Mbrojtja e Territorit dhe zbatimi rigoroz i Kodit Penal për aktivitetet e paligjshme

Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin me struktura të Policisë së Shtetit mbi mbrojtjen e territorit dhe zbatimin rigoroz të Kodit Penal për aktivitetet e paligjshme, nga ndërtimet pa leje tek prekja e pyjeve, lumenjve, liqeneve dhe zonat e mbrojtura natyrore e kulturore:

 

Sot, ne jemi sot këtu për të vënë një theks shumë të fortë tek domosdoshmëria e kalimit në një fazë tjetër të përpjekjes së përbashkët për të vendosur kontroll absolut mbi territorin në aspektin e mbrojtjes së tij nga aktivitetet dhe ndërhyrjet e paligjshme. Qëllimi kryesor është për të rritur sa më shumë dhe sa më shpejt vetëdijen dhe ndjenjën e përgjegjësisë së të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit në radhë të parë, në raport me këtë aspekt kaq të rëndësishëm të qeverisjes dhe të detyrimeve që ka shteti ndaj vendit dhe ndaj qytetarëve.

E vërteta është që vazhdojmë të jemi në një fazë konfuzioni mes institucioneve dhe mungese ndërveprimi konstant, të orientuar dhe të suksesshëm, gjë që, sigurisht kërkon nga njëra anë, një mbështetje të plotë në aspektin ligjor dhe këtë tashmë e kemi të garantuar me ndërhyrjet e fundit që janë bërë si në Kodin Penal, edhe në ligjin për disiplinimin e ndërtimeve. E nga ana tjetër kërkon një paketë të re aktesh nënligjore, ku të gjitha përgjegjësitë dhe ndërveprimet që pasojnë, të jenë të qarta për të gjithë.

Është shumë e rëndësishme që të kuptohet nga të gjithë këtu në radhë të parë, por patjetër nga të gjithë aktorët e tjerë që kanë përgjegjësi në këtë aspekt se çdo ndërtim pa leje sot rrit në mënyrë të ndjeshme kostot e përbashkëta nesër, duke cenuar pronën publike apo private, duke cenuar planet e zhvillimit, duke cenuar buxhetin e shtetit, pasi vetiu kthehet në një çështje sociale apo në një çështje financiare si rezultat i inercisë së një procesi legalizimesh, që përndryshe nuk ka për të përfunduar kurrë në rast se përfundimisht nuk vihet pika “fund”.

Nga ana tjetër kemi ndërtimet me leje që bëhen vatra abuzimi, ku mbi lejen e dhënë ndërtohen volume të tjera dhe krijohen deformime të mëdha, përsëri me kosto për komunitetin, me kosto për zhvillimin e të ardhmen. Që Policia e Shtetit e ka kapacitetin ta kontrollojë në çdo centimetër territorin këtë e tregon vetëm një fakt shumë i thjeshtë, sa i thjeshtë, aq edhe sëkëlldisësh për hir të së vërtetës, që kur vjen puna për një mur, për një çati, për një havlli në zona rurale të thella gjendet polici që shkon atje dhe që i kërkon llogari një fshatari, ndërsa kur vjen puna për abuzime flagrante në zona turistike në buzë të rrugës, që nga Velipoja deri në Sarandë, atëherë çuditërisht nuk gjendet i njëjti polic i zellshëm.

Ju e kuptoni shumë mirë “pse”-në e këtij kontrasti. Por ajo që ne na intereson sot nuk është të merremi me këtë aspekt, por është të fokusohemi tek fakti që Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitet për t’u bërë mburojë e Republikës së Shqipërisë në të 28 mijë kilometrat katrorë të saj, në raport me këtë krim që është i sanksionuar si i tillë në ligjet tona dhe në raport me të gjitha larminë e krimeve ndaj mjedisit.

