte nga qeveria.

Situate ka qenë kritike nga liqeni i Shkodrës, deri poshtë në Vjosë. Përballimi i saj ka qenë vërtetë për të marrë frymë të lehtësuar, por edhe një mundësi për të nxjerrë mësime të tjera dhe për të parë çfarë duhet të bëjmë më mire, sidomos në aspektin e koordinimit të të gjitha forcave.

E keqja harrohet shpejt dhe e mira nuk ka fund. Kjo është natyra njerëzore, por është e pakrahasueshme, situata e përmbytjeve e atyre momenteve kur ka pasur reshje të dendura, vërtetë, në të shkuarën dhe situate sot. Janë të pakrahasueshme shifrat dhe faktet. Kjo e gjitha lidhet me punën e bërë, sepse çfarë vjen nga lart, ne nuk e kemi në dorë, por sa arrin poshtë, ta lehtësojmë ngarkesën që vjen nga lart, ne e kemi në dorë.

Sigurisht, çeshtja e kaskadës së Drinit lidhet me një mungesë objektive qysh kur kaskada është ndërtuar, mungesën e Skavicës. Ndërtimi i Skavicës, të cilën ne e kemi futur në proces dhe do të jetë realitet në mandatin e ardhshëm, si rezultat i procesit ku ka hyrë në bashkëpunim me qeverinë amerikane, do të mbyllë kapitullin e frikës nga shkarkimet e hidrocentraleve. Derisa të jetë Skavica aty, që është rezervuari ujëmbledhës dhe balancuesi i kaskadës, për të mos lejuar që asnjë pikë ujë të mos shkarkohet, por çdo pikë uji të kthehet në energji, sfida e menaxhimit është sfida kryesore. Ne e kemi fituar këtë here sfidën e menaxhimit, falë jo vetëm ndjekjes me përpikmëri të të gjithë procedurave, por edhe vëmendjen 24 orë në 24 të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe aftësisë profesionale dhe integritetit profesional të drejtorit të KESH-it, Benet Beci.

***

Kryeministri Edi Rama: Shifrat nuk i tregojnë të gjitha, sepse nuk është thjesht çështja që ne kemi shumëfishuar investimet në raport me të shkuarën. Ҫështja është edhe se ku kanë shkuar investimet. Është investuar në mënyrë strategjike, apo është investuar në mënyrë taktiko-politike, siç ndodhte në të shkuarën – merri lekët e shpërndaji për politikë e qëllime elektrorale. Ne kemi investuar në mënyrë strategjike, kemi prekur pikat kyçe, pavarësisht se çfarë impakti elektroral, në aspektin taktiko-politik, mund të kenë pasur këto ndërhyrje. Nga ana tjetër, jo vetëm ku kanë shkuar investimet në pikëpamje të strategjisë së investimeve dhe të hapave të planifikuar, pra, prioritetet kryesore, ato dytësore e me radhë, por edhe cilësia e tyre. Në të shkuarën, ne shohim këtu shifra që është investuar X për kanalet kulluese, por nuk kemi gjetur asnjë kanal kullues të zhbllokuar plotësisht. As dhe një! Kjo ishte arsyeja, pse jo vetëm ndodhnin përmbytje me më pak reshje, – ato përmbytjet katastrofike që bënin të evakoheshin mijëra e mijëra njerëz nga shtëpitë, – por edhe uji donte javë e javë të largohej nga shtëpitë. Kalbej dynjaja.

Për të gjithë ata që flasin për çfarë ka ndodhur me bujqësinë, sot, krahasuar me 7 vite më parë, Shqipëria ka më shumë sesa dyfishin e tokës së punueshme që punohet. Në vitin kur ne kemi marrë detyrën, ishin vetëm 120 mijë hektarë tokë që punoheshin. Sot, shifra po i afrohet 270 mijë hektarëve. Ky është tregues i qartë, jo vetëm i impaktit të investimeve për të çuar ujin në parcelë, por është tregues i qartë edhe i faktit që Shqipëria e punon tokën sot.

