Ekonomia në Fokus, taksat dhe mirëadministrimi fiskal

Kryeministri Edi Rama në konferencën Ekonomia në Fokus, me ministren e Financave dhe të Ekonomisë dhe me drejtoren e Përgjithshme të Tatimeve:

 

Kryeministri Edi Rama: Jemi këtu për ditën e përjavshme të ekonomisë, sot, bashkë me ministren e Financave dhe të Ekonomisë dhe me drejtoren e Përgjithshme të Tatimeve, do të fokusohemi tek taksat dhe miradministrimi fiskal.

 

Është shumë e rëndësishme që sot dhe kur them sot, në këtë rast kam parasysh në të tashmen, të kihet parasysh kur flasim për sistemin tonë të taksave dhe për administrimin fiskal nga vijmë. Po kaq e rëndësishme për mua të them, është se jemi ende në mes të rrugës, jemi ende në një proces ndërtimi të të gjithë sistemeve që do të mundësojnë funksionimin modern, transparent dhe eficient të gjithë këtij sektori kyç, sektori i të ardhurave dhe i administrimit të tyre.

 

 

Kryeministri Edi Rama: Një krahasim që unë dua ta shtjelloj pak sepse realisht është një imazh që mund të ndihmojë lehtësisht për të kuptuar si e shohim ne të sotmen, krahasuar me të djeshmen dhe në raport me të ardhmen. Duke sjellë krahasimin me rindërtimin, mund të thuhet se, nëse sot, kantieret tona të rindërtimit dhe secili të sjellë me imagjnatën e tij parasysh Laçin, apo Fushë Krujën, Thumanën, apo cilido tjetër kantier ku puna është në vazhdim, janë një pasqyrë e një situate ku është vendosur e gjithë infrastruktura nëntokësore, janë vendosur themelet, janë ngritur karabinatë, por nuk është ende një situatë e banueshme, në sensin e funksionalitetit të plotë të atyre godinave për të cilat vazhdon puna që të pajisen me të gjitha sistemet e brendshme dhe që përfundimisht të kthehen nga kantiere në vendbanime. Kjo është situata në këtë sektor dhe çdo sector, por krahasuar me të djeshmen, është një situatë qartësisht e ndryshme dhe një situatë ku mund të shihet qartësisht e nesërmja, ndërkohë që e djeshmja ishte si situate pas tërmetit. Si situata pas tërmetit ishte dhe situata e llogarive të shtetit, e të gjitha të dhënave në aspektin ekonomik dhe fiskal. Unë po e nis nga një e dhënë, pasi është një këngë e përsëritur dhe natyrshëm, e përsëritur për qëllime propagandistike. Ne kemi premtuar 300 mijë vende pune dhe sot, thjeshtë duke iu referuar jo anketimeve, jo statistikave të nxjerra nga anketimet, por shifrave të Regjistrit të Punës në Republikën e Shqipërisë, – hapeni dhe shikojeni ju që jeni ndërmjetësit mes palëve në skenën politike apo mexhelisin e debatit publik dhe qytetarëve dhe thuajuni njerëzve, nëse është apo jo e vërtetë që në Regjistrin e Punës në Republikën e Shqipërisë, në vitin 2013 kishte 473506 vetë të regjistruar dhe në fund të vitit 2019 kishte 698235 punonjës të regjistruar. Janë apo nuk janë 225 mijë më shumë? Janë sjanë 225mijë shqiptarë më shumë që paguhen dhe paguajnë, sipas vendit të tyre të punës.

E sjell këtë shembull për të thënë se në çdo drejtim e në çdo aspekt është e njejta gjë. Ndryshimi nga ku u nisëm është nata me ditën. Ndryshimi në raport me ku duam të shkojmë, është muzgu me agimin. Nëse sot më thoni çfarë mendoj unë për atë që duhet të mendojnë njerëzit lidhur me Shqipërinë që duan, në aspektin ekonomik, në aspektin me marrëdhënien me shtetin dhe konkretisht, çfarë duhet të mendojnë ata që merren me biznes në të gjitha nivelet në aspektin e marrëdhënieve të tyre me shtetin, unë them që ata nuk kanë sesi të ndjehen jo të lumtur, por as të kënaqur. Nga ana tjetër, ata nuk kanë sesi të mos shohin që jemi në një kantier që është qartësisht e dukshme edhe ajo që është ndërtuar, edhe ajo që mbetet për t’u ndërtuar dhe është qartësisht e dukshme se kush mund ta ndërtojë.

 

Sot nuk ka sesi bizneset të mos ndjehen të lehtësuar në raport me jo 700, as 70, as 17, por 7 vite më parë. Biznesi i vogël 0 taksë. Një pjesë e këtij biznesi, 0 taksë mbi fitimin, 0 TVSH. Nuk ka sesi të mos ndjehen të lehtësuar deri ë fund nga barra më e madhe fiskale mbi ta. Por patjetër nuk ka sesi të ndjehen të lumtur, as të kënaqur, kur në të njejtën kohë duhet të përballen me forca dhe situate të lidhura me arbitraritetin e Administratës Tatimore. Atëherë, çfarë duhet të zgjedhin, kthimin mbrapa apo vazhdimin e kësaj pune, e cila, sikundër u pasqyrua këtu sot, do të thotë largim përfundimtar i elementit abuziv që sjell me vete një sistem i bazuar tek kontrollet e drejpërndrejta nga njeriu dhe vendosjen në një sistem tjetër, ku punën e garantimit të marrëdhënies mes biznesit si prodhues të ardhurash dhe si kontributor për shtetin nuk e bën një ushtri inspektorësh, por e bën një sistem i tërë inteligjent, i cili brenda tij ka një sërë komponentësh ku fokusi apo graviteti është fiskalizimi. E njëjta gjë është kudo.

 

Sot, ne kemi kursyer çerek milionë orë për marrëdhëniet biznes-shtet në aspektin e radhëve, pritjeve, e marrjes së përgjigjeve, të vonesave dhe zvarritjeve, duke i kaluar një pjesë të madhe të komunkimeve dhe kontakteve me shtetin online. E kështu kudo. Por kjo është një punë në mes dhe në këtë punë në mes mund të themi me plot gojën që jo vetëm dimë shumë mirë si vazhdon vazhdimi, por edhe kemi hedhur të gjitha piketat. Nëse kthehemi sërisht tek karabinaja, të gjitha sistemet e nevojshme për ta bërë një karabina me themele, kollona dhe mure, një mjedis komod, duke filluar nga energjia, internet, uji, dritat e me radhë, janë në rrugën e vendosjes njëra pas tjetrës.