Eksperienca e krijuar në këtë periudhë është e madhe dhe unë jam i bindur që në bazë të kësaj eksperience, qoftë strukturat e policisë, drejtuesit e policisë, qoftë strukturat e inspektorateve janë në gjendje plotësisht të japin idetë e tyre dhe të shtrojnë hapur dhe qartë problematikat e tyre, për të hartuar sa më mirë e sa më shpejtë të gjithë atë paketë aktesh rregullatorë mbi të cilat duhet të funksionojë kjo fazë e re, ku siç e tha dhe ministri i brendshëm, çdo krim ndaj territorit duhet të jetë për Policinë e Shtetit i barasvlershëm me çdo aspekt prioritar të luftës së saj, që nga krimi i organizuar, tek korrupsioni dhe trafiku i lëndëve narkotike. Njësoj. Kjo duhet përcjellë në të gjithë strukturën e Policisë së Shtetit dhe është e pamundur që të vazhdohet të tolerohet një situatë e tillë, ku në komisariatet me veprimtarinë më të madhe ndërtimore më të madhe të vendit  të mos ketë asnjë rast marrjeje përgjegjësish ligjore nga ana  e tyre që kanë detyrimin të ndjekin këtë aktivitet në territor.

Zonat turistike janë si drita e syve për Shqipërinë, janë baza e zhvillimit të funksion të së ardhmes. Ne nuk mund të vazhdojmë të pranojmë inercinë e një kontrolli që natyrisht, nëse e kthejmë kokën  mbrapa, në raport me 6, 7 vite më parë, as nuk ka të krahasuar, por, nëse e shohim në funksionin e të ardhmes, është i papranueshëm për nga dobësia.

Po ashtu, zonat e mbrojtura, po ashtu rrugët kombëtare.

Kush ndër ju ma shpjegon dot që, ndërkohë që keni një detyrim përsa i përket qarkullimit rrugor në Republikën e Shqipërisë, sa i përket parandalimit të aksidenteve, rrugët kombëtare, në segmente të caktuara të jenë haptazi, qartazi, zona me rrezik të lartë për shkak se në anë të tyre zhvillohen aktivitete pa asnjë lloj respekti për një mbrojtje minimale të atyre që qarkullojnë.

Në anë të rrugëve kombëtare vazhdon të ketë zona, – më pak se më parë, por përsëri vazhdon të ketë, – mes aktivitetit (x) të lincesuar apo të lejuar me leje kundër ligjit prej vitesh e vitesh më parë, një gjë e trashëguar që ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë sot, përveçse duke hapur akse të reja dhe aksit rrugor ku vendosen materiale ndërtimi, varreza makinash, fidanishte, lavamanë, vaska dhe asnjë lloji respekti për sigurinë rrugore, për mjedisin dhe për imazhin e kësaj Shqipërie turistike.

Është e patolerueshme kjo!

Bëhen aktivitete shitblerje në anë të rrugës nga dikush që ka një biznes aty dhe vendos traktorë, ekskavatorë, motorë dhe aty në kryqëzim hyjnë e dalin njerëzit për tregti.

Kjo duhet të jetë e papranueshme, e palejueshme dhe si e palejueshme, e dënueshme, për të gjithë ato biznese që, nëse kanë një leje për të patur një magazinë apo një godinë në shkelje të atij neni shumë të qartë të Kodit që ndalon çdo lloj leje ndërtimi 20 metra nga rruga, gjë që është bërë masivisht në të shkuarën, të paktën duhet të respektojnë për aq sa është aty e lejueshme në hapësirë, pjesën tjetër, pjesën e detyrimeve që ka shteti për të garantuar sigurinë në qarkullim dhe detyrimit të përbashkët që kemi për të krijuar brenda mundësive  një imazh sa më të kulturuar dhe sa më higjenik të këtij vendi që e quajmë turistik. Por, nëse kjo nuk bëhet pjesë e horizontit dhe e mendësisë së drejtuesve të qarkullimit rrugor në Republikën e Shqipërisë, është betejë e humbur sepse janë ata të parët, sipas zonave dhe segmenteve.