Jo më kot, në Shqipëri, sot ka një numër rekord eksportesh bujqësore, që nuk krahasohet fare me më parë.

Jo më kot, për herë të parë, pas shumë vitesh të rënies të sistemit të vjetër, Shqipëria ka një ndryshim esencial në defiçitin e vet tregtar. 7 vite më pare, ne importonim 7 dhe eksportonim 1 në produkte bujqësore, në produkte ushqimore. Sot jemi 3 me 1, pra, importojmë 3 dhe eksportojmë 1. Pse sot, ne importojmë më pak se gjysmën e importeve bujqësore të 7 viteve më parë?
Sepse më shumë se gjysma e atyre që importoheshin, janë zëvëndësuar me prodhimin vendas. Ky është fakt, nuk është opinion.

Zoti Kryeministër, përmendët situatën e vitit 2010 dhe ndërkohë u përmend dhe situate e vitit 2020. Reshjet do të vazhdojnë, pasi jemi në kohë dimri. Nga sinoptikantët është thënë që do të ketë ngrica dhe acar në ditët në vijim. A do të zerohen përfundimisht problematikat jo vetëm në Tiranë, por edhe në Shkodër, Lezhë, në Laç, në të gjitha zonat e vendit do kemi zero problematika me situatën e përmbytjeve. Kur do jetë ajo ditë, Zoti kryeministër? Në Tiranë, nuk e kisha për pjesën e përmbytjeve, për pjesën e probemeve në rrugë, të ngricave, problemeve të qarkullimit e këto situata.
Kryeministri Edi Rama: Kur do marrin fund ngricat, këtë nuk mund ta them unë, por, ajo që unë mund të them, është që krahasimi me 2010-ën bëhet vetëm për një arsye. Në 2010-ën kemi pasur një sasi reshjesh që u konsiderua në atë kohë apokaliptike dhe kemi marrë një moment shumë kritik nga pikëpamja e reshjeve. Nuk e kemi marrë për të bërë krahasime qeveri me qeveri, por në 2010-ën e dini shumë mirë se ç’ka ndodhur, u bë hataja e zezë, ku u evakuuan mijëra njerëz nga qyteti i Shkodrës. Qyteti i Shkodrës ishte një qytet ku për disa javë u krijua shërbimi taksi me varka dhe jo në mënyrë figurative, nuk është metaforë. Na bën shumë mirë kujtesa kur bëjmë vlerësime. Jo çdo gjë e ka në dorë robi. Nuk e di a ju kujtohet para disa vitesh, përmbytja e Parisit. Ishte një përmbytje që kërcënoi edhe koleksionet e Louvre, për nga niveli i ujërave. Nuk e di a ju kujtohet përmbytja e madhe e Gjermanisë. Nuk e di a e keni parasysh përmbytjen në Hungari, apo përmbytja dhe jo vetëm një herë, në veriun e Italisë. Nuk e di a e mbani mend përmbytjen në Genova, që e çoi llucën deri në gjysmë të kateve të para. Ka situata që nuk arrin dot t’i përballosh për arsye objektive. Nuk e di a duhet të zgjatem më tutje me krahasimet, por ato vlejnë sepse vërtetë mund të ketë një moment që futet nën ujë një boulevard. Ndodh në Vlorë, ka një moment që futet nën ujë bulevardi dhe rrugët kryesore dhe aty, përveç faktit që aty ka akoma tre ndërhyrje për të bërë për të mbyllur të gjithë ciklin e investimeve në kanalizime, por kini parasysh efektin e lavamanit. Nëse ju hapni lavamanin dhe i jepni presion maksimal ujit, ai do bllokohet dhe jo sepse lavamani është i bllokuar. Ajo që bën dallimit tek dora e robit është për sa kohë ikën uji. Tirana, kur unë jam bërë kryetar bashkie, ishte si Shkodra në 2010-ën nga një shi vere, nuk kishte fare kanale. Uji largohet me shpejtësi të madhe. Është edhe ky fakt.

