Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Ligji nr. 20/2020 i ka hapur rrugën regjistrimit për herë të parë të tokave bujqësore në bregdet për ata që nuk mund ta regjistronin dhe as të merrnin certifikatat e pronës.

Për këtë ligj dhe zhvillimin urban të Himarës, Kryeministri Rama pati pasditen e sotme një bisedë me qytetarë të Himarës në shëtitoren e re, e cila jo vetëm i ka dhënë një tjetër pamje qytetit, por ka rritur numrin e turistëve dhe vlerën e pronës në zonë.

“Tani po bisedojmë edhe për mundësinë që t’i hapim rrugë një investimi për portin këtu, për ta bërë një port turistik. Nëse për portet e tjerat kemi qartësi dhe i kemi në një fazë të avancuar, ai i Sarandës ka filluar, i Durrësit fillon për pak ditë, ai i Vlorës po ashtu është në procesin përfundimtar të afatit ligjor për të negociuar kontratën, Shëngjinin e kemi objektiv, por akoma nuk kemi një proces të avancuar, edhe për Himarën kemi bërë tentativa, por studimet kanë nxjerrë që është shumë e thellë dhe del me një lloj kostoje të lartë.

Ndërkohë në ndërhyrjet në Vuno, Dhërmi, është rritur vlera. Aty po krijohen kushtet, sidomos në Dhërmi si fillim, por besoj edhe Vunoi, për të qenë pika shumë të forta të turizmit elitar dhe do sjellin shumë të ardhura.

Tani e kemi futur në brazdë çështjen e pronës dhe faktikisht ka filluar dhënia e titujve. Ju e dini më mirë se të gjithë që ishte një kokolepsje komplet, gjë që na ka imponuar edhe ritmin jo shumë të shpejtë të zgjidhjes, por zgjidhja është gjetur”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.