Durrës, me operatorët turistikë të bregdetit

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Durrës gjatë një takimi me operatorë turistik të qytetit:

 

Përshëndetje  dhe faleminderit për prezencën!

Respekte për punën dhe vullnetin për të vazhduar punën pavarësisht vështirësive!

Besoj që sot mund të buzëqeshni sepse me sigurimin e sasive të konsiderueshme të vaksinave që na jepni mundësi të fillojmë vaksinimin intensiv, ne faktikisht vëmë një bazë të arsyeshme për të patur një sezon turistik më të lehtë.

Ne kemi mësuar nga sezoni i shkuar, që ishte një sezon jashtëzakonisht sfidues për shkak të pandemisë dhe patjetër që edhe këtë vit ne në radhë të parë do të sigurojmë që kufiri ynë me Kosovën të jetë absolutisht i hapur.

Në radhë të dytë do të bëjmë gjithçka që na takon nga ana jonë, që në aspektin e kornizës së aktivitetit turistik, të gjithë ju dhe kolegët tuaj të kenë sa më pak shtrëngesa.

Së treti, duke patur siç e thashë mundësinë që të bëjmë një vaksinim intensive, ne do të zhvillojmë me shumë këmbëngulje të gjithë procesin e  vaksinimit me synimin që brenda muajit qershor maksimumi, por duke u përpjekur që kjo të behet në fund të majit të kemi vaksinuar gjysmë milioni qytetarë dhe të vazhdojmë ditë pas dite të rrisim numrat.

Vaksinim është themelor për këputjen e sa më shumë hallkave të zinxhirit të infektimeve dhe është shumë e rëndësishme që paralelisht me vaksinimin të jemi të vëmendshëm të respektojmë rregullat se përndryshe faktikisht bëhemi ne pengesa për të dalë sa më shpejt nga ky tunel, ku më në fund po shikojmë dritë.

Besoj që faktet flasin vetë lidhur me ndryshimin e rëndësishëm që ka ndodhur në sektorin e turizmit, por patjetër të gjitha eksperiencat tuaja dhe gjithçka që kemi arritur të dëgjojmë dhe mësojmë prej jush tregojnë shumë qartë se potenciali është ende shumë i madh dhe mundësitë janë ende shumë të mëdha.

Ajo që unë do t’i shtoja lidhur me Durrësin, si pika më e fortë e gravitetit të industrisë turistike në Shqipëri është që ne mund të themi me plot gojën se me ndërhyrjet  e rëndësishme që planifikojmë të bëjmë në këtë territor, gjatë mandatit të tretë do të jemi një suport i jashtëzakonshëm për gjithë industrinë e turizmit, ndërhyrje të cilat do të rrisin eksponencialisht peshën e Shqipërisë në hartën e turizmit mesdhetar, do të rrisin në mënyrë të ndjeshme numrin e  arsyeve për të ardhur në Shqipëri dhe përkatësisht në Durrës dhe do të rrisin patjetër mundësitë e të gjithë operatorëve turistikë për të patur një masë kritike më të rëndësishme klientësh që kërkojnë të vijnë dhe që kërkojnë të akomodohen në strukturat tona të mikpritjes.

Ne sot kemi diskutuar për projektin e madh të ndërhyrjes në zonën historike arkeologjike të Durrësit, ku faktikisht nëse i referohemi shifrave për Amfiteatrin kemi një numër të konsiderueshëm vizitorësh, por nëse i referohemi mundësive që ka ajo zonë jemi vërtetë larg arritjes së maksimumit dhe kemi të gjitha arsyet të besojmë, që me ndërhyrjet që kemi planifikuar dhe me rrjetin e aktorëve që janë përfshirë në këto ndërhyrje nga Bashkimi Europian në kuadrin e donacionit të rëndësishëm për periudhën pas tërmetit tek Fondi Amerikan i Zhvillimit, sigurisht pastaj edhe qeveria me bashkinë, mund të bëjmë një transformim të rëndësishëm dhe ta rrisim shumë fuqinë tërheqëse të këtij magneti që është në zemër të Durrësit. Restaurimi i mureve ka nisur në kuadrin e projektit të adresimit të pasojave të tërmetit nga mbështetja financiare e Bashkimit Europian.