 

Ajo që ne do të realizojmë, është që brenda 4-vjeçarit të ardhshëm gjithçka do jetë online për biznesin: marrëdhënia biznes-qeveri, marrëdhënia biznes-biznes, marrëdhënia biznes-konsumator. I gjithë sistemi 30-vjeçar i punës me shkop në dorë i Administratës Tatimore do të kthehet një sistem pune me mendje në kokë. Nga një punë krahu, në kuptimin, hidhu rrugëve e përdor forcën, do kalohet në një punë inteligjente, e bazuar tek kompjuteri dhe truri inteligjent i gjithë sistemit të kompjuterizuar që do të japë në kohë reale të dhëna për transaksionet e çdo individi që bën biznes në Republikën e Shqipërisë. Kjo nuk është as ëndërr e as ide, është një punë që ka filluar sot që flasim, me marrëdhënien biznes-qeveri me një numër të konsiderueshëm transaksionesh dhe në dy faza të tjera do hyhet në marrëdhënien biznes-biznes dhe pastaj do kalohet në marrëdhënien biznes-konsumator. Që do të thotë që i gjithë ai zinxhir problemesh që krijojnë hapësirë për informalitetit në marrëdhënien biznes-biznes, gjithë ajo histori e faturave dopio dhe e lojës që i madhi bën me të voglin dhe i vogli i vihet në shërbim të madhit, ai që është distributor i madh bën me ata që marrin me pakicë, do marrë fund. Do marrë fund, por ama duke i vënë të gjithë në pozita të barabarta, duke bërë sistemin krejtësisht transparent dhe konkurrures, duke i dhënë mundësinë kujdoqoftë që të mund të kontrollojë sjellljen dhe veprimet e shtetit në raport me biznesin dhe anasjelltas, sjelljen e biznesit në raport me shtetin.

 

Është themelore të kuptohet që puna e bërë për këtë karabina është punë kolosale dhe nuk ka tjetër forcë, nuk ka të tjera forca që e bëjnë dot këtë punë e jo më ta çojnë deri në fund këtë punë. Ne kemi qenë shumë të qartë qysh ditën e parë dhe vazhdojmë të jemi të qartë në këtë pikë dhe nuk është se po na e zbulon kush, apo mund të na e vërë kush para syve si problem; Kush fiton më pak, paguan më pak. Kjo do të thotë që nga pjesa më e goditur e atyre që vetëpunësohet dhe krijojnë punë për të tjerët, biznesi i vogël, është pjesa më e privilegjuar në raport me trajtimin që i bën sistemi ynë fiskal. Zero taksë mbi fitimin, zero TVSH për pjesën deri në 100 mijë dollarë xhiro në vit dhe zero taksë me TVSH deri në 140 mijë dollarë në vit. Ndërkohë që pjesa tjetër, 15% e ka pasur që ditën e parë, ja kemi rritur pjesës tjetër, e kemi thënë më parë dhe e themi prapë. Në mandatin e tretë nuk ka më as rritje, as ulje, se nuk kemi më çfarë ulim për biznesin e vogël, nën zero nuk e ulim dot taksën mbi fitimin, nën zero nuk e ulim dot TVSH-në.

 

Nga ana tjetër, për biznesin e madh vazhdojmë të jemi në të njëjtin pozicion. Nga ana tjetër do vazhdojmë të garantojmë hapësirë gjithmonë e më të madhe frymëmarrje në raport me administratën, duke e fiskalizuar komplet marrëdhënien e duke e kthyer ne një marrëdhënie online. Sot, inspektorët e tatimeve nuk shkojnë dot më aty ku duan, nuk rrimë dot më sa orë duan as në kafene, as në një biznes, sepse janë të gjithë të pajisur me GPS. Të gjitha lëvizjet e inspektorëve e terrenit të tatimeve në Republikën e Shqipërisë ndiqen online nga qendra. Për çdo qëndrim më gjatë në një vend duhet të japin llogari për çfarë arsye qëndruan, apo për çdo devijim nga zona e punës së tyre drejt ndonjë kafeneje apo mexhelisi për muhabet, do të japë llogari dhe të marrin ndëshkimin që meritojnë, sipas rregullave që ka puna e tyre e përditshme. Po ashtu, ata kanë kamera trupi dhe marrëdhëniet e tyre me biznesin janë marrëdhënie krejtësisht transparente për të gjitha ato rastet kur biznesi nuk tenton të dali nga dera mbrapa, për të bërë pazare me ta.

 

Është shumë e rëndësishme, nga ana tjetër, të theksohet që në këtë proces neve na duhen qytetarët, na duhen sipërmarrësit e vegjël e të mëdhenj, që të bëjnë të njejtën gjë që bëri ajo qytetarja që e çoi prapa hekurave atë personazhin e pështirë të spitalit. Vetëm kështu, ne mund të ecim shumë më shpejt me pastrimin e këtyre çibanëve. Ndërkohë, kur sistemi të jetë i ngritur, nuk do ketë më nevojë për kamera të fshehta, as për denoncime të fshehta, sepse gjithçka do jetë në dritë të diellit. Është një modenizim epokal i të gjithë sistemit ekonomik dhe fiskal të Republikës së Shqipërisë dhe i të gjitha marrëdhënieve ekonomike në Republikën e Shqipërisë, ku do të përfshihen të gjithë individët që bëjnë transaksione parash, në raport si konsumator, si sipërmarrës apo si monitories i këtyre marrëdhënieve nga ana e shtetit.

Kryeministër, unë kam dy pyetje. Së pari, ka një pretendim nga ana e Shoqatës së Arsimtarëve. Sipas llogarive të tyre, rritja e pagave nuk është aq sa ju keni deklaruar. Ata pretendojnë se është rreth 9%.

Pyetja e dytë lidhet me sistemit fiskal. Në fund të mandatit të dytë, ju thoni që jeni në mes të rrugës. Sa vite ju duhen për ta përmbyllur?

Së treti, çfarë komentesh keni ju për oponencën që ju bën një prej drejtoreshave tuaja të rëndësishme të tatimeve, Zonja Shehaj.

Kryeministri Edi Rama: Edhe një mandat tjetër është i nevojshëm, jo vetëm për ta përmbyllur këtë system, por edhe për të parë deri në fund përfitimet e mëdha të individëve dhe shoqërisë prej këtij sistemi. Nuk është diçka që ne po e premtojmë sot, është diçka që ka filluar. Sistemi është në punë, është i ndarë në tre faza, sepse ka tre marrëdhënie sistemi; Ka marrëdhënien biznes-shtet, marrëdhënien biznes-biznes dhe marrëdhënien biznes-konsumator. Marrëdhënia biznes-shtet ka filluar të hyjë në sistem. Marrëdhëni biznes-biznes do të hyjë në 6 mujorin e dytë dhe vitin e ardhshëm do të hyjmë në marrëdhënien biznes-konsumator. Është një shtet i tërë në eter, në kuptimin e botës virtuale. Një shtet i tërë në celular, një shtet i tërë në kopjuter, një shtet i tërë në marrëdhënien mes kompjuterash. Që do të thotë që gjithë marrëdhënia njerëzore mes konsumatorit-biznesit-shtetit kalon në plan të dytë. Në plan të parë është marrëdhënia që garantohet nga ndërveprimi në kohë reale kompjuterik. Që do të thoë që, nëse sot, ne blejmë dhe një biznes raporton faturimin një herë në 24 orë, nesër çdo transaksion, çdokush nga ne që do të blejë, në kohë reale do pasqyrohet transaksioni në trurin dixhital të tatimeve të Republikës së Shqipërisë. Kjo do bëjë që sistemi, i cili ka brenda një kapacitet të provuar të përllogaritjeve dhe të ndjekjes së trendeve të të gjitha aktiviteteve tregtare, të sinjalizojë njerëzit që janë në qendër për biznese dhe transaksione biznesesh ku ka diçka që nuk shkon. Pastaj, aty, me ndihmën e sistemit hyhet në analizë dhe mbi bazën e asaj analize merret vendimi, nëse duhet shkuar tek biznesi për të verifikuar nga brenda të gjithë librat e llogarive, apo nëse duhet ndjekur më tej, për të kuptuar më shumë. Brenda gjithë këtij funksionaliteti ka dhe një sistem ndërveprimi dhe paralajmërimesh, që krijon një marrëdhënie konstruktive me biznesin, jo destruktive. Nëse kemi folur në vijimësi për partneritetin mes shtetit dhe biznesit, në kuptimin e shëndetshëm dhe të dobishëm, ku biznesi nuk shihet në lopë për t’u mjelë për të bërë planin, apo lopë për t’u mjelë, për të çuar qumësht në shtëpi në mënyrë të paligjshme, kjo e sanksionon këtë partneritet. Duke e kthyer këtë partneritet në një partneritet transparent për të mirën e përbashkët, ku shteti i garanton biznesit që rregullat e shkruara janë rregulla të zbatuara dhe biznesi bën punën e vet dhe jep kontributin që i takon sipas ligjit për shtetin.

