Bari, Itali, Komunikim i përbashkët i Kryeministrit Edi Rama me ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio dhe Presidentin e Rajonit të Pulias, Michele Emiliano:
Presidenti Emiliano: Është një nder i madh për ne puljezët t’i shprehim mirëseardhjen Kryeministrit Rama dhe ministrit të Jashtëm Luigi di Maio. Është një lumturi e vërtetë, autentike, që rrjedh nga një miqësi e vjetër, e bazuar në vepra dhe jo në fjalë. Dhe nga e gjitha kjo, Kryeministri Rama do të më lejojë që të falënderoj në mënyrë të veçantë ministrin e Jashtëm që, megjithë impenjimet e jashtëzakonshme që ka, nuk deshi të mungonte në këtë ditë të veçantë dhe të jashtëzakonshme. Një ditë që na kujton dëshirën që çdo popull ka pasur për tjetrin, një dëshirë njohjeje të bazuar te kultura, te bukuria dhe te ndarja e problemeve, dua të them edhe për luftën për demokraci, për lirinë, një luftë e përbashkët për progresin ekonomik, për mirëqenien, të gjitha gjërat që kemi ende për qëllim të bëjmë përgjatë viteve që do të vijnë.
Kështu që, këto ditë janë një impenjim, një betim, nëse më lejohet të përdor këtë term, për besnikëri ndaj vetes për ligjet e pashkruara të njerëzve dhe mbi të gjitha, për këtë miqësi të shkëlqyer mes Italisë dhe Shqipërisë, nëse më lejohet edhe mes Pulias dhe Shqipërisë, që ne duam ta ruajmë si një gjë shumë të vlefshme. Faleminderit të gjithëve!
Ministri Di Maio: Faleminderit Presidentit Emiliano, faleminderit Kryeministrit Edi Rama dhe faleminderit për ftesën që më keni drejtuar!
Sot jemi këtu për të kujtuar një ngjarje të rëndësishme, zbarkimet e para të miqve shqiptarë këtu në Pulia, 30 vite më parë, pikërisht gjatë këtyre ditëve. Puljezët dhe do të thosha të gjithë italianët kanë ende në kujtesën e tyre imazhet e këtyre personave, të shtrënguar me mijëra me njëri-tjetrin në këto anije të shpresës. Për shumë shqiptarë, Italia nënkuptonte mbi të gjitha liri dhe shpresë për një jetë më të mirë. Nuk e dimë me saktësi sesa shqiptarë mbërritën në brigjet puljeze gjatë atyre muajve dramatikë të vitit 1991, sigurisht disa dhjetëra mijëra. Vetëm anija “Vlora” që mbërriti në Portin e Barit, në gusht të vitit 1991, transportonte 20 000 persona. Të gjithë ata, ashtu si mijëra bashkëkombas të tjerë që erdhën muajt pasardhës, gjetën ngrohtësi dhe mikpritje. Mobilizimi popullor i puljezëve përballë motrave dhe vëllezërve shqiptarë që vinin nga ana tjetër e Adriatikut ishte i jashtëzakonshëm, që sot pas 30 viteve na mbush me krenari.
Qytetarët shqiptarë që jetojnë në vendin tonë janë sot rreth 500 mijë dhe përbëjnë një kontribut të jashtëzakonshëm në të gjithë sektorët e shoqërisë sonë. Dhe pikërisht kjo është arsyeja që sot jam këtu me Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë, mikun vëllam dhe të sinqertë të Italisë dhe me guvernatorin e rajonit të Pulias, Michele Emiliano, për të kujtuar ato momente domethënëse dhe prekëse që kontribuan në bashkimin edhe më shumë të popujve tanë dhe që na shtyn të mendojmë edhe për të ardhmen.
Dhe pikërisht në këtë sfond ndodhi afrimi progresiv i Shqipërisë me Europën. Një afrim që Italia dhe unë personalisht e kemi mbështetur dhe inkurajuar vazhdimisht. Një shpresë që negociatat e pranimit të Shqipërisë në BE të mund të hapen, më në fund, gjatë këtij viti.
