Mbërrijnë 192 mijë dozat e para të vaksinës “Sinovac”

Konferencë për shtyp e kryeministrit Edi Rama nga Rinasi ku mbërritën 192 mijë dozat e para të vaksinës “Sinovac”:

 

Më vjen shumë mirë, që sot jemi këtu së bashku për një moment shumë të rëndësishëm në luftën kundër pandemisë, por përpara se të japë disa shpjegime lidhur me dozat e reja që sapo kanë zbritur në vendin tonë dëshiroj që të ndaj me ju një tjetër lajm, besoj shumë të mirë.

Njëkohësisht, kemi nisur edhe bisedat për të sjellë në Shqipëri fabrikën e prodhimit të vaksinave.

Një fabrikë e teknologjisë së lartë, e cila aktualisht është një ndër kompanitë më të mëdha farmaceutike në botë, kompania farmaceutike që bën distribucionin e vaksinës Sinovac, por që në të njëjtën kohë është prodhuese e shumë vaksinave dhe produkteve të tjera farmaceutike. Me këtë kompani ne kemi nisur bisedimet për të sjellë në Shqipëri një investim shumë të rëndësishëm jo vetëm për këtë moment, por për të ardhmen.

Një fabrikë prodhuese, e cila do të hapë një tjetër faqe të rëndësishme në zhvillimin e sektorit të shëndetësisë në vendin tonë dhe do të jetë një pikë e rëndësishme referimi për prodhime të cilësisë më të lartë.

Sot ne sjellim në Shqipëri 192 mijë doza dhe brenda 60 ditësh, por me një kalendar më të shpejtë sesa 60 ditë, ne dot të kemi 1.2 miliona doza plus. Gjë, që na mundëson që menjëherë të shtrijmë vaksinimin në të gjithë territorin në bazë të planit që kemi përgatitur dhe të nisim një proces shumë intensiv vaksinimi.

Objektivi ynë është që deri në fund të muajit qershor, por me sigurisht tolerancë e them fundi i muajit qershor, sepse ajo që duam është që brenda majit të kemi vaksinuar gjysmë milioni qytetarë. Kemi vendosur vijën e objektivit tek afati i deri brenda qershorit.

Sot që flasim në Republikën e Shqipërisë ne kemi aktualisht 282 mijë vaksina, plus vaksinave që sapo mbërritën kemi edhe vaksinat Astrazeneca, Pfizer dhe Sputnik që së bashku janë 90 mijë. 38 mijë Astrazeneca, 48 mijë Pfizer dhe 10 mijë Sputnik.

Ndërkohë, ne presim që këtyre vaksinave t’u shtohen edhe 70 mijë Pfizer, 80 mijë Astrazenca dhe 25 mijë vaksina të tjera Sputnik, që duke i bashkuar me 106 mijë vaksinat që janë në proces me Bashkimin Europian bëjnë në total 871 mijë vaksina së bashku me shumën e kontraktuar aktualisht të gjysmë milioni vaksinave Sinovac që e thashë sot, në anoncimin e mëparshëm.

Ne kemi të kontraktuara 500 mijë vaksina Sinovac dhe kemi siguruar 1 milionë. Kemi preferuar të bëjmë një kontratë fillimisht me 500 mijë për të parë më tutje të gjitha dinamikat, sepse është një proces shumë dinamik dhe këtu kemi ecur në mënyrë strategjike për të ruajtur një ekuilibër të plotë dhe me planin dhe me nevojat në raport me kategoritë dhe me numrin e përgjithshëm, por dhe me ecurinë e tregut.

500 mijë Pfizer janë të kontraktuara.

1 milion e 140 mijë të tjera që janë të parapaguara me Covax, që në total shkojnë në 2 milionë e 140 mijë.  Duke patur në gadishmëri nënshkrimin menjëherë kontratës për gjysmë milionshin tjetër të vaksinës Sinovac, ne shkojmë në 2 milionë e 640 mijë vaksina të siguruara sot që flasim.

Kjo është pasqyra e përgjithshme. Besoj, në këtë pasqyrë të përgjithshme gjendemi në një pozicion për të realizuar së pari objektivin më të afërt, i cili është të lehtësojë maksimalisht sezonin turistik.

Kemi vendosur qershorin si një afat maksimal, por kemi marrë masat që të realizojmë vaksinimin e gjysmë milioni qytetarëve brenda majit dhe të vazhdojnë më tutje intesivisht për të patur një masë kritike që na lejon të jemi më shumë të çliruar.

