Ceremonia e dhënies së “Medaljes së Artë” për nxënësit ekselentë

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e dhënies së Medaljes së Artë për nxënësit që kanë përfunduar gjimnazin me rezultate të shkëlqyera:

Dikush i tha Mozartit, “duhet të bëj një simfoni”.

“Pse simfoni”, i tha Mozarti, “filloje me ndonjë sonatë”.

“Po ti e bërë 10 vjeç”, i tha tjetri.

“E pra, por nuk pyeta njeri ta bëj.”

Sot, para jush, me gjithë kënaqësinë për nderin që kam që t’iu drejtohem pjesës më të mirë dhe më të bukur të shoqërisë sonë, vajzave dhe djemve që nuk i vënë kufij imagjinatës së tyre, nuk kapën pas 100 e më shumë justifikimeve të mundshme, por bëjnë sukses.

Më vjen jashtëzakonisht mirë që së bashku me ministren e Arsimit të mund t’ju dorëzojmë Medaljen e Artë, e cila do të mbeten në jetën tuaj dhe në jetën e prindërve tuaj një shenjë e një krenarie të madhe, por edhe shenjë e një besimi të madh që asgjë nuk është e pamundur, kur njeriu është i vendosur për ta realizuar ëndrrën që sheh me sy hapur.

Nuk është e tepërt ta ripërsëris sot, shembullin e Ermonela Jaho.

Ermonela Jaho ishte një vajzë nga Liceu Artistik, që nuk kishte asgjë tjetër, përveç ëndrrës së vet për t’u ngjitur në majën që sot gjendet dhe nga ku sot rrezanton si një yll i posaçëm në qiellin e muzikës operistike botërore. Vinte nga një familje e varfër dhe për më tepër, në grupin e vajzave që studionin bashkë me të në Liceun Artistik, profesorët nuk e shquanin si njeriun që do shkëlqente në skenën e botës, por e shihnin thjesht si një njeri me shumë vullnet dhe si një vajzë që fliste për një ëndërr që të gjithëve u dukej për të qeshur. Ermonela Jaho u thoshte të gjithëve që një ditë do këndonte në La Scala. Duke i tejkaluar të gjitha parashikimet më optimiste për talentin e saj, ajo arriti të këndojë jo vetëm në La Scala, por në të gjitha skenat më prestigjoze të botës. Sot është në luftë për një rekord tjetër. Ajo ka ambicien të jetë sopranoja që qëndroi më gjatë në majë, të thyejë të gjitha limitet e moshës, edhe pse është grua e re, por besoj e dini që në botën e operas, në karrierën e sopranove ka një limit kohor për të qenë në majë dhe konkurrenca është e llahtarshme.

Parafytyroni sa shumë vajza në botë lindin me talentin për të arritur të ngjiten në majë dhe sa pak vend ka në skenë për gjithë atë mori talentesh.

Një ditë kam biseduar me Ermonelën dhe jam pataksur nga orët e stërvitjes fizike që Ermonela bën dhe jam mahnitur nga tregimi i saj për stërvitjen e muskujve të thellë, një stërvitje që e ka praktikisht shpikur vetë, duke bashkëpunuar me trajnerë të famshëm dhe sot e gjithë ditën është në majë.

Një ëndërr që njeriu e shikon me sy hapur është një ëndërr që ai mund ta realizojë. E të gjithë shikojmë ëndrra me sy hapur. Dallimin e bën forca e karakterit, forca që të bën t’i rezistosh lodhjes, të bën t’i ngresh krye zhgënjimeve, t’i lësh pas krahëve të gjitha erërat që të fryjnë kundër, bën të ngrihesh pasi rrëzohesh e të jesh shumë i përgatitur për të humbur dhe për të mos e parë humbjen si fundin, por si mundësinë për të rifilluar edhe njëherë nga e para.

Sot dua t’ju them një faleminderit shumë të madhe juve, jo vetëm për formalizëm, por për një arsye shumë të thjeshtë dhe të rëndësishme. Unë jam i bindur që ju të gjithë keni histori të ndryshme. Mes jush ka vajza e djem që vijnë nga familje me të ardhura modeste, pse jo nga familje të varfra. Nuk e harroj kurrë një vizitë në një shtëpi në Postribë. Një familje shumë e varfër, me babain nnjë djalë i ri që punonte karrocier dhe me karrocën e tij mbante fëmijët, të cilët, besojeni ose jo, mësonin në një dhomë ku, kur binte shi, çatia pikonte dhe mësonin me çadër. Të gjitha 10-ta! Vajza ishte një nga nxënëset më të mira të Shqipërisë në atë fshat dhe për të shkuar në shkollë, bënte një rrugë aspak të lehtë.

E pra, ju keni pasur si shumë të tjerë mundësinë dhe të drejtën që të gjeni justifikime për të mos qenë më të mirët. E patjetër, justifikime që qëndrojnë, jo justifikime kot. Por ju nuk i keni kërkuar justifikimet, ju nuk keni besuar për asnjë sekondë se ëndrra juaj mund të sakrifikohet për shkak të kushteve që kanë qenë kundër shumëkujt prej jush, se me siguri ka dhe vajza e djem këtu, që i kanë pasur kushtet optimale. Kjo është arsyeja pse ju jeni shumë më tepër se ajo çka jeni për veten dhe për prindërit tuaj. Jeni shumë më tepër sepse jeni rrezatim frymëzimi, shprese e besimi për të tjerët, edhe për mua personalisht.