Ne dimë nga parashikimet që do ketë momente të vështira. Ky ka qenë një moment jashtëzakonisht i vështirë. Ne kemi qenë të alertuar.

[pamje nga përbytjet e vitit 2010] Ky është Zëri Amerikës dhe kjo është Shkodra. Shikoni Shkodrën, urdhëro, shërbim taksi me varka, siç ju thashë, mos ju duket si metaforë. Ja kjo është Shkodra! Këtu nuk bëhet fjalë për ujin e ditës së shiut, bëhet fjalë për ujin në ditë me diell, për të vajtur, për të bërë turizëm. Urdhëro, del skafi nga rrugica. Ky ujë që qëndronte me javë ishte dora e robit, ose më saktë paaftësia, verbëria e robit. Janë dy gjëra të ndryshme.

Ne mund të kemi situata kur mund të kemi prani uji nëpër rrugë, sepse nuk jemi sot, akoma, në kushtet kur kemi mbyllur ciklet e të gjithë kanalizimeve. Por kemi bërë në këto vite, ujësjellës-kanalizime më shumë se të gjitha vitet e tjera, të marra sëbashku. Në vitet e tjera, të marra sëbashku, nuk është thjesht se nuk janë bërë ujësjellës e kanalizime, që nuk janë bërë e nuk janë bërë, por janë bërë dëme aq të mëdha dhe janë krijuar pengesa aq të mëdha në ndërtimin e ujësjellës- kanalizimeve, sa janë marramendëse, me ndërtimet pa leje, me legalizime harbutëshe e kështu me rradhë.

Kështu që jemi në një situatë komplekse. Nuk jemi këtu për të thënë që gjithçka është kryer. Ka akoma më shumë për të bërë dhe nuk e them për parullë, por e them sepse është e vërtetë. Ka akoma më shumë për të bërë, se vërtetë, brenda vitit 2021 do të kemi mbyllur 24 orë ujë të pijshëm për shumicën dërrmuese të qendrave urbane dhe në vitin 2022, Tirana e gjitha do të ketë 24 orë ujë të pijshëm kudo, por ama mos harrojmë që do ketë akoma punë për të bërë, për ta çuar ujin e pijshëm në çdo cep të çdo fshati. Uji i pijshëm 24 orë në çdo cep nuk ka qenë as në kohën e komunizmit, mos e harroni as këtë.

Janë volume të mëdha investimesh, por, përtej kësaj, është aftësi për të parë të ardhmen në sensin e ndërtimit të një strategjie se ku duhet hedhur fondi i parë dhe ku duhet hedhur fondi i dytë, pa e bërë këtë për arsye taktiko elektorale, si dhe patjetër, cilësia e investimeve dhe përballja me shumë pengesa të tmerrshme. Kjo është zona ku përmbytej Fieri me një pështymë nga lart, edhe në verë. [pamje nga përmbytjet e kaluara në Fier] Tani nuk pati asnjë problem, sepse është ndërtuar një sistem i tërë dhe Gjanica, nga një aortë e bllokuar e zemrës së qytetit, sot është dhe magjistrali kryesor që garanton mospërmbytjen qytetit, vetëm në rast të ndonjë apokalipsi.

Nga një anë do bëjmë maksimumin për të qenë në lartësinë e detyrës, nga ana tjetër do vazhdojmë investimet. Sot, ne kemi një rrugë të bllokuar – nuk e di, a u bë hapja, se deri mbrëmë kemi folur me ministrin e Mbrojtjes, – rruga e Thethit, por ajo nuk është rrugë kombëtare, nuk është në regjistrin e rrugëve kombëtare në këtë sens dhe duhet të menaxhohet nga bashkia. Duhet të hapet nga bashkia. Nuk e them këtë për t’i lënë fajin bashkisë, por ne kemi vetëm një rrugë të bllokuar. Kemi edhe një problem në rrugën e Borshit, që nuk ka qenë e bllokuar për asnjë sekondë, edhe pse është dhënë në lajme sikur është bllokuar. Është vështirësuar patjetër, sepse është mbyllur një pjesë e kalimit, ku ka pasur një çarje të asfaltit, që janë dy gjëra minimale.