Së dyti, objektivi përfundimtar që brenda pranverës të ardhshme ne të kemi vaksinuar gjithë popullsinë e vaksinueshme, sepse bebet dhe fëmijët e vegjël nuk vaksinohen për këtë pandemi dhe kësisoj të përmbyllim këtë luftë, as më shumë e as më pak, por në të njëjtën kohë me shumicën e vendeve të BE.

Dua të shtoj se ne, sot kemi mundësi që t’i japim një mesazh të drejtpërdrejtë Kosovës, vëllezërve dhe motrave tona në Kosovë. Jemi gati menjëherë që nesër të marrim përsipër vaksinimin e të gjitha bluzave të bardha të Kosovës. Janë 11 mijë punonjës shëndetësie në Kosovë dhe brenda 20 ditësh, maksimumi, duke pasur parasysh ritmin e ardhjes së tyre në Kukës në dy ditët që bëmë vaksinimin e 500 personave, ne jemi gati të kryejmë vaksinimin e të gjithëve. Në rast se ata duan ta përshpejtojnë procesin e janë në gjendje të organizohen për të ardhur në numra më të mëdhenj në Kukës, apo edhe për ta bërë me 3 turne vaksinimin, nuk ka problem, mund të bëhet dhe në një kohë shumë më të shpejtë.

Së bashku me ministren e Shëndetësisë kemi diskutuar dhe ministrja e Shëndetësisë ka marrë masat me autoritetet shëndetësore që procesi i përgjithshëm i vaksinimit të fillojë menjëherë, sapo vaksinat të kalojnë procedurën e tyre të regjistrimit e të shpërndarjes në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe të krijojmë një orar të posaçëm vaksinimi, deri në mesnatë, duke e parë paraprakisht e nëse është e nevojshme mund ta bëjmë dhe me tre turne.

Ministria e Shëndetësisë, autoritetet përkatëse që mbulojnë gjithë këtë proces do të japin leje të posaçme për të gjithë të moshuarit, të cilët do të jenë në regjistrat e vaksinimit. Siç e kemi thënë, duke filluar nga moshat më të larta e duke zbritur poshtë, që të kemi brenda periudhës që fola, të vaksinuar të gjithë shqiptarët mbi moshën 60 vjeç. Kjo është pjesë e ambicies sonë.

Sigurisht që objektivat vendosen pa marrë parasysh çfarë mund të ndodhë e paparashikueshme. E duke qenë se unë kam mësuar nga eksperienca se gjërat e paparashikueshme, ne shqipot nuk i llogarisim dhe kërkojmë llogari edhe kur ndodh diçka e paparashikueshme, që pse nuk e mbajte fjalën, po vendosim fundin e qershorit si horizontin fundor. Por bindja ime është që në të gjitha rastet, ne e kemi mundësinë që brenda majti ta mbyllim këtë pjesë të procesit.

Tani, natyrisht, me falënderimin e madh që ju jeni këtu dhe me respekt për erën që po përballoni, nëse keni pyetje, ju lutem të bëni pyetjet.

 

–  Me dozat e vaksinave që siguruat nga kjo marrëveshje me Turqinë do të mund të vaksinohen kategoritë e riskut, sikurse ju e thatë, të moshuarit, por edhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike?

Kryeministri Edi Rama: Të gjithë, absolutisht!

Nuk kemi më tani çështje kategorish. Me kategoritë më të riskuara, të cilët mund t’i përmbyllnim dhe sot, informacioni i fundit që unë kam marrë është që kemi arritur në 56 mijë persona të vaksinuar, mjekë, infermierë dhe një numër modest të moshuarish rreth 8000, në mos gabohem, në raport me totalin është shumë modest, çka ishin si rezultat i dozave në dispozicion. Tani nuk  kemi më probleme kategorish në sensin e dozave, do të shtrihemi e do vaksinojmë intensivisht.

 

– Zoti Kryeministër, ju folët për një fabrikë të prodhimit të vaksinës…

Kryeministri Edi Rama: Të vaksinave, jo vetëm të kësaj vaksine.

 

– Ndërkohë që thatë se do sigurohen nga qeveria shqiptare 2.6 milionë doza vaksinash antiCOVID, për çfarë do të na duhet fabrika e prodhimit të vaksinave?