 

Përsa i përket pretendimit për rrogën, rritja e rrogës është bërë sipas funksioneve. Kjo është llogaria që duhet bërë. Ka qenë shumë e qartë që në fillim, që e kemi shpjeguar. Pra, nuk është 7×7=42, e kam fjalën.

 

Ndërkohë, për pyetjen e tretë nuk ka përgjigje, nuk ka koment. Më duket si muhabet për tek Pazari i Ri në kohën kur ishte i parindërtuar.

 

Procesi i ri i fiskalizimit ka disa kosto shtesë për biznesin e vogël. Janë disa kosto të larta, duke marrë parasysh që duhet vendosur internet në ambientet ku tregtohet, pajisjet me kompjuter, të ketë një software në shoqëritë e certifikuara e gjithashtu një operator. A keni ju një plan subvencionimi për të ndihmuar kategorinë e biznesit për pajisjejen me këto mjete, duke ditur që kostoja shkon nga 1200 deri në 2000 euro dhe biznesi ka dalë nga një periudhë e vështirë, duke marrë parasysh pandeminë.

Ҫfarë garancie keni ju që procesi i fiskalizimit ka ndikim tek mirëadministrimi fiskal, në cilat vende është implementuar dicka e tillë.

Një ditë më parë është miratuar në Parlament Marrëveshja me Pfizer-in, sa i përket sigurimit të vaksinave. Ju keni deklaruar që do ta bëni publike kontratën e Marrëveshjes me Pfizer, kur planifikoni ta publikoni?

Kryeministri Edi Rama: Kontrata me Pfizer është e mbrojtur në të gjithë botën nga sekreti tregtar, nuk bëhet publike, përtej dëshirës time.

 

Përse keni deklaruar në një emission, disa ditë më pare, që do ta bëni publike?

Kryeministri Edi Rama: Sepse kjo ishte dëshira ime, s’kam gjë, përsa më takon, për të fshehur, por kontratat janë kontrata dhe klauzola e sekretit tregtar është aty për të gjitha vendet që kanë marrëdhënie me Pfizer. Nëse ju do gjeni një vend të BE-së apo cilido që e ka bërë publike, ne do jemi vendi i dytë dhe do ia japim ekskluzive Syrit 7×7=42, sepse 7×7=42 ishte llogaria që bëre për fiskalizimin. Natyrisht, ju takon ta bëni sepse punoni për partinë tuaj, por, në fakt, krejt e kundërta është e vërtetë. Nëse ne do i kishim rënë shkurt, siç i keni rënë ju aritmetikës, mbase kostot do ishin ato, ose më të larta. Ne nuk i kemi rënë shkurt dhe për këtë arsye, në jë kohë jo të vogël kemi realizuar integrimin e sistemit aktual me sistemin e ri, pra, nuk do jetë e nevojshme që biznesi të marrë sistemin që ka e ta flakë në rrugë e të bëjë një sistem të ri nga e para, por do adaptojë sistemin që ka me sistemin e ri. Këtë gjë mund ta shpjegojë drejtoresha e Tatimeve, sepse është e rëndësishme. Se e kam shumë të qartë që partia juaj do fillojë një këngë me këtë pjesë.

 

Drejtore e Përgjithshme e Tatimeve, Delinda Ibrahimaj: Që prej nxjerres së ligjit të fiskalizimin për debat dhe për diskutime publike, gjëja më e rëndësishme dhe elementi më i rëndësishëm që është diskutuar është kostoja. Ka patur abuzime me informimin e publikut përsa i përket kostos së fiskalizimit që në fillim dhe ne kemi garantuar që kostoja e fiskalizimit nuk do shtojë kosto mbi bizneset, më shumë sesa ato që aktualisht janë. Realiteti e tregoi këtë. Sot, ne kemi më shumë se 20 kompani të certifikuara që ofrojnë shërbimet e fiskalizimit, të cilat kanë dalë në treg me çmimet e tyre. Vlerat nga 100-1500 euro në muaj nuk janë as reale, as të vërteta.

 

Përsa i përket biznesit të vogël, dua të garantoj që sot, një biznes i vogël që hapet në Shqipëri ka një kosto mesatare prej 383 euro si kosto fillestare për instalimin e kasës fiskale, ndërkohë që ka 8,5 euro në muaj për kosto mirëmbajtjeje të sistemit të kasës, apo rikolaudimit, ndërrimit të memorjes fiskale dhe kosto të tjera të fshehura, që nuk janë të përfshira këtu. I gjithë biznesi i vogël, nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave, mund të përdorë patformën e fiskalizimit, nuk do ketë nevojë aspak të blejë një software, apo që të bëjë një investim nga e para. Investimi që do bëjë biznesi i vogël, përveç atyre që mund të vazhdojnë të mbajnë kasat e tyre nëpërmjet marrëdhënies me kompanitë e kasave, të cilat po certifikohen të gjitha për të ofruar sistemin e fiskalizimit, ka biznese që mund të mbajnë kasat, ka biznese, të cilat mund të përdorin platformën pa pagesë të ofruar nga sistemi i fiskalizimit. Investimi që duhet të bëjnë këto biznese është lidhja me internet, e cila nuk kushton më shumë se 7euro në muaj dhe duhet të kenë një telefon, një tablet dhe një printer i cili është një printer jofiskal, një printer i çfarëdoshëm. Pra, në maksimumin e tyre, si kosto fillestare, një biznes i ri që hapet sot ka 132euro si kosto fillestare dhe 7euro në vit kosto mirëmbajtjeje. Nuk ka nevojë as të të marrë certifikatën elektronike, sepse edhe certifikata elektronike është e mbështetur nga vendimi i Këshillit të Mnistrave me përdorimin e portalit SelfCare.