Sot, në Shqipëri nuk ka më makina që rrëshqasin e bëjnë patinazh kur bie borë, që nga Qaftë Thana, deri lart në rrugën e Kombit, sepse sot mirëmbahen të gjitha rrugët e Shqipërisë. Ka borë pastruese, ka kontrata dhe ka zbatim. Ka patur kontrata mirëmbajtjeje dhe më përpara, por shkonin të gjitha në drejtim të paditur paratë. E mbani mend besoj dhe nuk ka qenë para 100 vitesh, ka qenë para disa vitesh. Që nga momenti kur Ministria e Infrastrukturës është marrë nën drejtimin e ministrave socialistë të Partisë Socialiste ka ndryshuar situata 100%.

– Kam dy pyetje për ju Zoti Kryeministër. Së pari, a do të ketë dëmshpërblime për banorët ku banesat dhe tokat e të cilëve u përmbytën për shkak të reshjeve të ditëve të fundit. Së dyti, nëse më lejoni, ju gjatë javës së kaluar keni zhvilluar jashtë vendit dy vizita, së pari, në Turqi dhe më pas në Greqi. A jeni ju Zoti Rama negociatori i konfliktit turko-grek dhe a do të ketë një vizitë dhe një takim të dy ministrave të jashtëm, grek dhe turk në Tiranë?

Kryeministri Rama: Për pyetjen e dytë nuk kam asnjë koment.
Për pyetjen e parë, sigurisht që sipas ligjit, – por, siç e patë, numri i banesave që rezultojnë të dëmtuara është krejt minimal, – u takon bashkive të bëjnë vlerësimet dhe ne do bëjmë atë që na takon. Nuk ka asnjë problem. Ndërkohë që ka një element tjetër, që në zonën e Obotit ku është e vetmja pikë ku ka pasur problematikë për transportin për bagëtitë, në aspektin e ushqimit, është garantuar ushqimi nga Ministria e Bujqësisë dhe u është kaluar menjëherë të gjithë fermerëve për të ushqyer bagëtitë për 10 ditë.
Për sa i përket tokave, pjesa më e madhe e tokave të përmbytura këtë herë janë jo produktive, kështu që nuk ka dëme të konsiderueshme. Por çdo dëm që ligjërisht duhet kompensuar, patjetër do kompensohet. Ne kemi kompensuar dëmet e përmbytjeve që u bënë më përpara. Edhe dëmet e përmbytjes së 2010-ës i kemi paguar ne.

– Zoti Kryeministër, ka ende banorë që pretendojnë se ende nuk kanë marrë shpërblimet nga përmbytjet e kaluara. A rezulton qeveria të ketë ndonjë kompensim të pashlyer ndër vite? Dhe pyetja e dytë, kryetari i Komisionit parlamentar të Shëndetësisë, Zoti Roshi, i cili është një prej deputetëve që ka kaluar COVID-in, i ka kërkuar zyrtarisht Zotit Ruçi që deputetët të përfshihen tek vaksinimi prioritar, menjëherë pas mjekëve. A do ketë ndonjë përjashtim apo favorizim për ligjvënësit?
Kryeministri Edi Rama: Asnjë ministër, asnjë deputet, asnjë drejtor, që nuk është mbi 75 vjeç nuk do ketë asnjë privilegj të kësaj natyre.
Për sa i përket pyetjes së parë, mund të ketë raste, nuk e përjashtoj tek-tuk, por kompensimet janë kryer të gjitha me kohë e me vakt.

