Rindërtimi vazhdon me tre turne në çdo zonë të goditur nga tërmeti për ringritjen e pallateve, shkollave, infrastrukturës dhe njësive individuale. Edhe në Laç, ku Kryeministri Rama vizitoi kantieret e rindërtimit në orët e mbrëmjes, puna vazhdon pa ndërprerje, pavarësisht kushteve jo shumë të favorshme të motit.
Pallatet që po ndërtohen nga qeveria turke janë në një fazë të avancuar, ndërsa pritet që deri në fund të marsit të gjitha godinat e banimit të jenë të realizuara deri në katet e tyre përfundimtare. “Kemi godina që kanë ecur deri në katin e pestë. Pjesa e platformës dhe gjithë parkimeve në pjesën jugore ka mbaruar. Këtu punohet me tre turne dhe cilësia e punimeve nga gjithë monitorimet dhe raportet që kemi është shumë e mirë. Po ndërtohen 524 apartamente, 400 parkime. Do ndërtohet një qendër komerciale, njësi shërbimi dhe ambiente komunitare. Deri në fund të marsit, gjithë godinat do jenë në katet e tyre përfundimtare dhe me mure tulle të mbaruara. Pastaj fillon rifinitura. Gjithë sajti do të mbyllet në fillim të gushtit, fillim të shtatorit”, – u shpreh ministri Ahmetaj
Përveç pallateve, pjesë e zhvillimit të Laçit është edhe projekti i përroit të Laçit, i cili pritet të mbarojë shumë shpejt, për të realizuar kështu një dëshirë të kahershme të banorëve të këtij qyteti. “Edhe puna për përroin është drejte mbylljes. Është bërë rakordimi me firmën turke për të filluar bashkëpunimin. Ka qenë pak jo favorite koha, por është punuar me turne e me kohë të gjatë”, – u shpreh kryetarja e Bashkisë së Laçit, Majlinda Cara.
Gjithashtu, puna vijon me infrastrukturën në blloqet e reja të pallateve që po ndërtohen. “I kemi kërkuar firmave të punojnë me tre turne. Edhe njësitë individuale, edhe shkollat, edhe infrastrukturat dhe pallatet me tre turne, sepse do të marrin penalitete. Ne duam ti dorëzojmë shtëpitë qytetarëve sa më shpejtë të jetë e mundur”, – tha ministri i Rindërtimit.
Kryeministri Rama tha se “tani u hoq pjesa më e vështirë dhe më e padukshme dhe fillon pjesa e dukshme.”.
Duke folur për kontratat e banesave apo apartamenteve, ministri Ahmetaj nënvizoi se “me kontratën tip për qytetarët, i jepet e drejta qytetarëve ta zotërojnë shtëpinë, ta trashëgojnë, ta japin me qera, ta shesin, të bëjnë çfarë të duan”.