 

Përsa i përket biznesit të madh, është një biznes që ka shumëllojshmëri zgjedhjesh. Është biznes, i cili nuk është më i detyruar që të mbajë dhe një program kontabiliteti, edhe një kasë fiskale me qëllim përmbushjen e detyrimeve për Administratën Tatimore, por nëpërmjet një zhvillimi të programit të tij të kontabilitetit me sistemin e fiskalizimit, ai mund të fiskalizohet. Ky zhvillim mund të ketë çmime nga 100 euro në vit ashtu dhe 0 euro në vit, pasi tregu është i lirë, konkurrenca është e lirë dhe të gjithë kompanitë që ofrojnë shërbime kontabiliteti mund të ofrojnë dhe shërbimin e shkëmbimit të informacionit me Administratën Tatimore. Nuk duhet abuzuar me ofertat e kompanive, të cilat bashkë me fiskalizimit shesin dhe programin e kontabilitetit, shesin dhe programin e menaxhimit të inventarëve apo programeve të tjera me qëllim zgjerimin e gamës të produkteve të tyre. Kostoja e fiskalizimit është kjo dhe këto janë kosto mesatare, nuk janë kosto e një kompanie, por e disa kompanive, të cilat i kemi marrë nga studimi i tregut.

 

Kryeminsitri Rama: Siç e shikon, është bota përmbys njësoj si bifteku i Nusret-it. Kështu që jo vetëm nuk bëhet fjalë për një çmim marramendës, si ai që ti thjesht e përcolle, por në fakt e kanë përcaktuar ata të kalkolatriçes që punon me 7 herë 7=42, po këtë herë 7 herë 7=422, por është më lirë sesa sistemi që ka. Por këtu nuk ka asnjë imponim. Kush ka sistemin sot siç e ka, që ka kasën, bën mirëmbajtjen, thjesht do bëjë një integrim. Kush do ta lëri kasën e të fillojë nga e para, le të fillojë nga e para. Kush hap një biznes të ri nuk është fare i detyruar të marrë kasë, mund të bëjë këtë, mund të marrë kasë, është komplet e lire. Ata që ofrojnë shërbimin janë me dhjetëra, nuk janë një e dy, pra, nuk ka as monopol, nuk ka as arbitraritet, nuk ka asgjë. Kush e ka këtë sistem, mund të them që ky sistem ka përmbysur komplet botën e administrimit fiskal në Kroaci, ka përmbysur në mënyrë të ksondierueshëm botën e administrimit fiskal në Slloveni, së fundmi e ka futur, akoma jo plotësisht, por pjesë pjesë, edhe Italia. Është një sistem ultrainovativ dhe ne jemi nga të parët që po e fusim, duke parë të tjerët, natyrisht. Kur unë kam parë shifrat e Kroacisë dhe shifrat e Sllovenisë dhe pastaj kemi bërë edhe analizën e raporteve të tyre për kënaqësinë e shprehur nga biznesi dhe nga konsumatorët për këtë, jam realisht i mbresuar dhe ju kam dhënë të drejtë atyre që e propozuan këtë gjë, që ne ta bëjmë si Kroacia dhe ka filluar puna duke parë Kroacinë, duke parë Slloveninë. Nuk është një sistem që bëhet për herë të parë në Shqipëri, është një sistem me provë.

 

Përshëndetje zoti Kryeministër, kam dy pyetje që lidhe me vaksinat. Ju thoni me të drejtë që Marrëveshja me kompaninë Pfizer është një marrëveshje sekrete, por jo vetëm dje, po dhe në ditët e kaluara keni deklaruar që çmimi i vaksinës është fiks. Për aq kohë sa çmimi i vaksinës është fiks për të gjitha vendet, pse ky çmim nuk duhet të jetë publik dhe fakti që nuk është publik, a duhet të dyshojmë ne që qeveria shqiptare ka blerë një vaksinë me një çmim çfarëdolloj, qoftë për arsye sepse u la jashtë Bashkimit Europian për ndihmat me vaksinat, apo qoftë dhe për qëllime elektorale?  

Pse qeveria shqiptare nuk ka deklaruar një buxhet për të gjithë vaksinat që do të marrë qoftë nga Pfizer, Astra Zeneca apo Moderna? Ju kujtoj që Kosova e ka bërë publike buxhetin që do të ketë në dispozicion për blerjen e vaksinave. 

Kryeminsitri Edi Rama: Ju mund të dyshoni për çfarë të keni dëshirë, është e drejta juaj të dyshoni, por dyshimet mund t’i lehtësoni duke parë praktikat e të gjithëve. Sekreti që mbulon kontratën e Pfizer në Shqipëri dhe kudo në të gjitha vendet që Pfizer ka marrëdhënie nuk lidhet me çmimin. Çmimi është fiks, por lidhet me modalitetet e çdo kontrate. Sipas negociatave ka modalitete të ndryshme, jo për çmimin, por për sasitë, për kohën e kështu me radhë. Kështu që nuk ka lidhje. Ju mund të dyshoni çfarë të keni dëshirë, por është lehtësisht e verifikueshme, sepse paratë që paguhen për Pfizer-in nuk mbulohen nga sekreti. Mund t’i shikoni dhe do kuptoni që është shumë e thjeshtë dhe nuk duhet ta ushqeni popullin me këto konsipracione idiotekse, më fal për shprehjen, por realisht u mbush me konsipiracione ky vend dhe kjo botë, me lloj-lloj hamendjesh, me lloj-lloj marrëzish. Është shumë e thjeshtë, Pfizer-i ka një kontratë me të gjithë vendet dhe asnjë kontratë e Pfizer-it, në asnjë vend, as në Gjermani, as në Francë, as në Itali, as në Angli, as kudoqoftë nuk është publike. Unë këtë gjë nuk e dija. Thashë që do shkoj në parlament e do ta bëj publike, më thanë këtë nuk e bën dot publike, sepse mbulohet nga sekreti tregtar. Kaq e thjeshtë është kjo. Çfarë ka që të dyshoni? Pse merreni me këto çudira, se nuk e kuptoj! Për çfarë do dyshoni?

Kjo është si në gjithë botën dhe siç i thashë parafolëses, nëse ju gjeni një vend që e ka bërë publike kontratën, ne do jemi vendi i dytë dhe do e bëjmë menjëherë dhe Pfizer-it do t’i themi na fal, por siç e ka bërë filan vend, po e bëjmë edhe ne. Kur nuk e bëjnë të tjerët, si ta bëjmë ne publike? Për çfarë i ushqeni njerëzit me këto marrëzi, se nuk e kuptoj!

 

Përsa i përket shumës e kam shpjeguar 1000 herë. Ne kemi kapacitetin të paguajmë të gjitha vaksinat që janë të nevojshme për popullin shqiptar. Kush vë shumë paraprake nuk e kupton se për çfarë flet sepse kjo është një situatë dinamike. Vaksinat kanë çmime të ndryshme dhe me llogarinë që ne do të na duhej vaksina më e shtrenjtë, që sot për sot është Pfizer, për të gjithë, ne i kemi paratë për të paguar vaksinën, kur dozat të jenë gati nga Pfizer. Shumë e thjeshtë, nuk ka nevojë për të filozofuar.