Kjo është Policia e Shtetit që e shfarosi fenomenin e kultivimit masiv të kanabisit, nuk është një polici që erdhi nga hëna.

Jeni ju që e bëtë këtë.

Atëherë, pse nuk u bëka e njëjta gjë me një aktivitet që është shumë më i lexueshëm për sytë e gjithë trupës së Policisë së Shtetit. Nuk bëhet fjalë për fusha të mbjella nëpër male, bëhet fjalë për ndërtime në rërë, bëhet fjalë për ndërtime në sytë e të gjithëve.

Pse u bëka për një fshatar në majë të malit dhe nuk u bëka për ata që ndërtojnë në buzë të detit?

Në këtë proces, Policia e Shtetit ka përgjegjësinë kryesore, por nuk është absolutisht e vetmja që duhet të marrë të gjithë përgjegjësinë, sepse duhen harmonizuar të gjithë institucionet e tjera. Nëse Polica  e Shtetit e merr përgjegjësinë  e saj të plotë dhe vepron me sy  hapur dhe me sistematicitet në të gjithë territorin, atëherë edhe institucionet e tjera do të jenë shumë më të pamundësuara për të mbyllur sytë.

Lejet e ndërtimit duhet dhe do t’i vihen në dispozicion Policisë së Shtetit për të patur qartësi të menjëhershme se çfarë aktiviteti është i lejuar në secilën zonë. Që do të thotë që çdo gjë tjetër që është jashtë këtij informacioni është objekti i punës së Policisë së Shtetit, për të kërkuar llogari se me çfarë leje po e hap këtë gropë e me çfarë leje po i hedh këto kolona. Por duke filluar nga zonat turistike, nga zonat e mbrojtura, nga zonat me trashëgimi kulturore, nga qytetet pa shkuar dhe për t’u hallakatur nëpër maja malesh ku një fshatar rregullon një mur apo rregullon një çati, sepse numri i ankesave që vijnë pikërisht nga pjesët më rurale të Shqipërisë për prani të policisë tregon që kapaciteti i vrojtimit dhe i goditjes së policisë është 100%.

Nga ana tjetër fatkeqësisht tregon se është një kapacitet që shfrytëzohet 100% për të goditur më të dobëtit, ndërkohë që është larg 100% për të goditur më të fortit.

Nuk e di çfarë përgjigje ka drejtori i Shkodrës për Velipojën, por mjafton të shikosh Velipojën, për të kuptuar këtë që po them. Dhe jo zonën brenda, por rërën, bregun. Atëherë, çfarë vlere dhe çfarë morali ka t’i shkohet njërit në majë të Kallmetit për një havlli, kur në rërën e Velipojës, tjetri ha territore të tëra pa leje? Dhe fillon historia e kam pronë, s’e kam pronë, e kam të trashëguar, s’e kam të trashëguar.

Nuk mundet dot të lejohet asnjë milimetër i këtij vendi që të shfrytëzohet pa leje. Asnjë milimetër. Se nuk është Kina. Është një vend shumë i vogël për t’u abuzuar dhe për t’u  shpërdoruar  qoftë dhe një milimetër dhe jo më masivisht. E për ta mbyllur unë kam shumë besim dhe nuk e them për ta mbyllur me një fjale të bukur, por e them se kam bindje, me shumë besim që kjo Polici shteti mund ta transformojë brenda një periudhe shumë të shkurtër qasjen e krejt shtetit ndaj territorit. Mund të bëhet jo vetëm forca mbrojtëse e pakapërcyeshme në raport me shkelësit, por edhe forca e domosdoshme e influencës pozitive mbi të gjitha strukturat e tjera. Duke filluar nga IKMT-ja që ka përballuar një volum shumë të madh pune, por e cila nuk duhet të qëndrojë në territor për të kapur lartë e poshtë çfarë i kap syri. IKMT-ja duhet të jetë strukturë që vepron mbi bazë operacionesh të miratuara nga ministri i Brendshëm e që reagon në kohë reale mbi bazë të kërkesave të Policisë së Shtetit.

