Eshtrat e Shën Joan Vladimirit i dorëzohen Manastirit në Elbasan

Sot u zhvillua ceremonia e dorëzimit të lipsaneve (eshtrave) të Shën Joan Vladimirit në Manastirin e Shën Vladimirit në Elbasan. Eshtrat gjendeshin në Fondin e Muzeut Historik Kombëtar dhe në bashkëpunim me autoritetet e Kishës Autoqefale Shqiptare iu dorëzuan Manastirit të Shën Vladimit.

I pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të lipsaneve ishte Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

“Kemi ardhur dhe me kërkesë të kahershme të komunitetit për të përfunduar një proces që kishim nisur së bashku, i cili është dorëzimi i eshtrave të Shën Joan Vladimirit, të cilat zbuluam që ndodheshin në Fondin tonë Muzeor të Muzeut Historik Kombëtar. Është një gjest simbolik, sepse gjithmonë kemi qenë krenarë për bashkëjetesën fetare dhe për gjithë ndërveprimin që shteti ka me komunitetin, por që nuk deshëm të ndalej thjesht në restaurimin e objekteve të kultit, por edhe me kalimin e lipsaneve më afër komunitetit”, – u shpreh ministrja Margariti, ndërsa siguroi se edhe në vijim do të vazhdojë bashkëveprimi me komunitetin e jo thjesht për mirëmbajtje e restaurim.