 

Ju folët deri më tani për biznesin e vogël dhe shumë mire, sepse duhet mbështetur dhe duhet zhvilluar ekonomia, por unë kam një pyetje për biznesin e madh dhe ndoshta dhe ministrja mund të na sqarojë më tepër, sepse është diçka teknike. Si do të mblidhen detyrimet tatimore të biznesit të madh, të borxhit tatimor, duke qenë se në vitin 2018, borxhi tatimor ishte 880 milionë euro, në vitin 2019 është 134 miliard lekë dhe flas këtu për kompani të mëdha, të cilat edhe kanë marrë gjoba përsa i përket dertimeve që kanë. I referohem Bankers Petroleum që kanë një gjobë, e cila i vendoset në sistem dhe i rihiqet … [nuk dëgjohet] … hetim nga SPAK për këtë dhe nga ana tjetër, si do të detyroni këto kompani për të mbledhur detyrimet dhe borxhet që kanë ndaj shteti shqiptar?

Drejtore e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj: Gjithë puna e miradministrimit fiskal lidhet sigurisht, edhe me lehtësimin e procedurave tona të brendshme për mbledhjen e borxhit tatimor. Patjetër që borxhi tatimor ka qenë një shifër problematike që ka ardhur në rritje ndër vite, por sistemet që ne jemi duke ndërtuar, kanë të bëjnë dhe me mbledhjen e informacionit më të mirë me qëllim mbledhjen e borxhit tatimor. Ne jemi duke ndërtuar një regjistër asetesh po në kuadër të procesit të fisklaizimit, ku të gjithë të dhënat e Administratës Tatimore do të ndërthuren me të dhënat e mbajtësve të aseteve të kompanive, pra, të dhënat e DPSHTRR, me të dhënat e hipotekës, me të dhënat e Regjistrit të Noterëve, të cilët kryejnë transaksione të aseteve për kompanitë dhe kështu do të kemi një pamje më të qartë se ku qëndrojnë asetet e kompanive. Sigurisht që masa e parë bllokuese dhe mbledhëse e borxhit tatimor është bllokimi llogarive, i cili është një procedurë që ndodh dhe ka efektivitetin e vet, të llogarive të bizneseve, ndërkohë që hapat e tjerë ligjorë për mbledhjen e broxhit kanë të bëjnë me bllokimin e aseteve, konfiskimin, deri në shitjen e aseteve.

Ndërtimi regjistrit të aseteve, të cilin jemi duke e ndërtuar këtë vit, do të na ndihmojë me ndërtimin e procedurave ligjore për mbledhjen e borxhit. Gjithashtu dhe ndërtimi i regjistrit të llogarive bankare, ku të gjithë llogaritë bankare të të gjithë tatimpaguesve dhe individëve do të jenë në kohë reale në sistemin e tatimeve, i cili gjithashtu do të zhvillohet këtë vit në bazë të ligjit që ka kaluar, do të na ndihmojë në procedurën e mbledhjes së detyrimeve të papaguara. Megjithatë, i gjithë procesi i fiskalizimit, i informatizimit të gjithë informacionit që i vjen Administratës Tatimore ndihmon  në moskrijimin e borxhit dhe parandalimin e krijimit të tij dhe puna që ne synojmë të bëjmë dhe jemi duke bërë, është në drejtim të parandalimit të krijimit të borxhit, pasi borxhi akumulohet, mblidhet dhe është aty ndër vite, është e vështirë për t’u mbledhur dhe siç funksionojnë dhe administratat e tjera tatimore apo dhe sisteme të biznesit privat, bankat, borxhi shpeshherë bëhet i pambledhshëm nëse rri aty me vite. Puna do të bëhet me qëllim që të mos krijohet e të mblidhet sa është i ri dhe i mbledhshëm kur kompanitë janë aktive dhe kanë kapacitetin ta paguajnë mbrapsht.

 

Kryeministri Edi Rama: Është një pyetje shumë me vend në fakt, sepse bëhet fjalë për një problematikë jashtëzakonisht komplekse dhe aspak të lehtë, të krijuar në shumë vite. Është një problematikë që është pasqyrë në fakt, e shtetit prej letre që kemi pasur, e transformimit që po bëjmë dhe e pse-së së kapërcimit epokal që do të sjellë gjithë ky sistem fiksalizimi që do të krijojë kushtet që në kohë reale të ndërthuren të dhëna nga të katërt anët dhe të dalë profili i një kompanie, me gjithçka duket e me gjithçka përndryshe do duhej gjetur duke bredhur, duke kërkuar dosje nëpër dokumente të lënë rrugëve e kështu me radhë.

Nga ana tjetër, siç tha drejtorja, në momentin që ne do të kemi një pamje të plotë e të kompjuterizuar të të gjithë kësaj baze të dhënash, sigurisht që kjo do duhet, mendoj unë, të adresohet në aspektin teknik dhe në aspektin politik. Duhet të jemi të qartë që këtu ka nevojë edhe për një qasje politike në raport me borxhin, sepse është ireale të mendosh që këto akumulime kolosale të shumë e shumë viteve, të mund të adresohen thjesht teknikisht. Për këtë do të shikojmë praktikat më të mira, do të hapim një dialog me sipërmarrjen e kështu me rradhë. Pra, kemi shumë punë për të bërë në mandatin e tretë, është ideja.

 

Vaksina antiCOVID ju ka futur në sherr me Bashkimin Europian, pas qëndrimit tuaj kritik sa i përket sjelljes së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor për sigurimin e vaksinës, ka reaguar ambasadori i BE-së që ka deklaruar se Shqipëria nuk ka një plan vaksinimi, ndërkohë kemi patur më vonë një deklaratë të ambasadës francize, e cila ka deklaruar se ajo që ju keni thënë sa i përket Francës është një informacion i pavërtetë. Ndërsa nga opozita në vend është cilësuar si një sulm i BE-së nga ana juaj, për shkak të mosmenaxhimit të mirë që keni bërë përsa i përket sigurimit të vaksinës antiCOVID. A keni reflektuar ju përsa i përket sjelljes antiCOVID dhe a jeni sqaruar ju me këto vende të BE-së, që janë ankuar ndaj jush?

Kryeministri Edi Rama: Përsa i përket sjelljes antiCOVID, jo, unë nuk kam reflektuar, për këtë duhet të reflektoni ju, bashkë me opozitën dhe me të gjithë ata që në fakt kanë një sjellje antiCOVID, në këtë rast, ishte një lapsus i mirëseardhur. Së pari, unë nuk kam bërë asnjë sherr me Bashkimin Europian e mua nuk më ndalon askush të them opinionin tim, por mos u merrni me opinionin tim, merruni me opinionin e OBSH-së, jo më larg se dje.

 

– Ju jeni Kryeministër i Shqipërisë Zoti Rama, përfaqësoni vendin. 

