Vorë, kopshti “Muçaj” gati të presë fëmijët me kushte optimale

Bashkia Vorë është shndërruar në një kantier ku ndërtohet papushim. Veçanërisht objekteve arsimore i është kushtuar vëmendje e posaçme, në mënyrë që fëmijë dhe të rinj, të gjejnë komoditetin dhe kushtet optimale të munguara në vite.

I tillë është dhe kopshti i rilindur “Muçaj”, institucion parashkollor që siguron më së miri për vogëlushët cilësi dhe standarde për mësim dhe argëtim.
Kopshtin, e rindërtuar nga themelet dhe të përfunduar tashmë, e viziton Kryeministri Rama, i cili vlerëson projektin dhe punën e bërë për zbatimin e tij. “Është një kopsht me standardet më të mira, me tre klasa, dhoma të përbashkëta fjetjeje, dhoma e ngrënies”, – shprehet Ministri për Rindërtimin Ahmetaj, i cili shton se “Vora si bashki përfiton nga procesi i rindërtimit në të gjitha programet e veta, nga programet arsimore, programin e granteve, të pallateve , të infrastrukturës.”

Ministri Ahmetaj thotë gjithashtu se “80 % e kantiereve të pallateve dhe të infrastrukturës janë hapur. Para një jave ishim në Thumanë dhe sot është duke u gërmuar në gjithë hapësirën e zhvillimit të komplekseve të apartamenteve. Ndërkohë javën që vjen, Fondi i Abu Dabit fillon edhe lidhjen e kontratave për Durrësin.”