Nuk është inspektori i IKMT-së që do kapë kush ndërton pa leje. Nuk është ky funksioni i IKMT-së.

IKMT-ja është strukturë speciale që i rri gati Policisë së Shtetit në momentin që Policia e Shtetit konstaton krimin në flagrancë. U konstatua flagranca, atëherë vjen IKMT-ja për të vazhduar pjesën tjetër. Por flagrancën e ka Policia e Shtetit, se përndryshe, procesi degjeneron në nga të shkojnë sytë, kurse procesi duhet të jetë milimetrik. Çdo komisariat ka zonën e vet, çdo punonjës ka zonën e vet e mbi këtë bazë, të gjithë pastaj përgjigjen.

Pushteti vendor është një tjetër pjesë e problemit, për hir të vërtetës. Edhe ato “konfliktet” mes IKMT-së, IMT-ve, Policisë, të gjitha këto duhen adresuar e do adresohen me shpejtësi nga ministri i Brendshëm, sëbashku me ju, mbi bazën e një diskutimi që duhet bërë shpejt e duhet përfunduar shpejt, duke marrë të gjithë sugjerimet tuaja që lidhen drejtpërdrejtë me eksperiencën që ju keni nga kjo fushë e me të gjitha pengesat e ngërçet që ju konstatoni në praktikë. Është e pamundur që një ndërtim pa leje, një ndërhyrje në det në mes të Sarandës, jo në zona të pabanuara, por në mes të qytetit të hidhen gurë e të mbushet me gurë deti e këto të ndodhin pa vajtur këmbë polici për të thënë “ej, ç’janë këto gurë që po hedh në det?” E pastaj të vijë puna deri tek unë dhe pasi ndërhyj unë, për 24 orë të pastrohet, kjo është e papranueshme!

Domethënë u bëka. Atëherë pse nuk është bërë? Kush e mban përgjegjësinë që nuk është bërë?

Policia e Shtetit duhet të jetë shumë rigoroze me vetveten dhe nuk duhet të lejojë që 1, 2, 12, 40, 200, po të doni, individë, të njollosin gjithë reputacionin e saj dhe detyrimisht të gjithë reputacionin e shtetit. Kjo duhet të jetë vijë e kuqe ndarëse dhe këtu, edhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme ka një rol të veçantë për të luajtur sepse jemi shumë të qartë; Besoj që kjo nuk është as indiferencë, kjo nuk është as mungesë aftësie, kjo nuk është absolutisht asgjë tjetër, përveçse korrupsion.

Nuk ka asnjë emër tjetër, korrupsion në kurriz të një dynjaje të tërë e një vendi të tërë. Si u hidhkan gurë nëpër gjithë bregdetin e Shqipërisë dhe nuk i sheh njeri? Nga vijnë e nga kalojnë këto gurë për t’i çuar deri atje?

Si mbushte një det i tërë me gurë për të bërë prita, mole e klube dhe nuk i shihka njeri, ndërkohë që avllinë e dikujt në firifistun e kapka policia e që duhet punë, duhet kohë, duhet mund të ecësh deri tek ajo avllia atje, ndërkohë që këto ndodhin spektakël para gjithë dynjasë. Natyrisht ndodhin aty ku interesat janë shumë të mëdha. Interesat nuk janë shumë të mëdha atje në firifistun. Atje është interesi i një familjeje që me kursimet e veta po ndërton një mur dhe duhet të përballet me ligjin. Dakord jam, edhe atje, por jo të fillojë atje e të mbetet atje e këtu poshtë nuk ka filluar akoma. Të fillojë këtu, të zgjidhet këtu, pastaj të shkojmë atje. Është e shëmtuar, është sëkëlldisëse, është e turpshme që të shkojmë atje, kur këtu ndodhin gjëra të tilla.

