Në kantierin e Spitalit Rajonal Memorial në Fier puna vijon papushim, me tre turne për të realizuar brenda afateve të parashikuara një prej veprave më të rëndësishme të infrastrukturës spitalore në vend.
Ecuria e punimeve është mbresëlënëse dhe gjithçka po realizohet sipas standardeve të larta, jo vetëm të ndërtimit, por edhe të pajisjes me teknologjinë më bashkohore.
Kryeministri Rama ishte pasditen e sotme në Fier për të inspektuar punën e deritanishme, e cila është drejt përfundimit.
Hapsirat përreth spitalit janë arreduar me elementë dekorativë, si dhe do të gjelbërohen në pjesën më të madhe të tyre. Kanë mbaruar mbi 97% e punimeve që kanë të bëjnë me ndërtimin, ndërsa në hollin kryesor të pritjes punimet kanë përfunduar të gjitha, instalimet janë gati dhe mbetet vetëm të plotësohet me personelit mjeksor.
“Presim të hënën të vijnë 12 vetë personel nga Turqia. 7 do të merren me pjesën e pajisjeve dhe me trajnimin e gjithë personelit tonë për të gjithë pajisjet që po vijnë. 5 prej tyre janë staf mjeksor ku futen edhe menaxherët e spitalit. Konkretisht është një drejtor infermieristik, një nëndrejtor mjeksor dhe një nëndrejtor i stafit administrativ, për të organizuar gjithë punën në mënyrë që në datën 14, ne të kemi marrë në dorëzim edhe godinën, edhe pajisjet, edhe spitalin dhe pastaj të bëhemi gati për ta futur në efiçencë. Në fillim do të fillojë Shërbimi i Urgjencës dhe poliklinika”, – shpjegoi ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ndërsa shtoi se shërbimi do të jetë i një niveli të lartë, pasi do të ofrohen edhe shërbime që nuk janë në spitalet universitare.
Spitali do të shërbejë me 6 salla operatore, të cilat do të jenë të pajisura me fjalën e fundit të teknologjisë. “Nga Ministria e Shëndetsisë së Turqisë vijojnë të vijnë aparaturat dhe pajisjet. Kemi përfunduar 80% të pajisjeve. Janë 6 salla operacioni. Do të kemi shërbime nga kirurgjia e përgjithshme tek kirurgjia torakale. Me 6 salla operacioni është njësoj si blloku i QSUT”, – vijoi ministrja Manastirliu.
Kryeministri Rama deklaroi se së shpejti do të nisë hartimi i një projekti për çeljen pranë zonës së spitalit të filialit të njërit prej Universiteteve Mjeksore të ekselencës nga Turqia. “Duhet të fillojmë përpjekjen për të sjellë pranë këtij spitali, në këtë zonë një filial të një universiteti ekselence mjeksie në Turqi. Mjeksi, Infermieri. Të jetë një universitet ku studenti vjen këtu dhe ka të gjithë kurrikulat, programet, menaxhimin, me pedagogë turq dhe shqiptarë dhe merr diplomën e atij universiteti. Kjo është detyra ime e fillimit të mandatit të tretë”, – u shpreh Kryeministri.
Spitali Rajonal Memorial do t’i përgjigjet gjithashtu edhe situatës aktuale, duke ngritur një pavion COVID me kapacitete të larta të terapisë intensive. “Në këtë spital kemi vendosur edhe një numër të lartë të kapaciteteve të terapisë intensive, duke qenë se kemi vendosur që një prej pavioneve të jetë pavion COVID apo i sëmundjeve infektive. Kështu që janë 20 poste të terapisë intensive që janë tashmë gati”, – tha Manastirliu, duke theksuar se zemra e këtij spitali është imazheria. “Kemi krijuar një pol imazherik që do të ketë mundësinë të ofrojë të gjtihë shërbimet e radiologjisë, duke filluar nga skaneri, rezonanca, angiografia, gjithashtu t’i shërbeje edhe kërkimit shkencor”, – vijoi ajo.
Procesi i aplikimeve për personelin mjeksor do të përfundojë në datën 7 prill, për të vijuar më pas me procesin e përzgjedhjes dhe rekrutimit. “Aplikimet për këtë spital mbyllen në datë 7 dhe menjëherë më pas do të fillojmë procesin e përzgjedhjes. Deri më tani janë 424 aplikantë administrativë dhe staf mjeksor. Do të presim të finalizohen të gjithë aplikimet dhe do të bëjmë procesin e rekrutimit”, – shpjegoi ministrja Manastirliu.