Meqenëse sot fillon zyrtarisht fushata zgjedhore dhe një ditë më parë Komiteti i Ekspertëve ka deklaruar që do të mbeten në fuqi masat ekzistuese, përfshirë dhe atë që nuk do të lejohen grumbullimet më shumë se 10 persona, Partia Socialiste do të ketë vetëm 10 persona sot, në shesh?

Kryeministri Edi Rama: Fabrika në fjalë nuk është një fabrikë që është ndërtuar sot që ra pandemia. Ajo është një fabrikë, e cila ka një traditë shumë e shumë vjeçare, një kompani me një traditë shumëvjeçare, në mos gabohem e themeluar që në vitin 1700 e ca.

Së dyti, flasim për prodhim produktesh speciale farmaceutike ku hyn vaksina e gripit, vaksinat e hepatitit, vaksina të tjera dhe të tjera produkte.

Mos mendoni se historia do të mbyllet kaq kollaj, sepse sipas të gjitha gjasave, vaksina anti COVID do të jetë një vaksinë që do të bëhet rregullisht, si një vaksinë gripi. Është njësoj si të bësh vaksinën e gripit.

Nga ana tjetër, nuk besoj se tani do filloni të ankoheni që çfarë na duhet fabrika se e para, fabrikën nuk do e paguani ju, pra, nuk do t’ju rëndojë në buxhetet tuaja. E dyta, prodhimet e kësaj fabrike janë prodhime, të cilat lehtësisht mund të eksportohen, janë prodhime të rralla që mund të eksportohen dhe që mbulojnë edhe nevojat e tregut vendas. Sigurisht, në gjithë këtë proces, fiton Shqipëria, fiton shëndetësia jonë dhe fitoni ju dhe të gjithë, bashkë me ju dhe me mua. Kështu që këtë merak mos e kini.

Për ta bërë të qartë llogarinë, ne kemi të siguruar 2 milionë e 640 mijë vaksina, por këto nuk mjaftojnë për të mbyllur të gjithë procesin deri në pranverën e ardhshme. Faktikisht neve na duhet të plotësojmë edhe me 1.8 milionë të tjera, për të realizuar dy dozat për të gjithë ata që duhen vaksinuar, teorikisht. Pastaj, sigurisht, një pjesë nuk ka dëshirë të bëjë vaksinën, është ok, nuk ka problem, vaksina nuk është me detyrim.

Siç thashë, ky është një proces. Ne nuk e dimë se si do të jetë e ardhmja, por sipas të gjitha gjasave, vaksina anti COVID do të vijë një moment që do të jetë një vaksinë si të gjitha vaksinat e tjera antigripale që i përdorin njerëzit, apo shtresat më të prekshme, më vulnerabël apo ata me sëmundje kronike.

Grumbullimi, sipas ligjit, është i kufizuar, por, nëse këtu jeni 10 dhe nëse 10-20 metra më tutje janë 10 të tjera, kjo nuk përbën shkelje të ligjit. Kjo përbën thjesht një aftësi krijuese për të mundësuar që në shesh të jenë më shumë sesa 10 veta, por ndërkohë të mos ketë grumbullim më të madh se 10 veta.

 

– Zoti Kryeministër, çfarë ju shtyu të rishqyrtoni qëndrimin tuaj të mëparshëm për të sjellë në Shqipëri vaksinat kineze dhe ruse?

Kryeministri Edi Rama: Dinamika e procesit, shumë e thjeshtë. E njëjta gjë që shtyn kancelaren e Gjermanisë që të thotë që edhe nëse BE-ja nuk do ta aprovojë vaksinën ruse, ne do të marrim vaksinën ruse. Diçka që përpara 6 muajsh ishte e paimagjinueshme ta dëgjonim nga goja e Angela Merkel. Jeta është dinamike.

 

– Zoti Kryeministër është rastësi që ardhja e vaksinave, aq më tepër në një dozë kaq të madhe, përkon edhe me nisjen zyrtare të fushatës elektorale?

Kryeministri di Rama: Nëse do të kishte qenë e mundur të merreshin një ditë më parë, 10 ditë më parë, 20 ditë më parë, sigurisht që unë nuk do prisja që të ndodhte ky përkim. Pastaj, se çfarë do me thënë kjo e se si ndodh kështu, këto janë biseda lidhur me koincidencat që bëhen zakonisht kur nuk ke ndonjë muhabet tjetër për të bërë.

Shumë faleminderit!