Mund t’ju duket e çuditshme, por në momentet kur unë kam nevojë të gjej arsye për të rezistuar, unë kujtoj atë vajzën atje në Postrinë, kujtoj Ermonela Jahon, kujtoj të tjerë shembuj njerëzish që ia kanë dalë aty ku asgjë nuk ka qenë në favor të ëndrrës së tyre. Talenti është një dhuratë e Zotit, por njeriu është ai që e ndan nëse talenti arrin të shpërthejë deri në fund, apo nëse talenti mbetet një flakë që shuhet gjatë rrugës me zjarrfikësen e justifikimeve.

BRAVO!

Një bravo të madhe dhe ju uroj që gjithshka që ju keni bërë dhe të gjitha vështirësitë që keni kaluar të mos i harroni. Mos i harroni vështirësitë që keni kaluar dhe sa herë të gjendeni përpara një sfide të re dhe do të arrini një rezultat tjetër, kujtohuni që rezultatet që keni arritur, nuk kanë arritur tek ju, por keni arritur ju tek rezultatet. Sa herë që ndjeheni në vështirësi, sa herë që mendja ju thotë “është e vështirë”, thirrini kujtesës e kujtoni prindërit tuaj, kujtoni veten tuaj, kujtoni ato momente kur keni marrë frymë lirisht pas një përpjekje të madhe e keni arritur aty ku të tjerët nuk kanë arritur dot dhe vazhdoni.

Vazhdoni sepse asgjë nuk është e pamundur në rrugën për të realizuar një ëndërr që ju e shikoni me sy hapur. Kujdes nga ëndrrat që shikoni me sy mbyllur, ato mund t’iu çojnë në drejtim të paditur. Ndërkohë që ëndrra që shikoni me sy hapur është aty për ju, nuk vjen rastësisht në sytë e parafytyrimit tuaj, vjen për një arsye sepse ju thotë që ju jeni bërë ekzaktësisht për ta realizuar, por ju takon juve, i takon njeriut, se përndryshe do ia dilnin të gjithë.

Shumë mirënjohje edhe për forcën e shembullit tuaj. Arsyeja pse unë desha që këtë moment, që ne e kemi pritur prej kohësh, ta ndaja jo vetëm me ju, por me të gjithë ata që na ndjekin, është pikërisht që të gjithë ata që na ndjekin, të marrin shembull. Ka plot vajza e djem që mund të jenë si ju dhe që kanë nevojë për shembullin tuaj. Natyrisht ka edhe plot cinikë që do gjejnë  përsëri justifikimet, por bota nuk është e tyre. Bota është e guximtarëve, bota është e këmbëngulësve, bota është e të duruarve. Në botë ka vend për të gjithë. Jemi të gjithë udhëtarë që kalojmë dhe ikim, por ka shumë mundësi udhëtimi.

Vaslav Havel thoshte: “Nuk është stacioni ku mbërrin, por rruga që të dallon”.

Duke iu referuar historisë që besoj ju e njihni, të kërkimit të Itakës nga Odiseja janë shkruar shumë libra, janë bërë shumë refleksione, janë shkruar shumë poezi dhe në fund, emëruesi i përbashkët është, nuk është Itaka, është rruga drejt Itakës që i jep njeriut frymëzimin dhe mundësinë që të lërë gjurmën e vet. E në ndërkohë që lë gjurmën e vet, ta jetojë këtë pjesë të udhëtimit që i është përcaktuar me pasionin e të jetuarit me gjithsej.

Keni dëgjuar shumë, me siguri, në klasë, ju kanë parë shpeshherë si çunat e mamit, ju kanë parë shpeshherë si gocat e babit, në sensin që nuk i keni lënë për asnjë moment detyrat në një lëndë e të gjitha ato që duheshin bërë për të arritur deri ku arritët. Dhe kështu do keni përpara plot njerëz që nuk do ta duan suksesin tuaj, njerëz që suksesi juaj do t’i bëjë çmendurisht armiqësor ndaj jush. Mos e harroni çfarë ka thënë Faik Beu: “Shqiptarët të falin çdo gjë, përveç suksesit”.

Rezistoni dhe vazhdoni sepse bota do të jetë e juaja, jo e atyre që do t’iu ndeshin në rrugë, do t’iu ndeshin në mjediset ku punojnë, do t’iu ndeshin në jetën tuaj dhe do t’iu pengojnë apo përqeshin. Ata janë udhëtarë që do të mbeten saç mbetet era. Ju jeni udhëtarë që do lini pas, me forcën e shembullin tuaj, shumë arsye për të tjerët që të përballojnë justifikimet, t’i kapërcejnë justifikimet dhe të ngjiten në të njëjtën majë për ku jeni nisur. Kini shumë besim!

Medalja e Artë nuk është shenjë e fatit, por e forcës që ju keni brenda. Sa herë të ndjeheni se forcat po ju lënë, shikoni Medaljen dhe të jeni të sigurt që do ju japë forcën që keni nevojë.

Jam edhe unë një shkak për vonesën në këtë dorëzim medaljesh,  sepse kur pashë çfarë ishte certifikata e Medaljes, i thashë ministres se nuk bëhet. Medalja e Artë është një xhevahir që ne nuk e bëjmë dot me diamante e flori, por duhet të jetë njësoj si medalja e atyre që bëhen “Nderi i Kombit”, i atyre që vlerësohen për karrierën e tyre, e atyre që kanë bërë një heroizëm. Kështu na u desh pak kohë që të përgatisin medaljet për ju.

Shumë faleminderit!