Unë i kam kërkuar ministrit që sëbashku me Drejtorin e Përgjithshëm, me Drejtorin e IKMT-së, me ministrin e Turizmit të hartohet e të niset operacioni nga Velipoja deri në Ksamil. Jo në mesin e verës kur të vijnë turistët por tani, pa asnjë tolerancë e jo duke shkuar tek ndërtime që janë bërë para 20 vitesh, siç ndodhi për fat të keq në Zvërnec. Ata kanë 25 vjet atje, që hanë bukë me ato ndërtime. Por duke shkuar aty ku është shumë e qartë, mjafton të hapësh sytë dhe e shikon për çfarë bëhet fjalë. Jo duke u marrë me njerëzit që kanë 25 – 30 vjet që janë aty e për sa kohë nuk ka një plan apo një zhvillim tjetër, mund të vazhdojnë të bëjnë ato shërbime si në Zvërnec, ku po mos jenë ata nuk shkon dot njeri se nuk ka asnjë shërbim, por duke shkuar për të vendosur një vijë të kuqe që nuk duhet shkelur më nga askush. Aty ku është e caktuar sipas hartës, sipas vendimeve, vija e pakalueshme e rërës, aty duhet të jetë vijë e pakalueshme. Përtej saj, aty ku hidhet beton pa leje, aty duhet të ketë jo vetëm prishje, por edhe ndalime, duhet të ketë procese penale në bazë të ligjit dhe ndryshimeve të reja ligjore që janë bërë për këtë punë.

Kini parasysh që me ndryshimet ligjore penalizohet i gjithë zinxhiri, pra, nuk lejon më ligji që ti je inxhinieri konstruktor dhe i bën sipas dëshirës së investitorit ndryshime projektit, për të shtuar kate e volume, sepse shkon ti në burg. Përkundrazi, në momentin që ti konstaton që investitori po bën diçka të tillë, je ti që duhet të denoncosh direkt në polici. Po kështu arkitekti, po kështu mbikëqyrësi i punimeve duhet të lajmërojnë policinë në momentin që shikon që tek ajo godinë po ndodh diçka, sepse është edhe ai pjesë.

Në të gjitha rastet, kur ndërtimet me leje, që kanë një grup të tërë njerëzish që janë pjesë e projektit, konstatohen në abuzim, është detyra juaj t’i merrni të gjithë këta, sepse këta janë pjesëmarrës në krim. Aty  ku nuk ka leje, ligji është shumë i qartë. Besoj se është shumë e rëndësishme që me të gjitha ndryshimet e reja ligjore të njihen edhe një herë nga e para, me detaje, të gjithë shefat e komisariateve, të gjithë punonjësit e policisë dhe forcat të fokusohen aty ku folëm, jo nëpër maja malesh, jo nëpër fshatra e nëpër zona ku është për t’i thënë faleminderit shumë që po rregullon murin, jo për të shkuar për t’i vënë gjobë pse po bën pa leje rregullimin e murit.

Faleminderit dhe shpresoj e besoj shumë që shumë shpejt, kjo situatë do të kalojë në një fazë të r, sepse dhe jo për të thënë fjalë të bukura, që është bërë një punë e madhe, por krejt e pamjaftueshme për një vend që ka ambicien që bëhet kampion i Ballkanit në turizëm. Kostot janë të tmerrshme për çdo ndërtim që ngelet aty, pastaj fillon pretendimi për t’u legalizuar. E kulmi i kulmit, që nuk duhet ta lejojë më Policia e Shtetit, është që prishet ndërtimi me shpenzimet e shtetit dhe pastrohet nga shteti. Kjo nuk duhet lejuar më. Ligji është i qartë fare. Ata që e kanë bërë duhet të përballojnë edhe të gjitha kostot e pastrimit. Nëse nuk i përballojnë, atëherë kanë pasojat e tjera që duhet t’i kenë në kurriz.