Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Investimet në sistemin e ujësjellësit vazhdojnë me synim arritjen e objektivit 24 orë ujë në zonat urbane brenda vitit 2022. Kryeministri Rama u ndal në fshatin Orizaj, Berat ku bashkë me kryebashkiakun e Beratit Ervin Demo inspektuan punimet në kantierin e hapur, ku po punohet për zbatimin e projektit, i cili do t’u shërbejë rreth 7500 banorëve. “Ky është një nga investimet më të rëndësishme që ne kemi për ujësjellësit. Projekti prek rreth 7500 banorë. I njëjti projekt prek edhe gjithë kodrat informale të qytetit. Në 2022 ne nuk pretendojmë që të kemi vetëm ujë 24 në zonën urbane të qytetit, por po e shtrijmë dhe në njësitë administrative”, – u shpreh Kryetari i Bashkisë Demo.

Janë mbi 120 kantiere të hapura për rrjetin e ujësjellësit në gjithë vendin teksa synimi për 24 orë ujë po bëhet realitet hap pas hapi. “Natyrisht, do të ishte shumë e mrekullueshme që të ishte bërë më parë, por ndërkohë, nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë dhe ne i kemi hyrë detit në këmbë me ujin e pijshëm. Kemi gjetur situatën më skandaloze, jo në Europë, por në botë dhe sot ne jemi në gjendje të themi që me mbi 120 kantiere që janë në gjithë vendin e që nuk janë hapur tani për zgjedhje, por kanë 2 vite, kanë 18 muaj, kanë 12 muaj që janë në punë e me financimet masive që janë dhënë pasi janë bërë projektet, pasi janë garantuar dhe financimet e donatorëve, të gjitha qendrat urbane do të kenë ujë 24 orë hap pas hapi. Disa e kanë që tani, disa do e kenë në shtator, disa do e kenë në janar – shkurt dhe brenda 2022 të gjitha dhe ndërkohë shtrirja dhe në zonat me më pak intensitet banimi po vazhdon. Kështu që çështja e ujit 24 orë nuk do jetë më një çështje që do diskutohet në Shqipëri”, – u shpreh kryeministri Rama.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.