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit që ma kujton. Të lutem, është e panevojshme, më lër të përgjigjem, të mbaroj unë, pastaj ti nxirr konkluzionet e tua. Nuk jemi për debat këtu dhe më rezulton që nuk e ke mbiemrin Gjekmarku. Unë po jap përgjigjen time dhe kur thashë mos u merrni me opinionin tim, doja të vazhdoja, por më ndërpreve, sepse thjesht po jepja një shembull që, pse unë kam të drejtë në këtë rast dhe nuk kanë të drejtë ata që kanë reaguar. Nuk ka të drejtë as ambasada franceze, opozita jo e jo dhe shembulli im është ai i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Lexojeni çfarë ka thënë OBSH-ja për shpërndarjen e vaksinave. Ka shkuar shumë më larg sesa unë. Ka thënë jemi në prag të një katastrofe morale për njerëzimin. Unë nuk kam kaq largpamësi dhe nuk jam kaq i madh, sa të mund të shprehem me terma kaq globale e të flas në emër të të gjithë njerëzimit, por, nëse ju e shikoni si të paarsyeshme që unë si kryeministri juaj, si përfaqësuesi dhe zëri juaj të ngre zërin për ju, më vjen keq për ju. Por ju siguroj që nuk mendojnë kështu të gjithë shqiptarët. Jam i bindur që shumica e shqiptarëve mendon si unë, në këtë rast. Fakti që ne jemi të vegjël, fakti që ne nuk jemi të pasur, fakti që ne, sëbashku me të tjerët në këtë rajon nuk jemi anëtarë të BE-së, nuk na bën ne që të rrimë detyrimisht me gojën mbyllur dhe përpara një fakti të tillë që është i qartë. Unë nuk jam kryeministri i një vendi të BE-së, por jam europian, të paktën, njësoj sa të gjithë ata që flasin në emër të BE-së. Nuk po them më shumë, nuk jam në garë me askënd se kush është më shumë europian, por qenien time europiane nuk e ndryshon dot askush dhe as vetë pozicioni im, jam kryeministër apo jam thjesht një qytetar i lirë i këtij vendi që kam një zë. Pse mërzitën këta? Çfarë thashë dhe çfarë nuk duhet të thoja? Është çështje karakteri. Opozita me reagimin e vetë ka treguar karakterin e vetë, karakter i dobët. Karakter i dobët i atyre që, kur kanë pasur pushtetin, i janë përulur me servilizëm kujtdo që ka folur në gjuhë të huaj. Unë nuk hyj në këtë kategori. Kjo që unë them, nuk do të thotë aspekt mungesë respekti. Për respektin për Francën, për admirimin për Francën dhe për dashurinë, po të doni, për Francën, unë konkurroj me çdo francez, edhe me ambasadoren dhe me çdo francez tjetër, por nuk jemi këtu në garë se kush e do Francën më shumë, se kush e do Bashkimin Europian më shumë. Këtu jemi thjeshtë në një situatë që është e qartë dhe për më tepër ka pasur edhe një humbje në rrugën e përkthimit, sepse unë, kur kam sjellë shembull Francën, mund të kisha sjell shembull shumë vende të tjera e nuk kam dashur të ilustroj me shembullin për Francën vendimin e Këshillit Europian, që është një vendim i gabuar. Çfarë ka këtu? Ata kanë të drejtë të na thonë sa herë gabojmë dhe ne i falënderojmë, por dhe ne kemi të drejtë të themi, – mendoj unë, – kur ata mund të gabojnë në raport me ne, jo në raprot me shumë gjëra të tjera, që sigurisht nuk janë as puna, nuk është as pozicioni ynë që t’i tregojmë atyre si të bëjnë punët e tyre. Këtu është fjala për të mbrojtur dinjitetin.

Këtu është fjala për të mbrojtur njerëzit dhe unë, për të garantuar mbrojtjen e njerëzve të këtij vendi, nuk e kam gjuhën e nënës për ta vënë në gjumë, e kam për ta përdorur. Është shumë e thjeshtë. Pse shqetësoheni ju? Keni frikë se mërzitet BE-ja? Nuk mërzitet BE-ja kaq kollaj. Edhe po të mërzitet, ku është problemi në këtë rast, nëse kjo është e vërtetë? Nuk është e vërtetë që u vendos që të lihen jashtë nga aksesi për vaksinim direkt vendet e rajonit? Është e vërtetë apo nuk është e vërtetë? Është e vërtetë apo jo, që gjyshi, gjyshja jote u lanë jashtë? Ti ke hallin e BE-së? Qan hallin si duket kryeministri yt në sytë e BE-së, kur thotë ndonjë gjë që nuk i pëlqen BE-së, apo ke hallin që gjyshi dhe gjyshja jote të vaksinohen sa më pare. Pse ti shqetësohesh për kryeministrin tënd, meqë më the që jeni kryeministri i shqiptarëve dhe i joti? Çfarë bëri kryeministri yt, u tha atyre ndonjë të pavërtetë? I fyeu?

Nuk harroj asnjë ditë, asnjë sekondë, kauzën e BE-së e kam mbrojtur dhe e mbroj me pasion. E kam mbrojtur si njeri i lirë jashtë zyrave, e mbroj si kryeministër dhe do e mbroj gjithmonë. Nuk ka alternative tjetër veç BE-së. E kam mbrojtur me admirim dhe me respekt.

Nga ana tjetër është e pakuptueshme për mua. Unë flas për vaksinat dhe më tregojnë çfarë ka bërë BE-ja për Shqipërinë. Nuk e di unë, çfarë ka bërë BE-ja për Shqipërinë?! E di më mirë sesa të gjithë ata që ma tregojnë në gjuhë të huaj, sepse jam shumë i vetëdijshëm dhe jam shumë mirënjohës për çfarë ka bërë BE-ja për Shqipërinë. Nuk e harroj kurrë e nuk kam për ta harruar gjithë jetën ndihmën që dha BE-ja për rindërtimin. Nëse sot po fillon faza e dytë e rindërtimit të shkollave, kjo po bëhet me fondet e BE-së. Faza e parë është bërë me fondet tona. Po me fondet tona, ne nuk do t’i bënim dot të gjitha shkollat. Nuk kam si ta harroj këtë. Për çfarë ma tregojnë mua që japim kaq e japim aq? Patjetër, ato i di përmendësh, po ku lidhen këto të dyja? Duhet të themi faleminderit shumë dhe bravo që na latë jashtë, apo të mos flasim fare e të bëjmë sikur nuk kuptojmë. Është shumë e thjeshtë. Ne jemi miq të pandarë me Bashkimin Europian, jemi partnerë, kam respekt absolut për gjithçka e bën Bashkimin Europian një forcë të pazëvendësueshme, por çfarë do të thotë kjo? Të mos hap gojën për të mbrojtur njerëzit e mi, njerëzit që përfaqësoj? Të mos hap gojën, për t’i sjellë sa më shpejt gjyshit e gjyshes tënde vaksinat? Pse, se mërzitet ambasada? As nuk më ka shkuar në mendje njëherë, pse duhet të mërzitej ambasada. Nuk kishte lidhje fare. Unë kam thënë një fakt, për të ilustruar që shpejtësia e vaksinimit është në disproporcion me sasinë në dispozicion për të gjitha vendet. E çfarë u kushtonte atyre që të vendosnin një shumë vaksinash për mjekët dhe infermierët e rajonit. Për çfarë duhet të bëjmë operacione sekrete për të sjellë këtu vaksina, për të filluar vaksinimin përpara sesa të kemi askes në instrumentet e tjerë, kur mund t’i jepeshin Shqipërisë, mund t’i jepeshin Kosovës, Malit të zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjë Hercegovinës, aq mijë doza sa kanë mjekë dhe infermierë. Nuk janë shumë. T’i jepeshin pjesë-pjesë, që të mos rrinin të shihnin televizor as gjyshi e gjyshja jote e as gjithë të moshuarit e Shqipërisë e gjithë të tjerët sesi vaksinohen ata që flasin anglisht, apo frëngjisht, apo holandisht dhe të ndiheshin si njerëz me vlerë relative në mes të Europës.