Jemi në një fazë të avancuar të projektit për Amfiteatrit dhe lagjen përreth, ku janë një numër godinash të vjetra, të cilat i shikojmë si një aset shumë të vlefshëm të kthimit të asaj lagje në një lagje historike dhe turistike, siç kemi bërë në Korçë dhe sapo kemi bërë në Vlorë. Me muzealizimin e Torres, me përfundimin e Velierës dhe pastaj me fillimin e investimit të madh të portit turistik të Durrësit ku do të ndodhë një spostim, shumë i rëndësishëm në të gjitha pikëpamjet, ai i largimit të portit tregtar nga zemra e qytetit, si dhe me projektin që po punojmë së bashku me bashkinë për shëtitoren Lungomaren e re që do të përshkojë plazhin e Durrësit dhe do t’u vijë në ndihmë të gjithë operatorëve turistike e të gjithë vizitorëve.

Jam shumë i bindur se krijojmë një platformë të re zhvillimi përsa i përket turizmit, në radhë të parë. Mos harrojmë edhe faktin që Durrësi ka qënë jashtëzakonisht i penguar në zhvillimin e tij të turizmit dhe në tërheqjen e më shumë turistëve, sidomos të atyre kategorive që janë turistë që shpenzojnë më shumë, edhe si pasojë e një nami të tmerrshëm që ka pasur për shkak të vatrës kancerogjene të plerave të Porto Romanos. Ju e dini shumë mirë që janë bërë disa kronika e reportazhe të tmerreshme për atë vatër në disa kanale të mëdha televizive europiane dhe ato kanë dëmtuar rëndë reputacionin e qytetit dhe shanset e qytetit për të pasur më shumë turistë.

Tani kjo i takon të shkuarës dhe jo vetëm që në vend të asaj vatre kancerogjene po i japim formën përfundimtare një EkoParku të madh, i cili do jetë përsëri një atraksion i shtuar në ofertën tuaj, sepse është shumë afër vijës bregdetare e do ju ofrojë mundësi për të gjitha moshat dhe posaçërisht për fëmijët e të rinjtë. Ju e dini shumë mirë që janë edhe pjesa që kanë më shumë kërkesa për të lëvizur gjatë pasditeve apo gjatë fundjavave, kur vjen për të pushuar në hotelet tuaja.

Përtej EkoParkut, edhe fakti që Durrësi bëhet një qytet me një park të prodhimit të energjisë së diellit, falë investimit të kompanisë franceze Voltalia, edhe fakti që Durrësi bëhet një qytet ku ndërthuren në mënyrë shumë të veçantë e shkuara, e sotmja dhe e ardhmja, me kaq shumë aspekte të profilit të vet dhe sidomos si rezultat i vendosjes në hartën e Mesdheut të një prej porteve më të mëdha turistike, janë në ndihmë të punës suaj.

Po ashtu është fakt, nuk është opinion që në këtë periudhë janë trefishuar dhe më shumë se trefishuar investimet në infrastrukturën hoteliere të vendit. Kemi sot më shumë se trefishin e strukturave akomoduse në këtë vend. Unë shoh me shumë optimizëm që kërkesat për të ndërtuar hotele në të gjithë vijën bregdetare nuk pushojnë, kërkesat e investitorëve të brendshëm nuk pushojnë, çka do të thotë që po shkojmë absolutisht në drejtimin e duhur në këtë aspect. Është shumë e qartë që, përderisa tregu po shtyn shumë në këtë drejtim, atëhere kjo do të thotë që gjërat janë vënë në njëfare mënyre në vendin e duhur përsa i përket bazës zhvillimore.

Në aspektin e marrëdhenieve të drejtëperdrejta mes jush dhe shtetit dhe shtetit dhe jush nuk besoj se ka problem, sidomos pas marrjes në konsideratë të kërkesës suaj të kahershme për uljen e TVSH-së, – madje edhe përtej kërkesës që ishte 8%, ne e bëmë 6%, – çka ka funksionuar në një aspekt që ju ka ndihmuar juve shumë. Por nuk ka funskionuar për hir të vërtetës, ashtu siç duhet, në aspektin e formalizimit. Nuk shohim të ketë një ndryshim esencial në këtë drejtim, megjithatë besoj se me procesin e fiskalizimit, edhe ky aspekt do të përmirësohet ndjeshëm dhe do të përmirësohet në interes të të dyja paleve, sidomos në interes të konkurrencës së ndershme për të cilën ju keni aq shume nevojë.