– Zoti Kryeministër, ju folët pak më parë për cilësinë me të cilat janë bërë investimet në rrugët e vendit. Në fakt rezulton që një kompani private, e cila ka marrë 13.7 milionë euro për mirëmbajtje në rrugën Sarandë – Vlorë, pavarësisht se ka bërë një restaurim të kësaj rruge gati një vit më parë, aksi rrugor i Borshit është çarë në mes dhe muret mbajtëse janë zhvendosur. Ka pasur rrëshqitje dhe dëmtime të bazamentit dhe në aksin rrugor që lidh Çorovodën me Përmetin, e ndërtuar dy vite më parë nga kjo kompani. Në këtë situatë kush mban përgjegjësi? A mund të quhen cilësore këto punime, të cilat pas kaq pak kohësh shfaqin probleme?
Kryeministri Edi Rama: Unë e konsideroj absolutisht të papërshtatshme që të sulmohen kompanitë, në mungesë të analizës, sepse mund të jetë një rrugë e bërë dhe sot dhe për arsye që nuk lidhen fare me punën e kompanisë, por në kushtet e një lëvizjeje gjeologjike, që mund të jetë pika që derdh kupën, po themi, nga erozioni në një zonë të caktuar, mund të ketë çarje. Ashtu sikundër mund të jetë edhe kompania shkaktare, por kjo kërkon analizë. Të çosh kamera në një rrugë të çarë e t’ia kërcasësh kompanisë me shkop kokës mban më shumë era gjobë sesa era gazetari. Sugjerimi im, është thjesht, modestisht, mos bëni gjueti shtrigash me kompanitë. Mos bëni gjueti shtrigash me njerëzit që punësojnë mijëra njerëz, me njerëzit që kontribuojnë. Askush nuk është engjëll dhe askush nuk është i përjashtuar nga e drejta për të dyshuar dhe për të vlerësuar deri në fund me analizë, me hetim, veprimtarinë, kur ka një problem, patjetër.
Por është fatkeqësi e madhe që, – me thënë të drejtën, nuk e kam parë në vende të tjera, – këtu, suksesi kthehet në mallkim. Suksesi i këtyre njerëzve që kanë ngritur kompani dhe që i japin punë dhjetëra mijëra familjeve është bërë mallkimi i tyre. Goditen nga mëngjesi deri në darkë, siç goditeshin kulakët pas viteve të çlirimit. Është fatkeqësi e madhe.
E përsëris, rasti konkret mund të jetë përgjegjësi e kompanisë, nuk e përjashtoj. Por mund të mos jetë përgjegjësi e kompanisë. Prandaj duhet hetuar. Ka një hetim që po kryhet, në dijeninë time, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Bëni hetim, pastaj bëni këtu pyetje dhe numërojini lekët kompanive, se i numëroni dhe mbrapsht gjithmonë, çuditërisht. Gjithmonë 7 herë 7 = 42, kur vjen puna tek shifrat dhe kjo 7 herë 7 = 42 i analistëve, opinionistëve, gazetarëve është pa dallim partie. Është transversal. Është fatkeqësi e madhe kjo. Helm për publikun dhe goditje për të vërtetën. Mos harroni asnjëherë, gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha, prandaj ne jetojmë në një mjedis ku nga mëngjesi deri në darkë mbytemi me gënjeshtrat më të mëdha, sepse janë gjysmë të vërteta.