Kaq e thjeshtë është dhe kaq duhet të kuptojnë e të mirëkuptojnë. Nuk ka fare këtu sherr me BE-në. Turp i madh për ata që kanë dalë në mbrojtje të BE-së dhe mbrojnë BE-në nga unë. Turp i madh, për ata që nuk kanë lënë fjalë vulgare të librit të gjuhës shqipe pa përdorur kundër ambasadorëve të BE-së, ata që i kanë bërë ambasadorët e BE-së në sytë e opinionit si s’ka më keq, duke shpifur për ta, duke hedhur baltë për ta, duke shkuar deri në ekstreme që janë neveri e gjallë. Ata mbrojnë BE-në nga unë tani! Ata që nuk kanë lënë maskarallëk pa bërë për përfaqësuesit e BE-së këtu. Mos kini merak, nuk ju fus unë në sherr me BE-në, përkundrazi, sa të më keni mua këtu, do jeni të mirëpërfaqësuar me BE-në dhe me gjithë botën. Mos kini asnjë merak për këtë.

Zoti Kryeministër, kam dhe unë një pyetje në lidhje me vaksinën. Në ditët e para të janarit, kur dhe prezantuat Marrëveshjen që kishit lidhur me Pfizer-in për blerjen e 500 000 dozave të vaksinës antiCOVID, u shprehët se në javën e tretë të janarit do të vijnë dhe dozat e para të Marrëveshjes që ka lidhur shteti shqiptar me Pfizer. Aktualisht jemi në javën e tretë të muajit janar, do doja të dija a kanë mbërritur këto doza? Kryeministri Rama: Po të kishin mbërritur, do ta kishit marrë vesh.

 

Duke qenë se ka qenë një proces i fshehtë dhe mbërritja e dozave të para që ishin dhuratë nga një vend i Bashkimit Europian, nuk është bërë me dije se kur kanë mbërritur, vetëm është marrë vesh kur ju keni lajmëruar se në 11 janar do të nisë dhe procesi i vaksinimit. 

Kryeministri Rama: Ke hall mos kanë ardhur fshehtas dhe këto të Pfizer-it tani? Me çfarë e humbni kohën, se nuk e kuptoj. Përfaqëson edhe një media që e ka shtrirjen më të gjerë sesa kufijtë e Shqipërisë, kështu që duhet ta kesh ndjekur, por, nëse nuk e ke ndjekur, verifikoje që Pfizer-i ka bërë një deklaratë që ka ndezur zjarr polemikën me shumë shtete të Bashkimit Europiain, duke thënë që do ta shtyjë për 1 javë procesin e dorëzimit të dozave që ka kontraktuar. Ja, kaq e thjeshtë është.

 

Zoti Kryeministër, pyetja e parë ka të bëjë me premtimin tuaj për 300 mijë vende pune. Në deklaratën tuaj, ju thatë që keni hapur 225 mijë vende pune, por, nëse i referohemi dhe shifrës që dhe drejtoresha e Tatimeve për një reduktim të informalitetit në 10%, kjo i takon rreth 60 mijë nga këto vende pune janë formalizim. Pra, në një total janë thjeshtë 165 mijë vende pune në dy mandatet tuaja të para, ndërkohë që në kuadrin makroekonomik dhe fiskal shikohen dhe 40 mijë vende pune në 4 vitet e ardhshme. Sa vite dhe sa mandate ju duhen për të realizuar këtë premtim?

Pyetja e dytë ka të bëjë me nismën për të reduktuar korrupsionin në radhën e inspektorëve tatimorë. Ju thatë se do t’i gjurmonit me GPS dhe me kamera, por, ndërkohë, si do të siguroheni që këto pajisje tashmë funksionojnë? Pasi kamera duhet të kishte dhe reparti Shqiponjat dhe kemi parë që kjo ka çaluar.

Kryeministri Edi Rama: Nuk e kuptova këtë të dytën, çfarë ka çaluar?

 

– E kemi parë që reparti Shqiponja, si në rastin e vrasjes së Klodian Rashës nuk ka pasur as kamera, as GPS në trup dhe raportet që vijnë nga vetë Ministria e Brendshme tregojnë që një pjesë e madhe e kamerave nuk janë funksionale. Si do sigurohemi që kjo gjë nuk do të ndodhë dhe me inspektorët e tatimeve?

Kryeministri Edi Rama: Në këndvështrimin tim duhet vërtetë sforco e madhe për t’i ndërtuar pyetjet me kaq lidhje shkak pasojë pa lidhje, por, megjithatë, pyetja është pyetje dhe çdo pyetje është legjitime, kështu që duke parë e duke bërë. Ne do shikojmë e do bëjmë tonën, ju do shikoni e do bëni tuajën. Por, nëse ka një dallim mes nesh në detyrat tona, është që ne duhet të shikojmë të ardhmen kur bëjmë punën e sotme, ju duhet të shikoni të sotmen kur komentoni punët e të sotmes dhe duhet të shikoni faktet, duhet të shikoni shifrat, duhet të shikoni atë që vjen nga bota reale e gjërave dhe jo nga fantazitë. Përsa i përket krahasimit është komplet pa vend, nuk ka lidhje fare. Sot që flasim, numri i inspektorëve në terren është reduktuar në mënyrë drastike e të gjithë sot kanë kamera dhe kanë GPS-in kur shkojnë për kontrolle, sepse kontrollet janë reduktuar në mënyrë drastike. Sot i kanë, nëse nesër nuk do punojnë kamerat, këtu jemi prapë. Ju do ta shikoni, do ta konstatoni e do themi faleminderit shumë që na ndihmuat që të shohim që nuk punojnë kamerat.

Përsa i përket pjesës tjetër, vendet e punës janë ato që figurojnë në librat e llogarive të shtetit. Skllavëria nuk numërohet si vend pune në asnjë vend të planetit, kështu që ato mund t’i numëroni ju, por unë nuk i numëroj. Unë po ju them vende pune në Republikën e Shqipërisë dhe këtu kemi vitit 2019, pa llogaritur goditjet nga pandemia dhe rikthimin e shumë vendeve prapa etj, etj, por për të marrë një shifër që të mos kemi diskutime, këto janë librat e llogarive të shtetit. Dhe në librat e llogarive të shtetit është shumë e qartë që numri i vendeve të punës është rritur aq sa është rritur. Ka patur momente që ka qënë më pak, ka patur momente që ka qenë më shumë, ajo shifra aty. Pra, midis “premtuat 300 mijë dhe nxorët 700 mijë shqiptarë jashtë dhe nuk hapët asnjë vend pune” dhe faktit, ka një diferencë shumë të madhe. Pastaj numrin e saktë si, qysh tek, mund ta diskutojmë.