Ndërsa veprojmë për t’i dhënë më shumë perspektiva këtij rrugëtimi, në planin bilateral kemi ndërtuar një marrëdhënie unike dhe të thellë në të gjitha këndvështrimet, tregtar, kulturor dhe shoqëror. Roli i Italisë në Shqipëri është padyshim i veçantë. Ambasada jonë koordinon një prani që përfshin Zyrën ICE, një Dhomë Tregtie mjaft aktive, Institutin e Kulturës, Agjencinë e Bashkëpunimit për Zhvillim, organin e Kufijve Detarë të Policisë sonë Financiare, me dhjetëra mësues e profesorë, një rrjet prej 3000 ndërmarrjesh italiane, shumë prej të cilave janë pikërisht puljeze.
Pavarësisht se 2020-ta ka qenë një vit veçanërisht i vështirë, Italia e tregoi veten si partnere parësore për Shqipërinë, me 31,4 % të tregtisë së përgjithshme midis dy vendeve, e barabartë me rreth 2,2 miliardë euro. Mendojeni pak, rreth 20% e PBB-së së Shqipërisë.
Nga këndvështrimi kulturor, bashkëpunimet tona reciproke dhe të afërta janë të panumurta dhe dua të përmend sidomos bashkëpunimin ekzistues mes Komisionit të Filmit të Pulias dhe Qendrës shqiptare të Kinematografisë, drejtori i të cilës, Ilir Butka, ishte një nga shqiptarët që 30 vjet më parë zbarkoi me anije në Brindizi. Sot kemi shumë shumë për të kujtuar, festuar. Duam ta bëjmë jo në mënyrë retorike dhe nostalgjike, por duke mbajtur të pandryshueshëm shikimin tonë drejt së ardhmes.
Rrugëtimi ynë drejt bashkëpunimit dhe miqësisë vazhdon me hapa konkrete, i dashur Edi. Italia mbështet e bindur plotësisht Shqipërinë dhe për këtë besojmë se Europa duhet të demonstrojë të jetë në lartësinë e aspiratave të shqiptarëve.
Faleminderit!
Kryeministri Rama: Faleminderit dhe më falni nëse ndihem i emocionuar nga kjo mikpritje, që ndoshta do të meritoja si italiani më i gjatë mes shqiptarëve, por megjithatë ndjehem i nderuar të jem mes dy shqiptarëve më të mirë mes italianëve. E them këtë gjë për demonstrimin e zemërgjerësisë ndaj Shqipërisë, jo vetëm kur ka diell dhe kur deti na fton, por edhe kur ka edhe momente, ato momente të vështira, që vënë në dukje miqësinë e vërtetë.
Ndërsa zbrisja nga avioni, shikoja këtë mikpritje të pabesueshme e më kujtohej një këngë italiane, e cila, në mos gaboj, thoshte ”kalojnë vitet mes furtunave dhe dhimbjeve”. Dhe janë 30 vjet, e pastaj shkojnë në drejtime te ndryshme, por janë 30 vjet, qëkur shqiptarët morën anijet për të mbërritur në anën tjetër të detit. E kështu në 30 vjet kanë ndodhur shumë gjëra, ka pasur shumë furtuna dhe vështirësi për shqiptarët, por shumë sinqerisht edhe shumë zemërgjerësi, shumë Itali për Shqipërinë. Jam i sigurtë që kjo periudhë e historisë sonë nuk do të harrohet nga brezat e ardhshëm.
Në këtë moment dua të them veçse faleminderit për të gjithë ata italianë, në përgjithësi dhe puljezët, në veçanti, njerëzit e thjeshtë, familjet e tyre, që hapën dyert e pritën ata të panjohur, shumë të ndryshëm, që shpesh frikësonin, ku mbi atë frikë pastaj u bënë edhe fushata urrejtjeje, por ja që urrejtja nuk fitoi, por fitoi shpirti i zemërgjerësisë dhe shpirti i solidaritetit të popullit italian dhe institucioneve të tyre.