– Pse është pikërisht Shkodra që përmbytet sa herë ka rreshje të dendura shiu dhe a do bëhet diçka? Ҫfarë duhet të bëhet për Shkodrën që të mos përmbytet? Të paktën sot nga përditësimi i fundit i Bashkisë së Shkodrës, Oboti është ende nën ujë.
Ka pasur një ankesë ndaj jush në Komisioni Qendror të Zgjedhjeve për përdorimin e maskës me simbole të Partisë Socialiste dhe sipas Kodit Zgjedhor, nuk lejohen simbolet partiake në aktivitetet qeveritare. A do reflektoni për këtë gjë?
Kryeministri Edi Rama: Për pyetjen e parë, taksirat e ke që kur të mbarojmë ne, ta kthesh edhe njëherë nga e para këtë transmetimin dhe të dëgjosh ministrin e Mbrojtjes dhe ministren e Bujqësisë, që të kuptosh pse problematika është më komplekse në Shkodër. Dëgjo edhe pjesën time, ku kam shpjeguar si do të evitohet njëherë e përgjithmonë kompleksiteti me ndërtimin e Skavicës.
Për sa i përket pyetjes së dytë, kjo është maska ime, nuk është logo e Partisë Socialiste. Janë gërma dhe lule të dashura për mua dhe yje që janë po ashtu, pjesë e figurave që më intrigojnë. Kështu që lexojeni si të doni. Janë dy gërma që dikush i lexon PS, dikush mund t’i lexojë ndryshe, se nuk është logoja e Partisë Socialiste.

– Presidenti Meta ka qenë në disa zona të përmbytura dhe ka bërë përgjegjëse qeverinë për situatat e krijuara. Citoj: “Fatura e përmbytjeve nuk duhet të rëndojë mbi qytetarët, të cilët kanë nevojë emergjente për shërbime dhe jo për propagandë”. Si do t’i përgjigjeshit ju kreut të shtetit, Zoti Kryeministër?
Edhe në këtë takimin tonë të sotëm, por dhe në daljen tuaja publike këto ditë keni bërë krahasime të vazhdueshme të përmbytjeve të 2021-it me ato të 2010-ës, kur në fakt kanë kaluar 11 vjet dhe është mëse e logjikshme që situata të jetë e përmirësuar, duke qenë se pretendohet që qeverisja, qoftë vendore, qoftë e përgjithshme, të punojë për përmirësimin e jetës, cilësinë e jetës së qytetarëve. Pse e bëni vazhdimisht këtë krahasim?
Kryeministri Edi Rama: E shpjegova këtë. Në këtë rast, krahasimi bëhet për shkak se në atë kohë ka pasur rreshje të dendura realisht dhe është thënë që janë rrëshje të papërballueshme. E dyta, kjo ideja e progresit objektiv, pavarësisht se kush është në qeveri, është një ide e gabuar sepse, nëse do të ishte e vërtetë kjo, nga 1990-ta deri në 2010-ën kanë kaluar 20 vjet dhe Shkodra u përmbyt si asnjëherë më keq, më parë. E mund të të sjell shembuj në të gjithë sektorët sesi, në fakt, koha që kalon nuk sjell vetëm mire, por sjell edhe keq, varet se kush qeveris. Ideja se kanë kaluar 7 vjet dhe gjërat që janë bërë i ka sjellë koha e nuk i ka bërë qeveria, është një ide që nuk funksionon. Nëse kjo që shikoni në Vlorë, nuk do ishte bërë, do ishim po aty ku ishim, por, nëse nuk do ishim ne në qeveri, kjo nuk do ishte bërë për një arsye shumë të thjeshtë. Se po të na krahasoni ne dhe ata nga sytë, nga aftësia për të parë të ardhmen, do të shikoni që ata janë miopë, nuk shohin të ardhmen. Vuajnë nga miopia sepse janë ata, të cilët e kanë konsideruar Bathoren mrekullinë e tetë të botës dhe e keni me sinkron, sepse ata kryeestet kanë sot e gjithë ditën Saliun. E këto janë dobësitë e karakterit të një lidershipi dhe të një qeverisjeje. Mendoni ju që Saliu mund t’i bënte këto? Është çështje ta shikosh përpara se ta bësh. Këto duken gjëra të vogla, por gjë e vogël është edhe të lahesh apo të mos lahesh, një dush e ndan. Edhe të krihesh apo të mos krihesh, një krehër e ndan, por bëjnë diferencën.
Përsa i përket Presidentit Meta, Presidenti Meta është në hall, nuk kam asgjë për t’i thënë. Është në kërkim të një komerdareje dhe kudo ku sheh ujë, shkon për të gjetur komerdaren. Kështu që nuk e ndihmoj dot, puna e tij.

