Droboniku, fshati panoramik i Beratit, do të rizgjojë kërshërinë e turistëve dhe vizitorëve, falë rrugës së re që e bën atë lehtësisht të arritshëm. Deri në qendrën e fshatit janë 6 kilometra rrugë e re, sipas standardeve më të larta të infrastrukturës, e cila mundëson që brenda pak minutash të përshkosh distancën nga qendra e qytetit të Beratit deri në fshatin Drobonik.
“Ky është një nga investimet më kuptimplota ku kemi ndërthurjen e turizmit në Bashkinë e Beratit bashkë me zhvillimin e agroturizmit, një investim që ka 30 vjet që kërkohet nga banorët e zonës”, -shprehet kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, gjatë ecjes që kryeministri Rama bëri sot përgjatë rrugës së re, drejt fshatit Drobonik.
Produktet cilësore të prodhuara nga duart e njerëzve punëtorë të këtij fshati janë një tjetër vlerë e shtuar që do të dalë më në pah, pasi rruga e re do të lehtësojë ndjeshëm komunikimin e fermerëve me tregun “Kjo rrugë të çon në një nga fshatrat që, përveçse ka një pejzash dhe një traditë të jashtëzakonshme, është fshati me output-in e produkteve ushqimore më të larta, sidomos për qershinë dhe ullirin. Është fshati që ka një nga karakteristikat më të forta se nuk ka ndryshuar tradita e punës që prej 30 viteve. Banorët janë nga më punëtorët në zonë dhe kanë nga produktet më të mira jo vetëm në zonë , por në të gjithë Shqipërinë”, – vijon më tej kryebashkiaku Demo.
Kisha e Drobonikut është nga asetet e fshatit, që i bashkëngjitet atraksioneve turistike që të ftojnë të vizitosh fshatin. Por jo vetëm. Një sport interesant, siç është ai i hedhjes me parashutë nga mali, ka inkurajuar hartimin e një projekti të posaçëm për rigjelbërimin e zonës ku mund të zhvillohet ky sport. “Droboniku ka një kishë të jashtëzakonshme dhe vetë fshati mund të shndërrohet në një nga ato fshatrat simbol. Me bashkinë do të bëjmë besoj një projekt shumë të bukur, për ta bërë ballkonin e Beratit. Ne kemi zhvilluar edhe një sport shumë interesant në Berat, që është ai i hedhjes me parashutë nga mali i Partizanit dhe na duhet shumë të bëjmë një projekt për mbjelljen e këtij mali, për ta rigjelbëruar dhe për të bërë një atraksion të jashtëzakonshëm turistik për gjithë Qarkun, duke bërë destinacioni e plotë të Beratit turistik. Për agroturizmin këtu do të ketë super zhvillim,” – u shpreh Ministri për Turizmin dhe Mjedisin Blendi Klosi, i cili shtoi më tej se “Dobroniku mund të jetë një pikë nevralgjike për kthimin e agroturizmit në të gjithë zonën që shkon nga kjo rrugë e jashtëzakonshme nga pikëpamja panoramike, nga Berati deri në Gjirokastër.”