Ato institucioneve që gjithë këto vite kanë qenë pranë Shqipërisë dhe pavarësisht nga ngjyra e atyre që kanë qeverisur nga pikëpamja politike, nuk ka pasur kurrë një ngjyrë në marrëdhëniet tona 30-vjeçare, përveç atyre të dashurisë dhe miqësisë.
Pa u bërë patetik, dua t’i them faleminderit edhe për atë që Luigi ka bërë personalisht, po ashtu edhe atë që ka bërë Michele, kur 15 muaj më parë, Shqipëria u godit nga një tërmet i tmerrshëm. Italia qe pranë nesh nëpërmjet zjarrfikësve të saj të pabesueshëm, por sidomos nëpërmjet pranisë së saj si në territorin tonë, ashtu edhe në atë europian, për të nderuar tërë fjalët e bukura të thëna gjatë këtyre 30 vjetëve, të tilla si “Shqipëria është pjesë e Europës”, “Shqipëria është Europë” dhe “Për Italinë, Shqipëria është veçse pjesa tjetër e të njëjtit det”.
Nuk do të mund të them asnjëherë mjaftueshëm fjalë për të falenderuar këta dy persona, për angazhimin e tyre, për mënyrën se si u angazhua Luigi, duke u shndërruar me të vërtetë në avokatin më të madh të popullit shqiptar në një çast mjaft të errët, por jo vetëm në atë çast. Gjatë gjithë rrugëtimit të tij, ai ka qenë me të vërtetë një mik me pesë yje!
Unë uroj që ne të mund të jemi në lartësinë e kësaj miqësie. Uroj që të mos keni kurrë nevojë për ne, por, nëse do të jetë e nevojshme, ne do të jemi aty, të nderuar që të ndodhemi pranë jush.
Dëshiroj që fjalët e fundit të jenë për shifrën që përmendi Luigi. Janë gjysmë milion shqiptarë, që sot jo vetëm jetojnë, punojnë, por edhe kontribuojnë në ekonominë italiane. Janë 50 mijë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, të krijuara nga shqiptarët, që paguajnë kontributet e tyre të taksave italiane. Janë me mijëra të rinjtë që studiojnë në universitetet italiane dhe duke qenë se neve italishtja na vjen natyrshëm si gjuhë e dytë, ata janë gjithnjë në përparësi në krahasim me studentët gjermanë, holandezë apo studentët e tjerë që studiojnë në Itali. Nuk ndodh shpesh në vende të tjera, por në Itali jemi në këtë nivel: të parët në përsosmëri.
Dhe e gjithë kjo është bërë e mundur falë gjithçkaje që thashë deri tani, falë kësaj gatishmërie të pabesueshme, që i ka rrënjët e saj në traditën italiane, në historinë e Italisë dhe padyshim edhe në shpirtin italian.
Nuk kam më për të shtuar, por, meqë këtu janë tërë këta gazetarë dhe meqë prej javësh më kanë bombarduar me pyetje, shpresoj që ambasadori të më falë për këtë shkelje të protokollit, dua t’i shfrytëzoj këto sekonda për t’i kërkuar Luigit që të kujdeset për lejet e drejtimit të shqiptarëve në Itali, sepse kanë ngecur keq në korridoret mjaft të veçanta të burokracisë italiane. Ato duhen nxjerrë prej andej, që kështu të mund t’i drejtojnë automjetet në mënyrë të rregullt, sepse, ashtu si edhe napoletanët, ne shqiptarët jemi shumë të disponueshëm për t’i drejtuar automjetet edhe pa patentë. Këtë nuk mund ta lejojmë.
Ministri Di Maio: Jo, këtë nuk mund ta lejojmë.
Kryeministri Rama: Faleminderit!