Kryeministri Rama ishte në Kukës ku e nisi ditën me mikpritjen për bluzat e bardha të Kosovës të cilët kanë filluar të vaksinohen në Shqipëri. Lidhur me çështjen e vaksinimit të mjekëve dhe infermierëve nga Kosova por dhe procesin e vaksinimit në vend, kryeministri u shpreh:
“Kemi nisur me mikëpritjen për motrat dhe vëllezërit nga Kosova, për bluzat e bardha të Kosovës që kanë filluar të vaksinohen këtu në Kukës. Më në fund arritëm këtë qëllim, pas një sërë zvarritjesh të natyrës burokratike nga ana tjetër, por pak rëndësi ka.
E rëndësishme është që mjekët dhe mjeket e Kosovës kanë filluar të vaksinohen dhe Shqipëria ka luajtur rolin e saj, ka bërë detyrën e saj në raport me anën tjetër të Bjeshkëve, në kushtet, kur siç e dimë të gjithë, Europa e ka lënë këtë lagje jashtë skemës së vet të shpërndarjes së vaksinave, qysh në krye të herës.
Ne ia kemi dalë ta çajmë rrethimin, sepse vërtetë rrethim pamundësie ishte, duke shkruar një kontratë të drejtëpërdrejtë me kompaninë Pfizer. Njëkohësisht, duke patur tanimë në dispozicion jo vetëm Pfizer-in, por edhe AstraZeneca-n me të cilën kemi filluar vaksinimin masiv të mësuesve dhe të pedagogëve.
Deri dje kanë qenë afro 42 mijë të vaksinuar.
Do të vazhdojmë edhe me më shumë intensitet. Kemi një sasi të konsiderueshme vaksinash që do të na japin mundësinë ta rrisim edhe më shumë ritmin, pasi nuk është ende ritmi i dëshiruar dhe i nevojshëm për ta realizuar ambicien që sezoni i ardhshëm turistik të jetë i lehtësuar nga barra e rëndë e këtij armiku të padukshëm, që në këtë fazë finale të rrugës kemi nisur ta zmbrapsim pak e nga pak.
Drita në fund të këtij tuneli të gjatë ku hymë së bashku me gjithë botën, një vit më parë, ka filluar të duket. Jemi shumë të vendosur për të dalë nga ky tunel një orë e më parë dhe do të dalim pa diskutim, në të njëjtën kohë me shumë vende të BE-së, edhe pse u lamë jashtë skemës së shpërndarjes së vaksinave që në krye të herës.
Më vjen mirë që ky moment i fillimit vaksinimit edhe për bluzat e bardha të Kosovës koencidoi rastësisht, por nganjëherë, siç thotë Hegeli, “rastësia është shpata me të cilën domosdoshmëria çan rrugën”, me publikimin dje, të një harte leshi, por e them shqip, harte leshi, nga Presidenti i Serbisë, i cili është edhe për të qarë, edhe për të qeshur sesi i rikthehet herëpashere provokimeve të kësaj natyre, që në fakt tregojnë një ngërç të madh, që është ngërçi i Serbisë, nuk është ngërçi ynë dhe e ardhmja e shqiptarëve është në duart tona. Unë kam shumë besim që përtej ngatërresave që po me duart tona ia dalim të bëjmë duke e penguar veten hera-herës, kjo dekadë do të jetë dekada e shqiptarëve, pa diskutim”.