Pyetja e parë lidhet me atë që ju thatë dhe ministrat deklaruan që nga kjo situatë janë nxjerrë dhe mësime. Por mësimet në rastin konkret patjetër që do kërkojnë dhe investime të reja, ndërkohë unë mbaj mend Zotin Çuçi që në komisionin e ekonomisë kur u diskutua për buxhetin ka thënë se do të kemi dhe ka në fakt, 3.2 milionë euro shkurtime për investime të reja në infrastrukturën e kullimit dhe të ujitjes. Në fund të kësaj situate, parashikoni një ndryshim të buxhetit apo jo?
Pyetja e dytë lidhet me rrugë. Ju thatë që që kur ministrat socialistë kanë marrë drejtimin e ministrisë së Infrastrukturës nuk ka më bllokime rrugësh, por për shkak të angazhimit tim profesional në dimrin e vitit 2017, që ka qenë një dimër mjaft i fortë, ka patur temperatura dhe ngrica shumë herë më të forta se kjo, ka patur dhe stuhi në rrugën e kombit dhe u diskutua dhe mbyllja, por për shkak të angazhimit atëherë të disa ministrave që nuk ishin të Partisë Socialiste nuk ka patur asnjë bllokim. Mos ndoshta nuk është shumë i saktë ky informacion?
Kryeministri Edi Rama: Nuk të kuptova Arbër, ishte pak e komplikuar kjo.

– Ka patur situata shumë të rënda me rrugët, për shkak të motit, reshjeve të dendura të dëborës dhe të ngricave dhe në janarin e vitit 2017, rruga e Kombit u diskutua dhe që të mbyllej qarkullimi, por për shkak të angazhimit që u bë atëherë nga firma kontraktuese, por dhe të angazhimit të ministrave që kanë qenë të LSI-së në mos gabohem, nuk pati bllokime të kësaj rruge dhe rrugëve të tjera…
Kryeministri Rama: Jo, nuk ke kuptuar gjë atëherë, ose nuk jam shprehur unë mjaftueshëm.

– E kuptova që ju thatë që, qëkur kanë ardhur ministra të Partisë Socialiste, nuk ka bllokime rrugësh.
Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk e thashë fare, kthehu edhe njëherë nga e para.

– E kam mbajtur shënim.
Kryeministri Edi Rama: Shënim mund ta kesh mbajtur, por më mirë shikoje në sinkron. Unë thashë që, kur kanë ardhur ministrat e Partisë Socialiste, problemi i mirëmbajtjes së rrugëve është zgjidhur përfundimisht. Nuk fola për bllokime këtu apo atje, fola për sistemin e mirëmbajtjes dhe nuk desha as të hedh poshtë çfarëdoqoftë që është bërë më pare, sepse dhe ajo është bërë në kohën e një qeverie të drejtuar nga unë dhe as të bëj tjetër gjë, përveçse të them që kapacitetet qeverisëse të Partisë Socialiste janë të pakonkurrueshme. Këtë desha të them, por duhet ta kisha thënë copë që të kuptoheshim më mirë.
Për sa i përket situatës, se the “parë situatën”, nuk e di si e pe ti situatën, por unë situatën e shoh shumë pozitive pas kësaj që kaluam, por sigurisht që ka nevojë për më shumë. Ndërsa, po më gjete një ministër përfshirë dhe dy që kam unë në krah, që të shkojnë në Komision të Financave dhe të thonë, jam i kënaqur me buxhetin, ma trego kush është, që ta ngre në detyrë.
Shumë faleminderit të gjithëve!