 

Ju folët pak më parë për borxhin tatimor. Po për sa i përket borxhit publik, a mund të kemi një shifër reale për borxhin publik, sidomops pas dy ngjarjeve të mëdha, tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë. Ky borxh publik a mund të themi që rrezikon stabilitetin financiar të vendit?

Kryeministri Edi Rama: Për rrezikun e stabilitetit financiar, mund të them që nuk ka asnjë rrezik. Për borxhin ministrja mund të flasë.

 

Ministrja e Financave Anila Denaj: Rritja e borxhit si një përqindje mbi produktin e brendshëm bruto, në 80,5 në vitin 2020 është një parashikim që I ka ndodhur jo vetëm Shqipërisë, por edhe vendeve të tjera. Pra zgjerimi i borxhit është një fakt për 2020. E kemi artikuluar disa herë që ne nuk jemi goditur vetëm nga një situatë e vështirë siç është pandemia. Ne jemi goditur nga dy situata shumë të vështira dhe tërmeti ishte me një kosto financiare shumë të madhe dhe të artikuluar në vlera të konsiderueshme.

Ajo që mbetet si objektiv është konsolidimi fiskal. E kemi bërë fakt në 5 vitet e shkuara dhe do ta bëjmë fakt edhe në 5 vitet e ardhshme. Konsolidimi fiskal nënkupton një ulje, reduktim të borxhit në afatmesëm, i parashikuar në 78,6 vitin që vjen. Unë edhe në një prezantim të mëparshëm që kemi folur për borxhin kam sjellë në vëmendje dy shifra shumë të rëndësishme, të evolimit të  menaxhimit të borxhit në vite.

Së pari, në raport me koston mesatare të borxhit, sepse këto janë elementë që thuhen, por harrohen dhe po nuk u përsëritën, ka rrezik që të mos nguliten. Vijmë nga një ulje e konsiderueshme e kostos së borxhit në vite  dhe konkretisht nga 8,86 % të borxhit të brendshëm, në 3,58 % në 2020. Dhe sigurisht në mesatare nga 6, 21 % në 2.92 %. Por ka dhe një element tjetër shumë të rëndësishëm të menaxhimit të borxhit, përveç parashikimit për konsolidim fiskal, sesa lekë janë investuar për çdo 100 lekë shtesë të marrë borxh.  Dhë këtu dua të ritheksoj dhe të rikujtoj se në disa periudha, në qoftë se marrim 2008-2013, për për çdo 100 lekë shtesë të borxhit janë investuar 117 lekë. Në 2014-2020 janë investuar 169 lekë dhe në 2021 janë parashikuar 245 lekë. Po t’i referohemi diskutimeve në mbledhjet me FMN sigurisht investimet në infrastrukturë, përllogariten që për 1% investime në infrastrukturë parashikohet një rritje me gati 2.2 % të ekonomisë, të produktit të brendshëm bruto. Kështu që sigurisht janë elementë të rëndësishëm që shkojnë paralelisht dhe në aspekt të investimeve, të cilat dhe në vitin që vjen shkojnë në 7,2 % të produktit të prendshëm bruto.

Besoj që rritja e borxhit në vlerë absolute ekziston, por konsolidimi fiskal, ulja në përqindje e produktit të brendshëm bruto, është një fakt, të cilin ne e kemi bërë dhe në ligjin organik të buxhetit në 2023, duke parashikuar që balanca primare do të jetë pozitive në atë vit dhe ky është një anagzhim ligjor.

 

Kryeministri Edi Rama: Një gjë dua të shtoj këtu që është e rëndësishme, borxhi në vetvete është një gjë, por ajo që është diçka tjetër që ka shumë peshë në gjykimin për borxhin është risku i financimit të borxhit. Nëse rrisku i financimit të borxhit është i lartë, atëherë borxhi është i rrezikshëm, patjetër. Nëse rrisku i financimit të borxhit është i ulët, atëherë borxhi nuk është i rrezikshëm. E për këtë arsye borxhi i rritur për shkaqe krejtësisht objektive, nuk është i rrezikshëm për stabilitetin makroekonomik të vendit dhe madje duke qënë se thuajse është dyfishuar sasia që nga ky borxh investohet për njerëzit do të ndikojë jashtëzakonisht shumë në shëndetin e ekonomisë. Kështu që unë jam shumë optimist për këtë.

Pyetja e parë lidhet me koston totale të fiskalizimit. Si ndahet kjo kosto. A ka një përllogartije qeveria si ndahet kjo kosto, si ndahet në përqindje mes buxhetit të shtetit dhe biznesit. Pyetja e dytë është a ka një parashikim sa do të rriten të ardhurat.

Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimi: Investimi në sisteme për fiskalizmin ka qënë një investimi më madhor i adminsitratës tatimore pasi ky është dhe projekti më madhor i Administratës Tatimore në 10 vitet e fundit. Është një investim, i cili i ka kushtuar shtetit 18 milionë euro dhe është një investim i kryer disa vite më parë i cili sot është i gjithi në funksionim. Sot e gjithë Administrata Tatimore është e trajnuar për të përdorur dhe për të marrë maksimumin nga ky sistem. Ndërkohë që në një plan afatmesëm, pra në përfundim të këtij viti dhe kryesisht gjatë vitit 2022, ne do të shohim të ardhurat e këtij investimi, të cilat priten të rriten nga 10 deri në 15 %, sigurisht zëri i tvsh, i cili është materializuar edhe në vende të tjera ku është implementuar ky projekt.

 

Ministrja e Financave Anila Denaj: Në lidhje me pyetjen e dytë, së pari ka një parashikim i cili lidh sistemin e fiskalizimit dhe përmirësimin e kontrolleve dhe të gjithë sistemet e integruara të gjitha sëbashku me një rritje gati 30 % të të ardhurave tatimore për të synuar në nivel afatmesëm një kalim nga niveli i të ardhurave mbi prodhimin e brendshmë bruto, të cilin e pamë në fillim të prezantimit, në 31.1 % në fund të mandatit të tretë.

Dua të ritheksoj këtu që ne sot jemi më pak se vendet e tjera të rajonit si rezultat i punës që, ashtu siç e thamë deri tani ka avancuar por na ka lënë në karabina dhe për të përfunduar godinën do të na duhet që të gjitha këto sisteme të integruara të funksionojnë. Ato nuk funksionojnë dot në një ditë. Ju e dini shumë mirë që edhe sistemi i fiskalizmit që është aprovuar në vitin 2019 pësoi shtyrje për assye të pandemisë, vitin e kaluar. Jemi këtë vit duke implementuar sistemin e fiskalizmit dhe gjithë rezultatet i presim në 3 deri në 4 vitet e ardhshme për të synuar 31.1 % në fund të mandatit të tretë.

 

Kryeministri Edi Rama: 31.1 % është një normë optimale duke patur parasysh të gjithë rajonin tonë, duke patur parasysh çfarë do të sjellë si rritje e mundësive tona për të investuar më shumë në të gjitha drejtimet dhe për ta çuar më tej, me shumë më tepër forcë projektin e transformit të gjithëanshëm që është një projekt në vazhdim.

Shumë falemiderit dhe njëherë!