Zall-Herr, Tiranë – Vazhdon kthimi i familjeve në shtëpitë e reja

Njëra pas tjetrës po hynë në shtëpitë e rindërtuara, familjet në Zall Herr të Tiranës, duke zvogëluar gjithnjëa e më tepër numrin e familjeve të mbetura në çadra. Edhe këto familje marrin rregullisht bonusin e qerasë, por kanë zgjedhur të qëndrojnë pranë truallit të shtëpisë së prishur në fshat, për arsye të punës me tokën, të kujdesit për gjënë e gjallë apo thjesht për zgjedhjen e tyre.

Në Zall Herr ishte sot Kryeministri Rama, i cili vizitoi shtëpitë e reja të dy prej familjeve të zonës. “Jemi në fshatin Mëlcizë të ish komunës së Zall Herrit, ku sapo kemi prokuruar garën për urën që lidh me pjesën tjetër të Zall Herrit, që është një nga kërkesat e komunitetit dhe do të fillojmë punimet muajin tjetër. Deri në verë, ne do të kemi një urë dhe një rrugë të re që lidh çdo lagje me pjesën tjetër të Zall Herrit. Siç e shikoni, edhe terreni ka qenë me erozion”, – shprehet kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili së bashku me kryeministrin Rama dhe ministrin për Rindërtimin Arben Ahmetaj u drejtuan për në shtëpinë e Ramazanit, përfitues i një banese 3+1.

“Ju falenderoj që jeni të pranishëm këtu, gjithashtu edhe për shtëpinë”, – shprehet Ramazani, në shtëpinë e vjetër të të cilit kanë qenë dy kurora, që do të thotë se janë përfitues të dy shtëpive të reja.

“Është kënaqësi e madhe që mund të krijojmë kushte të tjera, shumë më të mira se ato që kishin përpara, familjet që morën atë goditje”, – shprehet Kryeministri. “Në shkurt të vitit të kaluar kemi patur 10023 familje në çadër, ndërsa me shifrat e para një jave janë 865. Ata që janë në çadër marrin edhe bonusin e qerasë. Shtëpitë individuale do të mbarojnë. Do të marrin pak më shumë kohë apartamentet. Ata që presin për të hyrë në apartamentet e reja janë të gjithë në apartamente me qera”, – vijon Kryeministri.

Në fund të majit do të mbarojnë 1600 shtëpi individuale, ndërkohë që në të gjitha bashkitë e dëmtuara, është rihapur sistemi i aplikimeve për ato familje që në fillim nuk e kanë besuar se mund t’u ndërtoheshin shtëpitë. Këtë fakt e bëri të njohur ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj. “Siç e kemi thënë, në fund të majit do të mbarojnë 1600 njësi individuale. Vetëm Bashkia e Tiranës ka 2 mijë njësi.  Ka patur familje, të cilat nuk kanë besuar që do të ndërtohen shtëpitë dhe nuk e kanë bërë aplikimin. Tani që e kanë parë që po ndodhin gjërat realisht, kërkuam me të gjitha bashkitë që të ketë hapje të sistemit.”

Kryeministri vizitoi gjithashtu edhe shtëpinë e re të Gëzimit, i cili është përfitues i një banese 3+1.