Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Lagja e re në Ndroq po merr formë nga dita në ditë, me një kompleks prej 74 shtëpish banimi, kopësht e shkollë dhe një qendër sociale. Komuniteti prej afro 350 banorësh, të cilët humbën shtëpitë e vjetra dhe të amortizuara, në pika të largëta dhe të veçuara, do të sistemohet  në këtë lagje fare afër me rrugën kombëtare dhe me akses të shpejtë në shërbim. Për të inspektuar ecurinë e punimeve ishte sot në kantierin e lagjes së re, Kryeministri Edi Rama.

“Këtu kemi një kompleks, i cili është i ndarë në dy lote. Fillimisht kemi bërë 23 kubaturat e para dhe janë të gjitha familje që vijnë nga fshatra shumë të largët. Praktikisht zbresin në rrugën nacionale Tiranë-Durrës, janë 15 minuta larg nga Tirana dhe 15 minuta nga Durrësi. Në total kompleksi do të jetë me 74 shtëpi”- tregon kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili shton se “duke qënë se është  një komunitet madh me rreth 350 banorë bashkë me fëmijët, një ambient e kemi konceptuar për shkollë 9-vjeçare dhe parashkollor. I gjithë komuniteti klasat e fillores dhe të parashkollorit do t’i ketë në lagje. Kemi shpronësuar edhe të gjithë faqen e kodrës dhe do të jetë realisht një komunitet rezidencial. Disa nga shtëpitë që do të transferohen janë rreth 17 kilometra nga rruga kryesore. 74 i kemi vetëm në këtë ambient. Ndërkohë kemi edhe 82 të tjera që janë individuale, ndërkohë që këtu bëhet fjalë vetëm për zhvendosjen e atyre që janë nga fshatrat më të largët.”

Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj sqaroi për të gjithë përfituesit e banesave të reja nga Programi i Rindërtimit se shtëpia është pronë e tyre, të cilën e trashëgojnë, mund ta shesin apo japin me qera.  “Deri tani janë të regjistruara më shumë se 32 mijë familje që përfitojnë nga procesi i rindërtimit. Para një jave, ne kaluam vendimin e qeverisë, ku i kemi dhënë të gjithë bashkive edhe kontratën tip për shtëpitë, që do të thotë që bashkitë të futen në procesin e marrëveshjes me të gjithë familjet që janë dëmtuar që përfitojnë shtëpi. Dua t’i them qytetarëve që shtëpinë e gëzojnë, e trashëgojnë e shesin, i bëjnë çfarë të duan. Çdolloj thashethemi poshtë e lartë, që qeveria nuk i lë ta shesin, ta japin me qera, është gënjeshtër”, – sqaron ministri Ahmetaj.

Ky fakt pohohet edhe nga Kryeministri Rama, i cili shton se përmes dokumentacionit përkatës qytetarëve do t’u jepet siguria e nevojshme për shtëpinë apo apartamentin që do të përfitojnë, brenda afateve të përcaktuara. “Është e rëndësishme që shtëpitë individuale po avancojnë dhe familjet po kthehen nëpër shtëpi. Një pjesë e vogël, ata që shtëpitë e dëmtuara i kanë në pika që gjeologjikisht, gjeografikisht nuk i kanë të favorshme, t’i marrin paratë në dorë dhe është zgjedhja e tyre. Nëse duan t’i ndërtojnë atje me supervizionin tonë, le t’i ndërtojnë atje. Sugjerimi ynë, natyrisht jo imponues, është që të mos e ndërtojnë atje. Të gjejnë një zgjidhje tjetër sipas mundësive që kanë, por me atë shumë që ju jepet mund ta ndërtojnë kudo. Ndërkohë, ata, të cilët presin apartamente, pjesë-pjesë do të fillojnë, por një pjesë e atyre do të presin ende, duke patur bonusin e qerasë. Atyre duhet t’u japim kontratën dhe t’i themi që kjo është kontrata që familja jote merr këtë apartament, me këtë sipërfaqe dhe me një angazhim kohor, që ta dinë, jo më thonë është letër pa vlerë, por një letër me vlerë që në këtë afat ti merr apartamentin. Për çdo kalim afati që mund të ndodhë për 1001 arsye, qeveria, bashkia do të paguajnë një penalitet dhe kështu, ai e ka kontratën me vlerë noteriale që në çdo rast, nëse do të shkojë të kërkojë llogari në Gjykatë, le të shkojë. Por më shumë për t’i dhënë gjithë sigurinë psikologjike dhe për të mos rënë pre e maskarallëqeve që do të shkojë duke u shtuar për shkak të zgjedhjeve, të cilat sigurisht janë dokrra. Megjithatë njerëzit kanë të drejtë  të kenë ankthin dhe shqetësimin e  natyrshëm”, – shprehet Kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.